Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Përsiatje filozofike

Shqyrtim mbi mendimin e Rene Descartes-it tek libri Përsiatje Metafizike

Edhe pse konsiderohet se me Sokratin fillon periudha racionaliste në filozofi, është René Descartes-i ai i cili njihet si themeluesi i racionalizmit. Sipas mendimit të tij, burimi kryesor i njohjes së drejtë dhe të vërtetë nuk është përvoja apo ndijimet, siç mendonin empiristët dhe sensualistët, por ratio. Shqisat dhe përvoja kanë të bëjnë me ndijimet dhe gjësendet individuale, me vetitë sipërfaqësore dhe të ndryshueshme. Prandaj, njohja në bazë të përvojës nuk është as e mjaftueshme, as e sigurt. Përkundrazi, arsyeja është e vetmja aftësi kuptimore e njeriut, e cila është në gjendje ta njohë dhe shpjegojë drejtë natyrën, shoqërinë dhe vetveten. Se a është një pohim apo gjykim, një teori apo sistem i vërtetë apo nuk është, mund ta kuptojmë vetëm në bazë të arsyes. Sipas Descartes-it kërkohet që njohja, në të cilën do të mund t’i mbështetnim gjykimet e sigurta e të padyshimta, të jetë jo vetëm e qartë, por edhe e dallueshme, sepse të qartë  ai e quan atë njohje e cila është e gjallë dhe e hapur për shpirtin, duke ia vënë në spikamë dallueshmërinë asaj njohjeje, e cila pëveç qartësisë, është e ndarë nga çdo gjë tjetër dhe përmban në vetvete vetëm atë që është e qartë. Mirëpo, tek libri Përsiatje Metafizike, në pjesën e parë të tij, ai si temë qendrore do të shtrojë problematikën e Zotit dhe njohjes së tij, temë të cilën e pohon edhe ai vetë se e ka trajtuar në vija të trasha edhe tek libri Ligjëratë mbi metodën. Mirëpo, që tani këtu e bënë një shpjegim më të thelluar për këto probleme.

Pasiqë kishte abstraguar të gjithë traditën si diçka që do të mund të na ofronte njohje të sigurt, Descartes-i konkludon se vetëm nëpërmes të menduarit (cogito-s), mund ta njohim vetveten. Ky konsiderohet edhe si momentumi i themelimit të subjektit racional apo subjektocentrizmit. Ky rend i të menduarit teocentrizmin e zbret nga piedestali dhe subjekti, i cili si pjesë inherente, konstituive ka arsyen që zë pozicionin e tij. Përderisa dikur bota kishte të qartësuar qëllimësinë, tani me subjektin kartezian ajo do të rithemelohej tërësisht nga perspektiva e këtij të fundit. Dyshimi metodik si formë tipike e hulumtimit, Descartes-in e shtyn që ta suprimojë të kaluarën, por njëkohësisht të ndërtojë të tashmen. Duke insistuar që ta gjejë të vërtetën e parë, prej nga pastaj do të nisej që ta ‘zbulonte’ mozaikun e të vërtetave që fshiheshin, ai arrin tek e vërteta e parë që është vetevidente, pra, Cogito, ergo sum (Mendoj, pra jam). Rëndësia e kësaj të vërtete qëndron pikërisht në faktin se, tani e tutje individi me arsyen si instancë kryesore do të bëjë rivlerësimin e çdo gjëje. Të vërtetat që dikur merreshin si të gatshme, tani ato do të jenë të vërteta vetëm atëherë kur me anë të arsyes të zbulohet dallueshmëria dhe kthjelltësia e tyre. Mirëpo, prapëseprapë, Descartes-i mendonte se cogito-ja nuk do të jetë e sigurt nëse nuk do t’i krijohet një bazament metafizik. Këtu është momenti kur ai fillon të provojë edhe ekzistencën e Zotit duke aluduar në argumente racionale. Për këtë ai shprehet: “(…) ka shumë kohë që kam në shpirt njëfarë botëkuptimi se është një Zot që mund të bëjë çdo gjë, dhe i cili më ka krijuar dhe prodhuar të këtillë çfarë jam. Pra kush mund të më sigurojë se ky Zot nuk ka bërë që të mos ketë kurrfarë toke, kurrfarë qielli, kurrfarë trupi të shtrirë, kurrfarë pamje, kurrfarë madhësie, kurrëfarë vendi, ndërsa unë megjithatë ta kem ndjenjën për të gjitha këto gjëra, dhe të gjitha këto të mos më duken se ekzistojnë ndryshe përveç ashtu si i shoh?” (R. Descartes, Përsiatje Metafizike f. 30). Përderisa në fillim me anën e dyshimit metodik kishte hedhur gjithçka dhe çdo gjë, edhe Zotin madje, si mundësi që mund të na dërgonin tek e vërteta, kurse tani Descartes-i insiston në postulatin ontologjik të ekzistencës së këtij të fundit. Duke dhënë argument nga më të ndryshmet për ekzistencën ose jo të gjërave trupore, apo imazheve të ndryshme që na paraqiten, Descartes-i arrin kështu deri në përfundimin mbi ekzistencën e ideve të lindura, të cilat, në njëfarë kuptimi, përbëjnë lidhshmërinë midis njeriut dhe qenies absolute. Descartes-i idetë e lindura i paraqet si diçka që nuk janë produkt i përvojës. Për këtë arsye këto ide dallojnë prej atyre që vijnë nga objektet e jashtme, si dhe nga ato që burojnë nga përcaktimi i vullnetit të njeriut. Në këtë mënyrë ai dëshiron ta bëjë dallimin midis mendimit dhe refleksionit mbi mendimin. Për Descartes-in teoria mbi idetë e lindura është rruga e zbulimit të parimeve të para të vetëdijes në tërësi. Ai përcakton këtu rendin e njohjes së gjërave, rast me të cilin tregon se ekzistenca subjektive qëndron në vendin e parë të rendit të njohjes. Cogito, ergo sum, është rendi i parë i njohjes, e që pastaj vijnë të gjitha njohjet tjera. Mirëpo, ai duke teorizuar për rendin gnoseologjik të qenësisë, konsideronte se Zoti është ontologjikisht i pari në rendin e njohjes që ne e kemi, por për arritjen e njohurive mbi të, duhet nisur nga ekzistenca subjektive. Për këtë ai shprehet: “Prandaj ngel vetëm ideja e Zotit, në të cilin duhet të shqyrtohet a mos ka diçka që të ketë mundur të vinte nga unë vetë. Me emrin Zot unë kuptoj një substancë të pafundme, të amshuar, të pandryshueshme, të pavarur, gjithënjohëse, të gjithëfuqishme, dhe nga e cila unë vetë, dhe të gjitha gjërat e tjera që janë (në qoftë e vërtetë që ka sosh që ekzistojnë) janë krijuar dhe prodhuar. (…) Ideja e kësaj qenieje në shkallën më të lartë të përsosur dhe të pafundme është e vërtetë: ngase, ndonëse mund të shtirem se një qenie e tillë nuk ekziston, megjithatë nuk mund të shtirem se ideja e saj nuk më paraqet asgjë reale” (Ibid., ff. 49-50). Pra, Descartes-i duke shtjelluar ekzistencën e një ideje të tillë dhe duke folur për bazën e saj metafizike, ai konkludon në domosdoshmërinë e ekzistimit të vetë Zotit. D.m.th., ideja mbi Zotin është e lindur. Idetë e lindura janë të ndryshme nga konstruksioni i fantazisë. Ato janë të qarta dhe paraqesin realizimin e mundësive të brendshme të shpirtit. Fuqia e përgjithshme njohëse bazohet në këtë kuptim, nëpërmjet të cilit mundëson realizimin e parimeve themelore të një shkence gjithëpërfshirëse. Idetë e lindura janë ato që kanë të bëjnë me parimet e përgjithshme të ekzistencës, kështuqë zbatohen si parime të përgjithshme të njohjes së ekzistencës së përgjithshme në natyrë dhe të ligjeve natyrore. Ai veçohet nga lëvizja e përmbajtjes ideore dhe e vendos si parim dhe si shkak të ekzistencës së përgjithshme. Këtu bëhet fjalë për procesin ku cogito-ja shpreh kuptimin absolut dhe e vendos si Un absolut, i cili në metafizikë do të fitojë më vonë përmasa të reja, më të thella, duke u transformuar edhe në dije absolute të shkencave moderne.

Të gjitha lajthitjet e mundshme, sigurisht edhe të pashmangshme, burojnë nga mungesa e përkryerjes njerëzore, e cila nuk mund të njohë në çdo moment dhe në të gjitha rrethanat atë që është e vërtetë dhe që buron nga përkryerja e Zotit. Descartes-i konsideron se Zoti është substancë absolute dhe dëshmi e vërtetësisë së ekzistencës dhe njohjes mbi këtë ekzistencë. Kur kihet parasysh tërësia e ontologjisë së Descartes-it, kur shpjegohet metafizika e tij nëpërmjet tërësisë së sistemit që përpiqet ta ndërtojë ai, shihet qartë se tezat e tij ontologjike bazohen në perceptimin dualist të botës. Çdo gjë që ekziston, ai e ndan në sferën e materies dhe atë të shpirtit. Kjo ndarje buron nga perceptimi i tij mbi substancën, e cila është pikënisja themelore e strukturës së metafizikës së tij. Sipas tij tipar i materies është hapësira ose shtrirja (res extenca). Kjo në metafizikën e Descartes-it njihet si substancë e dytë, kurse si substancë e parë është të menduarit (res cogitas). Ai medonte se realiteti i përgjithshëm është ose res cogitas, që nënkupton shpirt, veprimtari shpirtrore, ose res extance, hapësirë, shtrirje. Kjo është esenca e dualizmit metafizik të filozofisë së tij. Shpirtin dhe trupin na paraqet si dy fenomene regullative, substanca që nëpërmes tyre rregullohet i tërë realiteti.

Descartes-i nuk ishte i sigurt drejtpërdrejt për botën e jashtme. Që të sigurohej për këtë, atij iu nevojit të sigurohej për ekzistencën e Zotit, pastaj falë vërtetësisë hyjnore të sigurohej për vlerën e ideve të qarta dhe të dallueshme para se të gjejë përvojën e sendeve. Shpeshherë Descartes-i për ta njohur botën e jashtme, e cila sipas tij na imponohet nëpërmjet kaq shumë mënyrave mbi ndijimet dhe shqisat tona dhe mbi mendimin, na kushtëzon me atë se ne kemi prej saj përfytyrime aq të qarta dhe të dallueshme, saqë nëse Zoti thotë të vërtetën, ne mund të pranojmë se bota e jashtme është e vërtetë.

Descartes-i nga ana e tij arsyeton mbi atë që qëndron e pandryshueshme gjatë ndryshimit. Në dorën e tij ai mbante një copë dylli, që është i fortë, i bardhë, i ftohtë, pa erë dhe me një formë të përcaktuar. Kur i afrohet zjarrit nxehet. Copa e dyllit zbutet, ngjyra ndryshon, dylli lëshon një erë. Descartes-i nuk mendon për atë që qëndron e pandryshueshme në tërësinë e universit, por mbi atë që mbetet e pandryshueshme në copën e dyllit. Të gjitha cilësitë ndryshojnë ajo që mbetet është koncepti: kemi të bëjmë gjithnjë me dyllin (Ibid., f. 37). Gjithçka që e përbën botën e jashtme në sytë e tij është nga vetë thelbi me natyrë konceptuale, gjeometrike. Cilësitë ndijore nuk përbëjnë thelbin e sendeve. Thelbi i tyre është shtrirja. Provë për këtë është se sipërfaqe ka atje ku ka trupa dhe atje ku nuk ka trupa nuk ka shtrirje. Ndërsa mendimi për të është aktiv, ai vihet vetvetiu në lëvizje. Andaj, ai mendonte se shtrirja është pasive, çdo lëvizje përcillet nga jashtë. Për këtë gjithçka që ekziston shndërrohet në këto dy substanca (realitete) themelore, të pareduktueshme në njëri-tjetrin – shtrirja dhe mendimi, res cogitans dhe res extenca. Ai mendonte po ashtu se është një dallim shumë i madh mes dy substancave, substancës së trupit dhe substancës së mendjes, sepse sipas tij: “…trupi, për nga natyra e vet, është gjithnjë i ndashëm, ndërsa shpirti plotësisht i pandashëm” (Ibid., f. 37). Ky dualizëm kaq i prerë, ia bëri të vështirë Descartes-it shpjegimin sesi mendja dhe trupi mund të veprojnë mbi njëra-tjetrën. Në qoftë se secila lëndë ishte krejtësisht e ndarë nga tjetra. Atëherë mendja duhej të strehohej brenda trupit ashtu si një timonier në një anije (Ibid., f. 37). Pikërisht për këtë, Descartes-i për t’i bashkuar këto dy gjëra i referohet instancës supreme. Ai mendon se edhe Zoti mund të perceptohet si ekzistencë. Ideja mbi Zotin, nëpërmjet së cilës shprehet esenca e tij, nuk është e mundur të kuptohet nëse mohohet ekzistenca e tij. Me këtë i gjithë mendimi kartezian do të ketë konsekuenca mjaft të mëdha në filozofinë e mëpastajme, deri tek Nietzsche, i cili përmes një kritike të ashpër do ta vërë në një rivlerësim rigoroz të gjithë periudhën racionaliste.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.