Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Quhet përdhunim!

Leksikoni shqiptar mbi vajzat dhe gratë, kur ato janë viktima të dhunës, është goxha një shembull i akrobatikës mendore. Viktimat e përdhunimit, dhunës, apo trafikimit ndoshta shikohen me empati, por edhe patjetër me një dozë dyshimi, me ato fjalë shpëlarëse të kulturës sonë: provokim, lavire dhe e përdalë.

Lajmi i 14 policëve të implikuar në rastin e përdhunimit të dy tinejxhereve nga një polic në Suharekë është raportuar në hollësi vetëm nga “Zëri”. Në qoftë se nuk e keni lexuar lajmin, fjala është për dy shoqe, njëra 14 vjeçare dhe tjetra 15 vjeçare, të cilat janë raportuar si të zhdukura në qershor. Një javë më vonë janë gjetur, të ndara, në dy motele në Suharekë. Në deklaratat që i dhanë policisë, ato thanë se ishin përdhunuar, ndër tjerash, nga një rreshter i policisë me inicialet Sh.S., i cili po ashtu menaxhon një klub nate në Suharekë (sipas gjyshes së njërës prej viktimave, vajzat kishin vizituar këtë klub para se të zhduken). Rreshteri u fut në paraburgim, ndërsa më vonë janë implikuar edhe policët tjerë, për fshehje të rastit dhe ushtrim të trysnisë tek viktimat. Katërmbëdhjetëvjeçja, e cila jeton në Itali, tërhoqi deklaratën e saj. Sipas thashethemeve të fqinjëve të fshatit prej nga vjen, kishte marrë kërcënime. 

Mediat e kanë përshkruar rastin si “seks me të mitura” apo “marrëdhënie seksuale”, duke anashkaluar fjalën e duhur: përdhunim. Sado që kjo është një e vërtetë esenciale, për shoqërinë tonë si duket duhet shpjeguar akoma: të miturat nuk konsiderohen persona të rritur dhe rrjedhimisht nuk mund të japin pëlqimin e tyre për marrëdhënie seksuale me persona në moshë madhore. Shkurt e shqip: janë fëmijë! E sipas ligjit, një person i rritur nuk mund të “bëjë seks” me një fëmijë, mu për shkak të këtij relacioni jo të barabartë. Mbyllja e këtyre vajzave në motele dhe prostituimi i tyre quhet trafikim, e jo “aktivitete” siç e përshkroi çuditërisht “Zëri”. 

Me këto zgjedhje fjalësh, rasti në tërësi mjegullohet, relativizohet dhe merr nuanca të fajit të përzier. Kjo tendenca për të barazuar dhe për të gjetur një ekuivalencë midis ushtruesit të dhunës dhe viktimës është e rrënjosur mirë në kulturën tonë. Nuk është befasi që ky lajm as nuk bëri bujë shumë të madhe, dhe as nuk zgjoi deri tani ndonjë revoltim apo protestë më të organizuar. Edhe pse leximi midis rreshtave tregon deri diku këtë histori: dy fëmijë shkuan në një klub nate ku menaxheri ishte polic. U zhdukën një javë. Zhdukja e tyre u raportua në polici. Gjenden të mbyllura në motele, njëra gjendet në një dhomë me një burrë të rritur. Të dy vajzat thonë se ishin përdhunuar disa herë, edhe nga polici i cili menaxhon klubin. E tash, sipas prokurorisë, po dyshohet se disa policë ishin në dijeni për rastin dhe kanë heshtur. Për çka tjetër po heshtin, nëse nuk na qenka mjaft alarmante akuzimi për trafikim të fëmijëve nga një kolegë i tyre për të reaguar?

Termet “seks më të mitura” dhe “marrëdhënie” nuk e tregojnë këtë realitet. “Marrëdhënie” nënkupton një akt i bërë me pëlqimin e dy palëve të barabarta. Nënkupton zgjedhje. Aludimi që dy fëmijë mund të kenë marrë pjesë, me dëshirë e vullnet të lirë në përdhunimin e tyre, është thjesht mizor. Tregon shumë për ne dhe perceptimin e mbrapshtë dhe të rrezikshëm që kemi  për seksin në përgjithësi. Një shoqëri që nuk respekton konceptin e pacenueshmërisë së trupave të grave dhe të vajzave, që i konsideron ato si mall riprodhues apo vetëm mish, riciklon dhunë pafundësisht. Duke ditur këtë mendësi, po supozoj që për disa, në momentin që kanë hyrë ato dy vajza në diskotekë (apo edhe ndoshta jashtë shtëpisë), janë shndërruar në mish për konsumim – ndoshta edhe në sytë e atyre që kishin për detyrë t’i mbronin.

Kjo mendësi është e normalizuar. Fillon nga punëtorë të rasteve sociale që i sugjerojnë gratë të kthehen tek abuzuesit e tyre burra. Me mjekë dhe infermierë që lejojnë gratë të lindin nëpër korridore të QKUK-së. Me akademikë që thonë se viktimat e përdhunimit janë të përdala apo psikopate. Me komikë që thonë që të gjitha gratë janë kurva. Mendësia jonë kërkon prej vajzave dhe grave pastërti seksuale, por edhe insiston se të gjithë ne jemi kurva të lindura. 

Por vjen një rast si ky, i cili nxjerr këtë shëmti në sipërfaqe, dhe nuk na pëlqen. “Përdhunim” tingëllon shumë rëndë, “marrëdhënie”, “seks”, apo “abuzim” kapërdihet më lehtë. Por kjo shëmti nuk mbulohet aq lehtë. E prodhojmë dhe e riprodhojmë ne, dhe në të njëjtën kohë e minimizojmë, duke quajtur përdhunimin marrëdhënie seksuale, duke pyetur si dhe pse provokoi, duke thirrur në një traditë të nënshtrimit, duke përqeshur thirrjet për njerëzim bazik, duke reduktuar gratë në “kurva” dhe të “moralshme”, duke pohuar faktikisht se një dozë dhune është pjesë e natyrshme e lidhjeve midis dy sekseve. Tash paramendo të rritesh si vajzë këtu dhe të jesh këto vajza në veçanti.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.