Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ana tjetër e vizave

Kosovo Flag Ruffled Beautifully Waving Macro Close-Up Shot

Liberalizimi i vizave është bërë tema kryesore tani e disa vite. Vizat janë pika e vetme e cila bashkon pozitën me opozitën, shoqërinë civile me pushtetin. Kur vjen puna tek vizat, të gjithë fajin ia lëmë politikave “diskriminuese” të Komisionit Evropian.

Dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare janë zhvilluar me premtimin se qeveria e re do të liberalizoj vizat. Fokusi kryesor i Ministrisë së Integrimeve Evropiane kundrejt Bashkimit Evropian është plotësimi i kritereve për liberalizim. Në anën tjetër, edhe vetë Komisioni Evropian ka vendosur theksin kryesor në këtë proces. Së fundmi, një grup i gjerë i shoqërisë civile ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për peticion i cili do ti dërgohet si notë proteste Bashkimit Evropian.

Por, a janë vizat aq të rëndësishme, sa i tërë fokusi i institucioneve, Komisionit Evropian, medias e shoqërisë në përgjithësi të përqendrohet në këtë proces?

Para se ti përgjigjem kësaj pyetje, do e shpalos një skenar të mundshëm se çfarë do të ndodhte në rast se liberalizohen vizat më 1 janar 2016:

Liberalizimi i vizave do të kremtohej nga politika kosovare si arritja më e madhe në politikën vendore. Shenjë se korrupsioni e krimi i organizuar po luftohet suksesshëm. Se dokumentet personale janë të sigurta. Se institucionet kanë bërë hapa të mëdhenj në zbatimin e politikave të riatdhesimit. Legjislacioni po zbatohet. Rendi dhe qetësia publike janë përmirësuar.

Që në ditët e para të liberalizimit, me dhjetëra mijëra persona do të merrnin rrugën për në vendet e BE. Emigrimi ilegal, do të shndërrohej në emigrim legal, së paku për 90 ditët e para të qëndrimit në BE. Në sytë e qytetarëve të papunë, liberalizimi i vizave ka qenë premtimi kryesor në zgjedhe nacionale, është raportuar si arritja më e madhe, si diçka që do të ofroj perspektivë të re për kosovarët. Andaj, përse të mos marrin një rrugë të tillë?

Menjëherë pas kësaj, duke parë fluksin e qytetarëve dhe për shkak të presionit nga vendet anëtare të BE, Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë një fushatë të gjerë informimi për të ndaluar ikjen e qytetarëve jashtë vendit. Një fushatë e tillë do të bënte thirrje që mos të merret rruga e emigrimit, ngase liberalizimi i vizave nuk nënkupton edhe qëndrim të përhershëm apo të drejtë punësimi. Sipas fushatës së qeverisë, liberalizimi i vizave nënkupton vizita turistike në vendet e BE, mundësi për të vizituar “Bienalen e Venedikut”, për të shijuar atraksionet turistike. Fushata vazhdon me atë se si profesionistët mund të lëvizin lirshëm dhe të lidhin kontakte me bizneset evropiane. Se si biznesmenët kosovarë mund të zgjerojnë tregtinë në vendet e BE. Por, të papunët duhet të qëndrojnë këtu.

E kjo kampanjë informimi do ti duket e çuditshme kosovarit të papunë, i cili nuk njeh asnjë gjuhë të BE dhe nuk mund të lidhë marrëveshje punësimi. Do të tingëllojë absurde në veshët e atyre 99% të qytetarëve të punësuar të cilët kanë pagë nën 800 euro dhe nuk mund të ndërmarrin një vizitë “qejfi” në vendet e BE.

Në muajt e parë pas liberalizimit të vizave, Qeveria do të ndjehet më e lehtësuar. Tek e fundit, një kontingjent i madh i të papunëve dhe të varfërve, do të largohen nga vendi. Rrjedhimisht, presioni social do të bie. Në statistikat zyrtare, papunësia dhe gjendja sociale do të duket më mirë. Tek e fundit, gjetja e mënyrave për të “hequr qafe” të papunët dhe të varfrit nuk është diçka e re. Sipas autorëve të librit “Poor Economics”, në kohë të krizave ekonomike, qeveritë mundohen të gjejnë mënyra se si të largojnë një pjesë të popullsisë, me qëllim që në një ekonomi me resurse të kufizuara, të krijohen mundësi më të mëdha punësimi dhe mbijetese.

Por, kjo nuk do të zgjas shumë. Pjesa më e madhe e kosovarëve që do të marrin rrugën e emigrimit, do të detyrohen që të kthehen. Atyre do u vendosen dënime për shkelje të të drejtës së përdorimit të vizave dhe nuk do lejohen të marrin rrugën e emigrimit sërish. Për shkak se rrugëtimi i tyre për në vendet e BE ka qenë i kushtueshëm, këta qytetarë do të rikthehen në gjendje më të rëndë ekonomike, se para se të niseshin. E kjo do të paraqes një barrë shtesë për ekonominë.

E brenda disa muajve, entuziazmi i qeverisë dhe qytetarëve për liberalizimin e vizave do të bie. Qytetarët do të çuditen se si i kanë vendosur të gjitha shpresat në këtë proces. Do të pyesin pse për një proces kaq të parëndësishëm, partitë politike zhvillonin fushata zgjedhore me premtimin kryesor për liberalizim, sikur kjo të ishte “nëna e të gjitha problemeve”?

Tani, duke qenë në masë të madhe të sigurt se ky do të jetë skenari i ditëve të para pas liberalizimit, një skenar që e kemi pa në Maqedoni, Serbi, Bosnje e Shqipëri, a ia vlen që të përqendrojmë krejt energjitë në këtë proces? A ia vlen që për hatër të liberalizimit të vizave, të bëhen lëshime në fushat tjera gjatë negociatave në Bruksel dhe me Brukselin?

Unë mendoj se jo. Unë mendoj se liria për të lëvizur dhe liria për të kërkuar jetë më të mirë, qoftë edhe jashtë kufijve, duhet të jetë e drejtë që i garantohet çdo njeriu. Edhe kosovarëve. Por nuk mendoj se liberalizimi i vizave meriton tërë këtë vëmendje. Nuk pajtohem me ata që mbivlerësojnë potencialet për zhvillim ekonomik që mund të sjell një liberalizim i vizave. Forca punëtore nuk është e kualifikuar për punë në tregun evropian. Problem me kuadro të përgatitura kanë edhe bizneset në Kosovë. Po ashtu, i paktë është numri i atyre të cilët kanë mundësi ekonomike që të marrin rrugën drejt BE, vetëm për çështje turistike apo kulturore. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave, vetëm 3 mijë persona kanë pagë mbi 800 euro, të cilët mund të llogaritet se me kursime disa vjeçare mund të marrin një rrugë të tillë.

Liberalizimi i vizave nuk do sjell zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik është rruga më e shpejtë për liberalizimin e vizave. Sipas ekonomistit Ha-Joon Chang, “kur Bashkimi Evropian ndaloi së vëni vizat për qytetarët e Koresë së Jugut në fund të viteve 1980, kjo ishte dëshmia kryesore se ky vend ka përparuar ekonomikisht. Sipas Chang, nga fundi i viteve të ’80, askush nuk synonte të emigronte ilegalisht, për shkak se vendi hyri në mesin e shteteve më të zhvilluara.”

Andaj, në vend se të kërkojmë rrugën e zhvillimit përmes liberalizimit të vizave, duhet të zhvillohemi ekonomikisht, aq sa liberalizimi i vizave njëmend të shndërrohet në mjet që mundëson rekreacionin në vendet e BE.

Aq më shumë që kemi nevojë për vizat, aq më larg do të jenë ato. Në një situatë të këtillë ekonomike, liberalizimi i vizave nuk do të jetë liberalizim, nuk do të ketë liri lëvizje e as lirinë për të kërkuar pa penguar një jetë më të mirë jashtë Kosovës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.