Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

“Timbuktu”: Një film mbi jetën nën sundimin terroristik

Filmi Timbuktu të Abderrahmane Sissako.

“Timbuktu” është filmi i vetëm i imi që më bën të qaj. Kam qarë disa herë duke e shikuar. – A. Sissako

Të thuash që Abderrahmane Sissako është një nga regjisorët jo vetëm më të mirë afrikanë, por edhe botërorë, nuk është aspak një mbivlerësim. I lindur në vitin 1961, në Mauritania (sikurse Med Hondo, një tjetër regjisor Mauritaniez, që është bërë gjerësisht i njohur në sajë të filmave të tij “Soleil O” (1965) dhe “Sarraounia” (1986). I rritur në Mali, në vendlindjen e dikurshme të babait të tij, ku mbaron dhe shkollimin fillor e të mesëm. Dhe i shkolluar, sikundër shumë regjisorë të tjerë, në Institutin e Filmit në Moskë (VGIK), Sissako, së bashku me Ousmane Sembène, Souleymane Cissé, Djibril Diop Mambéty, Mahamt-Saleh Haroun, Djo Tunda Wa Munga, Med Hondo, Idrissa Ouédraogo, etj., konsiderohet sot me të drejtë si një nga regjisorët më të spikatur të kësaj pjese të botës.

Personalisht, emrin e këtij regjisori e kam hasur para ca vitesh dhe, qysh atëherë, jam munduar që, kohë mbas kohe, t’i shikoj filmat e tij. Meqë deri më tani nuk kam arritur t’i shikoj të gjithë, sidoqoftë, por vetëm katër prej tyre – “Timbuktu,” “Bamako,” “Waiting for Happiness,” “Life on Earth” – do të doja që në këtë seri të shkrimeve të flisja për secilin film veç e veç, me shpresën se lexuesi që nuk ka dëgjuar për këtë regjisor briliant do të njihet me krijimtarinë e tij.

Fillimisht, propozoj të flasim për “Timbuktu,” një film që nuk duhet humbur kurrsesi, dhe për të cilin do të bëj fjalë në vijim. Pastaj në shkrimin e dytë, të tretë dhe të katërt, të flasim për “Bamako,” “Waiting for Happiness,” dhe “Life on Earth” respektivisht.

“Timbuktu”

Në këtë film, siç mund të kuptohet dhe nga vetë titulli, bëhet fjalë për Timbuktu, një qytet në Mali të Afrikës Perëndimore i cili, mjerisht, bie në duart e terroristëve të vetëquajtur islamikë. Për habinë e shumëkujt, në këtë film, Sissako nuk ndjek një linjë klasike narrative, por një linjë non-lineare (ose, siç njihet ndryshe në anglisht, disjointed narrative), të përbërë nga disa rrëfime të ndryshme por komplementare me njëra tjetrën.

Kështu, në fillim të filmit, shohim disa terroristë të hipur në karrocerinë e hapur të një (lloj) kamionete, duke ndjekur një gazelë të bukur dhe duke shtënë në drejtim të saj. Çuditërisht, qëllimi i terroristëve nuk është për ta vrarë gazelën e bukur, por thjesht për ta rraskapitur atë, duke e ndjekur nga pas. Siç dëgjohet një zë terroristi: “Lodheni! Mos e vritni! Lodheni!” Sepse lodhja, të dashur lexues, qenka më e tmerrshme se vdekja. Ja një mësim i vlefshëm – ose, më mirë akoma, një varg poetik që mund të nxjerrim nga filmi.

Menjëherë pas kësaj skene, në një sekuencë tjetër gjatë filmit shohim terroristët duke qëruar hesapet edhe me veprat kulturoro-artistike, të cilat i shkatërrojnë një nga një. Siç mund të shihet dhe nga klipi më poshtë:

https://www.youtube.com/watch?v=V4bmgyQSMvo

Nëpërmjet këtyre dy sekuencave të shkurtra, gjë që nuk është tipike për universin e Sissako-s, mësojmë se filmi bën fjalë për okupimin e një lokaliteti nga ana e terroristëve. Kjo, posaçërisht, bëhet më e qartë pas pak, kur në një moment tjetër shohim një terrorist duke u bërë me dije banorëve lokalë rregullat e reja që duhet të zbatojnë. “Vëmendje! Njoftim me rëndësi! Pirja e duhanit është e ndaluar. Muzika është e ndaluar. […] Gratë duhet të veshin çorape dhe dorëza. […] Burrat duhet të mbajnë pantollonat mbi zogun e këmbës!” Janë vetëm disa nga urdhrat që dëgjohen nga megafoni i një terroristi. Çuditërisht, teksa terroristi po kumtonte rregullat edhe në gjuhën Bambara (i.e., gjuhë kombëtare në Mali), dy terroristë të tjerë veç i shohim duke duke urdhëruar një kalimtar të moshuar që t’i ngrejë pantollonat sipër zogut të këmbës. I shkreti, duke mos pasur zgjidhje tjetër – meqë pantollonat që mbante, nuk i rrinin sipër zogut të këmbëve – detyrohet që t’i heq në një stil bukowskian dhe të ecë vetëm në të shkurtra.

Mirëpo nuk janë vetëm kafshët, kultura dhe njerëzit që bëhen subjekt i dhunës së terroristëve (siç është rasti, bie fjala, i mbytjes barbare së dy të dashuruarve të pamartuar. Një fat të tillë, kuptueshmërisht, e përjeton edhe vetë religjioni të cilin terroristët pretendojnë se e përfaqësojnë. Këtu, kam parasysh veçan dy momente. Së pari, kur, teksa besimtarët janë duke u lutur në xhami, terroristët hyjnë të mbathur e të armatosur aty, duke ngjallur zemërim tek imami – i cili, në mes të tjerash, i pyet butësisht: “Çfarë ju sjell këtu? […] E dini që është e ndaluar të hysh me këpucë dhe armë në shtëpinë e Zotit? Nuk është e lejuar.”

“Por ne mundemi. Jemi duke bërë luftë të shenjtë,”- i përgjigjet kërcënueshëm një nga terroristët.

“Jeni duke bërë luftë të shenjtë? Dhe këtë doni ta bëni këtu? Në shtëpinë e Zotit?” – u thotë imami.

Për të shtuar edhe këtë:

“Tek ne, në Tambuktu, secili që menjëmend i përkushtohet fesë, e përdor kokën, e jo armët.”

Po kështu, në një skenë tjetër, imami qorton dhe një terrorist tjetër, me fjalët: “Ndaloni çfarë jeni duke bërë. Jeni duke e dëmtuar Islamin dhe muslimanët […].” Më gjerësisht:

https://www.youtube.com/watch?v=VtqDO1fMrr8

Sikur Sissako të tregonte vetëm për praktikat barbarike të terrorristëve, sidoqoftë, nuk besoj se do të tregonte ndonjë gjë të re rreth tyre, meqë këtë e dimë nga mediat dhe filmat e Hollywood-ianë. Ajo që e bën këtë film të mrekullueshëm, në mendimin tim, janë dy komponente të rëndësishme. Së pari, ironia që Sissako përdor për të vënë në dukje hipokrizinë e terroristëve. Këtu, kam parasysh disa momente të rëndësishme. Së pari, kur terroristi Abdelkarim, një nga terroristët kryesorë në film, fshihet për të pirë cigare, megjithëse tymosja konsiderohej haram dhe e dënueshme. Së dyti, kur sërish në kundërshtim me rregullat në fuqi, terroristi Abdelkarim provokon seksualisht Satima-n, gruan e Kidane-s, e cila e kupton shumë mirë këtë gjë. Siç mund të shihet dhe nga klipi më poshtë:

https://www.youtube.com/watch?v=Ls8XQRd8SDY

Së treti, kur një terrorist tjetër fshihet tek vendqëndrimi i gruas së çmendur, që është një personazh mjaft intrigues, dhe vallëzon në kundërshtim me rregullat e imponuara nga sundimi i tyre.

https://www.youtube.com/watch?v=XHBaisvfM2Y

Së katërti, kur disa terroristë të tjerë, përkundër faktit që sporti konsiderohej haram, flasin për lojtarë të famshëm (i.e., Messi e Zidane), ekipet e tyre të preferuara (i.e., Barcelona e Real Madrid), si dhe ekipet kombëtare të Francës e Brazilit. Dhe, së fundmi, kur disa terroristë duan të bëjnë një video propagandistike, mirëpo nuk arrijnë për shkak se terroristi që ishte menduar të shfaqej në video kishte qenë më parë reper dhe, për këtë shkak, nuk tregohej mjaft bindës. Kjo ngjall zemërim tek kameramani – i cili, në mes të tjerash, i tërheq dhe vërejtjen ish-reperit: “Nuk ka më “Yoooo, man. Jemi në punë të fesë tash.”

https://www.youtube.com/watch?v=o_mvcluWfII

Dhe, komponenti i dytë që mendoj se e bën filmin “Timbuktu” një film të mrekullueshëm, janë momentet dhe aktet e rezistencës kundër sundimit terroristik. Këtu, kam parasysh katër skena briliante. Së pari, kur terroristët urdhërojnë një grua që t’i mbulojë duart, por ajo refuzon kategorikisht. Siç mund të shihet dhe nga videoja më poshtë:

https://www.youtube.com/watch?v=-0BpIXNYhhY

Së dyti, kur disa banorë lokalë, përkundër faktit që muzika qe e ndaluar, i bien kitarës dhe këndojnë këngën e mrekullueshme “Timbuktu Fassso.” Pritshmërisht, si këngëtarja, si kitaristi, arrestohen dhe, më pas, ndëshkohen me nga 80 kërbaçë: 40 për shkak të këndimit, dhe 40 të tjerë për shkak të shoqërimit. Mirëpo kjo nuk i tremb aspak. Përkundra, edhe në momentin e goditjeve nga kërbaçi, siç është rasti me personazhen grua, nuk ndalen së kënduari. (Ky moment i guximshëm më rikujton një sentencë të bukur, që e kam hasur tek një film tjetër (nga një regjisor i mrekullueshëm), që thotë se muzika, përkundër bindjes së përgjithshme, nuk është një formë e protestës, por është (thjesht) protestë.

https://www.youtube.com/watch?v=gWxiZdrFBxQ     

Së treti, kur një terrorist, mbasi e takon shortas një vajzë të re dhe të bukur, shkon tek shtëpia e saj dhe e kërcënon nënën e saj që, nëse jo me hatër, do t’ia grabisë vajzën e saj me zor. Kurse nëna, pa u frikur fare, i thotë përkthyesit që t’i thotë terroristit se “nuk ia ka frikën aspak.”

Dhe, e fundit, kur, pa marrë parasysh që futbolli konsiderohej haram, të rinjtë lokalë vendosin të luajnë pa top – thjesht duke imagjinuar goditjet e topit, pasimet, golat, penalltitë…:

https://www.youtube.com/watch?v=HM077frVB6Y

Pa asnjë mëdyshje, një nga momentet më monumentale kinematografike që kam parë ndonjëherë.

Mjafton vetëm ky moment, për të mos përmendur pastaj instancat e tjera që nuk u jam referuar në këtë shkrim modest, për t’ia kushtuar 1 orë e 37 minuta këtij filmi të mrekullueshëm.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.