Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Princi i Popullit

 

Emri i tij është bërë sinonim i dallavereve egoiste politike, por vepra e Machiavellit në të vërtetë është demokratike në thelbin e saj

Niccolo Machiavelli ka nam të keq. Që prej shekullit 16, kur kopjet e dorëshkrimit të veprës së tij madhore Princit filluan të qarkullojnë nëpër Europë, mbiemri i tij është përdorur për të përshkruar një formë posaçërisht të ndyrë të politikës: kalkuluese, të pamëshirshme dhe të shtyrë nga interesi vetjak. Sigurisht se ka arsye për këtë. Në një moment, Machiavelli këshillon udhëheqësin politik i cili sapo ka aneksuar një territor të ri që të sigurohej të shfaroste të gjithë prejardhjen e sunduesit të mëparshëm se mos formojnë konspiracion për ta rrëzuar nga froni. Ai gjithashtu lavdëron ‘mizorinë … e përdorur si duhet’ nga kapiteni mercenar Cesare Borgia gjatë vënies së themeleve të sundimit të tij në zonën përreth Romës. Sido që të jetë, Machiavelli nuk shpiku ‘politikën makiaveliane’. As nuk qe shkak avokimi i forcës dhe mashtrimit për të shtënë në dorë dhe mbajtur pushtetin që udhëheqësit individual t’i përdornin ato. Çfarë bëri atëherë Machciavelli? Çfarë deshi të arrinte?

Në Kapitullin 15 të Princit, Machiavelli deklaron:

Kam frikë se … do të më mbajnë për mendjemadh … Por meqë qëllimi im është të shkruaj diçka të vlefshme për këdo që merr vesh, më është dukur më me vend që të shkoj drejt e te e vërteta aktuale e gjësë, se sa te parafytyrimi i saj. Shumë njerëz kanë parafytyruar republika e principata që nuk janë parë e as njihen se kanë ekzistuar ndonjëherë; se është aq larg prej asaj se si jetohet te ajo se si duhet jetuar, sa që ai i cili harron çfarë bëhet në kurriz të asaj çfarë duhet bërë, mëson shkatërrimin në vend se prezervimin e tij. Se njeriu që do të bëjë profesionin e të mirit në të gjitha aspektet do të shkatërrohet mes të shumtëve që nuk janë të mirë.

Ndyshe nga republikat dhe principatat imagjinare, të avokuara nga teoricienët e mëhershëm politikë si Platoni, Aristoteli, Agustini dhe Akuini, ku si qeverisësit dhe të qeverisurit do të edukoheshin për të qenë sa më të virtytshëm, Machiavelli propozon të mësojë udhëheqësit politikë, si të mundshmit dhe të tashmit, ‘që të jenë të zotë të mos të jenë të mirë dhe të përdorin a të mos përdorin atë dije sipas nevojës’.

Përkundër namit si mësues i tiranëve, për të mos thënë mësues i së ligës per se, lexuesi i kujdesshëm vëren menjëherë se ky nuk mund të ketë qenë qëllimi i Machiavelli-t. Kush do të kishte nevojë të mësojë ‘të jetë i zoti që të mos jetë i mirë’? Sigurisht se jo tipët si Borgia ose perandori i ashpër e dyfytyrësh romak Severusi, të cilin Machiavelli e lavdëron poashtu. Duke mashtruar e vrarë rivalët e tyre, të tillë burra dëshmuan se “qenë të zotë për të mos qenë të mirë’ fare pa ndihmën e tij. Megjithatë, mund të mos kenë ditur si të përdorin e si mos të përdorin atë dije sipas nevojës.

Borgia u dërgua në ekzil nga njeriu i cili ky e ndihmoi të bëhët papë, ndërsa Severus-i nuk qe i zoti të mësonte të birin si të mbante sundimin e familjes. Siç vëren Machiavelli, udhëheqësit priren të ngulin këmbë në të përdorurit e mjeteve që iu kanë bërë të mundur të kenë sukses në të kaluarën, edhe atëherë kur ato mjete nuk përkojnë me rrethanat. Gjaknxehtit vazhdojnë të çajnë përpara edhe atëherë kur lypset maturi, dhe të maturit nuk kapin mundësitë që iu dalin përpara. Duke i mësuar lexuesit të jenë të zotë që të mos jenë të mirë dhe të përdorin ose të mos përdorin atë dijë sipas nevojës, Machiavelli duket sikur adreson dy lloje të aktorëve politikë: të mirët, që nuk dinë si të jenë të këqinj, por që duhet të mësojnë të jenë ashtu në mënyrë që të jenë të efektshëm; si dhe të këqinjtë, që nuk dinë si të përdorin (a të mos përdorin) ‘zotësinë’ e tyre për të vendosur regjim të qëndrueshëm.

Pse mendonte Machiavelli që ishte i nevojshëm një mësim i tillë? Sipas tij, shumica e qenieve njerëzore nuk duan në fakt të jenë të virtytshëm e të mirë. Marrë si individë, qeniet njerëzore janë të dobëta dhe nevojtare. Duke u përpjekur të fitojmë gjithnjë e më shumë dhe të ruajmë atë çfarë kemi akumuluar, natyrshëm do të gjendemi në konflikt. Kështu pastaj, bashkohemi për të formuar komunitete politike jo vetëm në mënyrë që të marrim çfarë na duhet, por gjithashtu të mbrojmë ato që kemi prej grabitjes së të tjerëve. E sapo komunitete të tilla politike të jenë formuar, anëtarët e tyre përçahen poashtu nga ‘humore’ ose ‘apetite’ reciprokisht të kundërta: dëshira e ‘të mëdhenjve’ (apo, siç themi sot, elitave) që të komandojë dhe shtypë popullin, dhe dëshira e popullit për të mos u komanduar dhe shtypur. Është një iluzion të mendohet se udhëheqësit apo qytetarët e rëndomtë të një komuniteti politik përpiqen për ‘një të mirë të përbashkët’, përtej të mbrojturit të komunitetit nga predatorët e jashtëm. Gjithnjë do të ketë konflikt pak a shumë të qartë mes atyre që duan të sundojnë dhe atyre që nuk duan të sundohen.

Te Princi, Machiavelli deklaron se ka tre rezultate të mundshme të konfliktit mes dy humoreve: principata, liria ose shthurja. Por në librin që gjoja i dedikohet edukimit të ‘princit’, ai nuk shpjegon si mund të arrihet ‘liria’ përmes balancimit të dy humoreve; ai e ruan atë mësim për Diskurset mbi Livi-n, në të cilin lavdëron Republikën Romake si shembull. Te Princi, ai kufizohet në inkurajimin që liderët politikë, me të marrë pushtetin, të kërkojnë mbështetjen e popullit të tyre.

Arsyeja e parë pse propozon që udhëheqësi duhet të kërkojë mbështetjen e popullit në vend se favorizimin e aleatëve ‘të mëdhenj’ ose partiakëve ështe se ‘të medhenjtë’ ambiciozë e marrin veten për të barabartët e tij dhe prandaj dëshirojnë ta zhvendosin. Ata do të kërkojnë gjithnjë e më shumë pozita dhe të mira si çmim për mbështjetjen së vazhdueshme. Përpjekjet për t’i kënaqur do të dështojnë domosdo dhe me të dështuar, do t’i kthejnë në armiq. Një udhëheqës mund të kënaqë popullin e tij, në anën tjetër, sepse ‘qëllimi i popullit është më i ndershëm (onesto) se ai i të mëdhenjve, ngaqë të mëdhenjtë duan të shtypin dhe populli nuk do që të shtypet’.

Së dyti dhe më rrënjësorja është se fuqia është në numra: populli është më i numërt se të mëdhenjtë. Machiavelli-t i pëlqen të përdor shembuj dhe gjuhë tronditëse. Ai drejton gishtin kah shembulli historik i Borgia-s si dhe Oliverotto Euffreducci-t, sunduesit të pamëshirshëm të Fermo-s, si dhe Agathocles-i, tiranit të Sirakuzës, për të treguar që ‘të medhenjtë’ relativisht të paktë në numër mund të mblidhen nën pretendime të rrejshme dhe të masakrohen në çdo sistem politik të caktuar, por rikujton lexuesit se ‘princi’ nuk do të ketë kë të qeverisë po vrau shumicën e popullit. Një lideri politik do t’i duhen vartësit për ta ndihmuar në qeverisje, por ai mund t’ia dalë për bukuri edhe pa një grup të caktuar të personave ‘të mëdhenj’, meqë ‘mund t’i bëjë e t’i zhbëjë ata çdo ditë’. Mund t’i bëjë disa ‘të mëdhenj’ duke iu dhënë toka e poste, e t’i zhbëjë duke iu marrë të njejtat, si dhe jetën. Kështu, Machiavelli lë të kuptojë se ‘të mëdhenjtë’ nuk dallojnë prej shumicës për nga natyra – natyra njerëzore është e njejtë për të gjithë. Duke qenë se ata me poste të larta kanë më shumë pushtet e të mira, nuk do të ndjehen aq të prekshëm nga shtypja, se sa populli që është thjesht i nënshtuar ndaj qeverisë. Në vend se të dëshirojnë thjesht që të mos shtypen, si pasojë e pozitave të tyre relative, ‘të mëdhenjtë’ vijnë e dëshirojnë që të marrin më shumë duke shtypur të tjerët.

Me të vrojtuar që të gjitha qeniet njerëzore në themel dëshirojnë të ruajnë vetveten dhe duke u përpjekur në atë drejtim, kërkojnë që të posedojnë edhe më shumë, Machiavelli te Princi provon të bindë ambiciozët politikë që, sido që të marrin pushtetit, mënyra më e mirë për të mbetur në pozitë është të kënaqësh dëshirat e popullit për të siguruar jetët, familjet dhe pronat e tyre. Me t’i mësuar liderët politikë ‘që të jenë të zotë për të mos qenë të mirë’, Machiavelli pra nuk avokon për sjellje thjesht egoiste, të pamoralshme dhe amorale. Ai i flet dëshirës së ambiciozëve politikë për të qeverisur, në mënyrë që t’i bindë se mënyra më e mirë e plotësimit të dëshirës së tyre është që të kënaqin dëshirën e popullit për të mos u shtypur. Duke kënaqur dëshirën e popullit për të qenë të sigurt në jetët, familjet dhe pronat e tyre është dhe duhet të jetë qëllimi dhe pikësynimi i qeverisë, siç e sheh Machiavelli. Megjithatë, meqë i dedikoi shprehimisht Princin një princi dhe i adresoi këshillën e tij ambiciozëve politikë, shumë lexues e komentues nuk e kanë vërejtur këtë drejtim qendror demokratik në argumentin e tij.

Machiavelli i mëson lexuesit e Princit të jenë të zotë për të mos qenë të mirë duke iu treguar se praktikat dhe qendrimet që mendohen si të virtytshme te individët privatë kanë pasoja shkatërrimtare për zyrtarët publikë. Mendjegjërësia lavdërohej nga moralistët e lashtë, ndërsa zemërgjërësia dhe bamirësia është lavdëruar nga të krishterët (e të tjerët) deri në ditët e sotme. Sido që të jetë, Machiavelli vëren se një lider politik i cili shteron burimet e veta duke dhënë pa karar poste, toka, tituj e shpërblime të tjera miqve aristokratë a partiakëve, do të humb përkrahjen e tyre atëherë kur ajo i duhet, përveç nëse ai lider merr fonde të reja duke taksuar popullin dhe duke nxitur kështu urrejtjen e tyre. Në vend se të bëjë rrush e kumbulla kapitalin duke shpërblyer një pakicë jofalenderuese, një lider politik do t’i dëshmojë shumicës se është vërtet liberal duke konservuar resurset e veta në mënyrë që t’i përdorë për ta mbrojtur veten e qeverinë kur është nevoja. Në të njejtën mënyrë, një lider politik i cili falë kriminelët mund t’iu duket i mëshirshëm disave, por është mizor në sytë e bashkëqytetarëve që frikësohen për jetët dhe pronat e tyre atëherë kur ligji nuk zbatohet.

Machiavelli argumenton se liderëve politikë iu duhet të përdorin si forcën ashtu edhe mashtrimin në mënyrë që të marrin dhe të mbajnë pushtetin. Por ai paralajmëron se ata duhet që gjithmonë të përpiqen të duken se janë plotë mëshirë, besim, ndershmëri, përulësi dhe fe – sidomos fe – edhe po të mos jenë në gjendje që të jenë ashtu në realitet. (Prandaj, kushdo që akuzohet se është ‘princ makiavelian’ nuk ka pasur sukses në të qenit i tillë.) Pse të gjithë nuk do të besojnë, por do të lavdërojnë një shef shteti kur ai pretendon të jetë duke bërë luftë, duke zbatuar rigorozisht ligjin, ose duke rritur taksat për hir të besimit të vërtetë apo njerëzisë? Nëse një lider politik bën çfarë është e nevojshme për të ‘fituar dhe mbajtur shtetin’, siguron lexuesit Machiavelli. ‘mjetet gjithmonë do të gjykohen si të nderuara dhe do të lavdërohen nga të gjithë’.

Shpesh lexuesit këtë e kuptojnë thjesht si qëllimi arsyeton mjetet. Por, Machiavelli i referohet një qëllimi të posaçëm: vendosja dhe mbajtja e rendit dhe ligjit, që është në interesin e popullit po aq sa edhe të sunduesit. Është e vështirë për vëzhguesit, për të mos thënë e pamundshme, që të zbulojnë se cilat janë motivet e vërteta të një personi. Në fakt, liderët politikë veprojnë në mënyrë që të marrin dhe mbajnë pushtetin për vete. Por nëse një lider vepron për të mbajtur shtetin që mbron jetët dhe pronat e vartësve apo bashkëqytetarëve të tij prej agresionit të jashtëm dhe krimit të brendshëm, ata do t’i besojnë kur thotë se ka vepruar për të mirën e përbashkët. Me fjalë të tjera, populli gjykon karakterin dhe fjalët e liderit në bazë të efekteve që kanë veprat e tij. Kjo është ‘e vërteta e efektshme’ që Machiavelli përpiqet të arrijë te Princi.

Patjetër që ripërkufizimi i Machiavelli-t i ‘virtyteve’ të vërteta të sunduesit përbën shkundje të ashpër si të ‘virtytit’ ashtu edhe të ‘sundimit’. Në vend të një orvatjeje të ndërmarrë prej ndjenjës së detyrës në mënyrë që të arrihet e mira e përbashkët, sundimi i frytshëm do të ndërmerret dhe bëhet vetë në baza të kalkulimit të mençur të mjeteve më të mira që njeriu ambicioz mund t’i përdor për të kënaqur dëshirën e tij për të komanduar, pa u urryer dhe rrëzuar nga pushteti. Sido që të jetë, Machiavelli tregon poashtu se ka – ose mund të ketë, të paktën – bashkëlidhje të caktuar mes dëshirës së princit për të komanduar dhe dëshirës së popullit për të pasur siguri, edhe atëherë kur këto dëshira mbeten thelbësisht të kundërta, por që kërkon shkathtësi të madhe që të përftohen mjetet përmes të cilave do të mund të kënaqeshin deri në një masë të caktuar të dyja palët. Te Princi, ai tërheq vëmendjen te një mënyrë se si bëhet kjo, duke përkujtuar lexuesit se ka dy mënyra të të luftuarit – mënyra njerëzore me ligjet dhe mënyra shtazarake me forcën dhe mashtrimin.

Ai lë të kuptojë se çfarë do të thotë me mënyrën njerëzore të të luftuarit me ligjet, kur vëren se Franca është një shembull i mbretërisë së mirëqeverisur dhe mirërregulluar dhe se i pari prej ‘institucioneve pafundësisht të mira mbi të cilat varet liria dhe siguria e mbretit [francez] … është parlamenti’. Kjo gjykatë franceze i mundësoi popullit që të rezistojë ambicien dhe arrogancën e fisnikëve duke i akuzuar dhe dënuar për krime kundër mbretit. Kështu, Parlamenti i kontribuoi jo vetëm sigurisë së popullit, por gjithashtu edhe sigurisë së mbretit. Në monarki, ligjet janë ligje të mbretit; dhe ata që kanë pushtetin për të kërcënuar sundimin e tij janë fisnikët ose ‘të mëdhenjtë’, të cilët marrin veten për të barabartë me mbretin dhe kërkojnë vazhdimisht të marrin sa më shumë pasuri e pushtet për veten, për të mos thënë thjesht ta zëvendësojnë atë.

Duke i dhënë popullit pushtetin që të kontrollojë arrogancën dhe ambicien e fisnikëve, institucioni i një gjykate të tillë i mundësoi mbretit të përdorte popullin si mjet për sigurimin e sundimit, pa pasur nevojë të veprojë drejtpërdrejt apo me forcë kundër fisnikërisë. Ashtu si Borgia solli qeverisjen e mirë në Romanjë duke përdorur një administrator mizor për të frikësuar secilin deri në nënshtrim dhe pastaj duke shmangur përgjegjësinë për përdorimin e mjeteve të tilla mizore duke zëvendësuar asistentin e tij me një gjyq civil, ashtu, propozon Machiavelli, edhe mbreti i Francës ka vepruar për të siguruar sundimin e tij dhe shmangien e  fajit për mjetet duke themeluar një gjyq ku populli gjykon fisnikët.

Kështu atëherë, te Princi Machiavelli kërkon të bindë lexuesit e tij me ambicie politike që të themelojnë atë që e njohim si ‘monarki kushtetuese’, të bazuar në ushtri të përbërë nga populli dhe karakterizuar nga balanci i pushteteve që siguron sundimin e ligjit. Duke qenë se shtetkombet e tilla do të mund të formoheshin në territore relativisht të mëdha, Machiavelli konkludon Princin me një thirrje për Medici-n që të grumbullojë dhe stërvisë një ushtri ‘që të pushtojë Italinë dhe ta çlirojë prej barbarëve’.

Çfarë Machiavelli nuk përmend te Princi, por që e deklaron shprehimisht te Diskurset, është se një lider politik i virtytshëm në krye të një ushtrie qytetarësh, që kërkon dhe merr përkrahjen popullore ashtu siç thotë Machiavelli se do të duhej të bënte ‘princi’, përbën kërcënimin më të madh për ruajtjen e republikës. Njerëzit e rëndomtë nuk i vërejnë farat e tiranisë që janë të fshehura pas favoreve që iu bën atyre një lider popullor. Të lumtur që një lider i tillë popullor ka rrëzuar ‘të mëdhenjtë’ të cilët kanë sunduar mbi ta në të kaluarën, populli shpesh shprehet i gatshëm të shohë një lider (si psh, ish presidenti i Venezuelës Hugo Chavez) që shfuqizon kontrollet dhe kufizimet kushtetuese që parandalojnë çdo individ të përveçëm për t’u bërë tiran. Kështu, përderisa te Princi Machiavelli avokon për një lloj aleance mes princit dhe popullit që t’i mbajë nën kontroll të mëdhenjtë, te Diskurset përpiqet të krijojë një lloj aleance mes burrave të tjerë ‘të mëdhenj’ dhe popullit karshi akëcilit princ apo tiran.

Rrugëzgjidhjet që propozon Machiavelli për t’i bërë ballë kanosjes që i paraqet republikës një lider popullor janë që t’i bëjë dyshues edhe popullin edhe qytetarët e tjerë ambiciozë për motivet dhe ambiciet e liderëve të rinj që paraqiten si të virtytshëm. Me fjalë të tjera, ai i inkurajon që të mos mashtrohen nga ‘paraqitja’ e religjionit, mëshirës dhe njerëzisë të cilat vet ai i këshilloi ‘princit’ që t’i projektojë. Përkundrazi, populli duhet të dyshojë se ‘kapitenët’ e tij kanë ambicie të fshehta e më të rrezikshme. Ai gjithashtu këshillon qytetarët e tjerë ambiciozë ‘të mëdhenj’ që të garojnë për përkrahjen popullore me heronjtë e rinj të saposhfaqur. Për të siguruar rotacionin në pozita dhe respektimin e kufizimeve në mandate, qytetarët ambiciozë duhen të jenë të gatshëm jo vetëm t’i lënë garuesve postet që kanë mbajtur, por madje edhe t’iu shërbejnë atyre. Për të ekspozuar përpjekjet në anën e individëve ambiciozë për të rrëzuar republikën, është e nevojshme të themelohen procedura ku individët e tilla do të akuzohen dhe gjykohen para jurive të mëdha popullore.

Këto gjykime jo domosdoshmërisht do të ofrojnë drejtësi për individët në fjalë, por rreziku i përballjes me gjykime të tilla do të shërbejë si kontroll ndaj ambicieve individuale. Ç’është e vërteta, vet gjykimet bëjnë të mundur që populli të ‘shfrejë … ato humore që rriten në qytete’. Rezistenca popullore e paorganizauar ‘spontane’ ndaj dëshirave shtypëse të të ‘mëdhenjve’ nuk mjafton për t’i mbajtur ato nën kontroll, thekson Machiavelli. Furia e verbër e turmës mund të jetë pamasë shkatërruese, por shpejt shfryhet dhe kështu nuk sjell efekt pozitiv afatgjatë.  Duhet një mendje e vetme që të krijojë institucionet dhe një lider i vetëm që të armatosë e organizojë një forcë efektive të aftë që të mbrojë qytetin prej agresionit të jashtëm dhe të mbajë rendin përbrenda. Përparësia e madhe e republikës mbi principatat nuk është se atyre nuk iu duhen ‘princat’ ose udhëheqësit; por se ato nuk janë të ngujuara veç me njërin prej tyre. Ato mund të zgjedhin një vazhdë individësh të ndryshëm të aftë në rrethana të ndryshme.

Pse mendon Machiavelli që republikat janë më të mira se ‘principatat’, sundimin e një njeriu? Në republikën e strukturuar si duhet, ku njerëzit ndihen të sigurt për jetët, familjet dhe pronat e tyre, si individët ashtu edhe komunitetet rriten e prosperojnë:

Aty shihen popuj më të mëdhenj, ngase martesat janë më të lira dhe më të dëshirueshme për burrat meqë secili lind me dëshirë ata fëmijë që beson se mund t’i mbajë me bukë. Ai nuk frikësohet se mund t’ia marrin trashëgiminë, dhe e di se jo vetëm që janë lindur të lirë e jo skllevër, por që munden, përmes virtytit të tyre, të bëhen princër. Aty të mira shumëfishohen me të madhe, si ato që vijnë nga bujqësia ashtu edhe ato që vijnë nga artet. Ngase secili me dëshirën e tij … përpiqet të arrijë ato të mira që beson se mund t’i gëzojë sapo t’i ketë marrë. Prej ku mund të kuptohet se njerëzit në rivalitet mendojnë për përparësitë private dhe publike, dhe që të dyja … rriten për mrekulli.

Kriteri kryesor me të cilin qeveritë do të duhet të gjykoheshin si të mira a të këqija nuk është karakteri moral apo inteligjenca e personit a personave që qeverisin. Në fakt është e mira e përbashkët që rezulton nga një qeveri që siguron jetët, familjet dhe pronat e qytetarëve të saj. Machiavelli pra avokon për një qëllim kryekëput demokratik për qeverinë. Megjithkëtë, ai nuk mendon se proceset apo mjetet e pastërta demokratike janë gjithnjë mënyrat më të mira, apo madje edhe adekuate për të arritur atë qëllim. Ka nevojë, gjithashtu, për liderë që kuptojnë se mënyra më e mirë për të përmbushur dëshirën e tyre për të qeverisur është që të kënaqin dëshirat e popullit të tyre për siguri, prosperitet dhe përparim.

Ngase i gjithë veprimi politik efektiv kërkon organizim dhe lidership, Machiavelli i adreson të gjitha shkrimet e tij politik individëve në pozita të pushtetit ose që kanë ambicie për t’i mbajtur ato. Duke i inkurajuar që të themelojnë dhe të mbajnë ‘qeverisje të mirë’ duke siguruar jetët, familjet dhe pronat e vartësve apo bashkëqytetarëve të tyre, ai nuk iu flet sensit të tyre të drejtësisë, mëshirës apo guximit publik. Përkundrazi, ai iu flet ambicieve të tyre – dëshirës së tyre njerëzore për status dhe pasuri. Diskreditimi që Machiavelli i bën nocioneve tradicionale të virtytit e vesit, është pjesë e domosdoshme e mendimit më të gjërë se qeveria nuk do të duhej t’i shërbente interesave të disave, por se do të duhej t’i shërbejë dëshirave më modeste të shumicës. Ai nuk pret që njerëzit e rëndomtë të kuptojnë kompleksitetet e strategjisë ushtrake apo dizajnit institucional – fjala është për mjetet me të cilat mund të kënaqen dëshirat e tyre bazike. Megjithatë, ai është i sigurt se ata janë gjykatësit me të mirë të rezultateve ose efekteve.

***

Catherine Zuckert është profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Notre Dame në Indiana. Ajo është autore e librit Politika e Machiavellit (2017) dhe Leo Strauss mbi Filozofinë Poltike: Përgjigje ndaj Sfidave të Pozitivizmit dhe Historicizmit (2018)

Përkthyer nga Bardhi Bakija

 

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.