Jeta e njeriut ndikohet e vuan prej gjërash që në pamje të parë na duken ndonjëherë absurde. Disa shembuj të përditshëm shqiptarë.
Kisha ardhur rishtazi në Prishtinë, në udhëtimin tim të parë, dhe ishte dimër. Fryente erë e thatë ngulmuese që arrinte të të prekte gjer në eshtra. Era krijonte një zë që në fund të vinte paska kërcënues viju-vijuu-vijuuuuu; ritmi përsëritej me ndonjë ndryshim të vogël. Qyteti ishte i qetë dhe i ndriçuar dobët. Njerëzit lëviznin me hapa të shpejtë. E mbaja frymën time nën pallto duke ecur ashtu që ta shfrytëzoja për t’u nxehur. E gjithë atmosfera të krijonte një ndjesi të mirë, të re. Ja edhe një vend ku njeriu ende s’e ka dominuar natyrën!
I shkunda këpucët te pragu i pubit e ndërkohë nxehtësia që vinte nga brenda më përshëndeti e para. Fytyra së pari më mori një shtresë lagështie, pastaj u qetësua. E kisha lënë të takohesha me një mik. Atëmosfera ishte e gjallë, muzika e zhurmshme dhe të pranishit të bukur, shumica të rinj. Të bukura sidomos ishin femrat. Duke pirë birrë vendëse, na u bashkua një i njohur i mikut tim. I gjatë, afër moshës 30, lart i veshur me këmishë dhe një xhemper të çelur, poshtë me xhinse dhe këpucë për stinë të ftohta. Herëherë dilte jashtë të pinte duhan. I kishte vetullat e dëndura, mjekrën pakëz të lëshuar. Muhabeti na ecte mirë të treve, ishte i mbushur me shaka.
Më impresionoi më së shumti qëndrimi i të njohurit të mikut tim. Ishte qëndrim i mbushur me entuziasëm. Në atë trup të tij të madh, me goxha muskuj, ai entuziazëm merrte edhe më shumë peshë. Të ngjante si ndonjë boksier i mësuar me triumfe duelesh. Nën vetullat e tij, entuziazmi merrte edhe ngjyrë burrërie. Kur u ndamë, vonë atë mbrëmje, shkova me njëfarë ndjenje që ai njeri, me atë entuziasëm e vetëbesim, do të triumfonte jo vetëm në boks, por edhe në çdo duel tjetër po t’i rrekej. Era e ashpër dëgjohej sërish rrugës. Tamam, tërësisht e drejtë, mendoja – që një ambienti të ashpër të këtillë mund t’i bëjnë ballë kësi karakateresh të forta njeriu.
Herën tjetër u takuam fare rastësisht gjersa po pija një kafe mesdite, po sipas rutinës vendëse. Kishte qëlluar që edhe grupi i personave me të cilët rrija — ishim njohur ndërkohë — ta njihnin atë. Për habinë time të madhe, kur u ul me ne, më bëhej si krejt tjetër njeri. Pamja imponuese fizike e asaj nate sikur nuk ishte më e zonja ta çonte as edhe një kafe të vogël. Dora i dridhej duke e çuar filxhanin te buzët. Entuziasmi i ishte mbuluar me drojë e ngurtësi. Zëri i dobët dhe i thartë shpërfaqte një botë të brendshme të pezullt. Pyesja: Përse? Çfarë kishte ndodhur?
Njëri i moshës së përafërt, ndoshta pak më i ri, e shtynte karrocën e vajzës, fëmijës së tij të parë. Gruaja zgatavelle mbante një qese në dorë. Shkonin te vëllai i tij, kunati i saj. Dita ishte me diell. Ai filloi t’i fliste që nga larg mikut tim me të cilnin ecnim në drejtim të tyre, trotuarit. E folura e tij ishte disi mekanike, e pakoncentruar. Dhe mbi të gjitha, fytyra ia manifestone një lloj acarimi. Buza i dridhej. Pyesja: Përse? Ç’domethënie ka?
E bëra gabimin e pafalshëm që i thashë dikujt, në rregull, mund të na bashkëngjitet mua dhe mikes me të cilën po rrija. Kur erdhi ai, kjo shpesh ndërhynte për të mënjanuar temën duke shtyrë një të re e krejt të ndryshme. Mund të bisedonim vetëm për ndonjë temë të përgjithshme sporti ose politike ndërkombëtare. Një tjetër mik, gjithmonë na udhëzonte se çfarë t’i thoshim miqve tjerë, ku kishim qenë, pse u takuam në atë kohë. Mijëra, mijëra, përligjje, rrena të vogla, justifikime. Përse? Si mund të shpjegohet?
Mendoj se e pata gjetur përgjigjien vetëm pas disa udhëhetimesh.
Rastet e mësipërme kishin komplekse personale, të patrajtuara: aftësitë, origjinën, pamjen, imazhin, etj.
Askush nuk merr pjesë në secilin rreth shoqëror njësoj, askund në botë. Secili krijon në një rreth shoqëror një rol i cili pastaj është vështirë të modelohet. Dallimet në role bëhen të dukshme atëherë kur dy ose më shumë rrethe ku individi merr pjesë takohen, gjersa ai mundohet t’u përshtatet roleve të tij në rrethet origjinale shoqërore. E kur dallimet janë të mëdha, performanca bëhet një lloj skene teatrale: sjellje e papritshme, ndonjëherë e paarsyeshme, ndjenjë turpërimi etj.
Këto dallime janë të mëdha shpesh me shqiptarët, domethënë si këta më lartë(a ke takuar ti njerëz të këtillë?), pasi roli që marrin, roli që i jepin vetes në një rreth shoqëror — identiteti i tyre — nuk krijohet aq nga brenda, sa nga jashtë. Vetja varet nga një llogaritje se si perceptohet nga të tjerët dhe krijon mbi të.
Kur këtij identiteti perceptimor i shtohen komplekset e patrajtuara, atëherë shfaqet shqiptari që dridhet: me zërin e tij të paqetë, fytyrën e acaruar, dorën që s’mund ta mbajë drejt, etj. Sjellja e tij bëhet teatrale sepse në kokën e vet është duke pyetur: ç’po mendojnë për mua, për këtë gjënë time, etj.
Është mëkat, është gjithashtu mungesë informacioni, sepse nuk ka asgjë më të paqenë dhe më të pasigurt se një identitet që krijohet mbi perceptimet e të tjerëve e jo mbi mendimet e qëndrimet vetanake, sepse secili kompleks me siguri nuk do të shihej aspak i këtillë nga njerëzit tjerë.
Nuk do të na shkonte në mendje, por del se, kudo, jeta e njeriut ndikohet e vuan prej gjërash që në pamje të parë na duken ndonjëherë thjesht absurde. Dhe të dhemb që jeta e shumë shqiptarëve është e rrethuar gjithkund me kësi lloj brishtësie sikur të mos mjaftonin të gjitha rrethanat tjera të pafavorshme të tyre si shteti i dobët, puna e dobët. Ndihmon së paku që klima në përgjithësi është dukshëm më e butë, më përkëdhelëse, sesa më pati dhënë përshtypjen ajo natë e parë dimri me erë që të grinte.
_______
*Dr.Sc.Miljo Ambien (pseudonim) drejton një kilinikë analitike në shtetin e Michiganit. Është shqiptaro-amerikan i gjeneratës së tretë. Udhëtimet e viteve të fundit në hapësirat e banuara me shqiptarë në Ballkan e kanë frymëzuar të shkruajë. Atë e mahnit identiteti i brishtë i shqiptarëve – që përpiqet ta kuptojë.