Kosova ka shumë ligje; të mira, moderne e të duhura. Nuk do të thosha diçka të re sikur them se Kosovës thjesht i duhet zbatim i këtyre ligjeve. Fundja, ku është qëllimi i krijimit të ligjeve kur shumicën e tyre nuk i shohim në veprim?
Por, për dallim nga shumica e kërkesave për ta zbatuar ligjin, kërkesa ime nuk i drejtohet organeve publike. Kjo kërkesë i drejtohet qytetarëve, meqë ligjet duhet zbatuar nga gjithë shoqëria dhe jo vetëm nga organet e rendit.
***
Gjatë hulumtimit të doktoratës, kam rishikuar dhe analizuar rreth katërmijë raste gjyqësore në Kosovë. Ani pse kjo punë më shkoi thuajse huq, meqë as edhe njëri prej tyre nuk doli të ishte me interes për temën time të hulumtimit, vërejta se ka fusha të tjera të së drejtës të cilat i prekin qytetarët, e për të cilat nuk ka raste si pikë referimi, të paktë jo të tilla që dihen publikisht.
E kam fjalën për ato raste të cilat lënë gjurmë në vetë drejtësinë, në zbatueshmërinë e ligjeve, përpilimin e politikave publike dhe përgjithësisht në gjithë shoqërinë – në sjelljet e qytetarëve. Në gjuhën angleze i quajnë “landmark cases” e në shqip, në mungesë të përkthimit adekuat, po i quaj “pika referimi”.
Këto janë raste që do krijonin precedentë, për të cilat do të shkruanin akademikët, do ligjërohej në fakultetin juridik, e studentët do duhej t’i njihnin me hollësi. Arsyeja pse s’kemi raste të këtilla në shumë çështje mbase qëndron pjesërisht në natyrën civile të sistemit tonë të drejtësisë, ku për dallim nga ai anglo-sakson, praktika gjyqësore nuk përbën obligim automatik për rastet që pasojnë.
Megjithatë, mendoj se arsye kryesore janë fakti që këto raste nuk përcillen aktivisht nga mediat dhe sidomos rezistenca e shoqërisë tonë për t’i ekspozuar “të palarat” në shesh.
Prandaj, po propozoj që të fillojmë një lloj ndryshimi të zbatimi të ligjit me tri raste gjyqësore të cilat, të paktën për kah parashikimi ligjor, janë shumë të qarta. Janë raste të cilat ndodhin çdo ditë, pa ekzagjerim, e për të cilat duhet pak guxim nga të dëmtuarit që t’i ndjekin. Por, duhet ndjekur publikisht, sepse vetëm në atë mënyrë do të mund të informohej publiku se ligji po zbatohet dhe se ky zbatim mund të jetë edhe për ta, edhe kundër tyre.
Një prind të denoncojë “marrëdhënien seksuale” të fëmijës së tij me një të rritur
Fjalën marrëdhënie seksuale në këtë nëntitull e futa në thonjëza për një arsye të vetme: nuk ka marrëdhënie seksuale midis një fëmije nën moshën 16 vjeç dhe një të rrituri mbi 18 vjeç. Siç e shpjegoi në mënyrë të përkryer Hana Marku, kjo marrëdhënie quhet përdhunim! Hana foli për relativizimin e këtyre “marrëdhënieve” në media, e unë e kam fjalën për trajtimin e këtyre rasteve nga vetë familjet e të përdhunuarve. Mënyra si reagojnë zakonisht prindërit kosovarë në raste kur fëmija i tyre 14 a 15 vjeç ndodhë të ketë pasur “marrëdhënie seksuale” me dikë më të rritur është jonjerëzore, neglizhente dhe jo e mençur. Të përcjella me linçim, e madje edhe detyrime për martesë, reagimet e këtilla të prindërve në ndonjë shtet tjetër do t’ua garantonin atyre burgun e jo yllin e “burrave të fortë” të mahallës.
Le ta sqarojmë një herë e përgjithmonë: nëse fëmija juaj ka pasur marrëdhënie me një të rritur, atëherë është dhunuar. Nuk është fëmijë i përdalë, nuk është “livriçkë”, nuk është “Don Zhuan”. Për ta thjeshtësuar këtë deri në banalizim, nuk është relevante a mendoni ju se “ia ka kojtë” apo jo. Fëmija nën 16 vjeç ligjërisht e moralisht nuk është i gatshëm të japë pëlqimin për diçka kaq të rëndësishme si akti seksual.
Në vend të linçimit, Kosova ka nevojë për një prind, një të vetëm, i cili është i gatshëm që t’i hyjë kësaj lufte publikisht për ta ndjekur dhunuesin e fëmijës së tij. Në raste të këtilla, përveç ndonjë huqjeje të paimagjinueshme që do të mund të bëhej nga ndonjë gjyqtar, ligji është i qartë dhe dhunuesi i fëmijës do të përfundojë në burg.
Në një skenar ideal, një vendim i tillë do duhej përcjellë edhe me një dënim me shumë të majme parash për dëmshpërblimin e dëmeve emocionale që i janë bërë fëmijës e familjes. Edhe për këtë duhet falënderuar Kodin e ri të Procedurës Penale, sipas të cilit, për të dëmshpërblyer viktimën, nuk ka nevojë që të niset një procedurë e ndarë civile. Me të njëjtin vendim, gjyqtari në procedurë penale përshkruan edhe dëmshpërblimin. Madje, tash kemi edhe një ligj të ri i mundëson shpagimin nga shteti po qe se dënimi nuk mund të paguhet nga kryesi i veprës penale.
Një rast i këtillë do t’i mësonte pikë së pari prindërit që të mos heqin dorë nga fëmijët e tyre kaq lehtë. Do t’u jepte një mundësi të dytë shumë viktimave. E me po kaq rëndësi, do të edukonte çdo të rritur që të ketë kujdes në përzgjedhjen e “partnerëve” të tyre.
Një rast civil për dëmshpërblim nga një mjek a spital që s’e kreu detyrën si duhet.
Gati çdo javë shohim lajme për gabime, diagnoza të gabueshme e neglizhencë të mjekëve që shpesh çojnë edhe në vdekjen e pacientëve. Fatkeqësisht s’ndodhë rrallë në Kosovë të ankohemi, të shajmë e madje edhe t’i sulmojmë fizikisht mjekët. Por të rralla janë rastet kur një mjek u ndoq e u dënua me para (jo me burgim) për gabimet e neglizhencën gjatë kryerjes së punës së tyre.
Nevojitet vetëm një palë e dëmtuar që të nisë një procedurë civile për dëmshpërblim kundër një mjeku a një institucioni mjekësor për moskryerjen e detyrës. Rastet e neglizhencës së mjekëve nuk janë raste të lehta. Kërkojnë goxha ekspertizë. Por, sikur të informoheshim ne, qytetarët, më mirë për këto procedura, një rast i suksesshëm do të kishte përfunduar deri tash. Shtoja kësaj edhe kërkesën për humbje të licencës për të ushtruar profesionin si mjek apo spital. Padyshim që kujdesi do të shtohej pas një aktgjykimi prej disa qindra mijëra eurosh.
Një padi e thuktë për ngacmim seksual në vendin e punës
Është e pakuptueshme se si flitet në Kosovë për ngacmimet seksuale që shumë persona, kryesisht femra, i përjetojnë në vendin e punës. Për më tepër, rrallë herë kam dëgjuar për trajnim a edukim të stafit të ndonjë institucioni për t’i informuar punëtorët se madje edhe ato “komplimentet” e tepërta e të vazhdueshme nga shefi s’janë praktikë që duhet lejuar. Shumë prej këtyre praktikave nëpër institucione private e publike kalojnë në heshtje, ngase punëtorët nuk ndjehen mjaft të fuqishëm për t’iu kundërvënë mbikëqyrësve të tyre. Kjo aq më pak në një shoqëri si ajo kosovare ku sinjalizimi i ngacmimeve të tilla dekurajohet me ngushëllime të tipit “s’ka faj se ti shumë i/e bukur” apo “hajt se s’ta hjeku copë që t’tha/t’preku”.
Për ngacmim seksual në vend të punës legjislacioni s’është aq i konkretizuar si për dy skenarët tjerë. Duke dashur të mos bëhem teknike, po them se megjithatë, baza ligjore ekziston. Por, akoma nuk pamë një rast, të paktën jo në publik, kur një punëtor ka paditur një punëdhënës për ngacmim seksual në punë. Paramendojeni, për shembull, një kompani të dënohet me mijëra euro për neglizhencën e shumë praktikave të ngacmimeve seksuale të cilat i shohin thuajse çdo ditë.
Kur këto kompani do të prekeshin në dell – në xhepa – për diçka që do të mund ta parandalonin lehtë, do të fillonim të shihnim shumë më pak “komplimente” të pakëndshme e të pa kërkuara në punë. Punëdhënësit do të tregonin shumë më shumë kujdes në politikat e tyre të punësimit kur do të paramendonin kufizimet ligjore që rreth asaj se çka mund të synojnë me punëtorët e tyre e çka jo.
***
Pos këtyre tre rasteve, ka edhe shumë të tjerë që duhet t’i shohim duke u zhvilluar, e që do ndihmonin edukimin e publikut në një mënyrë pak më të rreptë. Një rast i këtillë, i cili shpresoj se e ka edukuar sistemin gjyqësor në Kosovë, ishte rasti i Diana Kastratit në Gjyaktën Kushtetuese. Dua të besoj se pas aktgjykimit në Kushtetuese, gjykatat tjera nuk do të kenë më guximin të veprojnë me joprofesionalizëm, neglizhencë e zvarritje procedurash. Dua të besoj se rasti i Diana Kastratit ka shpëtuar jetët e shumë viktimave tjera.
Përveç mësimit të dhënë, ky rast gjithashtu e njoftoi publikun me gjyqësinë strategjike. Kështu quhet përfaqësimi, ndihma juridike, që u jepet rasteve jo të zakonshme me të cilat synohet sjellja e ndryshime të mëdha në shoqëri.
Organizata të ndryshme u ofrojnë viktimave ndihmë juridike falas dhe përpilojnë raste të argumentuara mirë për t’i testuar me vendosje nga gjykatat. Të gjitha këto raste që u përmendën këtu do të ishin raste të përkryera për gjyqësi strategjike.
Krejt në fund, sinqerisht shpresoj që raste të këtilla të mos ndodhin. Por duke qenë se, të paktën për sa i përket zbatimit të ligjit, shoqëria jonë duket se po funksionon sipas parimit “pa e pa, s’besoj!”, qytetarët e dëmtuar në çfarëdo forme duhet të bëjnë pjesën e tyre të punës – t’i nisin këto raste nëpër gjykata dhe ta njoftojnë publikun për to.