Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pse duhet privatizuar radiotelevizioni shtetëror

Një ndër avancimet më të mëdha në shoqërinë shqiptare, kudo ku jeton, është konsolidimi e modernizimi i radiotelevizioneve private që mund të konkurrojnë fare mirë me vende më të zhvilluara. Mirëpo ndërkohë që kemi një treg të pasur privat, vazhdojmë që të mbajmë në mënyrë të panevojshme radiotelevizione shtetërore, të financuara nga paratë e taksapagueseve. Ka ardhur koha që të hapim një debat serioz për të privatizuar radiotelevizionet shtetërore gjë që deri tani është konsideruar një tabu për debatin publik në Kosovë dhe Shqipëri. Mungesa e këtij debati është një dëshmi e qartë se sa të prapambetur jemi ne për sa i përket nevojës për më shumë liberalizëm në shoqëri. Pra për sa i përket kufizimit të rolit të shtetit në ekonomi dhe nevojën për të çliruar hapësirën mediatike në favor të tregut dhe konkurrencës.

Duhet kuptuar që radiotelevizionet shtetërore janë ndërtuar në një epokë kur investimi ishte i përmasave të jashtëzakonshme sepse teknologjia ishte e shtrenjtë e po ashtu aspekti teknik me antena e pajisje të shumta e bënte shumë të lartë koston e hyrjes në tregun e medias elektronike. Kur është krijuar BBC, 96 vite më përpara, ka pasur teknologji dhe ekonomi krejt ndryshe nga sot dhe vetëm shteti kishte mundësi e vullnet që ta ndërtonte atë televizion asokohe. E njëjta gjë ndodhte në atë kohë me telefoninë. Por më pas tregu u hap, teknologjia evoluoi dhe shtetit iu desh të bënte një hap prapa. Sot kompanitë telefonike janë pothuaj kudo private, me avantazhe të dukshme në cilësinë e shërbimit, në kostot më të ulëta për konsumatorët si dhe në shumëllojshmërinë e ofertës. Edhe interneti fillimisht është krijuar me përfshirje të qeverisë amerikane por pjesa më madhe zhvillimit të këtij rrjeti global dhe pasurimi i tij me përmbajtje më pas u bë pa patur nevojë për dollarët e taksapaguesve amerikanë.

Mediat elektronike në epokën e sotshme nuk kanë më nevojë për para nga shteti, përderisa qoftë në Kosovë e qoftë në Shqipëri kemi një treg të lulëzuar pluralist televizionesh e radiosh private që sa vijnë e konsolidohen e pasurojnë programacionin. Sot kemi dhjetëra kanale televizive vendase – informativë, qendrorë e lokalë,  e dhjetëra të tjerë kabllorë apo satelitorë që e bëjnë njësoj ose më mirë punën që bën sot RTSH apo RTK, pa futur duart në xhepat tonë. Një ndër parimet thelbësore të ekonomisë së tregut është që qeveria duhet të përdorë paratë e mbledhura nga djersa e taksapaguesve vetëm për të financuar shërbime apo të mira publike të cilat përndryshe nuk do të ekzistonin sepse bamirësia apo sektori privat s’do kishin leverdi për t’i financuar.

Argumenti kryesor që përdoret për të justifikuar ekzistencën e televizionit të paguar prej buxhetit është çështja e programacionit, dhe nevoja për të pasur një rol të theksuar kulturor dhe edukativ. Mirëpo këtë nevojë fare lehtë mund ta përmbushim duke e vendosur si rregull të detyrueshëm edhe për televizionet private që të transmetojnë medoemos një përqindje të caktuar të programacionit për çështje edukative apo kulturore si kusht për të rinovuar licencën. Kjo praktikë tashmë është pjesë e direktivave të Bashkimit Evropian e eventualisht, herët a vonë do i përqafojmë edhe ne. Fundja nëse qeverisë i duhet që të promovojë një çështje apo të përhapë një lajm me rëndësi shtetërore, atëherë për atë rast le të paguajë në mediat kryesore kohë transmetimi. Ashtu sikurse shteti paguan kompani private për të ndërtuar infrastrukturën le të paguajë edhe media private për të promovuar çështje të interesit publik sikurse mund të jetë ta zëmë një fushatë për ndonjë epidemi. S’ka pse të mbajë dinosaurë të mëdhenj në këmbë me taksat e popullit vetëm për këto nevoja të rralla e rastësore që mund të përmbushen nëpërmjet operatorëve privatë me një kosto shumë të ulët për taksapaguesin.

Një tjetër argument që përdoret për të justifikuar ekzistencën e radiotelevizioneve shtetërore është pretendimi se i japin hapësirë segmenteve të neglizhuara të shoqërisë. Mirëpo tanimë nuk ka ndonjë rrezik që të ngelen zëra apo segmente të përfaqësuara e të patransmetuara në këtë epokë të teknologjisë së informacionit. Sot me përhapjen masive e kapilare të internetit, qytetarët kanë nëpër duart e tyre burime të pakufizuara informacionesh të të gjitha ngjyrave. Mjafton një telefon i mençur e ca njohuri teknike themelore për internetin që çdokush të ketë qasje me profilin e tij në rrjetet sociale tek një audiencë globale prej qindra milonash.

Mbi të gjitha nevoja për privatizim është diçka parimore. Media duhet të jetë e shkëputur nga politika në përgjithësi dhe nga qeveria në veçanti. Ne presim nga media që të luajë rolin e rojtarit (watchdog) dhe vënësit përpara përgjegjësisë të qeverisë dhe institucioneve shtetërore për keqfunksionimin e tyre apo për abuzime e shpërdorime ndërkohë që njëherazi kemi një media shtetërore. Me pak fjalë shteti apo qeveria janë pala e dyshuar, versioni i tyre duhet marrë me rezerva e verifikuar sepse kanë interesa që nuk përputhen detyrimisht me interesat e publikut. Kur qeveria na sjell lajmin me të gjitha paragjykimet, përpunimet  e rrotullimet e pashmangshme që do ketë ky lajm, qeveria faktikisht po e vendos gishtin e saj në peshoren e shenjtë të demokracisë që është media. Prandaj idealja do të ishte që gazetarët të mos punojnë për shtetit dhe taksapaguesit të mos detyrohen të subvencionojnë lajmet dhe programet e qeverisë që shpesh rezultojnë në propagandë.

Prandaj në parim ne nuk duhet të tregohemi entuziastë për një media shtetërore si burim informacioni për publikun, sidomos kur e dimë që ka boll kanale të tjera për ta informuar publikun. Në të njëjtën mënyrë sikurse prej kohësh kemi hequr dorë nga publikimi i një gazete kombëtare nga shteti, ashtu duhet të heqim dorë nga një media elektronike shtetërore e aq më tepër nga një agjenci lajmesh shtetërore. Në një shoqëri të liberal-demokracisë, informacioni, argëtimi dhe kultura mund të jenë vetëm private sepse nuk ka liri të shprehjes jashtë tregut të lirë. Ndërsa RTK ia ka dalë të mbajë një dimension më të lartë të etikës së punës dhe profesionalizmit, çka e dëshmon vetë përqindja e lartë e shikueshmërisë dhe e besueshmërisë që ka në publik, RTSH është thjesht një instrument propagande i mazhorancës cilado qoftë ajo. Kjo do të thotë që linja redaksionale reflektonte kompozimin e parlamentet në atë legjislaturë.

Situata është akoma më absurde në Shqipëri ku shteti jo vetëm ka një medium elektronik, por ka edhe një agjenci lajmesh me buxhet të majmë më vete që quhet Agjencia Telegrafike Shqiptare.  Këto agjenci shtetërore të informacionit si ATSH e Shqipërisë, Tanjug e Serbisë, Itar-Tass e Rusisë, Xinhua e Kinës e të tjera të ngjashme, janë mbeturina të komunizmit, të një epoke ku informacioni filtrohej e censurohej nga qeveria e propaganda përpunohej e shitej si lajm tek qytetarët e robëruar. Më përpara informacioni që dilte nga këto agjenci shtetërore informacioni konsiderohej si qëndrim zyrtar i shtetit mirëpo sot që institucionet shtetërore kanë zëdhënësit e vet të shtypit, zyra të komunikimit, faqje interneti  e rrjete sociale, nuk shkon më njeri tek agjencitë shtetërore për të marrë qëndrimet shtetërore. Faktikisht pothuaj asnjë media në Shqipëri nuk i referohet ATSh-së për lajmet e para që dalin, dhe taksapaguesit vazhdojnë ende që të paguajnë për ekzistencën e këtij relikti historik, vetëm e vetëm se partitë në pushtet e kanë përdorur si strehë punësimi për të shpërblyer militantët e zellshëm.

Një tjetër shkak përse duhen privatizuar kanalet shtetërore është për të shmangur deformimin që i bëjnë ata tregut. Konkretisht prania e tyre ka një efekt shtrembërues për peizazhin mediatik në vend pasi këto kanale nuk janë të ekspozuar ndaj tregut dhe për rrjedhojë janë më pak të përgjegjshme ndaj kërkesave të konsumatorëve të medias. Po ashtu duke qenë të subvencionuara nga paratë tona këto media përbëjnë një konkurrencë të pandershme për kompanitë mediatike private të cilat, në rrethana të tjera do të ishin më të konsoliduara e më të suksesshme po mos të kishin konkurrencë nga mediat shtetërore. Rasti më tipik është efekti dumping që ka në krahun e punës së gazetarëve në Kosovë ku RTK ofron rroga shumë më të mira sesa sektori privat duke bërë që këto televizione private të kenë hemorragji të vazhdueshme sa herë hapen vende të reja në RTK. Pra si argumente në favor të privatizimit të RTSH dhe RTK duhen patur parasysh argumentet ekonomikë që janë përmbushja e kënaqësisë dhe e interesave të konsumatorit, eliminimi i subvencioneve të taksapaguesve dhe sigurimi i një konkurrence neutrale në tregjet mediatike.

Ne sot faktikisht nuk kemi luksin që të kemi një televizion publik. Kemi një borxh publik në rritjen e deficit buxhetor në thellim, në të dy shtetet e banuara nga shqiptarët. Vështirë se do ia dalim ndonjëherë që ta shlyejmë atë borxh apo ndalim deficitin nëse nuk fillojmë të ulim shpenzimet buxhetore jothelbësore sikurse janë mediat elektronike shtetërore apo akoma më keq agjencia telegrafike shqiptare. Buxheti i RTK-së për shembull financohet nga buxheti i qeverisë me shumën 0.7% që me buxhetin e ri prej 2 miliardësh përkthehet në 14 milionë euro për një shërbim publik të panevojshëm e të padobishëm që dëmton tregun mediatik. Veç mund të imagjinohet kostoja oportune e përvitshme për shoqërinë e gjithë këtyre parave të çuara dëm po të ishin shpenzuar në arsim, shëndetësi, shkencë, sport e kulturë. Me gjithë këto para të harxhuara kot gjatë gjithë këtyre viteve mund të ishin ndërtuar tashmë salla koncertale, arena festivalesh, stadiume të reja, pallate të mbyllura të sporteve, muze të shkencës, parqe zoologjikë e botanikë etj. etj., që i mungojnë aq shumë Kosovës. Prandaj për të gjitha këto arsye ne kemi nevojë që ta marrim në konsideratë seriozisht idenë e privatizimit të radiotelevizioneve shtetërore.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.