Max Weber-i shprehet se kur balanci i fuqive zhduket, shtetet e vogla zhduken bashkë me të.
Sistemi post-napoleonik i marrëdhënieve ndërkombëtare, ku fuqitë e mëdha vendosin për çështje të caktuara dhe shtetet e vogla nuk e kanë as privilegjin të kenë fjalën e tyre në vendimet konkrete, është relativizuar dhe mënjanuar si pasojë e njohjes së subjektivitetit te shteteve të vogla në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe evolimit të rendit legal ndërkombëtar që shtetet i njeh si subjekte të barabarta, me të drejta dhe detyrime të barabarta për obligimet që ato marrin dhe për normat e paderogueshme të së drejtës ndërkombëtare që imponohen tek të gjitha shtetet.
E drejta ndërkombëtare, si rregullatore e marrëdhënieve ndërkombëtare në aspekte të caktuara ka mungesë të mjeteve juridike në ekzekutimin e normave të saj, sidomos ndaj shteteve të forta ose në kuptimin e Krauthammer me paraqitjen e momentit unipolar, ku shfaqet një hiperfuqi, (Krauthammer përdor frazen në kuptim të definimit të Shteteve të Bashkuara pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, koncept ky mjaft relativ pas zhvillimeve eventuale në marrëdhëniet ndërkombëtare) dhe superfuqive të tjera.
Rrjedhimisht, në kontekstin e politikës botërore krijohet një terren i aplikueshëm për aksiomën Orvelliane që të gjithë janë të barabartë por disa janë më të barabartë se të tjerët.
Në opnionin e z. Besnik Pula, Marrëdhënie Ndërkombëtare apo Marrëdhënie Katundare, z. Pula me të drejtë thekson se Kosova, në raport me akterët ndërkombëtarë, për të kënaqur kërkesat e akterëve të huaj, në këtë rastë partnerëve të Kosovës, anashkalon interesat më jetike duke arritë koncesione që cënojnë elementet kryesore të funksionalizimit të shtetësisë së Kosovës.
Kështu Kosova duke vepruar në kuadrin ndërkombëtarë në bazë të koncepteve të miqësisë, dhe duke bërë lëshime që do të mund të rezultonin me fatalitet për qenien e Kosvës si shtet për hir të respektimit të miqve ndërkombëtar, tregon se politikbërësve kosovarë nuk i njohin dhe nuk i kuptojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe parimet morale ndërnjerëzore që aplikohen në një seting ku marrëdhëniet krijohen nga interesat e përbashkët ose përfitimi nga bashkëpunimi me njëri tjetrin.
Meqë shteti është nocion abstrakt në marrëdhëniet ndërkombëtare, por vepron përmes agjentëve të tij, është kruciale që politika e jashtme të definohet, të përcaktohen interesat strategjik të Kosovës brenda dhe jashtë vendit, të përcaktohen metodat e angazhimit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe elemente që në realitet i mungojnë politikës së jashtme të Kosovës.
Kjo rezulton me veprimin e paarsyeshëm të agjentëve të shtetit, duke implementuar mendësinë e tyre si mekanizëm veprues të shtetit, e kështu duke përfunduar me arritje të marrëveshjeve jo të favorshme për Kosovën.
Z. Nurellari në kundërpërgjigjen e tij ndaj z. Pula, me të drejtë thekson se Kosova nuk mund të ketë mendje të madhe dhe të injorojë proceset e integrimit, sidoqoftë, vendimet e një shteti karshi interesave të brendshme të një niveli krucial, mbrojtja e të cilave jo vetëm që nuk bie ndesh, por edhe promovohet nga sistemi legal ndërkombëtar, dhe vlerat demokratike universale të parashikuara me Kartën e Kombeve të Bashkuara, nuk janë largim nga proceset e integrimit por tregues i vullnetit politik të Kosovës. Ky vullnet politik është poashtu tregues i nivelit të shtetformimit të Kosovës. Për të ilustruar më mirë me shembuj këtë, Europa nuk e dëshiron edhe një Iralndë veriore në territorin e saj.
Kësisoj, mungesa e një politike të definuar të jashtme, bënë që Kosova as të mos dijë çfarë të kërkoj nga partnerët e saj.
Meqë çasjen personale ndaj natyrës së politikës së jashtme të Kosovës e marrë si të qenë, un nuk do të vazhdojë ta argumentojë më tutje pozicionin tim, por do të thellohem teorikisht rreth pozitës së shteteve të vogla në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe Kosovës si rast specifik.
Dallimi mes shtetit “të vogël” dhe shtetit të “dobët”
Shteti i vogël jo domosdoshmërisht është shtet i dobët.
Nëse ndërrojmë disiplinë, çështja vjen dhe bëhet edhe më tërheqëse, por sa për ta ilustruar relativitetin e kualifikimit si i vogël, në teorinë e luftës, Toft dhe autorë të tjerë që merren me luftërat asimetrike, argumentojnë se në periudhën 1800-1849, aktorët e fortë kanë fituar 88.2% të luftërave, ndërsa duke pësuar rënie graduale, nga periudha 1950-1999 akterët e fortë fituan vetëm 48.8% të luftërave asimetrike.
Teoricientët që i takojnë rrymës së realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare, e asimilojnë termin “i vogël” me termin i “dobët”, dhe fuqia për realistët është materialisht e matshme, ndërsa për liberalët termi është relativ, ku ata argumentojnë se shteti i vogël pa ndonjë ndikim në një sferë të caktuar, mund të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në një sferë tjetër specifike.
Geser vendos tre kategori për definimin e shtetit të vogël, substatialistische Sichtweise si teresi e karakteristikave shtetërore objektivisht ose thelbësisht të matshme, relationistische perspektive si elementet që përcaktojnë natyrën e shteti (territori, popullsia, ushtria) dhe Statuseigenschaftperzeption si element i tretë që merret me konceptin e shtetit të vogël për vetëveten dhe shteteve të tjera.
Durkheim thekson se shoqëritë kanë krenarinë e tyre jo në të qenit më të mëdhenjtë apo më të pasurit, por në të qenit më të organizuarit dhe në posedim të kushtetutës më të mirë morale.
Keohane dhe Nye argumentojnë së të qenit i vogël dhe i madh është jo domosdoshmërisht e dobishme në nivelin e analizimit të marrëdhënieve ndërkombetare si tërësi, por duhet t’i referohemi si pyetje brenda fushave dhe çështjeve specifike.
Qasja teorike e viteve 60 që madhësia e shtetit është determinuese për një politikë të jashtme influentive, është dekonstruktuar në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke mos e konsideruar shtetin e vogël, si shtet të dobët. Prandaj madhësia e shtetit nuk është determinues i sjelljes së shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe Amstrup argumenton që edhe sjellja e shtetit është bishtëruese po aq sa koncepti i madhësisë.
Pozita e pabarabartë e shtetit të vogël karshi shteteve të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare shpesh rezulton si përfituese për shtetin e vogël. Sipas konceptit të pushtetit të Zartmanit, palët me kapacitete më të vogla dalin me përfitime proporcionalisht më të mëdha ngaqë është pritur duke mbështetut një interes të përbashkët dhe duke dhënë zgjidhje të problemeve të caktuara.
Kështu çështja e të qenit “i vogël” nuk duhet parë në kontekstin e përgjitshëm, por në fusha specifike ku shteti është i angazhuar.
Madje të jesh i vogël mund të përdoret edhe në mënyrë të favorshme në aspekte të shumta, dhe si shembull Hey argumenton duke analizuar se si poltika e jashtme e Luksemburgut përdor mungesën e territorit si avantazh.
Poashtu Aaltola thekson se politika e jashtme e Finlandës gjatë Luftës së Ftohtë, e ka bërë atë subjekt të madh dhe influentiv në politikën ndërkombëtare për arsye se institucionet e shteteve të vogla bazohen në fleksibilitet, shkathtësi dhe inovacion.
Iniciativa e politikës së jashtme të shteteve të vogla bazohet në stabilitetin e politikës së brendshme, përderisa regjimi i një shteti të vogël, i cili është nën kërcënim konstant dhe nuk është në gjendje të qeverisë në mënyrë efektive, nuk ndjek politikë të jashtme aktive, si dhe si element i dytë, ai i cënueshmërisë së shtetit të vogël, duke konstatuar se sa më i rrezikuar të ndihet shteti vis-a-vis sistemit të jashtëm, aq më në gjendje është të ndërmarrë politikë të jashtme aktive.
Sipas Torfing-ut i cili argumenton në kontekstin e antagonizmit social, i gjithë identiteti social formësohet përmes praktikave hegjemone.
Në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare, shtetet i bashkërenditen politikave të të fortit, por ato kanë të drejtën e zgjedhjes se cilin sistem apo cilin krah duan ta ndjekin, dhe cila aleancë, hipotetikisht është më e favorshme për to, dhe për shkak se ato janë më të cënueshme nga ndërhyrjet e jashtme.
Natyrisht që Kosova ka zgjedhur të bashkërendohet në proceset integruese dhe mekanizmat e mbrojtjes kolektive të perëndimit, gjë që z. Pula nuk e konsideroi askund si jo të drejtë dhe jo të pafavorshme, por kritikoi qyqarllëkun e politikës së jashtme, i cili siç e theksuam më lart vjen si pasojë e një politike të jashtme sipërfaqësore.
Në kontekstin e konstruktivizmit si ontologji shkencore, pra si çasje ndaj çështjeve dhe jo si teori, shtetet janë njësi kryesore në marrëdhëniet ndërkombëtare, sipas Wendt me struktura kyçe intersubjektive në sistemin shoqërorë dhe identitete të formësuara nga strukturat sociale.
Nëse thellohemi në konstruktivizmin holistik, Weber thekson se interesat shtetërore jo vetëm janë formësuar nga strukturat sociale, por edhe nga fenomentet globale kulturore e politike. Në këtë kontekst sipas Weber-it interesat shoqërore bazohen në determinatët social e politikë të agjencisë respektive. Kështu Finnemore shkon edhe më tej duke theksuar se interesat shtetërore dhe sjellja e shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare arrihen përmes kuptimeve, vlerave sociale dhe strukturave të pushtetit të arrira përmes interaksionit social.
Wendt thekson se identitetet janë bazat e interesit, rrjedhimisht marrëdhëniet ndërshetëtërore ne fjalët e Kratochwil janë aksion politik në terma të kuptushmërisë më shumë sesa një aksion i pastër i instrumentalizuar.
Sipas Wendt, shtetet veprojnë ndaj objekteve dhe akterëve në bazë të rëndësisë që objektet kanë për to, rëdësia që kanë objektet dhe akterët për shtetet vjen nga interaksioni që shtetet kanë mes vete, duke prodhuar kështu identitete dhe interesa nga aktiviteti i caktuar.
Për ta ilustruar konkretisht, marrëdhëniet Serbo-Ruse në emër të “Vëllazërisë Sllave”, dhe pozicioni i Ukrainës, Kosovës, Shqipërise ndaj inegrimeve Euro-Atlantike në emër të idenditetit Europian, konfirmojnë këtë gjë, mirëpo shtetet kanë zgjedhur të krijojnë këto identitete vetëm për arsyen se interaksioni me subjektet që ato aspirojnë ka prodhuar interesa dhe identitete të caktuara dhe janë cilësuar si profitabile nga shtetet e caktuara.
Prandaj, “Miqësia” me akterët e tjerë bazohet nga ngërthimi i të dy elementeve, interaksionit dhe interesave që janë krijuar nga ky interaksion, por pa përdor mjete që minojnë sovranitetin dhe shtetësinë e shteteve të caktuara për të arritur integrimin si objektiv politik, por vetëm duke deleguar sovranitet aq sa delegojnë dhe shtetet e tjera pjesë e proceseve të ngjashme.
Kësisoj Kosova ka dështuar të kuptojë elementin e dytë, respektivisht interesat e saj shtetërore rrezikimi i të cilave aspak nuk e vë në një pozitë më të favorshme karshi integrimit.
Wivel argumenton se institucionet e EU-së i bëjnë aftësitë e pushtetit tradicional më pak të rëndësishme dhe kodifikojnë sjellje të pranuar të shteteve anëtare, kështu duke e mbrojtur influencën e shteteve të vogla.
Për ta ilustruar më mirë rëndësinë që EU i jep shteteve të vogla, që mund të kenë politika të ndryshme në aspektin krahasimor, klauza për mbrojtje të përbashkët e Traktatit të Unionit Europian, respektivisht paragrafi i 7 i nenit 42, shprehet se obligimi për mbrojtjen kolektive është pa predispozitë ndaj politikave të mbrojtjes së vendeve anëtare, dhe se obligimet ndaj NATO-s kanë përparësi ndaj obligimeve të dhëna me këtë paragraf, kështu duke mos e paragjykuar dhe duke e respektuar qasjen neutrale të shteteve anëtare të caktuara, dhe duke mos sfiduar përfitimin nga anëtarësia në NATO të shteteve anëtare të vogla.
Një problem tjetër qëndron tek influencimi i jashtëm dhe presioni i jashtëm që i bëhet shtetit të vogël dhe i cili ndikon direkt në politikat e brendshme.
Me një studim fascinues të politikës së jasthme të Shteteve të Bashkuara gjatë shekullit XIX, Miriam Elman e sfidon supozimin se politika e jashtme e shteteve të vogla përllogaritet nga strukturat e jashtme, duke argumentuar se rregullat dhe strukturat e brendshme kanë më tepër efekt në politikbërjen e shtetit të vogël.
Në këtë kontekst, Doeser e largon fajin nga influenca dhe presioni i jashtëm, duke theksuar se ndryshimet situatën politike të brendshme mund të kenë impakt në ndryshimin e politikës së jashtme të vendeve të vogla. Duke e interpretuar konstatimin e Doeser, konsiderohet se mosaftësia e politikës së brendshme ti rezistoj presionit të jashtëm është arsya e ndryshimit të politikës së jashtme, dhe jo vetë presioni i jashtëm në esencë.
Kështu politika e jashtme e Kosovës, ose doktrina e kompromiseve “pa hesap”, nuk vjen si pasojë e presionit të jashtëm, aq sa vjen si pasojë e qasjes së qeverive të deritanishme të Kosovës ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare.
Përdorimi i argumenteve të ndjekësve të realizmit dhe neorealizmit gjithashtu nuk e arsyeton qasjen e Kosovës ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare.
Duke përdorur qasjen e viteve ’60 për shtetet e vogla, nuk mund të arsyetohet mosaftësia e Republikës së Kosovës në ambientin e politikës ndërkombëtare. Browning për shembull në mënyrën më direkte refuzon ta kualifikojë shtetin e vogël si shtet i dobët.
Zvicrra, Danimaraka dhe Holanda konsiderohen si shtetet e vogla influenca e të cilave në marrëdhëniet ndërkombëtare është në disproporcion të lartë me madhësinë e tyre.
Lindell dhe Parson kapacitetin e shteteve të vogla për të përdorur “soft power” e konsideron si “perspektivë e pazarllëkut”, ku shtetet maksimalizojnë aksionet e tyre në aspekte specifike ose përdorin karakteristikat e tyre për të arritur përfitime të caktuara, totalisht e kundërta e asaj që z. Pula i identifikon si “marrëdhënie katundare”, marrëdhënie që fatëkeqësisht janë pika nisëse e politikbërësve Kosovar.
E kuptueshme që Kosova si shtet i ri dhe i vogël, dhe i dobët, nuk mund të krijojë një politikë të jashtme që do të mund të influenconte politikën ndërkombëtare, por si shtet i sapoformuar, ajo nuk mund të arsyetohet me kategorizimin si i vogël për moskrijimin e një koncepti adekuat të politikës së jashtme, për mos definimin e interesave strategjike të saj brenda dhe jashtë, për mos angazhimin e kuadrove profesionalë në fusha në të cilat angazhohet si shtet, për nepotizmin dhe korrupsionin në administratën shtetërore, për mosformimin e Forcave të Armatosura kur vetëm e kishte rastin, për keqqeverisjen e vendit dhe për mos sundimin e ligjit.
Politika e jashtme bëhet duke marrë për bazë interesat, dhe një paraqitje dinjitoze e jo qyqare në marrëdhëniet ndërkombëtare do të ishte ajo që do e përmirësonte imazhin e Kosovës.