Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Gjeopolitika e vaksinave dhe besueshmëria e ulët e BE-së në Ballkanin Perëndimor

Pandemia e koronavirusit ka dëmtuar përpjekjet e BE-së për të promovuar demokracinë. Kjo nuk vërehet askund më mirë se sa në Ballkanin Perëndimor, ku Kina dhe Rusia kanë shfrytëzuar diplomacinë e vaksinave për të përforcuar rolet e tyre në rajon.

Pandemia e koronavirusit ka kontribuuar në dëmtimin jo vetëm të demokracisë nëpër botë, por gjithashtu të besueshmërisë së BE-së në në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një më shumë prej problemeve me të cilat tashmë ballafaqohet politika e ngathët e zgjerimit e BE-së në një kohë të rritjes së konkurrencës gjeopolitike. Pandemia ka ilustruar qartë ndryshimet globale të pushtetit dhe ka sprovuar edhe njëherë politikën e jashtme të BE-së.

Kjo nuk vërehet askund më mirë se sa në Ballkanin Perëndimor. Aty, fuqitë globale si Kina dhe Rusia kanë shfrytëzuar diplomacinë e vaksinave për të përforcuar rolet e tyre gjeopolitike në rajon në dëm të fuqive perëndimore si Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja.

Në çererkun e parë të 2021, përderisa Uashingtoni ndalonte eksportin e vaksinave, shtetet anëtare të BE-së fillimisht patën telashe me vaksinimin e popullatave të veta dhe kryesisht dështuan të dërgonin vaksina vendeve te Ballkanit Perëndimor. Ndonëse blloku ka arritur ta ndryshojë krejtësisht gjendjen me shpërndarjen e vaksinave, dëmi që i është shkaktuar reputacionit dhe fuqisë së butë të BE-së do të ketë implikime në përpjekjet për promovimin e demokracisë në rajon në vitet në vazhdim.

Vetëm një përpjekje e përbashkuar mes shteteve anëtare të BE-së – së bashku me përkrahjen e Uashingtonit – për të mbështetur demokracinë, ekonomitë dhe sektorët e shëndetësisë në Ballkanin Perëndimor do të ringjallë besueshmërinë e dobët të politikës së zgjerimit të BE-së dhe do të ndihmojë në adresimin e sfidave gjeopolitike me të cilat ballafaqohet BE-ja në rajon.

Koronavirusi dhe promovimi i demokracisë i BE-së përmes zgjerimit

Pandemia e koronavirusit ka ndikim negativ të trefishtë në përpjekjet e BE-së për të promovuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Së pari, kriza ka dëmtuar demokracinë liberale në rajon, ndërkohë që qeveritë kombëtare kanë miratuar masa kufizuese për t’u marrë me emergjencën shëndetësore.

Së dyti, ajo ka dëmtuar edhe më tej besueshmërinë e BE-së, e cila veçse ka qenë e ulët para pandemisë, meqë BE-ja pati telashe me menaxhimin e krizës përbrenda kufijve të saj dhe dështoi që ta shtrijë solidaritetin te vendet fqinje. Së treti, pandemia ka ofruar tokë pjellore që fuqitë autoritare të mbushin zbrazëtirën e lënë nga BE-ja dhe që të përforcojnë ndikimin e tyre në rajon, duke mbledhur edhe më shumë përkrahje për modelet e tyre alternative politike.

Koronavirusi vjen pas një krize më të gjërë të demokracisë liberale, por ajo gjithashtu e ka rënduar edhe më shumë. Pandemia ka pasur një efekt të pastër negativ në gjendjen e demokracisë nëpër botë duke çuar te kufizime të qarta në liritë themelore, duke rritur përqendrimin e pushtetit te ekzekutivi, si dhe duke zvogëluar rolet e parlamenteve kombëtare. Gjeopolitika e vaksinave është një tjetër manifestim i kësaj krize: regjimet autoritare shfrytëzojnë dhurimin e vaksinave në Ballkanin Perëndimor dhe zona tjera për të dëmtuar demokracitë liberale perëndimore – ose të asaj çfarë ka mbetur prej tyre.

Edhe pse nuk e ka shkaktuar atë, koronavirusi ka përshpejtuar kthesën joliberale në rajon. Stabilitokratët si presidenti serb Aleksandar Vuçiq kanë shfrytëzuar pandeminë për të përforcuar kapjen e pushtetit. Këta liderë, të cilët nga Perëndimi shihen si ofrues të stabilitetit ndërkohë që në fakt dëmtojnë demokracinë nga brenda, kanë konfirmuar trendet e prapakthimit demokratik duke kufizuar lirinë e shprehjes, të drejtën e privacisë dhe lirinë e shtypit.

Ballkani Perëndimor nuk është grupi i vetëm i vendeve ku koronavirusi ka pasur efekt të dëmshëm mbi sistemet demokratike të shëndetësisë, siç dëshmohet edhe te vendet e BE-së. Megjithëkëtë, demokracitë më të dobëta, sikurse ato në Ballkanin Perëndimor, janë përgjithësisht më të prekshme ndaj prirjeve autoritare dhe përkeqësimit të lirive themelore se sa shtetet me institucione më të forta demokratike.

Siç vëren një studim për demokracinë në kohë pandemie, në rastin e përgjigjeve politike ndaj koronavirusit “mbrojtja e fuqishme e parimeve demokratike që bëhet në kohë ‘normale’ i bën qeveritë më ngurruese në zgjedhjen e politikave kufizuese.”

Meqë pandemia nuk do të jetë kriza e fundit që do të godasë Ballkanin Perëndimor, përforcimi i cilësisë demokratike dhe sundimit të ligjit në rajon mund të zbusë ndikimet negative të përgjigjeve emergjente të qeverive mbi liritë individuale dhe të reduktojë gjasat për të ashtuquajturin prapakthim pandemik.

Përkrahja e BE-së për demokracinë në Ballkanin Perëndimor është më e nevojshme se kurrë. Prapëseprapë, politika e zgjerimit e BE-së karshi rajonit ka lënguar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, me pak ose fare progres që vlen të përmendet. Besueshmëria ka qenë viktima kryesore pas viteve jokonsistencë dhe pasiguri; pandemia vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen.

Gjatë krizës së koronavirusit, politika e zgjerimit të BE-së ka vazhduar të zhgënjejë ata që kanë shpresuar se prospekti i hyrjes në BE mund të neutralizojë ndikimin e forcave autoritare dhe konkurrencës gjeopolitike në rajon. Përkundër nisjes së një metodologjie të re të zgjerimit në shkurt 2020 dhe vendimit të BE-së që të hapë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor, negociatat me këto dy vende kanë ngecur që prej dhjetorit për shkak të vetos së Bullgarisë lidhur me mosmarrëveshjet gjuhësore dhe historike.

Në takimin e qershorit të këtij viti, Këshilli i BE-së dështoi edhe njëherë që të hapë formalisht negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke pësuar një goditje tjetër për besueshmërinë e brishtë të politikës europiane të zgjerimit.

Gjetkë në rajon, progresi ka ngecur gjithashtu, përfshirë planet për liberalizimin e vizave për Kosovën, përkundër faktit që Komisioni Evropian konfirmoi disa herë se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e kërkuara. Ndërsa në prill, një hulumtim joformal mbi atë se si duhet të shkohet përpara me Ballkanin Perëndimor, i cili është lidhur me presidencën e Sllovenisë në Këshillin e BE-së gjatë periudhës korrik-dhjetor 2021, propozoi ristrukturimin e vendeve të rajonit përgjatë vijave etnoterritoriale.

Ajo skemë solli ndërmend plane të tjera për shkëmbim territoresh, përfshirë një propozim të fundit të ish presidentit amerikan, Donald Trump për të zgjidhur një mosmarrëveshje të kahershme mes Serbisë dhe Kosovës.

Këto zhvillime kanë kontribuuar në dëmtimin e besueshmërisë ndaj procesit të zgjerimit të BE-së dhe për pasojë efektshmërinë e kushteve demokratike të BE-së. Për shembull, duke folur për vonesën në hapjen e negociatave me vendin e tij, zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov shtroi pyetjen, “Rasti i Maqedonisë së Veriut është test për besueshmërinë e BE-së në Ballkanin Perëndimor: a do t’i mbajë BE-ja premtimet e veta?”

Përgjigjja negative ndaj kësaj pyetjeje mund të jetë fatale për procesin e zgjerimit të BE-së. Së fundmi, ministrat e jashtëm të presidencës së treshes së BE-së – Gjermanisë, Portugalisë dhe Sllovenisë – i kanë bërë thirrje BE-së që të mbajë premtimet dhe kanë theksuar që “çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë progresin e këtij hapi të rëndësisë themelore për BE-në dhe për Ballkanin Perëndimor.”

Problem shtesë për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor është konkurrenca gjeopolitike, me regjimet autoritare si Kina dhe Rusia të gatshme të ndërhyjnë dhe të mbushin zbrazëtirën e lënë nga BE-ja. Çdo dështim i BE-së për të shpërbyler forcat pro demokratike në rajon dhe për të shfaqur solidaritet me ta ofron mundësi tjera për forcat anti demokratike që të përforcojnë ndikimin e tyre.

Beteja e narrativëve në nivelin global gjatë vitit të fundit ka qenë posaçërisht e ashpër në Ballkanin Perëndimor. Edhe këtu, duket sikur BE-ja po dështon. Siç u pranua nga 9 ministrat e jashtëm të BE-së në një letër dërguar shefit të politikës së jashtme, Josep Borrell në mars 2021, “përderisa BE-ja ka mobilizuar përkrahje masive për rajonin, aktorë të tjerë kanë qenë më të efektshëm në paraqitjen e përkrahjes së tyre dhe kështu kanë minuar seriozitetin, besueshmërinë dhe perceptimin e solidaritetit tonë.”

Gjeopolitika e vaksinave në Ballkanin Perëndimor dhe e dobësimi i fuqisë së butë të BE-së

Gjeopolitika e vakisnave e ilustron shumë bukur këtë fakt. Një prej rajoneve të goditura më së keqi nga koronavirusi, Ballkani Perëndimor ka përjetuar një prej shkallëve më të mëdha të vdekjeve në botë, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Prandaj, nuk është befasuese që këto vende kanë kërkuar me çdo kusht që të mbrojnë popullatat e tyre, jo vetëm duke u përpjekur që të sigurojnë furnizime me vaksina përmes mekanizmit të COVAX-it, por duke kërkuar edhe nga furnizues të tjerë. Kina dhe Rusia nuk e kanë çuar dëm mundësinë që të luajnë rol më të madh dhe kanë shfrytëzuar vaksinat për të përforcuar pozicionin e tyre në rajon.

Edhe pse angazhimi i Kinës dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor i paraprin pandemisë, perceptimi i mungesës së solidaritetit nga BE-ja dhe shtetet e saj anëtare – si në fazat e hershme të krizës dhe më vonë në shpërndarjen e vaksinave – ka ofruar shtysë të re për lojërat gjeopolitike të Pekinit dhe Moskës. Në fazat fillestare të pandemisë, Vuçiq kritikoi mungesën e furnizimeve për pajisje mbrojtëse nga partnerët evropianë të Serbisë; ai nuk harroi të përmendte se “solidariteti europian nuk ekziston.

Është veç një përrallë e bukur.” Vuçiqi nënvizoi se vetëm Kina mund ta ndihmonte Serbinë dhe kjo u pasua me instalimin e billbordëve në Beograd me porosinë “Faleminderit, vëlla Xi” për nder të presidentit kinez Xi Jinping. E ashtuquajtura “diplomaci maskash” e Kinës pati sukses të veçantë në dobësimin e fuqisë së butë të BE-së në Serbi dhe vende të tjera në rajon, përkundër disa dyshimeve rreth diplomacisë gjithnjë e më agresive të Pekinit.

Shpërndarja e vaksinave i ka ofruar Kinës dhe Rusisë një mundësi tjetër për të thelluar ndikimin e tyre. Serbia është bërë epiqendër e gjeopolitikës së vaksinave në Evropën Juglindore. Në vjeshtë 2020, Beogradi lidhi marrëveshje me prodhuesin kinez të vaksinave Sinopharm, që kanë ofruar më shumë se 2 milionë vaksina që prej fillimit të vitit.

Bashkë me dërgesat tjera të vaksinave ruse Sputnik V si dhe atyre perëndimore, kjo e ka bërë Serbinë të jetë mes vendeve me shkallën më të lartë të vaksinimeve: 36 për qind e popullatës së Serbisë është imunizuar plotësisht që prej 24 qershorit 2021. Për më tepër, Beogradi ka nënshkruar marrëveshje për të nisur prodhimin e vaksinave të Sinopharm-it dhe Sputnik V në Serbi në fund të vitit 2021, të cilat mund ta bëjnë një prej furnizuesve kryesorë në Europën Juglindore.

Serbia ka kapitalizuar gjithashtu shpërndarjen e suksesshme të vaksinave dhe ka dërguar diplomacinë e vetë të vaksinave në rajon duke dhuruar doza në Bosnje dhe Maqedoni të Veriut dhe duke hapur qendrat e vaksinimit pa pagesë për diplomatët e vendeve të treta dhe të huajt. Megjithëkëtë, besimi i ulët në institucionet politike dhe teoritë konspirative kanë lënë një gjurmë në programin e vaksinave deri në pikën kur Beogradi është dashur të ofrojë stimulim financiar për qytetarët që marrin vaksinën.

Ndërkohë, vendet e tjera të rajonit kanë kritikuar arritjen e ngadaltë të dërgesave nga COVAX-i, ose kanë provuar që të lidhin marrëveshje vetanake me Kinën ose Rusinë. I vetmi përjashtim është Kosova, e cila ka preferuar të përdorë vetëm vaksinat e aprovuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe ka refuzuar donacionet e vaksinave të Sinopharmit nga Shqipëria.

BE-ja ka vazhduar të përkrahë Ballkanin Perëndimor në luftën kundër koronavirusit, por shumica e këtyre përpjekjeve kanë kaluar pa u vënë re nga publiku i këtyre vendeve. Bashkë me Bankën Evropiane për Investime, BE-ja ka mobilizuar më shumë se 3.3 miliardë Euro për të mbështetur menaxhimin e krizës shëndetësore dhe efekteve të saj socioekonomike.

Kjo paketë përfshinte 762 milionë Euro për rimëkëmbje socioekonomike dhe 70 milionë Euro për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të kenë qasje në vaksinat e siguruara nga shtetet anëtare të BE-së. Unioni ka qenë gjithashtu prapa nisjes së COVAX-it, e cila do të furnizojë vendet e Ballkanit Perëndimor me 5 milionë vaksina. Së bashku me shtetet anëtare, BE-ja është një prej donatorëve kryesore të këtij mekanizmi.

Përkundër përhapjes fillestare të ngadaltë të vaksinave përgjatë BE-së dhe një mosmarrëveshjeje mes bllokut dhe kompanisë farmaceutike AstraZeneca lidhur me furnizimet, BE-ja është bërë një prej eksportuesve më të mëdhenj të vaksinave në botë, duke e shndërruar unionin në “farmaci të botës,” kjo sipas presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen. Më 20 prill 2021, Komisioni njoftoi për arritjen e marrëveshjes, të sponsorizuar nga Austria, për të shpërndarë 651 mijë vaksina Pfizer për Ballkanin Perëndimor deri në gusht.

Një tjetër marrëveshje me Pfizer-in për 1.8 miliardë vaksina duhet të sigurojë që BE-ja ka tepricë vaksinash për t’i dhuruar vendeve të rajonit. Prapëseprapë, mungesa e një narrativi pozitiv të BE-së apo një strategjie të efektshme të komunikimit e ka dobësuar fuqinë e butë të unionit, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe globalisht.

Rishikimi i promovimit të demokracisë në Ballkanin Perëndimor

Përderisa BE-ja ka njohur nevojën për të përvetësuar një qasje më gjeopolitike në nivelin ndërkombëtar, politika e saj karshi Ballkanit Perëndimor ka dështuar në ofrimin e një alternative të besueshme për modelin autoritar e jo liberal të përfaqësuar nga fuqitë tjera. Qasja e BE-së deri më tash ka qenë gjithashtu tejet teknokrate.

Në veçanti, dobësimi i besueshmërisë ndaj perspektivës për anëtarësim në BE ka dëmtuar aftësinë e unionit që të ndihmojë reformat demokratike në rajon dhe ofroi mundësi për depërtimin e Kinës dhe Rusisë. Reputacioni i BE-së ka pësuar jo vetëm nga politizimi i mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe atyre rreth zgjerimit, por gjithashtu prej ngritjes së joliberalizmit në vetë BE-në, e cila ka topitur çdo fuqi transformative të cilën unioni ka qenë në gjendje të ushtrojë më parë.

Si mund ta kundërshtojë BE-ja rritjen e ndikimit të Pekinit dhe Moskës në rajon dhe të ndërpresë vrullin e kthesës së tashme joliberale? Një përkushtim më i fortë ndaj vlerave liberale të BE-së mes fuqive perëndimore më përgjithësisht do të kryente shumë punë në rikthimin e besueshmërisë dhe ballafaqimin e betejave globale të narrativëve.

Kjo do të duhej të ishte më e lehtë nëse BE-ja do të përkushtohej më shumë në demokraci, ashtu siç ka bërë administrata e presidentit amerikan, Joe Biden. Një front i bashkuar me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara do të bënte shumë në adresimin e sfidave të rajonit, posaçërisht pas përçarjeve të shkaktuara nga administrata e Trumpit.

Përkrahja e fuqishme prej Uashingtonit për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga BE-ja do të ishte hap i mirë në rimëkëmbjen e reputacionit të Perëndimit në rajon. Gjithashtu, ka hapësirë për koordinim më të mirë për t’u përballur me kërcënimet e tjera ndaj demokracisë, përfshirë korrupsionin dhe kapjen e shtetit. Për shembull, BE-ja duhet të mbështesë vendimin e qershorit 2021 të administratës Biden për të miratuar legjislacion që shënjestron personat që i kontribuojnë destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe duhet të ndërmarrë masa të ngjashme.

Politika e zgjerimit e BE-së ka shumëçka për të riparuar sa i përket besueshmërisë në Ballkanin Perëndimor. Që të ngjajë kjo, është parësore që të bëhen përparime të dukshme drejt anëtarësimit në BE, veçanërisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat deri më tash kanë përmbushur pjesën e tyre të marrëveshjes.

E njëjta vlen për liberalizimin e vizave në Kosovë. Qeveritë kombëtare do të ndërmarrin reforma të dhimbshme vetëm nëse kanë garanci se BE-ja do të mbajë premtimet. Është thelbësore për presidencën e ardhshme sllovene të Këshillit të BE-së që të arrijë progres me këto dy çështje që besueshmëria në politikën e zgjerimit të BE-së të ketë mundësi të riparohet.

Publiku i Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të jetë i bindur se BE-ja dhe sistemi i saj politik mund të ofrojnë zgjidhje konkrete për problemet e tyre. Veprat e veçanta të solidaritetit janë posaçërisht të rëndësishme; kjo përfshin mobilizimin e resurseve financiare për të financuar projekte të infrastrukturës, shërbimeve shëndetësore, kujdesit shoqëror dhe të tjera, të cilat kanë vlerë të madhe për njerëzit.

Për momentin, vaksinat janë prioritet kyç për qytetarët e rajonit, ku ritmi i vaksinimit është ende dukshëm më i ulët se në vendet e BE-së. Prandaj, BE-ja duhet të prioritizojë këtë fushë, posaçërisht tash që programi i vaksinave i vetë BE-së po funksionon shumë mirë. Komunikimi i mirë është gjithashtu tejet i rëndësishëm në një botë të digjitalizuar. BE-ja ka një storie të mirë për të treguar, por ajo duhet të përpiqet që ta komunikojë këtë storie më mirë dhe me empati.

Në fund, përderisa nuk duhet të nënvlerësohet asnjëherë qëndrueshmëria e BE-së kur është puna te menaxhimi i krizave, siç tregohet me episodin e vaksinave, kjo nuk mjafton në kontekstin e konkurrencës gjeopolitike. BE-ja nuk ka llogari që të tjerët të mbushin zbrazëtirën derisa ajo të rregullojë shtëpinë e vet, meqë kjo i çon ujë në mulli atyre që duan të portretizojnë sistemet demokratike si shumë të ngadalta dhe tepër të dobëta. Përveç nëse BE-ja kupton këtë sfidë strategjike, e ardhmja e demokracisë në Ballkanin Perëndimor mbetet e pasigurt.

***

Artikulli origjinal në Carnegie Europe, më 8 korrik 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.