Në korrik të vitit 1921 një grup i vogël revolucionarësh kinezë me bindje komuniste të ndihmuar edhe nga komunistët evropianë, sikurse ai holandez Henk Sneevliet, themeluan Partinë Komuniste Kineze në qytetin Shangai. Sot, ajo njihet padyshim si organizata politike më e fuqishme në botë e që ka në posedim një aparat të fuqishëm partiak, shtetëror dhe ushtarako-policor.
Ajo ka arritur që në përputhje me dogmën-ideologjike partiake ta legjitimojë pushtetin e saj dhe njësojë trinomin: komb, shtet dhe parti. Përkatësisht, kjo e fundit është ajo që e ka fjalën e fundit dhe në shërbim të së cilës janë hiq më pak se mbi 95 milion anëtarë të partisë, pra më shumë anëtarë partie sesa banorë që ka aktualisht posedon shteti më i madh i Unionit Evropian, Gjermania.
Pas një shekulli, në korrik të këtij viti, gjatë një ceremonie zyrtare dedikuar 100-vjetorit të themelimit të partisë, presidenti kinez Xi Jinping, duke iu drejtuar turmës prej 70,000 njerëzish të mbledhur në sheshin Tian’anmen, me një vetëbesim të theksuar paraqiti itinerarin 100-vjeçar partiak dhe trajektoren e ardhshme drejt një Kine moderne dhe socialiste. Kina e sotshme në sytë e presidentit Xi është një fuqi globale dhe lidere në fushën politike, ekonomike, tregtare, industriale, ushtarake dhe teknologjike.
Presidenti Xi bëri të qartë se ai udhëheq një shtet, që nuk guxon nënvlerësohet dhe përçmohet nga askush. Ai drejton një vend që nuk pranon të marrë predikime nga askush, që beson se ka të drejtë t’i jep leksione dikujt. Kushdo që provon të ndërhyjë në punët e Kinës do ta gjejë vetën të përballur nga një “mur çeliku i përbërë nga mishi dhe gjaku i 1.4 miliardë kinezëve”. Ky ishte bilanci i partisë më të fuqishme në botë në 100-vjetorin e themelimit të saj.
Synimi kinez për ndryshmin e rendit ekzistues ndërkombëtar
Përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe i bipolaritetit ndërmjet dy fuqive globale të asaj kohe, SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik, ndikuan në ndryshimin e rrethanave politike globale në favor të botës demokratike. Sidoqoftë, këto korniza të gjeopolitikës të dominuar nga një partneritet i ngushtë transatlantik filluan të ballafaqohen me sfida të reja. Rendi liberal ndërkombëtar i formësuar nga shtetet demokratike perëndimore është duke u kërcënuar prej vitesh nga ngritja globale e Kinës, e cila nën sundimin e Partisë Komuniste përpos që synon të marrë drejtimin e rendit ekzistues ndërkombëtar, ajo synon edhe ta formësojë atë sipas këndvështrimit të saj.
Krahasuar me Unionin Evropian, SHBA-ja e pati klasifikuar peshën politike, fuqinë ekonomike dhe ushtarake të Kinës si një konkurrente strategjike qysh në fillim të shekullit XXI. Në shkurt të vitit 2002, gjatë një vizite në Japoni, presidenti amerikan George W. Bush deklaroi as a “se shekulli XXI do të jetë një shekull i Paqësor-it.” Për realizimin e vizionit të saj, SHBA-ja duhet të punojë ngushtë me kombet e lira dhe demokratike në rajonin e indo-paqësorit, si kundërpeshë ndaj shtetit komunist kinez gjithnjë e në ngritje.
Pasardhësi i Bush, Barack Obama, fliste vazhdimisht për vizionin e ri amerikan, përkatësisht rreth zhvendosjes së gjeopolitikës nga transatlantiku në drejtim të indo-paqësorit. Ishte Sekretarja e Shtetit e SHBA-ve, Hillary Clinton, e cila përmes një artikulli në botuar në Foreign Affairs (“Shekulli i Paqësorit të Amerikës”) në tetor të 2011, përdori për herë të parë publikisht fjalën “aks”, ku adresoi planet e qeverisë amerikane për “shekullin e Paqësorit”. Sipas saj, rajoni indo-paqësor është bërë një drejtues kryesor i politikës globale, në të cilën jetojnë gati gjysma e popullsisë së botës. Për Clinton, ngritja e Kinës përfaqësonte një nga marrëdhëniet dypalëshe më sfiduese që SHBA-ve u është dashur të “administrojnë ndonjëherë.”
Sidoqoftë, vizioni amerikan u sfidua, kur Xi Jinping mori udhëheqjen e partisë (2012) dhe të shtetit (2013). Si kundërpeshë ndaj strategjisë së amerikane ndaj Paqësorit, Xi proklamoi vizionin e tij “ëndrra kineze”. Qëllimi i Kinës nuk është më sekret, por që të bëhet ekonomia më e madhe në botë dhe të zëvendësojë SHBA-të. Planet e Xi nuk janë vetëm të karakterit ekonomik, ato përmbajnë dimensione të qarta politike dhe ideologjike.
Modeli kinez veçohet edhe nga dimensioni i autoritarizmit digjital, si një instrument i domosdoshëm i shtrirjes së dorës së shtetit. Që nga ardhja në pushtet e presidentit Xi, ai e ka centralizuar pushtetin politik dhe ka rritur ta shtrijë kontrollin e plotë mbi qytetarët e vendit të tij. Zatën, ai bëri ndryshim kushtetuese duke hequr kufizimin prej dy mandateve të presidentit të vendit duke ia hapur rrugën vetës të vazhdojë të udhëheq Kinën pa kufizim.
Për të rritur ndikimin global në planin afatgjatë, Presidenti Xi ka startuar tashmë projektin prestigjioz ekonomik “Rruga e Re e Mëndafshit”. Idetë e tij për shekullin XXI për të krijuar një zonë ekonomike të dominuar nga Kina, në të cilën shtetet euroaziatike dhe afrikane janë të lidhura ngushtë nga toka (Brezi) dhe deti (Rruga), janë në përputhje me ambiciet gjeo-ekonomike dhe gjeo-strategjike të Kinës.
Kina është pjesë e rëndësishme e organizatave ndërkombëtare dhe për shtrirjen e ndikimit të saj, ato duket të mos i kenë mjaftuar shtetit kinez. Kështu që, Pekini ka krijuar tashmë institucione të tjera politike, ekonomike dhe financiare, të cilat janë duke shërbyer si instrumente të rëndësishme në zbatimin e projeksioneve të Pekinit.
Parag Khanna e ka përshkruar krijimin e institucioneve paralele të krijuara nga Kina si një epokë e “aleancës së infrastrukturës”, në të cilën, sipas tij, ekonomia dhe diplomacia janë dy anët e së njëjtës medalje, me “Kinën si kontraktori më i madh infrastrukturor në planet”. Frytet e projeksioneve të tilla kineze u ndjen edhe në Ballkan përmes formimit të mekanizmi sino-evropian “16+1”me vendet e Evropës Qendrore, Juglindore dhe Lindore.
Partner, konkurrent dhe rival sistematik – është e mundur kjo?
Prej vitesh ka pasur një diskrepancë të madhe të të gjykuarit ndërmjet SHBA-ve dhe UE-së në raport me Kinën. Në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare amerikane dhe atë të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2017, e cila qe hartuar nën administratën Trump, Kina është etiketuar si “kërcënimi më i afërt ekzistencial” për SHBA-të dhe Perëndimin në përgjithësi. Pas dy viteve, UE-ja përmes një dokumenti zyrtar të publikuar në mars të vitit 2019, shprehte për herë të parë qartazi shqetësimet e saj në lidhje me Kinën.
Fakti që Kina ishte bërë shumë më e fuqishme ekonomikisht dhe politikisht, UE-ja e sheh Kinën njëkohësisht si “një partnere” (me të cilën UE-ja ka nevojë për të bashkëpunuar në tema të interesit të përbashkët), “një konkurrente” (ekonomike) dhe “një rivale sistematike” (që promovon modele të qeverisjes ndryshe nga Perëndimi). Ky trinom vlerësues paraqet kthjelljen evropiane dhe bazën e re të marrëdhënieve sino-evropiane. Megjithatë, ambivalenca evropiane ndaj Kinës u dëshmua edhe me Marrëveshjen për Investime UE-Kinë në dhjetor të vitit 2020.
Kina është bërë temë edhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut, e cila për herë të parë në historinë e saj, përmendi Kinën në një deklaratë të përbashkët në samitin e NATO-s në Londër në dhjetor të 2019. Që nga ajo periudhë shtetet anëtare të NATO-s janë duke zhvilluar një politikë të unifikuar ndaj Kinës, e cila mund të jetë një kërcënim i mundshëm për aleancën në shumë mënyra. Gjatë samitit të NATO-s në Londër vendet anëtare të saj pranuan se pesha politike globale e Kinës do të thotë as a “sfidë” dhe “mundësi.”
Angazhimi i shtuar i Kinës në Detin Jugor Kinez, ndërtimi i ishujve artificialë në rajonin e indo-paqësorit, aktivitetet e Pekinit në Arktik dhe Afrikë, fuqizimi i kompanive kineze në fushën e inteligjencës artificiale dhe të 5G, janë vetëm disa nga temat që kanë një rëndësi të veçantë për NATO-n. Përveç kësaj, investimet kineze në armatim dhe ushtrinë e saj, modernizimi i sistemit të mbrojtjes dhe të marinës kineze janë shqetësuese për NATO-n. Ky shqetësim u ritheksua edhe në samitin e NATO-s para një muaji në Londër.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stockholm për vitin e kaluar, Kina zë vendin e dytë në botë për shpenzime buxhetore në fushën e mbrojtjes me 252 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa SHBA renditet e para me 778 miliardë dollarë amerikanë.
Nga të dhënat e publikuara nga China Military Power Report arrijmë të kuptojmë se, Armata e Kuqe si ushtria më e madhe në botë posedon dy milion ushtarë aktivë, 915,000 ushtarë prej të cilëve janë permanent në detyrë, ndërsa SHBA-të zotrojnë gjithsej 1,35 milion ushtarë, 486,000 nga të cilët janë aktiv në shërbim. Në vitin 2017, Kina ka ndërtuar për herë të parë një bazë ushtarake në Xhibuti, ndërsa SHBA-të posedojnë rreth 800 baza ushtarake në më shumë se 70 vende të ndryshme të botës.
Fakti që Kina është në shumë mënyra një sfidë ndaj modelit demokratik perëndimor dhe kundërshtar ndaj interpretimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut sipas pikëpamjes perëndimore është bërë tashmë një rival sistematik më i fuqishëm se Federata Ruse. Fokusi i këtyre konkurrentëve sistematikë të Perëndimit nuk është vetëm nga perspektiva gjeo-politike ose gjeo-ekonomike, por mbi të gjitha për mbijetesën e modelit perëndimor dhe liberal i karakterizuar nga parimet i demokracisë dhe sundimit të ligjit, ku të gjitha janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk është mbi ligjin (rule of law), duke përfshirë edhe ata që janë në pushtet.
E në republikën komuniste ky parim nuk vlen, ngaqë aty ligjin e bënë partia dhe ajo e përcakton çka është ligjore (rule by law). Kështu që, modeli kinez i karakterizuar nga sundimi njëpartiak komunist – një kombinim i kapitalizmit të kontrolluar nga shteti – është bërë një model atraktiv për shumë vende aziatike dhe afrikane. Përpjekjet e Kinës për relativizim të drejtat politike dhe civile, por duke prioretizuar ato të mirëqenies ekonomike, është duke vë në pikëpyetje të arriturat e deritanishme të normave globale të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Në thelb, ky nuk është asgjë më shumë sesa vizioni i presidentit Xi, i cili në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në 2015 prezantoi idenë e tij për krijimin e një “bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”, si një rrugë alternative për vendet në zhvillim, e cila është në kontrast me demokracitë perëndimore.
Ngritja globale e Republikës Popullore të Kinës – sidomos në 40 vitet e fundit – paraqet padyshim sfidën më të madhe globale për shtetet demokratike perëndimore dhe sistemin e qeverisjes së tyre demokratike të bazuara në liri individuale dhe politike.
Fuqizimi i Kinës (brenda dhe jashtë) nën diktatin komunist ka kompleksuar edhe teoricientët kryesor amerikanë, të cilët kanë shpresuar se hapja ekonomike kineze dhe rritja e ndërvarësisë ekonomike dhe tregtare do të shoqërohet edhe me hapjen ndaj demokracisë dhe lirive politike. E kundërta është ajo çfarë ka ndodhur në Kinë. Sot, Kina është më centraliste, më diktatoriale, më brutale e agresive se sa para 40 vitesh. Ajo është shndërruar në një “autokraci teknologjike neo-maoiste” (Orville Schell).
Deri sa ky mijëvjeçar filloi mbi gërmadhat sovjetike me shpresën e futjes drejtë në bote më demokratike dhe më paqësore, është duke u sfiduar nga alternativa autoritare kineze. Modeli demokratik-perëndimor është vënë tashmë në alarm drejt një fortifikimi të botës demokratike kundrejt kërcënimeve të fuqive autoritare, si rreziku kryesor strategjik i këtij mijëvjeçari. E kësaj liste tashmë ka vite që i prin Kina nën diktatin e partisë së saj komuniste që synon të zëvendësojnë sistemin ekzistues ndërkombëtar.
Botës perëndimore dhe demokratike nuk i ka mbetur gjë tjetër, përpos që të krijojë një front të bashkuar e të fortë sikurse që e kishte krijuar suksesshëm ndaj Bashkimit Sovjetik. Por, nga eksperienca sovjetike nuk është duke mësuar vetëm Perëndimi si të ngadhenjej, por edhe Kina me përkahësit e modelit të saj, sesi të mos mposhtet.