Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Ma i Kaltërti Sy

Fragment i shkëputun nga novela The Bluest Eye, e shkrueme në vitin 1970 nga autorja amerikane Toni Morrison.

Pecola, nji vajzë afro-amerikane njimbëdhetë vjeçare dëshiron me i pasë sytë e kaltër. E varfër, e përqeshun prej moshatarëve, e abuzueme seksualisht prej babës t’vet Cholly-it, e neglizhueme prej nanës t’vet Zonjës Breedlove, Pecola mbetet n’dorën e mashtruesit Zotni Soaphead, duke u ngushëllue me iluzionin që sytë e kaltër do t’ia sigurojnë dashuninë e mungueme prej njerëzve që e rrethojnë në nji shoqni thelbsisht raciste.

 

Për t’satën herë gjatë nji minute ke me shikue mbrenda asaj gjaje t’vjetër?

Nuk kam shikue për nji kohë t’gjatë.

E ke ba.

Edhe çka tani? Nëse due, mundem me shikue.

Nuk thashë që s’mundesh. Veç nuk po e di pse t’duhet me shikue çdo minutë. Nuk janë tue shkue kurrkund.

Këtê e di. Veç po due me shikue.

Mos je e frikësueme që munden me ikë?

Normalisht që jo. Qysh munden me ikë?

T’kaluemit kanë ikë.

Nuk kanë ikë. Kanë ndryshue.

Me ikë. Me ndryshue. E cili asht dallimi?

I madh bile. Zotni Soaphead ka thanë që këta kanë me zgjatë përgjithmonë.

Njiherë e përgjithmonë Amen?

Po, nëse don me e ditë.

Ani, nuk ke nevojë me tingëllue si e mençme kur folë me mue.

Nuk jam tue u ba e mençme. Ti vet’ e nise.

Unë veç po due me ba diçka tjetër përveçse me t’shikue ty qysh ia ke ngulë sytë kësaj pasqyre.

Je xheloze.

Nuk jam.

Je. Ke qejf me i pasë edhe ti.

Ha. A thue qysh isha dukë me sy t’kaltër?

Jo edhe qaq.

Nëse po don me vazhdue kështu, unë ma mirë me shkue.

Jo. Mos shko. Çka ke dëshirë me ba?

Kishim mujtë me dalë jashtë me luejtë.

Por asht shumë nxehtë.

Mundesh me e marrë pasqyrën tande t’vjetër. Fute n’xhepin e palltos, edhe kështu mundesh me e shikue veten poshtë e naltë rrugës.

Phaa! Kurrë s’ma kish marrë mendja që ke me u ba kaq xheloze.

Aii, boll ma!

Je.

Çka jam?

Xheloze.

Mirë. Pra jam xheloze.

A po e sheh. T’thashë.

Jo. Unë t’thashë ty.

A janë përnjimend t’mirë?

Po. Përnjimend t’mirë.

A veç “përnjimend t’mirë”?

Përnjimend, sinqerisht, shumë t’mirë.

Përnjimend, sinqerisht, kaltërsisht t’mirë?

Oh, Zot! Je e çmendun.

Nuk jam!

S’e mendova me atë kuptim.

E me cilin pra?

Hajde! Asht shumë nxehtë këtu.

Prit nji minutë. S’po mundem me i gjetë këpucët.

Qe ku janë.

Oh. Falemnderit.

Pasqyrën a e more?

Po loçkë…

Hajde shkojmë pra… Ouu!

Çka?

Dielli asht shumë i ndritshëm. Po m’i vret sytë.

T’mitë jo. As që po i lëvizi qepallat. Mundem me shikue drejt e n’diell.

Mos e ban.

E pse jo? Nuk po m’vret. As që kam nevojë me i lëvizë qepallat.

Epo, prapë se prapë lëvizi. Ashtu qysh ia ke ngulë sytë diellit po m’ban me u ndie qesharake.

Qysh qesharake?

S’e di.

Po, e din. Qysh qesharake?

T’thashë që s’e di.

E pse s’po m’shikon mue kur po e thue këtê? Po shikon me sy t’lëshuem teposhtë, bash si Zonja Breedlove.

Zonja Breedlove t’sheh me sy t’lëshuem teposhtë?

Po. Tash po. Prej se që i kam ba sytë e kaltër, gjatë tanë kohës e largon shikimin prej meje. A thue asht xheloze edhe ajo?

Mundet me ndodhë. Janë t’bukur, ta dish.

E di. E ka ba nji punë përnjimend t’mirë. Krejt po janë xhelozë. Sa herë që po e shikoj ndojkend, ata bahen që nuk m’vërejnë.

A thue për këtê kurrkush nuk t’ka thanë sa t’bukur janë?

Me siguri që po. A mundesh m’e imagjinue? Diçka e tillë me i ndodhë nji njeri, edhe kurrkush, bash hiç kurrkush mos me ia përmendë? Krejt po mundohen me u shtî kinse nuk po i shohin. A s’asht kjo qesharake?… Thashë, a s’asht qesharake?

Po.

Ti je e vetmja që m’thue sa t’bukur janë.

Po.

Ti je nji shoqe e vërtetë. M’fal që t’ngacmova ma herët. E kam fjalën, që t’thashë je xheloze edhe krejt tjerat.

S’ka gja.

Jo. Pënjimend. Ti je shoqja jem ma e mirë. Pse nuk t’kam njoftë ma herët?

Nuk ke pasë nevojë për mue ma herët.

Nuk kam pasë nevojë për ty?

Po mendoj… ke qenë aq e palumtun ma herët. Ma merr mendja as që m’ke vrejtë.

Ke t’drejtë. Kam qenë shumë e vetmueme për me pasë shoqe. E ti ke qene këtu. Bash para syve t’mi.

Jo, zemër. Bash mbas syve t’tu.

Çka?

Çka po mendon Maureen për sytë e tu?

Nuk ka thanë kurrgja. A mos t’ka thanë ty gja për ta?

Jo. Kurrgja.

A t’pëlqen Maureen?

Oh. E mirë asht, si nji vajzë gjysmë e bardhë.

E di çka po mendon. Po, a kishe pasë dëshirë me qenë shoqja e saj? Po mendoj, a kishe pasë dëshirë me kalue kohë me tê, ose çkado?

Jo.

As unë. Veçse s’ka dyshim që asht e famshme.

E kush don me qenë e famshme?

Unë jo.

As unë.

Sidoqoftë, ti edhe ashtu s’kishe mujtë me u ba e famshme. As që shkon në shkollë.

As ti.

E di. Po dikur kam shkue.

E pse e ke ndalë?

Për shkak t’tyne.

Për shkak t’kujt?

S’e di. Mbas ditës t’parë që kam shkue n’shkollë me sytë e kaltër. T’nesërmen e kanë thirrë Zonjën Breedlove. Tash ma nuk shkoj. Po s’po mërzitem.

Jo?

Jo. Veç janë paragjykues, kjo asht e tana.

Po, s’ka dyshim që janë paragjykues.

Janë paragjykues veç pse i kam ba sytë e kaltër, ma t’kaltër se t’tyne.

E vërtetë.

Janë ma t’kaltër, apo jo?

Oh, po. Shumë ma t’kaltër.

Ma t’kaltër se t’Joanna-s?

Shumë ma t’kaltër se t’Joanna-s.

Ma t’kaltër edhe se t’Michelena-s?

Shumë ma t’kaltër se t’Michelena-s.

E kam ditë. A t’ka thanë gja Michelena për sytë e mi?

Jo. Kurrgja.

E ti, a i ke thanë gja asaj?

Jo.

E qysh?

Çka qysh?

Qysh bahet që s’flet me kurrkend?

Flas me ty.

Përveç meje.

Nuk m’pëlqen kurrkush përveç teje.

Ku jeton?

T’kam tregue nji herë.

E nana jote qysh e ka emrin?

Pse po përzihesh n’punë t’mia?

Veç pata kurreshtje. Ti s’flet me kurrkend. Ti nuk shkon në shkollë. Edhe kurrkush s’flet me ty.

E qysh po e din që kurrkush s’flet me mue?

Po s’flasin. Kur je n’shpi me mue, as Zonja Breedlove nuk t’thotë gja. Kurrë, hiç. Ndonjiherë bile dyshoj nëse t’sheh.

E pse s’kish me m’pa?

S’e di. Ajo gati sa nuk t’përfillë hiç.

Ndoshta nuk po ndjehet bash mirë qyshse ka shkue Cholly.

Oh, po. Ke t’drejtë.

Me siguri që i mungon.

S’e di pse kish me i mungue. Krejt çka ai ka ba ka qenë me u dehë edhe me e rrehë.

Epo, ti e din qysh janë t’rritunit ma.

Po. Jo. Qysh janë?

Epo, me siguri që prapëseprapë e ka dashtë.

ATÊ?

Sigurisht. Pse jo? Sidoqoftë, edhe nëse s’e ka dashtë, e ka lanë me ia ba sa e sa herë.

Ajo s’asht kurrgja.

Qysh po e din?

I kam pa gjatë tanë kohës. Asaj s’i ka pëlqye hiç.

E pse pra e ka lanë me ia ba?

Se ai e ka detyrue.

E qysh mundet dikush me t’detyrue me ba diçka t’tillë?

Lehtë.

Oh, përnjimend? Qysh lehtë?

Thjesht t’detyrojnë, ashtu.

Po mendoj që ke t’drejtë. Edhe Cholly ka mujtë me e detyrue çdokend me ba çkado.

S’ka mujtë.

T’ka detyrue ty, apo jo?

MBYLLE!

Veç isha tue t’ngucë.

MBYLLE!

MIRË, MIRË.

Veç ka provue, a u ba? S’ka ba kurrgja tjetër. A po m’ndigjon?

Tue e mbyllë jam.

Ban mirë. Nuk m’pëlqejnë këto lloj bisedash.

Thashë që jam tue e mbyllë.

Ti gjithmonë folë pis. Sidoqoftë, kush t’ka tregue për atê?

Po harroj.

Sammy?

Jo. Ti.

Unë jo.

Po ti. Ke thanë që ai ka provue me ta ba sa ke qenë tue fjetë n’shtrat.

A po e sheh! Ti as që e di çka je tue folë. Ka ndodhë sa kam qenë tue i la enët.

Ah, po. Enët.

E vetme. N’kuzhinë.

Epo, m’vjen mirë që s’e ke lanë.

Po.

Apo?

Apo, çka?

E ke lanë.

Tash kush asht e çmenduna?

Si duket unë jam.  

S’ka dyshim që je.

Edhe pse…

Hajde. Vazhdo. Çka edhe pse?

Po mendoj qysh kish me qenë?

E tmerrshme.

Përnjimend?

Po. E tmerrshme.

E pse pra s’i ke tregue Zonjës Breedlove?

I kam tregue!

S’e kam fjalën për herën e parë, po për herën e dytë. Kur ke qenë tue fjetë n’shtrat.

S’kam qenë tue fjetë! Kam qenë tue lexue!

Ani, s’ke nevojë me bërtitë.

Ti s’kupton kurrgja, apo jo? Ajo as që m’ka besue kur i kam tregue.

Pra kjo asht pse s’i ke tregue për herën e dytë?

As atëherë s’kish me m’besue.

Ke t’drejtë. S’ka kurrfarë t’mire me i tregue kur ajo s’t’beson.

Kjo asht çka jam tue provue me e ba këtê kryet tand t’trashë me kuptue.

Mirë. Tash p’e kuptoj. Pothuejse.

Çka po don me thanë me pothuejse?

Sot po tregohesh përnjimend e poshtër.

Ti po vazhdon me thanë gjana t’poshtra. Kam mendue që je shoqja jem.

Jam. Jam.

Atëherë m’le rehat ma për Cholly-in.

MIRË.

Edhe ashtu, s’ka çka me u thanë ma për tê. Tash ma ka shkue.

Po. Bash çlirim.

Po. Bash çlirim.

Dhe Sammy ka shkue, gjithashtu.

Edhe Sammy ka shkue, gjithashtu.

Kështu që s’ka kurrfarë t’mire me folë ma për atë çka ka ndodhë. Po due me thanë për ta.

Jo. Bash kurrfarë t’mire.

Tash ma gjithçka ka përfundue.

Po.

Edhe ti s’ke nevojë me u tutë ma prej Cholly-t.

Jo.

Ka qenë e tmerrshme, apo jo?

Po.

Edhe hera e dytë?

Po.

Përnjimend? Edhe hera e dytë?

M’le rehat! Ban mirë me m’lanë rehat.

A s’mundesh me e durue nji hajgare? S’e pata përnjimend.

Nuk m’pëlqen me folë për gjana t’pista.

As mue. Hajde flasim diçka tjetër.

Çka? Për çka tjetër me folë?

Pse, sytë e tu.  

Ah, po. Sytë e mi. Sytë e mi t’kaltër. M’le t’i shoh prapë.

Shikoji sa t’bukur janë.

Po. Bahen ma t’bukur e ma t’bukur sa herë që i shikoj.

Janë ma t’bukurit që i kam pa ndonjiherë.

Përnjimend?

Oh, po.

Ma t’bukur se qielli?

Oh, po. Shumë ma t’bukur se qielli.

Ma t’bukur se sytë n’librin “Alice – dhe – Jerry”?

Oh, po. Shumë ma t’bukur se sytë n’librin “Alice – dhe – Jerry”.

Ma t’bukur edhe se t’Joanna-s?

Oh, po. Bile edhe ma t’kaltër.

Ma t’kaltër se t’Michelena-s?

Po.

A je e sigurt?

Normalisht që jam.

Nuk po tingëllon e sigurt…

E sigurt jam. Veç nëse

Çka veç nëse?

Oh, asgja. Isha tue mendue për nji grue që e kam pa dje. S’ka fjalë që i kishte sytë e kaltër. Por jo. Sytë e tu janë ma t’kaltër.

A je e sigurt?

Po. Tash po m’kujtohen. T’tutë janë ma t’kaltër.

Po gëzohem.

Edhe unë. E urrej me mendue që kish mujtë me qenë dikush tjetër me sy ma t’kaltër se ti. Jam e sigurt që s’asht kurrkush. T’paktën jo këndej pari.

Por jo që e din ti, apo jo? Nuk asht që e ke pa dikê?

Jo. S’e kam pa.

Kështu që mundet me qenë dikush, apo jo?

Shumë zor.

Por mundet. Mundet. Ti the “këndej pari”. Me siguri që kurrkush “këndej pari” nuk ka sy ma t’kaltër. Po çka për ndonji vend tjetër? Edhe nëse sytë e mi janë ma t’kaltër se t’Joanna-s, edhe ma t’kaltër se t’Michelena-s, edhe ma t’kaltër se t’grues që e ke pa ti, çka nëse asht dikush, diku larg, me sy ma t’kaltër se t’mitë?

Mos u ban qesharake.

Por mundet me qenë, apo jo?

Shumë zor.

Ama, paramendoje. Paramendoje nji vend larg prej këtu. Në Cincinnati, për shembull, me qenë dikush me sy ma t’kaltër se t’mitë? Paramendoje me qenë dy vetë me sy ma t’kaltër?

Edhe çka tani? Ke kërkue sy t’kaltër. I ke ba sytë e kaltër.

Ai asht dashtë me i ba edhe ma t’kaltër.

Kush?

Zotni Soaphead.

A i pate tregue çfarë t’kaltërte i ke dashtë?

Jo. Kam harrue.

Oh. Epo, mirë.

Shiko. Shiko atje. Atë vajzën. Shikoja sytë. A janë ma t’kaltër se t’mitë?

Jo, s’mendoj që janë.

A shikove përnjimend mirë?

Po.

Qe, po vjen dikush. Shikoja këtij. Shiko nëse janë ma t’kaltër.

Je tue u ba budallaqe. S’e kam ndërmend me i shikue sytë e gjithë secilit.

Duhesh me e ba.

Jo, nuk e baj.

T’lutem. Nëse asht dikush me sy ma t’kaltër se unë, atëherë ndoshta asht dikush me ma t’kaltërtit sy. Ma t’kaltërtit sy në tanë botën.

A s’asht kjo bash shumë keq?

T’lutem, ndihmomë me shikue.

Jo.

Por paramendoje nëse sytë e mi nuk janë mjaftueshëm t’kaltër?

Mjaftueshëm t’kaltër për çka?

Mjaftueshëm t’kaltër për… S’e di. Mjaftueshëm t’kaltër për diçka. Mjaftueshëm t’kaltër… për ty!

Nuk kam me luejtë ma me ty.

Oh. Mos m’le.

Po. Po t’la.

Pse? A je ba nervoz me mue?

Po.

Për shkak që sytë e mi nuk janë mjaftueshëm t’kaltër? Për shkak që s’i kam ma t’kaltërtit sy?

Jo. Për shkak që po sillesh si budallaqe.

Mos shko. Mos m’le vetëm. A kthehesh nëse i marr?

Nëse merr çka?

Ma t’kaltërtit sy. Atëherë, a ke me u kthye?

Normalisht që po. Jam tue u largue veç për pak.

A m’premton?

Sigurisht. Kam me u kthye. Bash përpara syve t’tu.  

—–

Përktheu: Lirika Demiri

*Ky përkthim asht kontribut ndaj projektit TLP Citizens Corps. Përmbajtja e këtij teksti nuk i reflekton medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të TLP Citizens Corps.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.