Këtu do të flasë për mënyrat se si mund të përmirësohet programi qeveritar pa shtuar kostot.
Mënyra kryesore si të përmirësohet programi është përmës ndërthurjes dhe integrimit (mainstreaming) të këtyre fushave më poshtë në sa më shumë sektorë të politikëbërjes. Për secilën nga këto duhet strategji e veçantë që shërben si udhërrëfim për sektorët e veçantë.
Të mirat publike
Kjo është një temë e rëndësishme në disa fusha që nga ekonomia deri të trashëgëmia kulturore dhe mjedisi. Një ligj që i definon dhe e garanton mbrojtjen e të mirave (mallrave) publike do të ishte tepër i rëndësishëm për të përmirësuar mirëqenien. Ky ligj do t’i definonte edhe privilegjet dhe obligimet e pronës private që është e mirë publike si psh ndërtesat me rëndësi historike, kompanitë e mëdha, tokat pyjore, mediat etj. Riorganizimi i ekonomisë në bazë të llojeve të të mirave, e jo vetëm llojeve të pronës, do të përbënte kërcim cilësor që e veçon Kosovën si shtet progresiv.
Industrializimi, prodhimi dhe eksporti
Edhe pse i kushtohet vëmendje e veçantë nxitjes së prodhimit dhe eksportit, duhet të theksohet më shumë promovimi i këtyre dy aktiviteteve dhe industrializimit të ekonomisë për shkak të ndikimit të madh të tyre në zhvillim ekonomik e social. Për shembull këto mund të promovohen në fushat që kanë të bëjnë me prokurim publik, zhvillim rural, bujqësia e fusha tjera. Duhet të bëhet promovimi i përpunimit të lëndëve të para, makinerive të reja, prodhimit vendor, eksportit të mallrave dhe shërbimeve në sa më shumë fusha që është e mundur.
Meritokracia
Duhet të ndërthuret meritokracia në sa më shumë fusha që është e mundur. Pra nuk ka nevojë të ndalemi vetëm të shërbimi civil, por të zbatohet ajo në të gjitha sektorët publikë, duke përfshirë kompanitë publike. Nuk mund të kenë sukses reformat në arsim e drejtësi pa instalimin e meritokracisë së mirëfilltë. Kjo nënkupton dizajnimin e testeve fillestare dhe vlerësimit të mirëfilltë të performancës në gjithë sektorin publik.
Diaspora
Shumë sektorë e theksojnë përfshirjen e diasporës. Prandaj është e nevojshmë që të ketë ndërthurje të përgjithshme të diasporës në politikëbërje për t’u siguruar se shfrytëzohet sa më mirë potenciali i saj si dhe ofrohen shërbime sa më të mira për mërgatën. Tri tema kryesore janë shëndrrimi i dërgesave nga konsumi në investime, kthimi i trurit, dhe arsimi i fëmijëve në diasporë. Për të trija këto duhet përfshirje e mirëfilltë e diasporës në vendimmarrje që të ketë mbështetje për politikat. Për shembull një politikë që mund të diskutohet është shëndrrimi i polisave të sigurimit që paguhen nga mërgata në një pagesë të veçantë që shkon në një Fond të Mërgatës që përdoret për investime (sidomos në turizëm kulturor, zhvillim rural, arsim për fëmijë etj).
Bashkëpunimi me Shqipërinë
Në disa fusha është përmendur bashkëpunimi me Shqipërinë, dhe në disa fusha tjera ku do të duhej të përmendej nuk është bërë. Prandaj është e nevojshme që të ndërthuret kjo gjë në sa më shumë fusha që është e mundshme. Këtu përfshihen fusha që nga transporti, ekonomia, sporti e deri te ndihma për komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë e Kosovës. Kjo është e rëndësishme sidomos në këtë periudhë të stagnimit të integrimit evropian. Gjithashtu do ta forconte pozitën e Kosovës në negociatat me Serbinë.
Interneti
Potenciali i internetit ende nuk njihet sa duhet. Pandemia e vuri në pah rëndësinë e internetit ku shkollimi u bë në rrjet dhe shumë punonjës u detyruan të punojnë prej shtëpisë. Një studim në Britani para pandemisë kishte konkluduar se interneti ka ndikuar që të zvogëlohen pabarazitë ekonomike në disa rajone të Anglisë veriore, sepse u ka mundësuar ndëdrmarrësve të rinjë të plasojnë produktet dhe shërbimet e tyre më lehtë. Në fushat si eksporti i shërbimeve përmes outsourcing, arsimi, shërbimet publike dhe diaspora si dhe diplomacia publike e turizmi, roli internetit është tepër i rëndësishëm. Prandaj duhet siguruar se në sa më shumë fusha integrohet përdorimi i internetit, që është dyfish më i rëndësishëm për një shtet të vogë, me popullsi të re dhe diasporë të madhe.
Fushat nyje
Duhet njohur fakti se disa fusha ndërlidhen ngushtë me njëra tjetrën duke krijuar nyje (neksuse) të politikave publike. Për shembull një nyje vetë ballafaqimi me pandeminë, ku ndërlidhen shëndetësia, ekonomia dhe politikat sociale; tjetër është në ndërlidhja e fushave si diaspora, bashkëpunimi me Shqipërinë, arsimi, dhe interneti. Një nyje tjetër është ndërlidhja mes politikës së jashtme, dialogut me Serbinë, tregtisë dhe industrisë (reciprocitetit), dhe integrimeve evropiane e rajonale. Këto neksuse duhet të kuptohen si të tilla dhe të qasen në mënyrë të vetëdijshme.