Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Përgjegjësia e Kosovës karshi komunitetit ndërkombëtar

Trajektorja politike e Kosovës në tri dekadat e fundit është një libër leksionesh të vyeshme për të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë ngarendjen tonë që të luftojmë korrupsionin, të konsolidojmë subjektivitetin ndërkombëtar, të liberalizojmë vizat etj., shpesh bëhemi cinik për storien vërtet sui generis që përcolli rrugëtimin e Kosovës. Dhe shpesh, të kredhur në problemet tona të brendshme, harrojmë se Kosova ka përgjegjësi para komunitetit ndërkombëtar që të flasë më zëshëm dhe më me vetëbesim për rrugëtimin e saj. Kjo, në mënyrë që ky rrugëtim të shërbejë si shembull dhe si inspirim për popuj tjerë të shtypur e të robëruar. Kjo është përgjegjësi dhe detyrë e Kosovës brenda familjes globale të kombeve.

Të mos harrojmë: epilogu fatlum si ky i yni që pasoi ngjarjet e viteve ’90 është shumë i rrallë në historinë njerëzore. Popujt fatkeq e të braktisur nga komuniteti ndërkombëtar janë gjithmonë më të shumtë në numër. Në përpjekjet e tyre për t’u çliruar, për autonomi, pavarësi, apo të drejta të barabarta, vazhdon të ketë (dhe ndoshta gjithmonë do të ketë) popuj që lëngojnë nën zgjedhën e represionit apo harresës. Mjafton një vështrim metaforik përreth globit që të përkujtohemi për vuajtjet e popujve si kurdët, palestinezët, sudanezët, birmanët, bellorusët, sirianët, kashmirasit etj. Lista është e gjatë, e lodhshme, dëshpëruese. Në shumicën e rasteve, këta popuj apo komunitete popujsh kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jetojnë nën shtypje edhe për shumë kohë në të ardhmen.

Në vitet ’90 Kosova ndërtoi një rezistencë paqësore, krijoi një sistem paralel të qeverisjes që mbante gjallë arsimin, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, dhe kishte një qeveri në ekzil. Kishte po ashtu një diasporë mirë të organizuar që shërbeu si pompë oksigjeni në momente rreziku ekzistencial. Kur e tërë kjo nuk mjaftoi për të zmbrapsur okupuesin, u ngrit rezistenca e armatosur e unifikuar mbrapa UÇK-së. Vëmendja e komunitetit ndërkombëtar mbi atë që u quajt katastrofë humanitare në Kosovë, arriti pikun në vitet ’98 dhe sidomos ’99. Pra, kishim shkuar prej të qenit një fusnotë (ndoshta as fusnotë) në negociatat ndërkombëtare mbi ish-Jugosllavinë në fillim të viteve ’90, deri në kulmin e vëmendjes globale në vitin ’99. Sot ekziston një përshtypje se Kosovës iu bë e padrejtë nga Komisioni i Badinterit (i ngarkuar për të dhënë mendim ligjor mbi të drejtën e secesionit nga Jugosllavia e asokohshme), apo në Marrëveshjen e Dejtonit. Mirëpo e vërteta është se Kosova nuk ishte as temë diskutimi apo shqyrtimi që t’i bëhej e padrejtë. Në një konferencë të paqes mbi Jugosllavinë, të mbajtur më 1992 në Londër dhe të kryesuar nga Lordi Carrington, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Dr. Rugova nuk ishte lejuar as të merrte pjesë në sallën e bisedimeve. Në vend të kësaj, ata ishin ftuar që të “përcillnin” bisedimet nga dhomat ngjitëse të sallës.

Pastaj, siç e dimë, ndodhi lufta, pasuar nga Marrëveshja Rambujesë, pasuar nga fushata e bombardimeve të NATO-s. E tërë kjo ndodhi brenda një periudhe 10-vjeçare. Një sinkronizim i tillë i vëmendjes së shteteve perëndimore, një konsensus përmasash globale mbi atë se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe ç’duhej bërë për të stopuar luftën, është jashtëzakonisht i rrallë. Në rastin tonë, mbase kishte edhe një dozë mrekullie. Rasti i Kosovës kontribuoi shumë në lindjen e doktrinës humanitare “Përgjegjësia për të mbrojtur” (Responsibility to protect) të promovuar nga vetë OKB-ja. Kjo doktrinë nënvizon përgjegjësinë e popujve dhe shteteve për të ndihmuar, për të mbrojtur, madje edhe për të intervenuar ushtarakisht në raste kur një populli të caktuar i shkelen edhe të drejtat elementare për jetë. Pra, ashtu siç ishte rasti me Kosovën e fund-viteve ’90.

Edhe ajo çfarë ndodhi pas luftës paraqet rast të veçantë dhe leksion për të tjerët. Instalimi dhe administrata e udhëhequr nga OKB-ja që përfshinte në ombrellën e saj një numër organizatash ndërkombëtare e rajonale, protektorati i NATO-s etj., ishin operacione që si të tilla u testuan së pari në terrenin e Kosovës. Për të përfunduar pastaj me negociatat e Vjenës dhe rekomandimin për “pavarësi të mbikëqyrur” për një kohë. Pra, Kosova, lidershipi i saj politik e më gjerë, kanë akumuluar një përvojë fenomenale si në rezistencë paqësore ashtu edhe në atë të armatosur, si në shtet-ndërtim ashtu edhe në demokratizim e në konsolidim të institucioneve. Është koha që edhe ne të ndajmë sa më shumë nga përvoja jonë me popujt e tjerë të shtypur.

Koha për të shkëmbyer përvojë

Ka kohë që Kosova ndien nevojën që të eksportojë siguri, jo vetëm të importojë. Përfshirja para disa muajsh e ushtarëve të FSK-së në misionin e parë paqeruajtës në Irak dhe Kuvajt, është hap i shkëlqyeshëm në këtë drejtim. Por duhet edhe më shumë, në fusha në ndryshme të jetës, si nga insitucionet por gjithsesi edhe nga vetë individët. Por si duket, ne kemi qëlluar paksa pasiv në këtë drejtim. Ndoshta sepse jemi shumë të fokusuar me vetveten, apo sepse nuk ndiejmë përgjegjësi. Por ne kemi dhe duhet të ndiejmë përgjegjësi ndaj të tjerëve, që të ndajmë përvojën në përpjekjet tona për liri, pavarësi dhe demokraci. Dhe pse jo? Pse të mos jemi më të zëshëm dhe më konfidentë kur e dimë se kauza jonë është e ndërtuar mbi bazament të drejtë dhe moral dhe nga e cila mund të nxjerren shumë leksione?

P.sh. OKB në bashkëpunim me disa institute kërkimore janë duke përgatitur një manual mbi demilitarizimin dhe riintegrimin e ushtarakëve në jetën civile pas luftës. Ata janë mjaft të interesuar që të dëgjojnë nga përvoja që Kosova ka në këtë drejtim. Procesi i demilitarizimit të UÇK-së më ’99 ishte shumë i suksesshëm, dhe ndarja e përvojës në këtë pikë është shembull se si mund të veprohet në të tilla raste.

Në mesin e shumë konflikteve nëpër botë do të veçoja dy për momentin. Është rasti i Bellorusisë, vend i cili vazhdon të jetë i zënë rob nga diktatori Alexander Lukashenko, në pushtet që nga rënia e komunizmit. Para ca ditësh aeroplanët e tij ushtarakë detyruan avionin civil të linjës Athinë-Vilnius që të aterojë në kryeqytetin Minsk, pasi që aty pasagjer ishte gazetari bellorus Roman Protasevich, i kërkuar nga pushteti. Protasevich tashmë është i burgosur politik në Bellorusi. Ky akt terrorizmi shtetëror brenda linjës së zonës Shengen është provokim shumë i rëndë për tërë BE-në. Ndërkohë, në Bellorusi ka kohë që lëvizja e opozitës ka marrë hov dhe, ndonëse fitorja mund të mos jetë e afërt, përpjekjet për ndryshim janë në intensifikim e sipër. Ka këtu shumë paralele me rastin e Kosovës, e cila mund të shërbejë si shembull inspirimi për këtë opozitë.

Është edhe rasti i Birmanisë (Mianmarit), ku në fillim në këtij viti ushtria bëri puç dhe mori pushtetin si kundërpërgjigje ndaj rezultatit të dalë nga zgjedhjet demokratike të nëntorit të vitit të kaluar. Si rrjedhojë, ka disa muaj që vendi është thuajse në luftë civile. Ushtria vazhdon të torturojë e të vrasë njerëz të pafajshëm. Mirëpo në anën tjetër, rezistenca popullore ndaj ushtrisë është mjaft e madhe. Për më tepër, lëvizja e opozitës ka krijuar Qeverinë Nacionale të Unitetit (QNU) dhe është duke punuar drejt rishkrimit të kushtetutës dhe rikonfigurimit të brendshëm federal të Birmanisë. Legjitimiteti i kësaj qeverie buron nga zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, të cilat u dhunuan nga puçi ushtarak. Një pjesë e kësaj qeverie punon në ilegalitet brenda Birmanisë, një pjesë e saj nëpër shtetet e jashtme përreth, e disa edhe në Perëndim. Me gjasë, beteja në mes të gjeneralëve dhe QNU-së do të vazhdojë edhe për ca kohë dhe do të jetë e përgjakshme. Por, duke pasë parsysh rezistencën mbarëpopullore, gjasat janë që gjeneralët do të shpartallohen. Por në këtë mes është mjaft e rëndësishme edhe përkrahja nga komuniteti ndërkombëtar, përkrahje që deri më tani ka qenë jo e mjaftueshme. Dhe pasi që është e qartë se mund të tërhiqen shumë paralele në mes të Kosovës dhe Birmanisë, duhet ta dimë se rasti ynë mund të shërbejë si shembull inspirimi. Edhe ne, kushdo nga ne, mund të jemi më proaktiv në këtë drejtim dhe të ngrisim zërin për drejtësi, duke u thirrur në vetë përvojën tonë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.