Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Të jetuarit me ankthin e tragjedisë (III)

Tronditja e shtyllave të rendit liberal

Procese të tilla dramatike e kanë bërë edhe më të besueshme tezën e artikuluar kohë më parë nga studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Robert Kagan, në librin e tij: “The Jungle Grows Back– America and Our Imperiled World”, se sistemi ndërkombëtar hap-pas-hapi po rrëshqet nga paradigma e ëndërruar e “kopshtit” drejt modelit të“xhunglës”, ku forcat objektive historike, presionet ekonomike dhe rivalitetet gjeopolitike po gëlojnë jashtë çdo kontrolli institucional, sistemik dhe moral, duke bërë që “hakmarrja e historisë të marrë karakterin e një force irreversibile”.

Natyrisht, sipas autorëve Brands dhe Edel, rendi ndërkombëtar liberal demokratik që u inaugurua pas Luftës së Dytë Botërore nga SHBA-ja me aleatët e saj dhe që e arriti majën kulmore me përfundimin e Luftës së Ftohtë, nuk do të thotë që është rrënuar plotësisht, mirëpo disa nga shtyllat bazike të tij nuk është se nuk kanë pësuar qarje serioze. Zaten edhe ky është qëllimi i librit. Që të na alarmojë për këto trandje.

Sulmet ndaj kësaj paradigme kanë marrë karakter gjithnjë e më të hapur. Shtetet sikur Kina dhe Rusia po i manifestojnë në mënyrë agresive ambiciet e tyre revizioniste. Bie fjala, gjatë viteve 90-ta këto dy shtete nuk është se kanë qenë të kënaqura me hegjemoninë e institucioneve trans-atlantike me epiqendër Uashingtonin, mirëpo i kanë pasur kapacitetet e limituara për t’ju kundërvë hapur.

Në ato rrethana, Pekini ka qenë totalisht i preokupuar vetëm që të ketë sa më shumë përfitime ekonomike nga kjo konjukturë globale. Kurse, Rusia natyrisht që ka qenë e frusutar nga zgjerimi i NATO-së drejt ish vendeve të Evropës Lindore që dikur participinonin në Traktatin e Varshavës, apo intervenimi i NATO-së kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe gjatë Luftës së Kosovës, por edhe në këtë rast, potencialet e Moskës për t’iu kundërvënë kësaj tendence kanë qenë minimale.

Ky shtet atëbotë ndodhej në një kolaps me ekonomi të rrënuar dhe në një gjendje psiko-sociale thellësisht depresive, e i varur thuajse plotësisht nga asistenca financiare perëndimore më qëllim të mirëmbajtjes së funksioneve bazike administrative shtetërore. Mirëpo, këto balanca të pushtetit ndërkombëtar kanë ndryshuar në masë të madhe. Kjo zhvendosje e raportit të forcave, në mënyrë më të spikatur ka filluar të manifestohet në zona periferike.

Kështu, udhëheqësit kinezë ka kohë që i kanë shpallur ambiciet e tyre gjeopolitike dhe gjeo-ekonomike veçanërisht në zonën e Azi-Paqësorit, me synim rivalizimin e pranisë amerikane. Ndërtimi i ishujve artificialë, fuqizimi i kapaciteteve ushtarake, ushtrimi i presionit mbi Tajvanin, zgjerimi i perimetrit të sigurisë nacionale, provokimi kohë-pas-kohe i anijeve amerikane në ujërat neutrale, janë vetëm disa nga instrumentet e kësaj politike agresive.

Po ashtu ky shtet ka iniciuar ndërtimin e shumë mekanizmave multilateralë duke i joshur shumë shtete tjera që të gravitojnë rreth fuqisë së tij ekonomike dhe politike. Qëllimi është që të sfidohen mekanizmat global që janë etabluar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në epiqendër të të cilave ka qenë Uashingtoni. Si pjesë e kësaj strategjie vlen të përmenden investimet enorme të Pekinit në shumë regjione të botës, sikur se rasti i nismës: “Brezi dhe Rruga”.

E të mos flasim këtu për marrëveshjen e nënshkruar me 27 mars 2021 ndërmjet Kinës dhe Iranit e cila thuhet se do të jetë në fuqi për 25 vjetet e ardhshme. Kjo marrëveshje parasheh investime të shumanshme në Iran. Mirëpo, si e tillë ajo paraqet një provokim të hapur ndaj përcaktimit strategjik amerikan për të disiplinuar programin bërthamor të Iranit me anë të politikës së sanksioneve ekonomike. Pra, nuk ka dyshim se të gjitha këta veprime janë shprehje e hapur e projeksioneve kineze për ta dobësuar influencën politike, ekonomike dhe diplomatike amerikane.

Sidoqoftë, krahas Kinës kontestimi i parametrave të rendit demokratik, ka marr hov edhe në kontinentin Evropian. Rusia e Vladimir Putinit, po i manifeston gjithnjë e më hapur planet e saj revizioniste ndaj këtij modeli politik dhe ekonomik. Ish agjenti i KGB-së sovjetike nuk ka lënë vend pa përsëritur lamentin e tij mbi kolapsin e Bashkimit Sovjetik. Madje këtë ngjarje ai e ka definuar si “katastrofën më të madhe gjeopolitike për Rusinë”.

Me qëllim të korrigjimit të kësaj katrahure dhe kurimit të traumës kolektive ruse, “Cari i ri Rusisë” e ka inauguruar një fushatë të shumanshme subversive ndaj projekteve perëndimore. Këtë agresion ai po e manifeston në dy forma: nëpërmjet intervenimeve militare në zonat e afërta të influencës sikurse në Ukrainë dhe Gjeorgji, duke i destabilizuar këto vende, si dhe nëpërmjet sulmeve kibernetike, prodhimit të lajmeve të rreme, intervenimit në procese elektorale në vende demokratike, mbështetjes financiare për liderët populistë që shpërhapin propagandë ndaj BE-së, NATO-së etj. Po ashtu, ky shtet është shndërruar në protektor të Bashar al Asadit në Siri, duke e shtrirë pushtetin edhe në Lindje të Mesme. Madje ka arritur ta shtrijë rrezen e veprimit edhe në Libi, e të mos flasim për raportet shumë specifike me Tehranin.

Interferime të tilla e kanë agravuar deri në ekstrem gjendjen ne përgjithësi në Lindjen e Mesme. Trysnia, presioni dhe sulmet ndaj parimeve bazike të rendit gjeopolitik në atë rajon janë bërë më intensive se kurrë më parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Ambiciet dhe synimet e aktorëve rajonal sikur se ato të Iranit, Turqisë apo Arabisë Saudite, me qëllim të instalimit të hegjemonisë së tyre, janë duke i ushqyer konfliktet dhe forcat disruptive rajonale deri në ekstrem.

Po ashtu, shpërhapja e vakumit gjeopolitik në atë zonë nevralgjike, ka krijuar një terren pjellor për lindjen dhe lulëzimin e entiteteve terroriste me potencial destabiluzes global. ISIS dhe organizatat tjera të kësaj natyre që ushqehen nga doktrinat fanatike teokratike, përbëjnë vetëm njërin nga episodet e frikshme dhe tmerruese që kanë lindur si rezultat i kësaj krize totale.

Mjerisht këto zhvendosje sizmike, debalancime globale dhe acarime ndërkombëtare, janë reflektuar edhe në një segment tjetër të rëndësishëm të jetës sonë politike, që nëse vazhdon me këtë intensitet do të prodhonte pasoja fatale tragjike në jetën reale. Sipas autorëve në fjalë, por duke u bazuar edhe në të dhëna tjera statistikore, dyshimi, ankthi dhe mosbesimi në institucionet dhe vlerat demokratike po bëhet gjithnjë e më dominues.

Optimizmi mbi progresin e pandalshëm të këtij sistemi politik dhe konstitucional është venitur. Për më tepër, ka prapakthim në këtë drejtim. Ideologjitë autoritare kanë gjetur një audiencë gjithnjë e më joshëse, si për shkak krizave të vazhdueshme që kanë përjetuar demokracitë liberale, ashtu edhe agresionit propagandistik dhe manipulimeve ideologjike që kohët e fundit i kanë amplifikuar shtetet autoritare.

Kriza ekonomike financiare, ajo e refugjatëve, percepcioni kolektiv mbi stagnimin ekonomik për shkak të efekteve të globalizimit, pasiguria sociale, frika e tjetërsimit të identitet kulturor nga ndikimi i multikulturalizmit, si dhe ankthi mbi tkurrjen e sovranitetit nacional nga presioni i forcave trans-nacionale, e kanë ushqyer shpërthimin e sentimenteve paternaliste, ksenofobike si dhe kanë ndikuar në lulëzimin e lëvizjeve populiste dhe suksesin elektoral të liderëve autoritar.

Demokracitë, sipas studiuesit të njohur Lerri Diamond [Larry Diamond] kanë kohë që janë futur në një gjendje recesioni.Kurse për më keq, sipas këtij teoricieni, “fantazmat që aktualisht po sillen vërdallë botës thuajse nuk janë parë që nga viti 1930”. Diktaturat moderne i kanë sofistikuar instrumentet e dominimit. Qëllimi i tyre mbetet krijimi i përshtypjes se sundimi i tyre është shprehje e vullnetit autentik popullor.

Brands dhe Edel pohojnë se niveli i rrezikut ende nuk është në ato përmasa, mirëpo nëse aktorët relevantë ndërkombëtarë sillen me atë neglizhencë ndaj kërcënimeve dhe presioneve aktuale, sikur kishin bërë atëbotë protagonistët e rendit ndërkombëtar, atëherë ka gjasa që kjo fantazi të bëhet realitet. Sepse, edhe aktualisht, mbrojtësit kryesorë të këtij modeli, përkundër presioneve të shumëfishta që janë intensifikuar, duken të demoralizuar dhe të përçarë e pa një agjendë të qartë. Në fund të fundit asnjë rend, cilido qoftë ai, nuk kolapson brenda natës.

Ky proces thuajse gjithmonë zhvillohet në mënyrë graduale. Ai i përngjason logjikës së atij personazhit të Ernest Heminguejt, kur deklaron se ka falimentuar “gradualisht dhe papritmas”. Prandaj, që të shmanget një skenar i tillë apokaliptik, autorët bëjnë thirrje për një ndërhyrje të vendosur që në fazat fillestare të krizës.

Me këtë rast, përkushtimi dhe rifuqzimi i bashkëpunimit të vendeve demokratike në funksion të këtij projekti, pas trandjeve dhe animoziteteve që kanë përjetuar kohën e fundit, duhet të shndërrohet në imperativ strategjik. Kurse, suksesi në implementimin e kësaj agjende të përbashkët globale, krahas investimeve ekonomike, shtimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe dedikimit të pakusht për mbrojtjen e vlerave liberale demokratike, duhet të bazohet edhe në afirmimin e “imagjinatës tragjike dhe rizbulimin e sensiblitetit të saj”, e cila mjerisht ka kohë që është venitur.

Rishpikja e “sensibilitetit tragjik”

Ideja se tragjeditë mund të jenë të pashmangshme ishte afirmuar edhe më parë në mendimin politik amerikan. Kështu, Berri Geven [Barry Gewen] në librin e tij “The Inevitability of Tragedy” ka treguar se si një kontribut të madh në këtë drejtim e kishin dhënë Henri Kisinxher, Hans Morgenthau [Hans Morgenthau], Leo Straus [Leo Strauss] dhe Hana Arend [Hannah Arendt]. Të gjithë këta ishin me orgjinë hebraike dhe kishin emigruar nga Gjermania drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas fitores së nazizmit.

Kjo përvojë tragjike nuk u ishte shqitur kurrë nga mendja dhe i kishte shoqëruar ata gjatë gjithë jetës. Mirëpo, për dallim nga ky pasqyrim që më shumë fokusohet në përvojën biografike të këtyre figurave të rëndësishme të diplomacisë, mendimit strategjik dhe politik amerikan, libri “Mësimet e Tragjedisë” bazohet më shumë në krijimet dramaturgjike dhe tragjike greke dhe si i tillë mëton ta transmetojë modelin e vetëdijes dhe sensibilitetit tragjik si nevojë e domosdoshme për tu konfrontuar me problemet aktuale globale. Shndërrimin e kësaj trashëgime në normë dhe inspirim për të reflektuar mbi problemet urgjente aktuale si dhe model të sjelljes politike.

Në fund të fundit, siç konstatojnë këta dy autorë, duke u bazuar në mesazhet e dramave tragjike, “ndjeshmëria estetike mbi tragjedinë nuk është identike me pranimin e saj”. Ngase, siç na mësonin grekët antik, “duke u marr me mundësinë e gjithëpranishme të vuajtjes së madhe, ndjeshmëria tragjike mund të përgatisë dikë më mirë për një botë të pasigurt. Ky dualitet i qenësimit njerëzor – potenciali i tij edhe për arritje kulmore edhe rënie të tmerrshme në humnerë – e formonte horizontin kulturor të Athinës”. Kjo qasje merr një rëndësi primare, sidomos kur dihet fakti se sa “më shumë që thellohet distanca ndërmjet përvojës fondatore tragjike, aq më pak kanë prirje njerëzit t’i detektojnë dhe nuhasin burimet reale të saj”.

Angazhimi kundër kësaj tendence është bërë një nevojë domosdoshme më shumë se kurrë. Amnezia që i ka përfshirë shoqëritë perëndimore lidhet drejtpërdrejtë me këtë dukuri. Është harruar se ky rend është etabluar pikërisht si rezultat i një përvoje të tmerrshme tragjike. Që të rifitohet kjo ndjeshmëri autorët pohojnë se duhet filluar me pranimin e “tragjedisë si fenomen normal, që rendet ndërkombëtare janë shumë më shumë fragjile se sa mund të kuptohen nga bashkëkohësit dhe se rënia e tyre mund të jetë shumë më fatale se vëzhguesit tyre mund ta parashikojnë”.

Zaten ky është morali bazik i mesazhit tragjik. Si i tillë ai na çliron nga fantazmagoritë e sigurisë absolute. Pra, krahas karakterit depresiv mund të bëhet inspirues dhe frymëzues. Sepse, siç pohonin grekët, “sa më shumë që dikush zhytet në iluzionin e pamundësisë së tragjedisë, aq më e mundshme bëhet ajo”.

Në këtë kontekst, duke e përvetësuar këtë botëkuptim, njeriu krahas që bëhet i vetëdijshëm mbi rreziqet që mund t’i kanosen përsëri, po ashtu ka mundësi ta shmang “vetëkënaqësinë pa rënë në fatalizëm”. Reagimi në kohë po ashtu mbetet një atribut tjetër i fuqizimit të kësaj ndjeshmërie, apo siç ka kujtuar dikur Kryeministri britanik, Uinston Çërçill [Winston Churchill], një rend “ndërkombëtar mund të mbijetojë për aq sa respektohen parimet e tij”. Heshtja e shteteve të fuqishme kur këto principe u kontestuan nga shtetet si Gjermania Naziste apo Italia e Musolinit, vetëm sa e shtoi apetitin e tyre për ta rrënuar atë plotësisht.

Prandaj, dështimi për t’i mbrojtur këto parime, konstatojnë këta dy autorë, qoftë në Mançuri në vitet 30-ta të shekullit të kaluar, apo sot në Ukrainën apo Detin Jugor të Kinës, praktikisht vetëm sa do ta inkurajojë sfidimin dhe kontestimin këtij rendi në të ardhmen. Së këndejmi, mobilizimi i duhur dhe në mënyrë adekuate ndaj këtyre tendencave është çështje jetike për mirëmbajtjen e paqes.

Kurse “sensi i masës, kufizimit, proporcionit duhet ta formësojë një tjetër imperativ të vizonit tragjik”. Siç kemi pohuar më herët për grekët, “hubrisi ishte me pasoja jo më pak fatale se sa vetëkënaqësia”. Prandaj kufizimi i arrogancës është një nga virtytet e rëndësishme etike që na i transmeton kjo krijimtari gjeniale artistike. Ndërsa, të vepruarit në koherencë me këto postulate do të përbënte një kontribut madhor në shmangien e tragjedive reale.

Në këtë kontekst, rikultivimi i kësaj fryme ka karakter jetik. Mirëpo, sipas Brands dhe Edel, nëse grekët antik në saj të imagjinatës së tyre brilante i sajonin dhe përdornin tragjeditë e largëta dhe mitike për të iluminuar bashkëkohësit, sot ne kemi nevojë vetëm të rifamiljarizohemi me historinë reale të botës sonë për ta zhvilluar këtë sensiblitet.

Duke investuar në këtë model athinasit e kultivonin kulturën politike, që ishte njëkohësisht “e matur dhe optimiste sepse ata besonin se optimizmi pa maturi mund të rezultonte në hubris, kurse maturia pa optimizëm mund të rezultojë në paralizë dhe frikë për t’u ballafaquar me rreziqet”. Ky ishte një popull që teatrin e shndërroi në mikrokozmos të botës së tij.Në laborator të gjallë.

Duke u bazuar në këto përsiatje, Brands dhe Edel, në librin e tyre konstatojnë se pasojat e amnezisë aktuale duhet të korrigjohen ose nëpërmjet ripërvetësimit të sensiblitetit tragjik – para se të jetë vonë – ose nëpërmjet tragjedisë në botën reale – si edhe ka ndodhur shpeshherë përgjatë historisë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.