Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

E ardhmja si kuazi shtet

 

Termi “kuazi-shtet” vjen nga politikologu Robert Jackson i cili e kishte përdorë atë për të përshkruar zona që ndërkombëtarisht njihen si shtete sovrane por që në esencë paraqesin territore të paqeverisura. Kuazi-shtetet kanë të gjitha atributet e jashtme të shtetësisë – gëzojnë njohje ndërkombëtare nga shtetet tjera, zënë ulëse në OKB dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, si dhe mbajnë marrëdhënie diplomatike me shtete të jashtme (p.sh., duke qenë nikoqir të ambasadave të shteteve të tjera). Mirëpo, brenda territorit, qeveria e vendit nuk gëzon sovranitet, ajo nuk ushtron pushtet në gjithë territorin e saj si pasojë e dobësive administrative të qeverisë apo edhe të konflikteve të brendshme (qoftë të karakterit “etnik”, qoftë të fraksionalizimit politik e territorial të vendit).

Jackson, në përdorimin e termit kuazi-shtet kishte parasysh vende të subsaharasë afrikane si Somalia, Liberia, Kongoja etj. që ndonëse ekzistonin dhe ekzistojnë në hartën ndërkombëtare si shtete sovrane, nuk qeverisën si të tilla shkaku i luftërave civile, qeverive joefektive dhe ndarjeve të tjera të thella politiko-territoriale. Shikuar nga jashtë, këto vende janë shtete sovrane; shikuar nga brenda janë shoqëri të ndara e të copëtuara pa qendër vendosëse (sovrane) politike e juridike.

Në rastin tonë, kemi të bëjmë me të kundërtën e kuazi-shtetit të Jackson-it. Kuazi-shteti jonë është (kryesisht) i qeversisshëm nga brenda por nuk gëzon të gjitha atributet e jashtme të shtetësisë sovrane. Dhe Kosova nuk është i vetmi rast i një kuazi-shteti të tillë: rasti më i njohur është ai i Tajvanit, i themeluar nga Kuomitangu kinez më 1947 pas tërheqjes së tyre në këtë ishull gjatë luftës civile të Kinës. Për një kohë të gjatë, Tajvani pretendoi të jetë trashëgimtari legjitim i Kinës, për çfarë zyrtarisht njihet edhe si “Republika e Kinës” dhe një kohë të gjatë edhe mbajti pozitën përfaqësuese të Kinës në OKB. Presioni i Republikës Popullore të Kinës (RPK) bëri që më 1971, Tajvanit t’i hiqet përfaqësimi nga OKB-ja dhe që ketë pozicion ta zëjë RPK-ja (ironikisht, me një rezolutë të Asamblesë së Përgithshme me sponsor Shqipërinë). Në këtë pikë kishte lëshuar pe edhe aleati më i ngushtë i Tajvanit, SHBA-të, pasi që tashmë kishte ndodhur prishja sino-sovjetike dhe SHBA-ja kishte interes që të kultivonte marrëdhëniet me RPK-në edhe për shkak të synimit për të përçarë sa më tepër kampin ndërkombëtar socialist.

Tajvani sot nuk gëzon prezencë në shumicën e organizatave ndërkombëtare, ndonëse ekziston si shtet sovran në aspektin e qeverisjes së brendshme. Raste të tjera kemi edhe në botën post-sovjetike: Transnistria, Abkhazia, Osetia Jugore e Nagorno-Karabak, territore me qeveri autonome (dhe të mbështetura nga Moska), të konsideruara si territore secesioniste nga vendet amë (përkatësisht Moldova, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani) por që nuk gëzojnë njohje ndërkombëtare.

Krahasimisht, Kosova qëndron më të mirë në planin ndërkombëtar se këto territore të përmendura. Tajvani sot njihet nga vetëm 22 shtete. Republikat ish-sovjetike njihen nga Moska, dhe atë shpesh jozyrtarisht, dhe nga ndonjë aleat i Moskës, por nuk gëzojnë njohje të gjerë. Kjo rrjedh pjesërisht nga një fakt gjeopolitik: pavarësinë e Kosovës e mbështeten SHBA-të, shtetet kryesore të Evropës dhe aleatë të ndryshëm të tyre.Pavarësia e Kosovës gjithashtu rrodhi nga një proces i sponsorizuar nga OKB-ja, ndonëse rekomandimi i të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për pavarësi (të mbikëqyrur) nuk mori bekimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kosova gjithashtu është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, privilegj që këto vende nuk e gëzojnë.

Megjithatë, si në rastin e kuazi-shteteve të tjera, gjendja e kuazi-shtetësisë paraqet pengesë për veprimin e plotë të një entiteti në rrafshin ndërkombëtar. Dhe, dështimet dhe kompromiset që i pamë si në rastin e Marrëveshjes Stabilizim Asociim (MSA) me BE-në, si me dështimin e votës për pranim në UNESCO, nxjerrin në pah, në mënyra të ndryshme, akomodimit që po i bëhet gjithnjë e më shumë realitetit të kuazi-shtetësisë si nga Prishtina zyrtare ashtu dhe nga sponsorët e pavarësisë së Kosovës. Me një fjalë, nga diçka që shihej si gjendje tranzitore deri në konsolidimin e plotë të subjektivitetit ndërkombëtar, kuazi-shtetësia e Kosovës po përfiton veçori të permanencës, një fakt politik i cili duhet të akomodohet edhe juridikisht dhe në rrafshin e funksionalizimit praktik të marrëdhënieve të jashtme të Kosovës me palët tjera.

E para, për nënshkrimin e MSA-së, BE-ja u desh të bënte akrobacione juridike që ndryshuan karakterin e MSA-së në kuptimin që pala nënshkruese, pra Kosova, nuk e bëri këtë si shtet i pavarur, por si një palë juridike (jo-shtetërore). Kjo gjuhë përfshihet edhe në vetë dokumentin i cili precizon se Kosova nuk njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së (me çka edhe u anashkaluan procedurat e zakonshme ku MSA-ja miratohet veç e veç nga të gjitha shtetet anëtare).

E dyta, dështimi i votës së pranimit në UNESCO gjithashtu dëshmoi sërish problemin e kuazi-shtetësisë në kuptimin e mosarritjes së koncenzusit ndërkombëtar për trajtimin e Kosovës si një shtet të pavarur. Ndonëse baza e njohjeve është rritur nga viti 2008 (në kuptimin sasior), ajo megjithatë nuk ka ndryshuar në kampet që kanë vazhduar të mbajnë qëndrim kundështues ndaj pavarësisë së Kosovës: jo vetëm Serbisë dhe Rusisë, por edhe fuqive regjionale si Kina, India. Brazili dhe shumicës së shteteve latinoamerikane.

Ndonëse kuazi-shtetësia në mungesë të këtij koncenzusi (i cili nuk duket i arrishëm në një të ardhme të afërt) domethënë se Kosova megjithatë do të vazhdojë të ngelet jashtë shumicës së organizatave ndërkombëtare (përfshi OKB-së), kuazi-shtetësia, sidomos në raport me vendet e BE-së, tashmë po stabilizohet (ose, shprehur në gjuhën e negociatave të Brukselit, “normalizohet”). Nënshkrimi i MSA-së nuk është thjesht marrëveshje kontraktuale me BE-në që është e barazvlefshme me çdo MSA tjetër por bazë dhe precendent për një bazë juridike për marrëdhëniet që Kosova do t’i ndërtojë me BE-në për shumë vite. BE-ja tashmë e ka njohur Kosovën si kuazi-shtet. Fusnota e famshme, e arritur përmes dialogut me Brukselin, që Kosovën e përshkruan si territor të kontestuar (sipas Rezolutës 1244), në këtë prizmë duhet të konsiderohet sa një lëshim i Prishtinës ndaj Beogradit po aq edhe një kompromis i brendshëm i BE-së me shtetet që nuk e njohin Kosovën për ta akomoduar kuazi-shtetësinë e Kosovës në raport me integrimet evropiane. Se a do të integrohet Kosova si anëtare plotë në BE nën këto kushte është një pikëpyetje e madhe (sepse BE-ja është, në thelb, një bashkësi shtetesh sovrane) dhe nëse ndodh ky integrim, ai do të ndodh sipas mekanizmave dhe parametrave juridikë e politikë të tjerë nga ato që vlejnë për anëtarët tjerë të BE-së, pra një integrim sui generis i një kuazi-shteti në këtë entitet multilateral.

Edhe rasti i UNESCO-s vërteton se as shtetet sponsore të pavarësisë së Kosovës nuk janë më të gatshme të shpenzojnë kapitalin e tyre politik e diplomatik për të shtyrë përpara njohjet e Kosovës dhe për ta afirmuar Kosovën si entitet të plotë të marrëdhënieve ndërkombëtare edhe, nëse është nevoja, me kushtëzime ndaj shteteve kundërshtare. P.sh., është e paimagjinueshme se po të ishte në interesin e Gjermanisë, Berlini nuk do të mund të bënte presion mbi Sllovakinë që ta njoh Kosovën (duke qenë se ekonomia sllovake gati tërësisht dominohet nga investimet gjermane). Apo se SHBA-të nuk mund ta bënin një gjë të tillë kundrejt fqinjit të tyre jugor, Meksikos. Apo se SHBA-të do të lejonin që edhe një vend si Polonia, kaq e varur që është në SHBA-në për mbrojtjen e tij nga kërcënimi rus, do të mund aq kollaj të mos e hedhë votën për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO pa paguar asnjë çmim. Madje edhe përfaqësuesi amerikan në UNESCO, në fjalimin e tij, nuk insistoi në pavarësinë e plotë të Kosovës, por kërkoi që anëtarësimi të mundësohet duke u thirrë në Rezolutën 1244 dhe në precedentin e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore. Madje, niveli i përfaqësimit në UNESCO ishte tërësisht i ndryshëm: SHBA-të në UNESCO dërguan zëvendës-sekretarin e shtetit Antony Blinken; Rusia ndërkaq përfaqësohej nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov. Krejt kjo dëshmon për prioritetin e ultë që ka afirmimi i shtetësisë së Kosovës në planin ndërkombëtar në mesin e sponsorëve kryesorë të pavarësisë, nga vetë fakti se një strategji e tillë niset në organizata dytësore ndërkombëtare si UNESCO dhe ITU, e jo p.sh. në forumin kryesor ndërkombëtar, Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Me një fjalë, ndonëse UNESCO është dëshmia e fundit e kësaj, është e qartë se gatishmëria e shteteve sponsore, përfshi SHBA-në dhe shtetet evropiane, që të përdorin të gjitha mjetet që të bëjnë presion mbi shtetet që nuk e njohin Kosovën, është e ultë dhe ka qenë e ultë tash e sa vite.

Me këto realitete ndërkombëtare, disa nga polemikat dhe debatet që bëhen rreth Kosovës në raport me BE-në, në raport me njohjen si entitet i plotë ndërkombëtar dhe në raport me anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, duken të shtruara gabim. Deri më tani, premisa e politikës së jashtme të Kosovës, në të cilën mund të thuhet se ekziston një koncenzus i heshtur, është se njohja e Kosovës është një proces linear, gati sasior, që në fund do të kurorëzohet me pranimin e Kosovës si anëtare e plotë në OKB. Në fakt, kontinuiteti i këtij skenari është prishur tash e sa vite. Ky proces nisi me të ashtuquajturat Gjashtë Pikat e Ban Ki Mun-it, që Prishtina e rezistoi me sukses, por që mori kahje tjetër më 2013, kur Kosova nisi negociatat me Serbinë për fusnotën, që përfundimisht vulosi stabilizimin juridik të kuazi-shtetësisë kosovare në raport me BE-në (dhe rrjedhimisht me gjithë bashkësinë e shteteve evropiane), por si pasojë edhe në raport me organizatat ndërkombëtare si pasojë e riaktualizimit të Rezolutës 1244 në definimin e statusit ndërkombëtar të Kosovës (në të cilën thirren edhe kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, në radhë të parë vetë Serbia).

Si pasojë, Kosova tashmë nuk është në proces të konsolidimit të shtetësisë së saj ndërkombëtare, por të akomodimit juridik, politik e praktik të kuazi-shtetësisë. Kjo nuk është një gjendje e përkohshme por një situatë afatgjatë me të cilën duhet të ballafaqohet jo vetëm lidershipi aktual i Kosovës por edhe lidershipet e ardhshme.

Kjo gjendje kërkon një qasje tjetër dhe përballje me realitetin se Kosova nuk do të njihet për një kohë të gjatë, e ndoshta për shumë vite e dekada, si një anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare. Këtu nuk është vendi për shtjellime të gjata, por disa riorientime strategjike që rrjedhin nga kjo janë:

• Thellimi i marrëdhënieve bilaterale me vendet që njohin Kosovën, duke filluar nga shtetet e Quintit por duke përfshirë edhe vendet jo-evropiane. Kjo mund bëhet sidomos me traktatet bilerale të investimeve dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike. Kosova është shumë e mangët në numrin e traktateve bileraterale të investimeve që ka me shtetet që e njohin.

• Përforcimi i elementeve të brendshme të shtetësisë, përfshirë themelimin e një ushtrie të rregullt dhe forcimin e kapaciteteve të vetëmbrojtjes;

• Bllokimin e plotë të nismave politike të Beogradit në Kosovë, përderisa Beogradi vazhdon të mbajë qëndrim armiqësor ndaj Kosovës (dhe pavarësisht interesave evropiane për kultivimin e marrëdhënieve me Serbinë), përfshirë edhe mundësinë e pezullimit të bisedimeve me Beogradin deri në momentin kur Beogradi demonstron shprehje të vullnetit të mirë ndaj Kosovës (p.sh., duke mos penguar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare).

• Kujdesi që gjendja e kuazi-shtetësisë të mos paraqitet si pengesë për pjesëmarrje në ekonominë evropiane e botërore, duke hapur mundësi për thithjen e fondeve të BE-së dhe të mekanizmave të tjerë ndërkombëtar (siç u bë me MSA-në dhe BERZH-in);

• Ndjekjen e një politike të jashtme e cila synon vendosjen e marrëdhënieve me shtetet të treta që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, siç janë India, Brazili dhe Kina. Me këtë do të synohej prishja e koalicionit ndërkombëtar kundër Kosovës, që prihet nga Rusia, si dhe shmagia e imazhit të Kosovës si një entitet artificial të krijuar me intervenim ushtarak nga SHBA-të (perceptim i cili ekziston në një pjesë të madhe të botës). Në këto nisma do të përfshihej edhe hapja e kanaleve diplomatike me Moskën, që, ndonëse nuk kanë gjasa të çojnë në njohje nga Moska, çelin kanale komunikimi dhe eliminojnë perceptimet e gabuara dypalëshe mbi synimet dhe interesat e dy vendeve. Këto nisma Kosova duhet t’i ndërmarrë vetë pa pritur që iniciativa të vijë nga shtetet sponsore, por duke kërkuar mbështetjen e tyre diplomatike e infrastrukturore, përfshirë edhe rrjetin diplomatik të Republikës së Shqipërisë.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.