Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Muzika në kinema

Një film është – apo duhet të jetë – më shumë si muzikë
sesa  fiction. Ai duhet të jetë një avancim
i gjendjes sonë shpirtërore.

Stanley Kubrick

 

Një nga dimensionet apo një ndër shtyllat e rëndësishme të kinemasë është edhe muzika. Sot, mbase, është e vështirë ta konceptojmë një film pa muzikë. Muzika është skenar, muzika është imazh, është kohë, është hapësirë, është… Pra, muzika në kinema përveç që na paraqitet si tingull, ajo na shpërfaqet edhe si gjuhë. Komunikimi i saj me spektatorin është një komunikim shumë i natyrshëm. Mirëpo, përveç këtij komunikimi që ushtron muzika karshi spektatorit, “…ajo në film nuk ka vetëm një rol artistik, por u jep imazheve një shprehje natyrore e të gjallë, u jep një frymëmarrje më të gjerë” (Bela Ballazs). Prandaj, këtë shkrirje në një mënyrë gati pothuajse të përsosur muzika e ka gjetur në kinema. Po ta parafrazojmë Balazs-in, i bie që muzika për kinemanë është sikur dritëhija për pikturën. Andaj, nga kjo vërejmë se përveç fuqisë që muzika i dha kinemasë, ajo në rrafshin kreativ dhe estetik bëri një kthesë domethënëse. Që në fillim të kinemasë pa zë ishte ndjerë nevoja për muzikën. Shoqërimi i imazheve me muzikë në një film pa zë përveç që e dinamizoi, ajo i dha kuptim edhe vetë imazheve dhe filmit në përgjithësi. Një film pa zë, por që shoqërohej me muzikë në fakt nuk ishte “film pa zë”. Për shembull: filmi i Charlie Chaplin-it Modern Times (Kohët Moderne – 1936), është një film pa zë, por që muzika e bën shumë të zëshëm dhe domethënës në pazëshmmërinë e tij.

Pra, ky dimension kuptimsues që muzika luajti në filmin pa zë u pa si shumë i rëndësishëm për kinemanë. Mirëpo, me ardhjen e kinemasë me zë, u mendua se muzika s’do ta humbë rëndësinë, por ajo do të jetë e panevojshme më për futjen e saj në film. Madje në vitet ’50 një grup i filmbërësve tentuan ta suspendojnë muzikën nga kinemaja me idenë se tani përveç që është e panevojshme dhe e pafunksion, është edhe e panatyrshme. Një iniciativë e tillë është marrë më vonë edhe nga Lars von Trier-i dhe një ekip i filmbërësve në filmin Dogme ’95. Ata thonë se muzika është e panatyrshme në një film dhe ajo mund të jetë aty vetëm nëse është pjesë e ambientin ku bëhet filmi (ky model i të bërit film është edhe një koncept tërësisht ndryshe i të bërit kinema). Mirëpo, ajo çka u vërejt që në fillim të kësaj tendence ishte se tanimë muzika nuk ishte vetëm një instrument i kinemasë, por ishte bërë herë-herë edhe pjesa kryesore e saj. Siç thotë edhe Balazs: “…po aq sa ishte e rëndësishme për kinemanë pa zë, muzika ishte gjithashtu e domosdoshme në kinemanë me zë”. Zëri i muzikës u bë edhe identifikuesi filmik. Pra, t’shikuarit e një filmi duke e spostuar vullnetin dhe intelektin, ne na krijon një ndjesi të fuqishme, sepse aty vetëm se kemi filluar një udhëtim për në imagjinatën tonë.

Sikurse imazhet që luajnë një rol të rëndësishëm direkt në ndjenjat tona, ashtu, thotë Bergman-i edhe – muzika punon në të njëjtën mënyrë. Madje Bergman shton: ‘(…) se nuk ka asnjë tjetër formë të artit që ka kaq shumë të përbashkëta me filmin sesa muzika. Të dyja ndikojnë në emocionet tona direkt, jo nëpërmjet intelektit’. Siç shihet kemi një lidhje inherente mes muzikës dhe kinemasë dhe kjo vjen si rezultat se që të dy këto forma artistike prekin rrafshin ndjesor tonin. Pra, muzika në film (që nga filmi pa zë) përveç se është parë si nevojë, por edhe interesante, ajo tek shikuesi e bëri kinemanë edhe më të qasshme. Ajo bëri rikuptimsimin e kinemasë. Madje Balazs-i thotë se: “Muzika është sfondi dhe perspektiva e imazhit”. Pra, kinemaja është nga ato media që raporti ynë me të zhvillohet nga një shumësi e elementeve të cilat i japin kuptim tërë asaj që paraqitet, kështu që edhe muzika është një nga këto elemente me një rëndësi të veçantë. Po ta modifikonim frazën e  Nietzsche-s kur pohon se: ”Pa muzikën, jeta do të ishte një gabim”, atëherë për kontekstin kinematografik do të ishte pa muzikën, kinemaja do të ishte një gabim.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.