Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Beteja për qumështin

Foto nga Freepik

Ke lindë. Nëse ke fat, foshnjën ta afrojnë në gji menjëherë në orën e parë pas lindjes. Nëse ke fat edhe më të madh një mami të ndihmon e këshillon sesi duhet dhënë gji. A nuk është për të ardhur keq që një proces kaq i rëndësishëm të lidhet me punën e fatit? Që përkrahja edhe këshillimi për gjidhënie nuk janë të garantuara, të ofruara me shumë dashamirësi e kujdes për nënat e reja – ani pse pothuajse të gjitha materninetet në Kosovë janë “spitale mike të foshnjes” dhe kemi një ligj për nxitjen dhe mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri?

Gratë janë të lindura për të dhënë gji. Ashtu siç lindin fëmijët me refleksin për të thithur, ashtu nënat duhet të dinë të japin gji. Shumë gabim! Jo të gjithë nënat mund të japin gji menjëherë. Shumica kanë probleme të mëdha në fillim, në veçanti me fëmijën e parë, disa hasin në vështirësi e pengesa më vonë. Problemi është që nuk u ndihmon askush për t’i tejkaluar këto vështirësi: u mungon këshillimi adekuat, u mungon durimi dhe përkrahja – rrjedhimisht dorëzohen. Nënat janë në ankth që nuk mund t’i plotësojnë nevojat për ushqim të foshnjes dhe pa hezitim të madh blihet shishja e parë dhe qumështi formulë për ta zëvendësuar qumëshin e gjirit.

Gjidhënia në Kosovë është në rënie. Këtë na e tregon anketa MICS e UNICEF-it dhe Agjensionit të Statistikave të Kosovës. Është shumë shqetësuese që foshnjet tona ushqehen mesatarisht vetëm 2 muaj ekskluzivisht me gji, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF-i rekomandojnë ushqyerje ekskluzive me qumësht gjiri për së paku 6 muaj, ndërsa rekomandojnë gjidhënie deri sa fëmiju t’i mbushë dy vjet.  Raporti nga kjo anketë bëhet edhe më shqetësues, sepse tregon që në moshën katër deri pesë muajshe përqindja e fëmijëve që ushqehen vetëm me qumësht gjiri është nën 21 përqind! Padyshim që ka shumë arsye pse e kemi këtë rënie në gjidhënie. Mospërkrahja e nënave, mosrespektimi i pushimit të lehonisë dhe këshillimi mangët janë disa prej tyre.

Nëse nëna dëshiron t’i japë fëmijës gji, duhet që ajo ta ketë mundësinë të këshillohet se si ta bëjë një gjë të tillë. Në Kosovë mungon vullneti për t’i përkrahur nënat e reja. Nëse ke interesim lexon dhe informohesh vet. Neonatologët dhe pediatrat merren me shëndetin e fëmijës. Janë të paktë ata që gjejnë kohë dhe tregojnë durim për të dhënë këshilla për gjidhënie. Përkundrazi, nëse fëmija nuk ka shtuar mjaft në peshë të bëjnë presion: “Po nuk i shtoi deri në vizitën e ardhshme edhe 200 gr, duhet të fillojmë me shtesa”. Fjali të tilla ta rrisin stresin edhe presionin që ke dështu si nënë e re me stabilizu sasinë e qumështit për fëminë tënd. Këshillat për gjidhënie na japin nënat tona, që për herë të fundit kanë dhënë gji para 30 vitesh.

“Spitalet mike të foshnjes”

Që nga viti 2004 në spitalet rajonale të Kosovës por edhe në QKUK ka filluar që në maternitete të zbatohet programi i quajtur “Spitalet mike të foshnjes”. Kjo është nismë globale e UNICEF-it dhe OBSH-së që nga viti 1991. Në Kosovë ky program implementohet bashkërisht me Ministrinë e Shëndetësisë duke aplikuar kriteret gobale, që janë zhvilluar për këtë program nga UNICEF-i dhe OBSH-ja. Maternitetet që janë të certifikuara si “Spitale mike të foshnjes” në Kosovë dallohen me pllakëzat identifikuese në hyrje,  që dëshmojnë se aty, në atë klinikë ka staf të trajnuar për këshillim për gjidhënie. Mamitë dhe infermieret që punojnë në ato spitale trajnohen nga MSH dhe do të duhej të jepnin informata të duhura për t’i përkrahur nënat në këtë proces. Unë jam nënë që ka lindur në QKUK. Mua nuk më është afruar foshnja brenda orës së parë në gji, e as nuk jam këshilluar nga mamitë apo infermieret e Gjinekologjisë për gjidhënie. Përkundrazi, presioni për t’i dhënë foshnjes sime shtesa përmes shiringave ka qenë abnormal. Ndoshta përvojat e nënave tjera me maternitetet në spitalet rajonale janë më pozitive.

Sidoqoftë, sipas rezultateve të anketës MICS del që nuk qenkam e vetmja nënë me këtë përvojë: Vetëm 45,4% të të posalindurve janë ushqyer me gji brenda orës së parë pas lindjes! Edhe pse lidhja emocionale e nënës dhe foshnjes, por edhe nxitja e prodhimit të qumështit bëhet pikërisht me inicimin e parë të gjidhënies, i cili do të duhej të niste brenda orës së parë, duket se një pjesë bukur e madhe e mamive (pa dashur që t’i fus të gjitha në një thes) nuk janë aq të përkushtuara që nënave së paku t’ua afrojnë foshnjet menjëherë pas lindjes në gji.

Të dhënat nga kjo anketë duhet të merren shumë seriozisht nga MSH. MSH duhet që të zhvillojë mekanizma nxitëse dhe kontrolli për të siguruar implementimin e iniciativave për përkrahje të gjidhënies nga personeli i materniteteve dhe implementimin e ligjit për nxitjen dhe mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri në tërësi.

Mungesa e grupeve përkrahëse për gjidhënie

Sipas programit “Spitalet mike të foshnjes” do të duhej që MSH të nxiste edhe krijimin e grupeve të mbështetjes së ushqyerjes me gji dhe që të gjitha mamitë dhe infermieret t’i referojnë nënat e reja tek to, pasi që ato të dalin nga spitali. As kjo pikë e këtij programi nuk është jetësuar nga MSH-ja deri më tani. Meqenëse, institucionet publike e private të shëndetësisë nuk mund të nxisin krijimin e grupeve të tilla, pse mos ta bëjnë vetë nënat këtë?

Në Kosovë ka filluar të ketë nisma në rrjete sociale, ku në grupe të mbyllura shkruajnë nënat. Problemi është që asnjëra nuk është e trajnuar për të dhënë këshilla adekuate për gjidhënie. Secila përpiqet të kontribuojë duke ndarë përvoja personale. Në njërën anë, kjo është diçka e mirë, por në anën tjetër nuk është çdo këshillë, këshillë e mirë. Prandaj kërkesa për grupe përkrahëse me këshilltare të certifikuara për gjidhënie janë të mëdha. Pse akoma nuk kemi grupe të tilla në Kosovë? Duke qenë se nuk duhet që t’i zbulojmë gjërat nga e para, mund të marrim shembuj ekzistues të nismave të suksesshme, si La Leche League.

Në vitin 1956 në SHBA u themelua organizata „La Leche League“ nga shtatë nëna gjidhënëse, që kishin synimin për t’u trajnuar vetë dhe për t’u ndihmuar pastaj nënave tjera ta promovojnë  gjidhënien. Kjo iniciativë pati shumë përkrahës dhe gëzoi çdo herë e më shumë popullaritet. Sot, 59 vjet më pas, La Leche League është organizata udhëheqëse për promovimin e gjidhënies. Sipas faqes së tyre zyrtare, La Leche League ka përfaqësi në 68 shtete në mbarë botën dhe trajnon e certifikon këshilltare për gjidhënie. Këshilltaret e trajnuara shërbejnë si lidere në komunitetin e tyre dhe ofrojnë shërbime këshillimi falas në spitale, përmes vizitave shtëpiake apo platformave të shkëmbimit në internet. Misioni i organizatës është që nënat t’i përkrahin nënat, t’i inkurajojnë, informojnë dhe edukojnë dhe ta promovojnë gjidhënien si element të rëndësishëm të zhvillimit të shëndoshë të fëmijës dhe nënës. Përfaqësi të La Leche League ka edhe në Slloveni dhe Serbi.

Nuk është mision i pamundur që edhe nënat e interesuara nga Kosova të certifikohen si këshilltare dhe më pas të sjellin një përfaqësi të La Leche League edhe tek ne.

Të drejtat e nënave gjidhënëse në letër

Në ligjin për nxitjen dhe mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, por edhe në ligjin e punës në mënyrë të veçantë përcaktohen të drejtat e grave të punësuara që i ushqejnë foshnjet e tyre me gji dhe obligimet e punëdhënësve ndaj tyre. Sipas këtyre dy ligjeve, punëdhënësi nuk obligohet vetëm që ta garantojë sigurinë dhe shëndetin e gruas gjidhënëse në vendin e saj punës, duke e mbrojtur atë nga punët e rënda që rrezikojnë shëndetin, nga punët me rrezikshmëri të ekspozimit nga agjentë të caktuar biologjikë, kimikë e fizikë, mirëpo punëdhënësit i ndalohet edhe caktimi i së punësuarës që ushqen fëminë e saj me gji në ndërrimin e natës dhe e ndalon largimin e saj nga puna.

Sikurse në shumë fusha tjera edhe këtu Kosova ka ligje shumë të mira. Fatkeqësia është te ngecja e implementimit të tyre, apo zbatimi i pjesshëm i ligjeve. Në shumicën e rasteve, të drejtat mbeten të garantuara veç në letër. Këto të drejta, që u takojnë nënave gjidhënëse me ligj, janë edhe më vështirë të realizohen në sektorin privat.

Ndryshimet në ligjin e punës: Shkurtimi i pushimit të lehonisë dhe pauza për gjidhënie pa pagesë

Ligji aktual i punës do të ndryshohet dhe është i hapur për debat. Hartuesit e këtij projektligji kanë paraparë një pushim ditor prej gjysmë ore për gjidhënie. Ideja është për t’u përshëndetur edhe në shtete tjera pauzat për gjidhënie janë të grantuara me ligj. Mirëpo absurditeti i këtij neni, që i shtohet ligjit të punës, qëndron te fakti që kjo pauzë është e paraparë të jetë pa pagesë. Pra, pushimi ditor prej 30 minutave të punësuarës i zbritet nga paga mujore, nëse ajo ka dëshirë t’i japë foshnjes së saj gji. Cila nënë e punësuar do ta ketë luksin që ta pranonte këtë? Veç kësaj ky pushim u takon vetëm atëherë kur e punësuara nuk e shfrytëzon në tërësi pushimin e lehonisë dhe vetëm derisa foshnja t’i mbushë 6 muaj. Është shumë e qartë që ky nen është futur, sa për sy e faqe dhe nuk bën të lejohet të aprovohet në këtë formë!

Veç kësaj është paraparë që të shkurtohet edhe pushimi i lehonisë. Përfaqësues të zëshëm të sektorit privat kanë arritur që në projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit të punës të fusin ndryshimin që të shkurtohet pushimi i lehonisë në 9 muaj! Nëse ky ndryshim aprovohet e punësuara do të ketë të drejtë që  tre muajt e parë të pushimit të lehonisë të marrë kompensim prej 70% të pagës bazë nga punëdhënësi dhe për tre muajt e tjerë pushimi i lehonisë të paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë. Gruas së punësuar pastaj i mundësohet që tre muajt e fundit të pushimit të lehonisë të marrë pushim pa pagesë. Në praktikë kjo do t’i bie, që shumica dërrmuese e nënave do të kthehen në punë pas tre muajve apo më herët.

Nëse nuk luftohet fuqishëm kjo ide e shkurtimit të pushimit të lehonisë, atëherë do të kemi rënie edhe më drastike në gjidhënie – dhe ky do të jetë problemi më i vogël i grave që punojnë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.