Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Politika e jashtme në fokus

Pas ndryshimeve zgjedhore në Kosovë është diskutuar shumë për politikën e jashtme e sidomos për dialogun me Serbinë. Duke qenë shtet i vogël e me njohje jo të plotë, Kosovës i imponohet ta mbajë politikën e jashtme si prioritet. Por kjo politikë ka nëvojë për orientim dhe gjallërim.

Stagnimi Evropian

Forcimi i pozitës ndërkombëtare është prioritet i përhershëm, por kjo gjë është vështirësuar në kohën e stagnimit të integrimeve Evropiane. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të bëhet asgjë për ta forcuar legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës; duhet ndjekur anëtarësimin në organizata, iniciativa e forume ndërkombëtare si NATO, e Iniciativa e Tre Detërave (Three Seas Initiative). Poashtu, Kosova duhet të jetë nismëtare e iniciativave për çështje relevante me shtetet tjera si për shembull Korridori Raguzë-Stamboll, shtetet Europiane në zhvillim, shtetet e dala nga Lufta, shtetet pa dalje në det, dhe shtetet për parandalim të gjenocidit e spastrimit etnik. Duhet të ndiqen gjithashtu procedurat për marrjen e domenit të nivelit të lartë në internet. Diçka tjetër që mund të bëhet është hyrja në kondominium me Shqipërinë mbi portin e Shëngjinit, që do t’ia mundësonte Kosovës krijimin e raporteve me shtete mosnjohëse që kanë interes për portin, siç është Kina.

Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin e krijuar me njohjen nga Izraeli që të lobojë te shtetet tjera që potencialisht mund ta njohin pavarësinë e Kosovës por që nuk e kanë bërë këtë për shkak të konflikteve që kanë ose frikës nga lëvizjet autonomiste. Argumenti i Kosovës duhet të jetë se njohja e Kosovës nuk ndikon në konfliktet e tyre. Nëse Izraeli mund ta njoh Kosovën duke qenë i angazhuar në konflikt me Palestinën, sigurisht se njohja mund të vije edhe nga shtetet mosnjohëse të BE-së, por edhe shtete të tjera si Azerbajxhani.

Poashtu, kohëve të fundit kemi edhe rritje të ndikimit të Rusisë në Evropë, që po shihet me nervozizëm në shumë vende duke përfshi edhe shtetet mosnjohëse si Rumania. Në anën tjetër, ardhja në pushtet e Presidentit Bajden në SHBA është shansë e mirë për të ristartuar lobimin për njohje si pjesë e përpjekjeve për të përmbajtur ndikimin e Rusisë. Diplomacia e vaksinave është një fenomen tjetër i vonë (i pas pandemisë) të cilin duhet ta shfrytëzojë Kosova, duke krijuar lidhje me shtetet mosnjohëse në kërkim të vaksinave.

Dialogu me Shqipërinë

Periudha e stagnimit të integrimit Evropian duhet të nënkuptojë integrim më të fortë ndërshqiptar. Dy dekada pas çlirimit të Kosovës, integrimi institucional ka mbetur kryesisht në sferën e deklaratave parazgjedhore. Marrëveshjet e nënshkruara janë më shumë të formës dëshirore dhe nuk ka asnjë mekanizëm të mbikqyrjes së tyre. Edhe në fushën e kulturës ku ka integrim më të madh, në aspektin institucional ka ngecje. Përderisa Gjermania e Franca kanë kanal të përbashkët televiziv (ARTE), Shqipëria e Kosova nuk kanë. Në aspektin politik, Kosova është me e integruar me Serbinë se sa me Shqipërinë. Me nënshkrimin e Minishengenit, edhe Shqipëria është më e integruar me Serbinë se sa me Kosovën. Për krahasim, Serbia ka Këshill të përbashkët me Republika Srpska, kurse asgjë e ngjashme nuk ekziston mes Shqipërisë e Kosovës. Përveç kësaj, ka edhe mosmarrveshje të shpeshta mes politikanëve të Prishtinës e Tiranës sa i përket temave si integrimi rajonal e bashkëpunimi ndërshqiptar. Pra, Kosova ka nevojë për një dialog me Shqipërinë për integrim, paralalisht dialogut me Serbinë për shkëputje.

Integrimi ndërshqiptar duhet të konkretizohet përmes institucioneve formale. Këtu përfshihen Samiti i rregullt e i përhershëm i krerëve të shtetit, Këshilli Shqipëri-Kosovë, qeveritar e kuvendor ku mund të përfshihen edhe njësitë lokale, i modeluar sipas Këshillit Britaniko-Irlandez dhe Këshillit Nordik, Mekanizmi për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve, dhe nënshkrimi i një marrëveshje bashkërendimi të ngushtë të modeluar sipas Marrëveshjes së Ahenit mes Francës dhe Gjermanisë. Si dhe formimi i Agjencive ekzekutive të përbashkëta në fushat si kultura, sporti, arsimi, shkenca, infrastruktura, visaret (resurset) natyrore (lumenjtë e malet), diaspora e zhvillimi ndërkombëtar. Kjo e fundit do të investonte edhe në bashkësitë shqiptare të margjinalizuara në rajon jashtë Shqipërisë e Kosovës. Të gjitha këto institucione do të mund të koordinoheshin nga një shef shteti i përbashkët përmes unionit personal.

Dialogu me Serbinë

Dialogu me Serbinë poashtu kërkon përgatitje efektive. Duhet platformë e mirëfilltë dialogu, me përkrahje faktuale si dhe mbështetje akademike të qëndrimeve të Kosovës. Edhe pse dialogu me Serbinë nuk është prioritet numër një, ai është një nga prioritetet kryesore. Vetë pozita e vështirë ndërkombëtare e Kosovës e imponon këtë. Temat e injoruara që Kosova duhet t’i hapë janë personat e pagjetur, reparacionet për luftën, reparacionet për dëmet e apartheidit të viteve 1990-ta, pensionet e vjedhura, artifaktet arkeologjike, përndjekjet e qytetarëve të Kosovës përmes interpolit, padia për gjenocid e spastrim etnik, si dhe pozita e shqiptarëve në Republikën e Serbisë. Kosova duhet të bëjë kërkesa si ndaj BE-së ashtu edhe ndaj Serbisë, ku përfshihet referimi i Kosovës si shtet, një komunë e re në Medvegjë, e njohja e Kosovës si shtet farefisnor (kin state) për shqiptarët e Republikës së Serbisë.

Kosova nuk ka çfarë t’i japë Serbisë, por kjo nuk do të thotë se Serbia nuk përfiton asgjë. Dallimi është se Serbia mund të fitojë nga bashkësia ndërkombëtare dhe BE-ja, në formën e avansimit në integrim dhe investimeve. Sfida e Kosovës është që të mos lejojë që Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe të shëndrrohet në shkaktar të mosfunksionimit shtetëror, si dhe të mos lejojë definimin e Minishengenit në mënyra që thellojnë ndikimin e Serbisë në Kosovës, siç do të ishte çdo definim përtej lëvizjes së lirë të njerëzëve. Sa i përket kompromiseve të Kosovës, ajo që mund të diskutohet është formimi i një konference permantente ku diskutohen problemet e ndërsjella, si dhe nje euroregjion ku do të përfshiheshin komunat në dy anët e brezit kufitar Kosovë-Serbi, që do të sherbente si forum për ngritjen e brengave të tyre si dhe do të mund të kishte tipare zhvillimore.

Siç shihet dialogu me Serbinë poashtu kërkon pregatitje. Duhet platformë e mirëfilltë dialogu, me plan kontingjencash, me përkrahje faktuale si dhe mbështetje akademike të qëndrimeve të Kosovës.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.