Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pse BE-ja nuk duhet të presë Godonë e tatëpjetës ruse

Michael Kötter Creative Commons BY-NC-SA

Shumë në Europë mendojnë se Rusia është në rënie, por është gabim të bazohet politika e BE-së mbi një mendim të tillë determinist. BE-ja duhet të merret me Rusinë e sotme, jo me atë të vitit 2050 apo 2070.

Përderisa liderët e BE-së përgatiten për samitin e 25-26 marsit, ku planifikojnë të diskutojnë për Rusinë, shumë prej tyre janë të bindur se Rusia është fuqi në rënie. Që prej shembjes së Bashkimit Sovjetik, pjesa më e madhe e politikës amerikane e europiane mbi Rusinë është mbështetur në idenë se Rusia është në rënie dhe duhet veçse të menaxhohet pa probleme, ose të lejohet që të kalojë faza aktuale e akivizmit rus të politikës së jashtme, pa marrë parasysh sa dëmprurëse është kjo për interesat e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo qasje me raste quhet ‘durim strategjik’ – ndonëse nuk ka asgjë strategjike në të bazuarit e politikës në determinizëm. Marrë parasysh se është çështje e hapur se a do të marrë Rusia tatëpjetën, pritjet e tilla janë shkurtpamëse. Është koha që BE-ja të merret me Rusinë e sotme, jo me atë të vitit 2050 apo 2070.

Në parashikimin pë rënien e Rusisë, shumë mendimtarë amerikanë, europianë, dhe politikbërës – që nga Joseph Nye te Barack Obama – pëlqejnë të theksojnë hisen e zvogëluar të Rusisë në ekonominë globale, madhësinë e BPV-së [Bruto Produkti Vendor] së tyre (e cila është e krahasueshme me atë të Spanjës dhe Portugalisë së bashku), dhe trendet demografike.

Ata përmendin gjithashtu varësinë e Rusisë nga lëndet e para dhe paaftësinë për të luftuar korrupsionin, sikur edhe shumë sëmundje të tjera kronike të shtetit dhe ekonomisë. Të menduarit e tillë çon te një politikë që pret derisa Moska të pranojë pashmangshmërinë e rënies së Rusisë, moment në të cilin Perëndimi mund të zhvillojë bashkëbisedim të arsyeshëm me të rreth ndërveprimeve të ardhshme.

Ka një numër arsyesh pse mbështetja e qasjeve të SHBA-së dhe BE-së ndaj Rusisë në këtë ide të rënies së pashmangshme është qorrsokak politik. Sa për fillim, BPV-ja dhe indikatorët e tjerë socioekonomikë janë thjesht vetëm një matje e pushtetit. Lidhja mes BPV-së dhe ndikimit gjeopolitik nuk është kurrë lineare. Sigurisht se është ndihmesë të kesh ekonomi të madhe. Por historia është plot me raste ku shtetet – madje edhe protoshtetet – me ekonomi jo aq mbresëlënëse kanë mbizotëruar dhe shkatërruar fqinjtë më të pasur e më të përparuar teknologjikisht. Rënia e Perënadorisë Romake përbën një shembull të tillë. Mongolët vërshuan Kinën disa herë. Irani nuk është vendi më i pasur në Lindjen e Mesme, por ka rritur me dekada ndikimin gjeopolitik përkitazi me vendet me BPV më të lartë. Dhe vetë Rusia ka qenë më e varfër se pjesa më e madhe e Europës kur trupat e saj kaluan Alpet më 1799 dhe kur kosakët i mësuan kamerierëve parisienë fjalën ‘bistro’, pas mposhtjes së Napoleonit më 1815.

Sot, Turqia dhe Zvicra kanë BPV të ngjashme, ndërsa Irlanda ka BPV më të lartë se Egjipti. Sidoqoftë, Irlanda dhe Zvicra nuk janë në të njejtën ligë me Turqinë e Egjiptin kur është puna te ndikimi i tyre mbi çështjet globale dhe rajonale. Prandaj, BPV-ja e Rusisë nuk duhet të përmendet si paralajmëruese e rrënimit të saj eventual gjeopolitik.

Problemi tjetër me të mbështeturit e politikës ndaj Rusisë në idenë se fuqia gjeopolitike ruse do të marrë tatëpjetën, është se mund të kalojnë dekada para se kjo të fillojë të ndikojë në politikën e jashtme ruse. Në dhjetëvjeçarin e fundit, Rusia është angazhuar në një numër gjithnjë e më të madh aksionesh armiqësore kundër BE-së dhe vendeve fqinje të bllokut, Lindjes së Mesme, dhe Afrikës – sikurse në Serbi, Bosnje, Mal të Zi, Libi, Siri, dhe madje Republikën e Afrikës Qendrore. Rusia ka ndjekur një strategji të dizajnuar për të maksimizuar fuqinë gjeopolitike, shpesh duke sfiduar drejtpërdrejt pozitën, interesat dhe ndikimin e BE-së. Do të ishte shumë e papërgjegjshme për çdo fuqi, që të shikojë gojëhapur shpalosjen e procesit edhe për 20 a 30 vjetë, me shpresën se rënia do ta detyrojë Rusinë të ndërrojë kahje.

Besimi në rënien e Rusisë është gjithashtu i gabueshëm sepse projekton mbi Rusinë historinë e shumicës së perandorive europiane. Shumica e perandorive europiane kanë pasur një lloj historie lineare të ngritjes, rënies, dhe shembjes, pasuar nga të pranuarit e një ekzistence të rehatshme si shtete të vogla apo të mesme. Austria, Britania, Belgjika, Hungaria, Lituania, Polonia, Portugalia, Spanja, dhe Suedia kanë kaluar që të gjitha nëpër këtë histori lineare perandorake të prosperitetit të madh dhe dështimit. Por një zhvillim i tillë nuk është doemos normë. Plot shtete kanë kaluar nëpër cikle të shkëlqimit dhe rënies. Fuqitë kineze, iraniane dhe ruse janë zgjeruar, tkurrur, dhe janë zgjeruar sërish me shekuj – madje me mijëvjeçarë. Në mijëvjeçarin e fundit, fuqia perandorake ruse shpërtheu dhe u shemb disa herë.

Kujtesa historike ka implikime konkrete të politikës së jashtme për ndërveprimet e sotme BE-Rusi. Aty ku BE-ja sheh rënie të pakthyeshme të Rusisë, kjo e fundit sheh një prej disa ngecjeve të përkohshme që ka përjetuar gjatë shekujve. Udhëheqësit rusë besojnë se mund të përmbysin një rënie të tillë, ashtu siç bënë paraardhësit e tyre pas tkurrjes së shtetit rus pas revolucionit të vitit 1917. Më 1918, Rusia humbi kontrollin e copave të mëdha të territorit (përfshi Finlandën, Poloninë, dhe shtetet baltike, si dhe Moldavinë e sotme). Por, brenda më pak se tri dekadave, ajo riktheu pjesë të territoreve të humbura dhe zgjeroi kontrollin deri në Berlin, Varshavë, Pragë, dhe Tiranë. Historia e Rusisë e përmbysjes së rënieve, formëson politikën aktuale të jashtme  – dhe mund të vazhdojë ta formësojë edhe për më së paku dy dekada.

E vërteta është se askush s’e di se a do të pësojë rënie Rusia, apo do të rimëkëmbet. Sido që të jetë, Rusia mund të jetë ngatërresë për dekada me radhë, duke shkaktuar gjatë rrugës dëme serioze interesave të BE-së. Shumë prej sfidave që paraqet Rusia për BE-në – veçanërisht ato që lidhen me ndikimin e bllokut në Ballkan, Lindje të Mesme, dhe Europë lindore – nuk do të zhduken vetvetiu. BE-ja do të duhet të adresojë sfidat e tilla përmes veprave që rrisin fuqinë e saj përkitazi me Rusinë dhe me vetë fqinjët e bllokut – jo përmes durimit strategjik, që është term i sjellshëm për mosveprimin strategjik.

***

Artikulli origjinal i botuar në European Council on Foreign Relations, më 5 mars 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.