Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Dhjetë mësime për një botë që po vjen (pjesa I)

Është fakt i njohur se pasojat e pandemisë, të shkaktuara nga virusi Covid-19, janë shumë-dimensionale. Disa nga efektet e saj tashmë janë të njohura, por ka shumë nga to, me ndikim transformues në shumë sfera të jetës, që mbeten të panjohura dhe duket se do kalojnë vite e dekada të tëra që të shpalosen në tërësi. Duke qenë gjithëpërfshirëse, në “luftë” kundër pandemisë u përfshinë të gjithë: punëtorët shëndetësor për të shpëtuar jetë, policët për të ruajtur rendin dhe garantuar sigurinë, politikanët për të administruar pasojat, furrtarët për të siguruar ushqim, shkencëtarët për të gjetur kurën e nevojshme kundër virusit etj. Por, nuk do mend, pandemia inspiroj edhe shumë shkrimtarë dhe hulumtues të ndryshëm për të shkruar e reflektuar mbi të, qoftë për të shprehur ndjenjat dhe emocionet e përjetimeve personale, apo për të analizuar ndikimin e saj në ekonomi, shëndetësi, politikë, arsim, varfëri, marrëdhënie ndërkombëtare, mënyrë jetese, teknologji, etj. Por, kishte edhe studiues që, duke marrë shtytje nga efektet e pandemisë, u rreken që të shkruanin libra dhe artikuj jo për pandeminë per se, por për botën që pritet të shpërfaqet si pasojë e pandemisë dhe – çfarë është edhe më e rëndësishme – për përgjigjen që njerëzimi do ketë kundrejt kësaj sfide. Ky është edhe qëllimi themelor i librit më të ri të autorit dhe studiuesit të mirënjohur, Fareed Zakaria, “Dhjetë Mësime për një Botë Post-Pandemike” (“Ten Lessons for a Post-Pandemic World”), i botuar në tetor të vitit 2020.

Siç mund të kuptohet edhe nga titulli, libri përbëhet nga dhjetë kapituj të veçantë të shkruar në formën e analizave, ngjashëm me artikujt e përjavshëm që autori shkruan në “Washington Post”, të pasura me burime të shumta e të ndryshme, fakte historike dhe të dhëna statistikore aktuale të cilat, në të shumtën e rasteve, mbështesin argumentet kokëforta të Zakaria-s. Ai navigon nëpër periudha të gjata historike, i gërsheton ato me ngjarjet dhe të dhënat aktuale faktografike, por asnjëherë nuk e humb logjiken shpjeguese dhe qëllimin e argumentit. Si çdo herë, autori karakterizohet nga një stil shkrimi shumë elegant dhe elokuent i të artikularit; çdo herë i drejtpërdrejtë, i thjeshtë dhe shumë bindës – edhe në rastet kur nuk pajtohesh me të. Mirëpo, ky libër jo domosdo ka të bëjë me pandeminë. Autori më shumë është fokusuar të trajtoj – shpesh edhe në formën e spekulimeve futuristike – mënyrën se si po merr formë bota si rezultat i pandemisë dhe, gjithashtu, përgjigjet tona kundrejt saj.

Covid-19 dhe Lenini

Për të përshkruar efektin përshpejtues që pandemia pritet të këtë në proceset politike, sociale, ekonomike, teknologjike apo edhe kulturore, Zakaria shërbehet me një thënie të njohur të revolucionarit, politikanit dhe teoricienit rus, Vladimir Lenin, kur deklaronte se: “shpeshherë ka dekada kur nuk ndodh asgjë, dhe pastaj ka javë ku ndodhin dekada”. Në këtë kontekst, autori konstaton se bota post-pandemike do të jetë – në shumë aspekte – një version i përshpejtuar i botës se si e njihnim deri përpara pandemisë”. Mirëpo, tërheq vërejtjen autori, kur jeta merr një shtytje të tillë, ngjarjet nuk e ndjekin më rendin natyror të gjërave dhe, si rezultat, pasojat mund të jenë shkatërrimtare dhe madje, në disa raste, edhe vdekjeprurëse. Andaj, thekson autori, “’bota në steroide’ mund të vuaj nga efektet anësore dhe të paparashikueshme” të këtij zhvillimi të shpejtë që mund t’i nxjerr gjërat jashtë kontrolli.

Libri fillon me konstatimin se virusi Covid-19 është i ri, por pandemitë si të tilla nuk janë asgjë e re dhe e panjohur për njerëzimin. Në fakt, literatura perëndimore fillon me një të tillë. Në librin e tij të njohur, “Historia e Luftës së Peloponezit”, Tukiditi, duke dashur të nënvizoj rëndësinë e murtajës në rrjedhën e luftës, thekson se: “një murtajë e tmerrshme përfshiu Athinën, duke vrarë pjesën më të madhe të qytetarëve fizikisht të shëndoshë…”.

Është interesant të përmendet se autori nënvizon se gjatë historisë pandemitë apo sëmundjet infektive nuk kanë pasur çdo herë vetëm efekte negative në zhvillimet shoqërore, duke konstatuar se pikërisht ishte murtaja që në Mesjetë stimuloj zhvillimin e revolucionit intelektual. “Evropianët e shekullit XIV-të derisa përballeshin me tmerret e vdekjeve të shkaktuara nga mortaja, në një moment dëshpërimi të thellë, u drejtuan kah Zoti duke i drejtuar pyetje se përse po lejonte një ferr të tillë te ndodhte në tokë, kështu duke i vënë në pikëpyetje raportet e hierarkisë fikse”. Ky moment shërbeu si element përshpejtues që ndihmoj Evropën që të tejkaloj këtë sëmundje mesjetare duke vënë në lëvizje “Renesancën, Reformacionin dhe Iluminizmin”. Pra, nënvizon autori, “nga tmerri i vdekjes erdhi shkenca, moderniteti dhe zhvillimi”. Në këtë pikë, autori shtron pyetjen se a do të ndodh që edhe pandemia Covid-19 të provokoj një reflektim mbarë-shoqëror dhe të shërbej si moment i rëndësishëm për njerëzimin që të rizbuloj vetveten në fusha të ndryshme të jetës?

Covid-19 goditi një botë që kryesisht kishte krijuar strukturën e vetë globale pas Luftës së Ftohtë. Me rivalitetin në mes të fuqive të mëdha që po zbehej dhe me shpërthimin e tregtisë globale, shtetet krijuan lidhje të forta ndërvarësie. Mirëpo, ky integrim ekonomik i kësaj shkalle dhe intensiteti, të paparë ndonjëherë më parë gjatë historisë, krijoj edhe oponentët e vetë. Kundërshtarët ekonomik u zhvilluan aq shumë sa u transformuan në sfidues gjeopolitik. Në këtë botë, sipas Zakaria-s, “çdokush është i lidhur, dhe askush nuk është nën kontroll”. Andaj, është gati e pamundur të kesh stabiliteti në një botë kaq dinamike dhe të hapur.

Duke u mbështetur në idenë e një studiuesi të teknologjisë informative, i cili kishte vërejtur se në fushën e rrjetave kompjuterike ne mund të kemi vetëm dy nga tri cilësitë themelore: “hapjen”, “shpejtësinë” apo “sigurinë”, Zakaria zhvillon një “trilogji” elementesh. Në këtë sistem të funksionimit që përbehet nga këto elemente – i hapur, i shpejtë dhe stabil – ju mund të keni vetëm dy nga këto karakteristika. “Një sistem i hapur dhe i shpejtë, si bota në të cilën po jetojmë, është domosdoshmërisht jostabil. Kurse, një sistem i shpejtë dhe stabil ka tendencë të jetë i mbyllur – sikur Kina. Ndërsa, nëse sistemi është i hapur dhe stabil, sipas të gjitha gjasave do të jetë i ngadalshëm dhe jo dinamik”, shtjellon Zakaria.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.