Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese që formësuan sistemin politik

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese (i 28 majit 2020) mbi dekretin e Presidentit që e mandaton të propozuarin e LDK-së për krijimin e një qeverie të re pas mocionit të mosbesimit dhe vendimi (i 21 dhjetorit 2020) mbi kushtetutshmërinë e zgjedhjes së qeverisë së koalicionit LDK-AAK-Srpska-NISMA/AKR janë të rëndësisë për formësimin e sistemit politik dhe forcimin institucional në Kosovë. Këto vendime e forcojnë presidencializmin, si dhe konsociacionalizmin etnik dhe fuqinë e partive të vogla. Në të njëjtën kohë ato e forcojnë pushtetin e partive politike në dëm të vetë Kuvendit.

Përbirimet institucionale

Fillimisht të shohim risitë e vendimit mbi zgjedhjen e qeverisë, pastaj do të kthehemi te vendimi i parë mbi dekretin e Presidentit. Zgjedhja e qeverisë së koalicionit LDK-AAK-Srpska-NISMA/AKR dhe debati publik e ligjor mbi të i shpërfaqi shumë mangësi në funksionimin e institucioneve të Kosovës. Një person i dënuar për vepër penale kishte arritur të përbirohet nëpër ligjet e institucionet e vendit për të marrë pjesë në zgjedhje, për t’u zgjedhur e konfirmuar deputet si dhe për të marrë pjesë në votimin e qeverisë dhe në punët e komisioneve të Kuvendit. Kjo flet për lëshime nga disa institucione siç janë KQZ e Kuvendi por edhe Gjykatat. Prandaj është i rëndësishëm neni 16 i vendimit të Kushtetueses që thotë se “Gjykata potencon nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës me komisionet e tij, në bashkëveprim me institucionet gjegjëse, duke përfshirë edhe KGJK-në dhe KQZ-në, të qartësojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe aspektet normative që kanë të bëjnë me kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale.” Ky nen mund të rezultojë në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe efektivitetin e institucioneve të shtetit. Kjo është me rëndësi sepse institucionet e shtetit zakonisht funksionojnë si ishuj të ndarë nga njëri-tjetri pa bashkëpunim mes vete. Një nga problemet kryesore që kam hasur në studimet e mia mbi institucionet e vendit është se krerët i shohin institucionet si feude të tyre dhe kanë frikë se ndërveprimi me institucione tjera e zvogëlon pushtetin e tyre. Kjo praktikë feudaliste duhet të eliminohet për të forcuar funksionimin institucional shtetëror.

Ndërrimet qeveritare

Pyetja kryesore para Gjykatës në pranverën e 2020-ës ishte çka ndodhë pas mocionit të mosbesimit, shpërbërja e Kuvendit dhe zgjedhjet, apo fillimi i procedurave për formimin e qeverisë së re? Një dispozitë kushtetuese e cila kishte për qëllim të tregonte epërsinë e parlamentit mbi presidentin, duke pasur parasysh që Kosova është një demokraci parlamentare, ka krijuar konfuzion dhe i ka lejuar Presidentit të përdorë diskrecionin e tij. Ky është neni 82.2 i cili thotë se Presidenti “mund” të shpërndajë parlamentin pas një mocioni të mosbesimit. Deklaratat e përpiluesve të kushtetutës dhe praktika e mëparshme (përfshirë të njëjtin President) sugjerojnë se kjo “mund” duhet të interpretohet si dhënie leje nga parlamenti Presidentit për ta shpërndarë zyrtarisht atë në mënyrë që të mund të zhvillohen zgjedhje të reja. Sidoqoftë, Gjykata e interpretoi këtë “mund” në mënyrë kreative, ku presidentit i jepet diskrecion që në konsultim me partitë politike, për të mbajtur zgjedhje të reja ose të fillojë procedurën për të formuar një qeveri të re pa zgjedhje. Nëse mocioni i mosbesimit ka më pak se votat e dy të tretat e deputetëve atëherë presidenti dhe partitë vendosin për qeveri të re, kurse nëse mocioni ka votat e dy të tretat e deputetëve presidenti me krerët e partive mund të vendosë se a shkohet në zgjedhje a jo. Pra, për t’u shpërbërë Kuvendi duhet të thuhet në mënyrë eksplicite në kërkesën e mocionit, përndryshe vendosin Presidenti me krerët e partive.

Afati i përcaktimit të mandatarit nga partia e parë

Çështja dytësore është afati i formimit të qeverisë së re sipas nenit 95. Aty flitet për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve, pas dorëheqjes së kryeministrit, ose pas paaftësimit të tij për të kryer detyrat (p.sh. vdekjes, sëmundjes së rëndë etj.), por jo pas mocionit të mosbesimit. Pastaj, procedurat për të formuar një qeveri të re i japin hapësirë politike subjektit të parë, sepse Kushtetuta nuk cakton afat për ta paraqitur emrin e mandatarit. Pra dekreti i Presidentit e ka anashkaluar nenin 82 duke u thirrë në nenin 95. Gjykata vendosi se kjo ka qenë në rregull, duke i dhënë të drejtë Presidentit ta përcaktojë afatin kohor të përgjigjes nga subjekti i parë dhe ta mandatojë një kandidat për formimin e qeverisë së re.

Forcimi i presidentit

Ky aktgjykim ka pasoja të mëdha për sistemin politik. Së pari, efektivisht sistemi politik shndërrohet në një sistem me presidencializëm të sforcuar, ku Presidenti do të kishte fuqi për të përcaktuar se çka ndodhë në rast të një mocioni mosbesimi, a shkohet në zgjedhje apo formohet qeveri e re varësisht nga numri i deputetëve që e votojnë atë mocion. Për më tepër, arsyetimi i dekretit duke u thirrur në “funksionimin e institucioneve” mund të krijojë precedent të rrezikshëm, ku Presidenti merr fuqi për të përcaktuar se kur zbatohet një nen i Kushtetutës e kur jo. Dhe me këtë arsyetim mund të ndërmarrë hapa që nuk parashihen fare në Kushtetutë, si në rastin e përcaktimin të kohës së përgjigjes së partisë më të madhe për mandatar.

Faktorizimi i “kryetarëve të partive”

Së dyti, mënyra sesi është mbërritur te dekreti përmes bisedave me kryetarët e partive politike është problematike. Aktgjykimi, de facto i bën kryetarët e partive politike kategori kushtetuese që mund ta imponojnë vullnetin mbi institucionet në mënyra jashtëkushtetuese. Pra mund të kemi një situatë kur kreu i një partie, edhe nëse nuk është fare i zgjedhur në Kuvend nga qytetarët, rekomandon rrugë veprimi në kundërshtim me shumicën e deputetëve të zgjedhur të asaj partie. Ngjashëm krerët e partive në konsultim me Presidentin mund të rekomandojnë rrugë veprimi që është në kundërshtim me vullnetin e shumicës së deputetëve.

Dobësimi i Kuvendit

Efekti juridik dhe politik i këtij aktgjykimi është zvogëlimi i pushtetit të Kuvendit, institucionit më të lartë të zgjedhur nga populli, dhe forcimi i pushtetit të Presidentit (që zgjidhet nga Kuvendi) dhe të forcave potencialisht jashtëkuvendare si krerëve të partive politike. Ishte pikërisht ky bashkëveprim i presidentit me partitë politike që solli votimin e qeverisë me ngut pas mocionit të mosbesimit e që përfundimisht solli vendimin e dytë të Kushtetueses për ta shpallur këtë votim antikushtetutes. Pasojat politike gjithashtu janë të mëdha dhe ky precedent është shqetësues për demokracinë e mangët në Kosovë. Kjo nënkupton që partitë e vogla përcaktuese (kingmaker) thjesht mund të ndërrojnë anët pa pasoja dhe të formojnë një qeveri me ofertuesin më të lartë. Kjo mund të ketë pasoja të rënda për demokracinë, por edhe për korrupsionin, pasi kjo sigurisht që do të rrisë shpenzimet e kota, sepse partitë do të përpiqen të tejkalojnë njëra-tjetrën me ofertat e ministrive e portofolave të rinj dhe formave të tjera të pushtetit politik siç janë emërimet në bordet e ndërmarrjeve publike dhe universitetet publike për partinë përcaktuese (kingmaker). Sistemi ekzistues i “ndarjes së plaçkës” nga partitë politike, do të mund të përhapet edhe më shumë dhe shpresa e reformës antikorrupsion zvogëlohet.

Elefanti në dhomë: konsociacionalizmi i sforcuar

Ndoshta pasoja më e rëndë e këtij dekreti është se do ta fuqizonte edhe më tej sistemin problematik të konsociacionalizmit, duke rritur ndikimin e Serbisë në Kosovë. Nëse partitë e vogla përcaktuese do të kenë mundësi t’i ndërrojnë qeveritë lehtë duke ndërruar tabor përmes mocioneve, kjo e fuqizon pozitën e partive si Lista Srpska ose ajo gorane që janë lojale ndaj Beogradit zyrtar. Përmes ulëseve të garantuara partitë e pakicave etnike në Kosovë, i kanë të garantuara së paku mbi 16% të ulëseve në Kuvend, edhe pse pakicat përbëjnë rreth 8% të popullsisë, pra kanë përfaqësim të dyfishuar. Për shkak të këtij sistemi, tri nga pesë qeveritë e formuara pas pavarësisë (duke përfshirë këtë që u rrëzua nga gjykata ku në diskutim ishte pikërisht vota e një deputetit që mbante një vend të garantuar) kanë qenë qeveri që nuk kanë gëzuar shumicën e votës popullore edhe pse kanë pasë shumicën parlamentare. Është shumë e mundshme të kemi një situatë me dy blloqe politike ku është pikërisht Lista Srpska ajo që përcakton se cili bllok e formon qeverinë dhe të ketë mundësinë që ta rrëzojë qeverinë përmes mocionit nëse opozita i ofron diçka më shumë. Kjo gjë do ta rriste ndikimin e Serbisë në Kosovë edhe më tepër dhe do ta mund ta ndryshonte vetë natyrën e shtetin e ta mbante peng atë vazhdimisht. Kjo pra dëshmon se konsociacionalizmi i sforcuar siç ekziston në Kosovë, nuk duhet të bashkëjetojë me mocionet konstruktive të mosbesimit, ku pas një mocioni nuk shkohet në zgjedhje por thjesht formohet një qeveri e re sipas preferencave të disa individëve, potencialisht jashtëparlamentarë.

Gjykimi i parë i Kushtetueses, duke përligjur tregtimet politike të partive me presidentin, çoi te gjykimi i dytë, i cili shpërfaqi mangësitë institucionale. Mbetet të shpresojmë se gjykimi i dytë do të rezultojë në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në vend dhe efektivitetin e institucioneve në përgjithësi. Kurse sa i përket gjykimit të parë, pasojat e mundshme negative të tij janë të shumta. Disa nga ato pasoja mund t’i shohim edhe pas zgjedhjeve që po vijnë në 2021, nëse asnjëri bllok politik nuk e fiton një shumicë komode në kuvend.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.