Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

E ardhmja e Kosovës në NATO: Hapat e nevojshëm për integrim

Më 14 dhjetor 2020, Kosova festoi dy vjetorin e themelimit të ushtrisë e cila është në fazën e transformimit dhjetëvjeçar për ngritjen e kapaciteteve të plota ushtarake. Që nga themelimi i ushtrisë, Kosova ka bërë të ditur se qëllimi i saj është anëtarësimi në NATO.

Mirëpo arritja e këtij qëllimi është mjaft sfidues duke marrë parasysh dy probleme kyçe politike: Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga katër shtete anëtare të NATO-s (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) dhe mungesa e epilogut të dialogut dhe normalizimit Kosovë-Serbi.

Aktualisht, Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka ndonjë formë të marrëdhënies kontraktuale me NATO-n. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë anëtarët më të ri të Aleancës, ndërsa Bosnje e Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e programit “Partneriteti për Paqe”.

Me gjithë problemet politike, Kosova nuk duhet të mbetet peng i proceseve politike. Përkundrazi, duhet të ndërmarrë një qasje më proaktive në mënyrë që të forcojë lidhjet e saj me NATO-n.

Në këtë drejtim, Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në bashkëpunim me Institutin Clingendael në Holandë kanë përpiluar një analizë të politikave, e cila hedh në pah disa mundësi dhe rekomandime sesi mund të forcohen lidhjet mes Kosovës dhe NATO-s duke marrë për bazë rrethanat dhe sfidat aktuale.

Më poshtë identifikohen disa hapa të mundshëm politik dhe ushtarak që Kosova mund të ndërmarrë në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme për integrim në NATO.

1. Mbajtja e ekuilibrit politiko-ushtarak

Kosova duhet të jetë e vetëdijshme për ekuilibrin ushtarako-politik, ku çdo ndryshim ushtarak mund të ketë pasoja politike. Kosova duhet ta ketë parasysh se procesi i forcimit të kapaciteteve të saj ushtarake mund të krijojë pakënaqësi tek disa shtete anëtare të NATO-s. Çdo ndryshim i madh ushtarak që bëhet në Kosovë shikohet me një sy të dyshimtë përtej kufirit.

Gjithashtu, Rezoluta 1244 mbetet ende në fuqi, prandaj mbajtja e marrëdhënieve të ngushta me KFOR-in është kyçe. Rrjedhimisht, është imperative që zhvillimi dhe ngritja e kapaciteteve ushtarake të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.

2. Plotësimi i kritereve të nevojshme

Kosovës ende i mungojnë aftësi dhe kapacitete të konsiderueshme ushtarake dhe politike. Vendet që aspirojnë të integrohen në NATO duhet të tregojnë angazhim serioz në reformat e nevojshme demokratike dhe institucionale, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Në këtë drejtim, Kosova duhet të tregojë progres të vazhdueshëm në të gjitha këto fusha.

Tutje, Kosova duhet të vazhdojë me rritje graduale të buxhetit të dedikuar për mbrojtje. Ngritja progresive e buxhetit është indikacion për gatishmërinë dhe përkushtimin e Kosovës për krijimin e një force profesionale dhe të aftë për të gjitha operacionet.

3. Investimi dhe zhvillim i aftësive “të specializuara” ushtarake

Në kuptimin absolut, Kosova nuk ka shumë për t’i ofruar aleancës më të madhe ushtarake në botë. Megjithatë, vendet e vogla mund të përdorin karakteristikat e tyre të veçanta që kanë të bëjnë me vendndodhjen e tyre gjeografike, njohuritë për rajonin dhe aftësitë e specializuara nga të cilat mund të përfitojë NATO.

Bazuar në përvojën e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) në përkrahjen e përpjekjeve të shpëtimit në Shqipëri pas tërmetit në vitin 2019, Kosova mund të zhvillojë më tej aftësitë e saj “të specializuara” në misione speciale të kërkimit dhe shpëtimit dhe për të qenë e gatshme të marrë pjesë në misionet ndërkombëtare të NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara.

4. Përmirësimi i burokracisë dhe korpusit diplomatik

Aktualisht, vendit i mungon një trupë e duhur diplomatike dhe ekspertë për të zgjeruar stafin e saj. Gjithashtu, është thelbësore që institucionet e Kosovës të krijojnë një sistem burokratik që funksionon në mënyrë efektive, pasi që ai është kyç për pjesëmarrje në organizata ndërkombëtare.

Për ta arritur këtë qëllim, Kosova duhet të investojë në trupën e saj diplomatike dhe krijimin e një Grupi Punues të NATO-s, i cili do të fokusohej në hartimin e një strategjie për integrimin e Kosovës në NATO.

5. Rritja e numrit të minoriteteve në grada më të larta

Me gjithë faktin se sistemi i gradimit përbrenda FSK-së shkon nëpërmjet sistemit kohor dhe praktikave të diskriminimit pozitiv për minoritetet, FSK duhet të ofrojë mundësi më të mëdha për gradime për minoritetet, në veçanti personelin e përkatësisë etnike serbe të Kosovës.

Kjo do të ulte dukshëm propagandën serbe se FSK po tenton të pushtojë dhunshëm zonat e banuara me serbë në Kosovë. Gjithashtu, kjo do të dërgonte një mesazh shteteve mike të Kosovës, se FSK është e determinuar t’i përmbahet standardeve të NATO-s.

6. Insistim për pjesëmarrje në aktivitete për sigurinë rajonale

Kosova duhet të jetë më insistuese që FSK të kontribuojë në sigurinë rajonale. Një shembull konkret është “Task Forca Mjekësore Ballkanike” e cila është një format bashkëpunimi midis Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë, për të rritur bashkëpunimin mjekësor ushtarak në rajon.

Kosova mund ta bëjë këtë lëvizje veçanërisht tani, gjatë pandemisë COVID-19, i cili do të ishte një sugjerim praktik që Kosova mund të ofrojë kontributin e saj në ndonjë mënyrë.

7. Përpilim i kërkesës për dialog politik me NATO-n

Deri më tani, komunikimi Kosovë-NATO është organizuar përmes zyrës ndërlidhëse të NATO-s në Kosovë (NALT), mirëpo Kosova duhet të krijojë linja direkte të komunikimit me NATO-n. Për të demonstruar gatishmërinë e saj politike për rritjen e bashkëveprimit me NATO-n, Kosova duhet që në mënyrë të qartë të kërkojë të vendosë një dialog në rrafshin politik.

Me gjithë sfidat, Kosova duhet t’i bëjë të qarta qëndrimet e saj në formë zyrtare dhe të përdorë dy rrugë në këtë drejtim. Kjo mund të arrihet përmes lejimit të ambasadës së Kosovës në Belgjikë të kontaktojë me selinë e NATO-s dhe përmirësimit të marrëdhënieve politike me vendet anëtare të NATO-s që njohin Kosovën.

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.