Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Beteja jonë me Serbinë në kontekst të krizës ndërkombëtare

Në hapësirën tonë mediatike, ku Kosova trajtohet si qendër e botës, vizita e sekretarit amerikan të shtetit Xhon Keri u analizua kryesisht në aspektin e ndikimin të saj për zgjidhjen e konfliktit tonë të brendshëm politik. Për këtë dimension të vizitës nuk ka se çka të thuhet më shumë sesa vetë porositë që i dha Keri. Ato nuk mund të ishin më të qarta, qoftë për pushtetin apo opozitën.

Rëndësia më e madhe e vizitës megjithatë qëndron te sinjali i tërthortë të cilin ajo e përçoi për qëndrimin e SHBA-ve ndaj Kosovës dhe Ballkanit në këtë periudhë të tensionuar në politikën ndërkombëtare. Në këtë drejtim, një prej dinamikave kryesore – pa dyshim më e rëndësishmja për rajonin tonë – është beteja që ka shpërthyer para më shumë se një viti mes perëndimit dhe Rusisë rreth sferave të tyre respektive të interesit.

Vlen të kujtohemi se ky konfrontim nisi me përpjekjet e Ukrainës për t’u afruar me BE-në dhe për t’u larguar nga orbita e Rusisë. Si kundërpërgjigje, Rusia pushtoi pjesë të Ukrainës, duke e sfiduar kështu rendin ndërkombëtar dhe parimin e shenjtërisë së kufijve. Si arsyetim për agresionin e saj Rusia vazhdon ta përdorë mbështetjen e perëndimit për pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë beteja me shpejtësi u zgjerua edhe në fronte (rajone) të tjera, kryesisht në formën e betejave mes palëve të treta, të cilat mbështeten qoftë nga Rusia apo nga perëndimi (të ashtuquajturat “luftërat proxy”).

Fronti kryesor tani është Siria, ku perëndimi dhe Rusia pajtohen për nevojën që të mposhtet Shteti Islamik, por jo edhe për fatin e regjimit të Asadit. Rusia dhe Irani duan ta mbajnë aleatin e tyre me çdo kusht në pushtet, ndërkohë që perëndimi, Turqia dhe një varg vendesh arabe sunite insistojnë se ai duhet të largohet.

Duke i provokuar interesat e perëndimit në disa fronte paralelisht, Rusia me egon e saj të lënduar të një ish-perandorie, po mundohet të tregojë se është një superfuqi e cila nuk do të lejojë që të poshtërohet përmes zgjerimit të interesave perëndimore në sferat e saja tradicionale të interesit. Njëkohësisht dëshiron t’i kërcënojë edhe satelitët e tjerë të saj që të mos guxojnë të përsërisin hapin e Ukrainës.

Në anën tjetër perëndimi është i vendosur që të mos e tolerojë shantazhin rus në arenën ndërkombëtare, prandaj, mes tjerash, ka miratuar edhe sanksione të gjëra ekonomike ndaj Rusisë.

Teksa superfuqitë po luajnë shah mbi hartën e botës, duke ia treguar dhëmbët njëra-tjetrës në një rreth vicioz, stabiliteti i rendit ndërkombëtar është bërë aq i brishtë saqë disa madje alarmojnë për mundësinë e një Lufte të Tretë Botërore.

Ku qëndron Ballkani në këtë mes? Për shkak të çështjeve të pambyllura që mbeten burim tensionesh etnike (sidomos në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni), rajoni ynë mbetet një pikë nevralgjike e cila shumë lehtë mund të kthehet në frontin e ri të kësaj ndeshjeje të superfuqive.

Prandaj, vizitat dhe retorika e sekretarit Kerry në Kosovë dhe Serbi (në takimin e OSBE-së), e sidomos ftesa që iu dha Malit të Zi për anëtarësim në NATO, duhet të lexohen edhe brenda këtij konteksti të polarizimit në arenën ndërkombëtare.

Ato tregojnë se ekziston njëfarë ndjeshmërie në perëndim për faktin se rajoni ynë, duke qenë në Europë dhe duke qenë burim problemesh në të kaluarën e afërt, mbetet me rëndësi strategjike. Nuk jemi rajon prioritar në agjendën e sotme me shumë vatra aktive krizash. Por kuptohet potenciali jonë shpërthyes, sidomos në rastin e ndonjë provokimi të Rusisë.

Se Ballkani mbetet një front i rëndësishëm për Rusinë, këtë e tregoi edhe reagimi ndaj ftesës së NATO-s për Malin e Zi. Kjo ftesë ndaj një aleati të dikurshëm tradicional u cilësua si “provokim”, për të cilin “do të kishte pasoja”. Para një muaji, në Podgoricë madje shpërthyen protesta të dhunshme anti-qeveritare, të nxitura në masë të madhe nga qarqet e mbështetura prej Rusisë.

Edhe zhvillimet e kësaj pranvere në Maqedoni, ku desh u nxit një konflikt etnik dhe qytetar, u konsideruan prej analistëve si pjesë e ndeshjes mes të mëdhenjve, teksa Rusia u reshtua haptas prapa Gruevskit ndërsa perëndimi prapa opozitës.

Për të njëjtat motive të ruajtës së sferës së vet të interesit në rajon, Rusia vazhdon t’i japë prioritet patronazhit mbi Serbinë. Kjo u dëshmua me faktin se ministri i jashtëm rus Lavrov, në mesin e gjithë kësaj zallamahie botërore, personalisht harxhoi një javë kohë në Paris për ta sabotuar përpjekjen e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO.

Në fakt, kryeministri i Serbisë Vuçiç është duke e përdorur mjeshtërisht polarizimin mes perëndimit dhe Rusisë për të nxjerrë maksimumin për agjendën e tij në raport me Kosovën. Vuçiç i është rikthyer lojës së vjetër të dyfishtë të Titos – pozicionimit si një shtet konstruktiv në mes të dy palëve, i cili përfiton mbështetje prej të dyjave për shkak të rëndësisë strategjike të Serbisë.

Perëndimi detyrohet që Serbinë ta marrë me të mirë, me synimin për ta afruar drejt vetes, prandaj edhe ia toleron afrinë me Rusinë në emër të “lidhjeve historike” (psh. Serbia nuk u detyrua që të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe t’i miratojë sanksionet ndaj Rusisë).

Si rrjedhojë, në raport me neve, Serbia mund të llogarisë edhe në mirëkuptimin e perëndimit për mosnjohjen e menjëhershme të Kosovës, edhe në veton e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pra, ky kontekst i polarizimit perëndim-Rusi sot e ka krijuar një rrethanë favorizuese për Serbinë përballë Kosovës.

Megjithatë, e gjithë kjo nuk do të thotë, ashtu siç pretendojnë cinikët anti-perëndimorë në mesin tonë, shumë prej të cilëve për arsye ideologjike u pengon patronazhi perëndimor mbi Kosovën, se tani Serbia është më e rëndësishme për perëndimin se Kosova, apo se ne tani do të lihemi anash.

Kjo vetëm do të thotë se ne duhet të gjejmë rrugë politike dhe diplomatike për ta imponuar agjendën tonë në rrethana të ndryshuara, pa hyrë në aventura adoleshente.

Parakusht për këtë imponim të agjendës sonë është që fillimisht të kuptohen mirë interesat strategjike të perëndimit dhe ato të Serbisë rreth Kosovës. Në opinionin tonë publik këto interesa po keqkuptohen në masë të madhe, kryesisht për shkak të popullaritetit të botëkuptimeve paranojake të Albin Kurtit. Keqkuptimi i këtyre interesave po e çon shumëkënd që të propozojë një qasje rebeluese pa krye në raport me partnerët perëndimorë.

Duhet të kthehemi dhe të kujtohemi se cili është funksioni i negociatave të Brukselit për perëndimin. Ato janë thjesht një mekanizëm pragmatik për t’i arritur paralelisht dy synimet strategjike të perëndimit – afrimin e Serbisë drejt BE-së dhe konsolidimin (ndërkombëtar dhe të brendshëm) të shtetësisë së Kosovës. Kësisoj fatet e vendeve tona janë lidhur në nyje – Serbia përmes Rusisë e ka në dorë njohjen tonë në Kombet e Bashkuara, ndërsa ne përmes shteteve perëndimore e kemi në duar fatin europian të Serbisë.

Se ky proces e ka për synim përfundimtar konsolidimin e shtetësisë sonë, këtë e dëshmojnë edhe kushtet që gradualisht po i imponohen Serbisë si pjesë e negociatave për anëtarësim në BE, gjegjësisht ato për kapitullin 35, të cilat do ta detyrojnë atë që de facto ta njohë Kosovën brenda kufijve të sotëm shtetëror dhe që t’i shpartallojë strukturat e veta administrative në vendin tonë.

Marrëveshjet e veçanta të procesit të negociatave, si ajo për bashkësinë e komunave serbe, të cilat opozita konsideron se po çojnë drejt bosnjëzimit, në fakt janë krejtësisht beninje dhe nuk e përbëjnë thelbin e problemit në negociatat e Brukselit.

Vulën e garancisë për asociacionin e dha edhe Keri kur tha se SHBA-të nuk kanë interes që Kosova të nënshkruajë marrëveshje të cilat e cenojnë sovranitetin e vendit. Askujt, e sidomos jo perëndimit, nuk i duhet edhe një monstër institucionale si Bosnja që e mban Ballkanin si fuçi të përhershme baruti.

Njësoj si interesi i perëndimit, në qarqet opozitare po keqkuptohet edhe interesi i Serbisë në këto negociata. Nuk janë marrëveshjet specifike si ato për asociacionin ku Serbia synon t’i “korr përfitimet” prej “shitjes” së vet te perëndimi.

Nuk ka nevojë Serbia ta rrisë ndikimin e vet në Kosovë përmes marrëveshjeve, sepse këtë ndikim e ka të bollshëm me Pakon e Ahtisaarit përmes Listës Srpska dhe kompetencave komunale. Në negociata ajo madje po bën lëshime të mëdha (të paktën në letër), përmes të cilave de facto e njeh autoritetin e institucioneve tona.

Problemi është se Serbia negociatat po i përdorë për të blerë kohë, për të ndërtuar imazh të palës konstruktive në perëndim, për zvarritur aq sa mundet në zbatim dhe – kjo është më e rëndësishmja – për ta shtyrë aq sa mundet zgjidhjen përfundimtare dhe të paevitueshme të njohjes.

Ajo llogaritë se duke e ruajtur sa më gjatë “tapinë ndërkombëtare” mbi Kosovën, e mban në dorë një levë të fortë shkëmbimi me perëndimin, të cilën do ta përdorë kur të vijë koha për ta përshpejtuar integrimin e saj në BE, i cili është synimi i saj i vërtetë strategjik.

Kjo është edhe arsyeja përse Serbia kundërshtimin e saj më të madh sot nuk e ka ndaj marrëveshjeve të cilat e rregullojnë Kosovën nga brenda. Kundërshtinë më të madhe e ka pikërisht ndaj nismave të cilat do t’ia largonin prej dorës “tapinë ndërkombëtare”, siç është anëtarësimi në UNESCO apo në ato lloj organizatash që do të na profilizonin si shtet në të drejtën ndërkombëtare.

Ndërkohë që opinioni ynë publik është i fiksuar pas “Zajednicës”, fitorja e vërtetë e Serbisë në procesin e Brukselit është fakti se ai deri më tani nuk i ka sjellë Kosovës asgjë nga premtimi i pranimit në organizata ndërkombëtare, i cili në fakt duhej të ishte shpërblimi për durimin tonë.

Bllokimi i Kosovën në rastet si ai i UNESCO-s, e jo çështjet si “Zajednica”, duhej të ishte vija e kuqe për të cilën do të duhej kushtëzuar pjesëmarrja jonë në negociata.

Prandaj mungesa e çfarëdo reagimi prej institucioneve tona pas votimit në UNESCO, përmes, ta zëmë, suspendimit të përkohshëm të pjesëmarrjes në negociata deri në ndalimin e sabotimit të Serbisë, tregon se opozita nuk është e vetmja që ka pozicion irracional për negociatat. Përderisa opozita e tepron me reagime aty ku nuk duhet, binomi Mustafa-Thaçi i ngjan një muskuli të mpirë apo të atrofuar, që nuk ndjen asgjë e nuk reagon as edhe kur duhet.

E gjithë kjo nuk do të thotë se alternativë ndaj qasjes së qeverisë është shantazhimi i sponsorëve tanë të pavarësisë përmes retorikës boshe dhe një popullzimi alla-Syriza, cili rrezikon të shemb ura me partnerët perëndimorë. Alternativë duhet të jetë fuqizimi i këtij partneriteti, si forma e vetme që ne e kemi për ta përmbysur asimetrinë e fuqisë me Serbinë.

Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtë kur thotë, në argumentimin e saj kundër negociatave me Serbinë, se raporti ynë i fuqisë me Serbinë është asimetrik, sepse ajo është shtet plotësisht i njohur ndërkombëtarisht dhe ne nuk jemi.

Por ajo e ka katërçipërisht gabim kur mendon se kjo asimetri ekziston në një proces negocimi ku arbitër janë shtetet e fuqishme që na njohin dhe që kanë fuqi kushtëzuese mbi Serbinë. Asimetria e fuqisë në këtë rast përmbyset në favor të Kosovës, ashtu siç u dëshmua në rastin e negociatave të Rambujesë dhe Vjenës.

Por kjo asimetri përmbyset në favor tonin vetëm kur ne jemi në të njëjtën linjë me fuqitë perëndimore, e jo në pozitë konfrontimi me to. Kjo vlen sidomos në këtë kohë kur Serbia po përpiqet të afrohet me perëndimin (një dallim esencial ky me negociatat e Vjenës dhe Rambujesë).

Prandaj edhe e vetmja rrugëdalje, sidomos në këtë kohë polarizimi mes perëndimit e Rusisë, është përmes forcimit të partneritetit me perëndimin dhe sfidimit të lojës së dyfishtë të Serbisë. Forcimi i partneritetit nuk nënkupton më shumë servilitet dhe nënshtrim, siç pretendojnë cinikët anti-perëndimorë, dhe as pritjen se dikush tjetër i mbron interesat tona më shumë se ne.

Forcimi i partneritetit thjesht nënkupton, në radhë të parë, moskontestimin e strategjisë së përgjithshme dhe procesit gradual të përcaktuar prej perëndimit, i cili është i dizajnuar asisoj që ne në fund të jemi fitues, ashtu siç kanë qenë të gjitha proceset e mëparshme negociatore.

Në radhë të dytë ky forcim i partneritetit nënkupton krijimin e hapësirës që të mund të jemi më efektiv dhe më kërkues brenda proceseve ekzistuese. Pra nënkupton se në rastet si ky i fundit me UNESCO-n ne të mund të jemi në pozitë të kërkojmë diçka si kompensim, si kusht për pjesëmarrjen e mëtutjeshme në negociata, e të mos mbesim në pozitën e qyqanit që pranon gjithçka.

Por për ta arritur këtë fuqi imponuese me perëndimin, parakusht është që të kthehemi në partner më të respektueshëm, e jo në këtë burim të pashtershëm problemesh, që perëndimin e konsideron zjarrfikës luftërash të brendshme.

Për të qenë të respektueshëm kërkohet një elitë politike me mendësi të mirëfilltë shtetndërtuese e cili do të gëzonte respekt ndërkombëtar – gjë të cilën, me koalicionin e sotëm në pushtet, nuk e kemi.

Kërkohet një opozitë që do ta ofronte një alternative më të mirë qeverisjeje, e cila do të premtonte se do ta luante lojën e njëjtë në rrafshin ndërkombëtar, por më mirë. Fatkeqësisht, as këtë opozitë nuk do ta kemi, për sa kohë që ideologjinë e saj e udhëheq logjika paranojake e letrave nga burgu.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.