Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Mbi qeniet e lira

*****

Dikur e një kohë e dashura ime ishte suedeze. Por ajo që dua të them kësaj here nuk ka lidhje me të. Është fjala për diçka tjetër. Për diçka që duket se shqetëson arsyen tonë të përbashkët. Mundësia për të lëvizur lirshëm dhe për të mos qenë pengje të trishtuara gjeografike. Viktima të pastërta të politikave që vijnë nga të zgjedhurit tanë të pandershem dhe jokorrekt. Nga të zgjedhurit tanë që rehatohen në kolltuqet e buta të aeroplanëve, kur të ju teket. Duke qenë një qenie e paaftë administrative gjithmonë në mua i kam lënë vend ndjenjës së përtacisë ndaj proceseve të shumta burokratike. Pavetëdijshëm kam krijuar ndjenjën e refuzimit për vendet tjera. Dhe idenë se nuk e kam fare të nevojshme, për të dalur jashtë kësaj vrime. Ku kam dashuritë. Vuajtjet. Të kaluarën. Të ardhmen qesharake. Ëndrrat e deformuara apo veten time si një pulë pa kokë. Pra nuk e kam të nevojshme për të dalur nga ky vend, që nuk më bën fare krenar. Ama bash hic. Duket se identiteti ka gjasë të jetë njëfarë lloj ndëshkimi. Prandaj kurrë nuk më shkuar për dore të kem në vete ndjenjën e thellë të përkatësisë ndaj konstrukteve të tilla. Duket se identiteti është një pako e padëshirueshme në dhomën e fjetjes. Si një dhuratë fundviti. Nën mëshirën e vullnetit tonë për ta hapur apo jo.

*****

Mbaj mend se ish e dashura ime suedeze nuk mund ta merrte me mend, se do të duhej të prisje katër orë të tëra për të aplikuar për një dokument të nevojshëm udhëtimi. As që dua ta quaj vizë ngase kur e quaj kështu sec ndjenjë një lloj tingulli të një ideologjie fashiste. Prandaj në shenjë mosbesimi ndaj meje (Ishte hera e parë që nuk më besonte) ajo deshi të vinte me mua. Po ta shohim hollë. Na ka shkuar për dore që gjithmonë të jemi në mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve. Pa dashur të bëhem ironik. Më kujtohej se dukej e tronditur dhe fliste me nënat e mërzitura e të shtyra në moshë, që sigurisht donin të vizitonin të afërmit e tyre. Me pleq të nënshtruar para pyetjeve idiote që vinin nga ana e pasme e një xhami gati të blinduar. Me burra që kishin hedhur në koshin e plehërave kostumin e tyre të dinjitetit. Ndërkohë unë sall rrija dhe prisja.

Duke u ndjerë mirë që kisha të drejtë. Duke u ndjerë mirë që isha i përjashtuar. Duke u ndjerë mirë që nuk isha pjesë e një bote normale. Duke pritur në mënyrë që të përgjigjesha në pyetje të tilla si a e kisha ndërmend të martohesha me të. Kur e kisha njohur. Nga e kisha njohur. Kush ishte bërë shkaktar i njohjes sonë. Çfarë dite kishte qenë dita e njohjes. Cili dreq kishte qeverisur në atë ditë te njohjes sonë. A do të rrija përgjithmonë. A do të kthehesha. Ku do ta theja qafen derisa i neveritur nga gjithcka që më plasej në fytyrë ndjeva një dëshirë të papërmbajtshme për të cuar gjithcka në rrotë të samës. Madje edhe atë që rrinte jashtë me duar të lidhura e me një lloj qëndrimi autoritar, duke vështruar dise qenie të mjera me dëshira të përcudshme. E me duar të thara nga gjaku i kohërave të mëhershme. Në fund të fundit. Turpi nuk ka të bëjë asgjë me nacionalizmin. Nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë. Nuk ka asnjë lidhje me kombet. E as me religjionin. Turpi fund e krye ka të bëjë me ne dhe me të vërtetën e asaj se kush jemi. Zemrat që nuk rrahin politikisht gjithmonë kanë pasur barrën e pashlyeshme të cmimit. Dhe janë duke e paguar ende.

*****

Duke e parë veten në mes të atyre që më përfaqësojnë dhe në mes atyre që më shohin si të përfaqësuar, unë heq dorë nga të qenit njeri i lirë. Thjeshtë liria nuk më intereson. Dhe nuk dua të shkoj askund. Sall dua të rri këtu ku rron i biri dreqit. Ngase nuk jam këtu për të ja dhënë të drejtën njërës anë dhe të padrejtën anës tjetër. Nuk jam këtu për të qenë njësi llogaritëse e asnjërës palë. Kjo do të ishte fyese. Jam këtu padashje. Për aq sa nuk jam dikund tjetër poashtu padashje. Kjo nuk është kohë kur duhet të mendosh për veten. Kjo është koha e shpirtit të vdekur.

_____________
Foto: Driton Selmani – Tell me where am I from?

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.