Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Ankthi i çuditshëm nga sondazhet

Këto ditë, Lëvizja Vetëvendosje botoi rezultatet e një sondazhi të realizuar nga një firmë private, e cila tregonte rezultate të pafavorshme për partinë e kryeministrit aktual. Sipas sondazhit në fjalë, LDK kishte dalë e treta për nga mbështetja popullore. Ky rezultat dukshëm irritoi krerët e kësaj partie, që nxorën një komunikatë përplot sulme ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kompanisë që ka realizuar sondazhin.

Se publikimi i rezultateve të një sondazhi mund të provokojë kësi reagimi nga partia në pushtet, mbetet një nga enigmat e çuditshme të politikës kosovare. Reagimi i LDK-së nuk është jashtë normës, e nuk është as porositja e sondazhit nga Lëvizja Vetëvendosje. Dihet se sondazhet private në Kosovë porositen rregullisht nga partitë politike, misionet diplomatike dhe ndërkombëtare, OJQ-të, dhe organizata të tjera. Nuk dihet, por do të ishte mirë të studiohej, qarkullimi vjetor që bëhet në Kosovë për sondazhet e ndryshme që realizohen, disa rregullisht, disa sipas momentit dhe nevojës (p.sh., në prag të zgjedhjeve). Disa sondazhe të rregullta janë të mirënjohura, siç është ai i realizuar periodikisht nga UNDP dhe i cili bëhet që nga viti 2004. Përveç UBO Consulting (të kontraktuar nga Lëvizja Vetëvendosje), firma si Index Kosova ofrojnë shërbime të ngjashme, ndërsa edhe sektori i OJQ-ve gjithashtu realizon sondazhe. Me një fjalë, në Kosovë ekziston tash e sa vite një sektor pak a shumë i specializuar i matjes së opinionit publik.

Paradoksi i kësaj është se sa pak nga rezultatet e këtyre sondazheve, sidomos ato për mbështetjen që gëzojnë partitë politike, liderët politikë dhe për çështje të ndjeshme politike, bëhen publike. Në shumicën e rasteve, rezultatet e sondazheve mbetën për përdorim intern, për të cilat përflitet nëpër kuloaret politike të Prishtinës, por rezultatet (dhe metodologjia dhe aparatura tjetër teknike) mbetet e panjohur për publikun e gjerë. Në rastin e fundit, publikimi i rezultateve të sondazhit nga Lëvizja Vetëvendosje cenoi këtë normë tashmë të etabluar të politikës kosovare, çka duhet të ketë provokuar reagimin e pezmatuar të kreut të LDK-së (natyrisht, në kontekstin e animoziteteve të shtuara midis LVV dhe LDK qysh prej formimit të qeverisë së Isa Mustafës).

Ky lloj ankthi nga sondazhet mbetët një faktor pothuajse i pashpjegueshëm. Nuk është hera e parë që ndodh kjo – para shpalljes së pavarësisë, PDK dhe kreu i saj i atëhershëm, Hashim Thaçi, kishte reaguar njësoj kundër një sondazhi që nuk e kishte nxjerr PDK-në mirë. Sondazhi i rregullt i UNDP-së nuk boton të dhëna mbi përkrahjen që kanë partitë politike, ndonëse boton të dhëna mbi popullaritetin e institucioneve të veçanta si kryeministrisë, presidencës, EULEX-it, e policisë. Në një rast para shumë vitesh, isha ftuar të marrë pjesë në interpretimin e të dhënave në një nga sondazhet e UNDP-së. Për këtë qëllim, më ishin dhënë në shqyrtim rezultatet e papërpunuara të sondazhit. Çuditërisht, rezultatet në pyetjen se cilën parti e përkrah i anketuari, ishin shlyer.

Kjo na thotë se në pyetje nuk janë vetëm çështje komerciale, se organizatat nuk publikojnë rezultate të sondazheve sepse ato i kanë porositur dhe paguar vetë, dhe si të tilla i konsiderojnë informacione private. Fakti se edhe OJQ dhe organizata ndërkombëtare ngurrojnë ose kanë frikë nga publikimi i të dhënave të sondazheve që tregojnë se si qëndrojnë partitë politike dhe liderët politik tregon se fjala është në radhë të parë për një presion politik, që të mos anketohen qytetarët për përkrahjen që ia japin partive, e që kur ato bëhen privatisht, rezultatet të mos shpërndahen për publikun e gjerë.

Çfarë interesi i shtyn partitë që të heshtin dhe fshehin rezultatet e sondazheve? Natyrisht, nga një perspektivë amerikane (meqë banoj dhe SHBA dhe aktualisht jemi në vlugun e garës presidenciale), fshehja e rezultateve të sondazheve është plotësisht e pakuptueshme. Në rastin e garës presidenciale, sondazhe publike mbi mbështetjen që gëzon njëri ose tjetri kandidat ndodhin çdo javë, për të mos thënë përditë. Edhe partitë dhe kandidatët amerikanë kontraktojnë firma dhe konsulentë për sondazhet e tyre (që nuk kanë të bëjnë vetëm me përkrahjen, por edhe me studimin e profileve të votuesve për qëllime strategjike elektorale), por publikimi gati i përditshëm i sondazheve është pjesë normale e politikës amerikane. Në fakt, mund të thuhet se në SHBA, politika është e “tej-sondazhuar”, në kuptimin që çdo platformë dhe çdo vendim paraprihet nga matja e opinionit publik, që heq substancën nga debati politik dhe e redukton atë në nivel të “opinioneve” personale. Por kjo është një çështje tjetër. Në Kosovë, frika nga sondazhet tejkalon atë që konsiderohet normale në shumicën e demokracive.

Një nga problemet e sondazheve është se ato nuk janë vetëm matëse neutrale të opinionit, por mund të shndërrohen në faktor të formimit të vetë perceptimeve që kanë qytetarët mbi njërën ose tjetër parti, njërën ose tjetrën çështje. Publikimi i rezultateve të sondazheve mund të përdoret jo vetëm si pasqyrë e distribuimit të “opinioneve” në një shoqëri, por edhe si mjet që ndikon në formësimin e atyre opinioneve. Kjo ndodh edhe nëse vetë realizimi i sondazhit bëhet me standarde të larta teknike e shkencore. Është e qartë se kjo është një nga faktorët që frikëson partitë politike në Kosovë nga sondazhet publike, sepse e dinë se perceptimi se një parti është në rënie (ose në ngritje) mund të shërbejë si momentum për përshpejtimin e atij procesi.

Votues që nuk janë militantë ose, në rastin e Kosovës, pjesë e ndonjë rrjeti klientelist, mund ta kthejnë mbështetjen drejt partisë tjetër si pasojë e asaj që e shohin në një sondazh (koncepti i maksimalizimit të votës, siç quhet në teorinë e zgjedhjes racionale [rational choice theory], bën që votuesi ta drejtojë votën drejt partisë që ai beson se ka më së shumti gjasa të fitojë, ose të mos ia japë atë një partie që beson se e ka të garantuar humbjen). Dhe kjo ndodhë sidomos në kontekste si Kosova, ku sondazhet (publike) janë të rralla dhe një rezultat mund të ketë efekt të gjerë e të gjatë.

Paradoksalisht, angazhimi i partive për të fshehur rezultatet e sondazheve vetëm sa i bën sondazhet më të rrezikshme si “armë” politike. Kjo ndodh edhe nga përpjekjet, siç e pamë edhe në rastin e reagimit të LDK-së, për të diskredituar firmën që e ka realizuar sondazhin, pa ditur asgjë rreth madhësisë së mostrës, metodologjisë së përdorur etj. Me një fjalë, kjo ngrit dyshime në vetë procesin e anketimit që e bën një sondazh, duke konsideruar se çdo sondazh është qëllimisht i manipuluar për ta nxjerrë në epërsi porositësin. Natyrisht, nga një pikëpamje e thjeshtë strategjike, një sondazh i rremë do të ishte i dëmshëm për vetë porositësin, sepse kjo potencialisht do ta bënte atë që vetë të mbivlerësojë mbështetjen që e ka, me pasoja elektorale për vetë atë.

Kjo situatë e politizimit të sondazheve është faj i vet partive. Edhe nga aspekti i thjeshtë teknik, dihet se rezultatet e një sondazhi mund të ndryshojnë njëri nga tjetri, për shkak të metodologjisë dhe, thjesht, rregullave të probabilitetit që vendosin kufij mbi saktësinë e një ankete me qytetarë.

Idealisht, në Kosovë do të kishim sondazhe që bëhen më shpesh, me rezultate që bëhen publike rregullisht. Kjo do të ndihmonte si në rritjen e transparencës dhe kredibilitetit të sondazheve, por edhe do të shërbente për formimin e një pasqyre më të saktë e të përgjithshme e opinionit publik i cili, për të mirë e për të keq, mbetet përcaktues në një demokraci.

 

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.