Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

A me u deshë a mos me u deshë… kjo asht pyetja?

Nji asht e sigurt, s’mundemi me pasë debat të shëndoshë rreth seksualitetit të grues, për pa u deshë ndokush edhe nëse në këtë mënyrë “e përdorim” ose/dhe/apo i përgjigjemi kërkesës së tregut kapitalist, ku imazhi i bukurisë së nji trupi femnor lakuriq ka dimensione të paracaktueme dhe qëllime kryesisht joshëse. Diçka që në vende perëndimore po sfidohet vazhdimisht kohëve të fundit, përmes debatit edhe shkencor në lidhje sidomos me çrregullimet e shumta kryesisht tek të rinjtë.  Këto çrregullime shpesh janë të ndërlidhuna me presionin që po shkakton ideja e imazhit trupor “perfekt, pa rrudha, pa tula dhe pa njolla” që industria e modës po e promovon pa ndonji përgjegjësi ndaj shoqnisë.

Mirëpo, objektivizmi i trupit të grues nuk asht prodhim i kapitalizmit, ndër të tjera, sepse edhe në shoqni jokapitaliste grueja asht objektivizue. Nëse jo trupi i saj lakuriq, atëherë trupi i saj i mbuluem mirë, ose aftësia e saj me mirëmbajtë rendin shtëpiak, pastërtinë, gatimin etj.,  tue ushqye kështu nji imazh që definon moralin e saj në bazë të gjatësisë së fustanit dhe paracakton rolin e saj “të denjë” në shoqni tue u bazue në nji kod morali që burrit ia rezervon të drejtën me ia kallxue grues vendin, pikërisht atë vend “ku pas çdo burri të suksesshëm fshihet nji grue e aftë”. Haha! Normal, kur burri mbas buke as pjatën e vet s’ka nevojë me e largue prej tavolinës, as mos të flasim për me e la. Por, kjo s’asht diçka për me u krenue si grue. Sepse, mbas çdo grueje të suksesshme, nuk fshihet nji burrë i aftë, por nji grue nëse jo e vetmueme, atëherë me nerva të forta me i përballue edhe fëmijët, edhe burrin, edhe punët e shpisë, edhe karrierën në të njejtën kohë.

Në disa kultura seksualizmi i grues shihet në rolin e saj me i kënaqë dëshirat seksuale të mashkullit, e në kultura tjera seksualizimi i trupit të saj asht tabu dhe ka funksion veç riprodhimin. Grues i mohohet si e drejtë me e shprehë edhe në shtratin bashkëshortor seksualitetin e saj, e ekzistenca e saj si njeri definohet në rolin e saj veç me e shtue botën; në rolin e grues asaj i kërkohet si shtëpiake e zoja jo veç me e mbajtë shtëpinë pastër, por me mbërri edhe me i edukue fëmijët qysh asht ma së miri; me i gatue burrit edhe mos me u lodhë kurrë; e nëse mbas krejt kësaj arrin edhe me u dukë bukur e me buzëqesh, perfekt. Por, në anën tjetër edhe kapitalizmi ka ditë me promovue imazhe të tilla të grave krejtësisht të kundërta me ato të modës së sotme; gra “joseksi” pra të “ndershme”, të mbulueme qysh “i ka hije” nderit të burrit, të cilit i takon ajo grue.

Në ditë të sotme shumë ma tragjike më duken reklamat e detergjenteve dhe pampersave me gratë në rolin kryesor, sesa gjinjtë e bukur të Ritës në nji revistë (ose lakuriqësia e grave në përgjithësi në revista “mode”, përderisa kanë zgjedhë vetë ashtu). Në rastin konkret të fotografive nudo të Ritës, aspekti artistik i fotografive të cilit sipas mendimit tim i mungon shija e hollë që këto fotografi me i shndrrue në art, asht pak dëshpërim. Po nejse, sa i përket artit unë shoh veç me sytë e mi.

Mediokriteti me të cilin disa gra që pozojnë edhe vetë nëpër revista mode e bajnë miliona në këtë industri, tashti kritikojnë gra tjera që vendosin me e “pronësue seksualitetin” njejtë përderisa vetë janë ikona të industrive të modës që nuk të len as me u plakë, pardon, por ky mediokritet nuk asht i pranueshëm. As për hatër të feminizmit. Thjesht, s’kena nevojë as me kërkue justifikim por as me u arsyetue. Në rregull asht me u deshë edhe pa ndoj qëllim “madhor”, thjesht për komercializëm. Idenë e deshjes si vetësakrificë për nji qëllim në mbrojtje të nji kauze ma të madhe se vetja, e konsideroj absurde. Mbi të gjitha, sepse vlen si temë vetëm kur deshët nji grue. David Beckham mundet me u deshë veç për nji palë brekë, Madonës po iu dashka nji arsye ma e madhe. Allahile? E qe, nuk po due me sakrifikue si grue, as tue u deshë, po due me u deshë pa pasë nevojë me u ba heroinë. A ban? Nuk ekziston nji kauzë, për të cilën nuk mundet me u tërheqë vëmendja edhe pa u deshë. Asht çashtje e kreativitetit, sensitiviteti dhe e audiencës që synohet etj. Sidoqoftë, sa i përket ndikimit psikologjik, rregullat e njejta vlejnë. Nëse deshësh ke me tërheqë relativisht ma shpejt vëmendje, dhe a je tue “shitë” vetëdijësim për kancerin e gjinit apo je tue “shitë” sapunin ma të ri të filan firmës, pak ka randësi. Sepse, në botë ka njerëz që interesohen dhe për njenën dhe për tjetrën. Në botën ka njerëz që përfitojnë edhe prej njenës edhe prej tjetrës. Në botë ka njerëz që s’ua ndien as për njenën as për tjetrën. Në botë ka njerëz.

Asht fakt, që ka shumë ma pak gra që deshën kur ato nuk plotësojnë normat e nji trupi të bukur sipas definiconeve të industrisë së modës. Që komplekse të tilla janë ushqye prej industrisë së modës tue e shtrembënue imazhin e bukurisë asht fakt, por kjo nuk don me thanë që nuk don guxim me u deshë, kur e ke trupin e bukur sipas këtij definicioni, sepse para imazhit të nji trupi të bukur që asht ndikue prej industrisë së modës, asht ideja e moralit që vlerëson mbi lakuriqësinë e njeriut arbitrarisht tue e nda botën në të ndershëm, dhe të pandershëm, të moralshëm dhe të pamoralshëm. Paramendojeni, hiç pa e njoftë njeriun, thjesht tue u bazue në konstrukte shpeshherë të indoktrinueme prej feve që kanë recepte mijëravjeçare mbi çka asht edukatë e mirë, e çka asht edukatë e keqe, çka asht vlerë e çka asht antivlerë; kush asht kurvë e kush asht çikë e mirë; ne vlerësojmë njeriun dhe në vlerësimin tonë për të, njeriun e shndërrojmë në vegël, sepse nën vetëdije nji kod i moralit na thotë që kur duhesh me ba diçka kaq “jo të moralshme” sikur me u deshë, le të jetë bile për diçka shumë ma të madhe se për qejf tandin. Pra pyetja asht: A me u deshë a mos me u deshë për pikë të qejfit?

Nëse je çikë e mirë, aman mos u desh, se jena mësue veç çikat e “këqija” me u deshë dhe për to e dimë çka me mendue, e për ty s’dimë, veç na trullon botën që brenda kokës sonë sillet si sahat i kurdisun me mjeshtri zvicerane. Gratë që deshën para kamerave për veten apo për botën; i fryjnë buzët kur të bajnë selfie; i mbajnë thonjtë e gjata dhe kujdesen për flokët si me qenë fije ari e jo lesh; kanë guxim me e ba aty këtu ndoj foto në ambienti kur të tjerët shkojnë me krye nevojën; supozohet që nuk munden me qenë nana të mira dhe besohet që nuk munden me qenë të dituna, të zojat e të mençme. Ndoshta me u deshë për revista modeste asht nji lloj objektivizmi i grues, por kurrgja nuk e redukton njeriun (pra as gruen, se jemi pajtue që edhe ajo asht njeri) në objekt ma shumë se vlerësimi i tjetrit mbi mençuninë e aftësinë e tij si qenie, tue u bazue në zgjedhjet që ban ajo sa i përket veshjes, deshjes, modës, ngjyrës së thonjve, gjatësisë së tyne etj.

Unë mendoj që gratë duhet me vazhdue me u deshë sa herë të kenë qejf, pse jo? E për me folë për seksualitetin e grues, sipas mendimit tim, nuk asht deshja e nji trupi grueje sa kërkesa e saj si grue për deshjen e burrave në revista mode që ka me i dhanë peshë asaj çka konsiderojmë qasje të shëndoshë me seksualitetin. Kur gratë fillojnë mos iu ardhë marre me “u manipulue prej industrive të ndryshme” drejt nevojës për konsumim të nji produkti përmes reklamave me trupa seksi mashkullor, e kur na fillojmë me i mësue çikat tona që në rregull asht nëse nji trup mashkulli të duket ma i bukur se tjetri e të tërheq seksualisht ma shumë se nji tjetër, thjesht veç si trup; e në rregull asht nëse në nji fotografi të editueme ku muskujt e nji mashkulli shkëlqejnë nën perëndimin e diellit e vaji me të cilin ia kanë lye lëkurën të duket si djersë e nji njeriu që ka punue tanë ditën, të ban m’e andrrue vetën në krahë të tij edhe kur s’e ke idenë se çfarë hamam produkti po reklamohet aty; asht në rregull edhe s’ke nevojë m’e fshehë këtë ndjesi,  sepse ti je qenie seksuale e cila ka nevojë me u joshë, e jo veç me shërbye si joshje.  Bota funksionon me joshje, seksualisht ose jo, gjithçka gatuhet për me na ba me na pëlqye diçka ma shumë se diçka tjetër. Mbi teori të njejta marketingu sot shiten kerret; politikanët; veshmbathja; librat; buka; idetë e ndryshme. Nën kore, këto teori ushqehen prej asaj që njeriu nuk e din çdo herë çka don dhe që ai mundet me u manipule drejt asaj që ai me dashtë çka dikush ka nevojë me i shitë tue krijue mes produktit dhe njeriut nji lidhje emocionale ose tue u mundue me e bindë që ai asht ma i mençëm nëse e blen këtë e jo atë.

Kapitalizëm ose jo, unë mendoj që kurrgja nuk duhet me qenë mbi të drejtën e njeriut të rritun me vendosë për vete a me u deshë a mos me u deshë, për kë e qysh. Sepse joshja seksuale nuk asht shpikje e kapitalizmit apo e strategjive të marketingut që i shërbejnë këtij kapitalizmi. Asht natyrë e kopjueme: edhe kafshë tjera ndryshojnë përmasat trupore, fryhen, zgjaten etj.,  për me imponue gjininë e kundërt, komplet me qëllime seksuale, që natyrisht kufizohen në riprodhim e jo në shitjen e nji produkti përmes asociimit të produktit me seksualitetin, por ama i nënshtrohen presionit të konkurrencës ngjashëm sikur tregu i lirë. Strategjitë e marketingut modern thjesht kanë kopjue natyrën dhe ia kanë përshtatë nevojave të veta kapitaliste, ku qëllimi kryesor asht shitja. Marlboro man, asht nji shembull i mirë i “objektivizmit” të burrit. Para se me u ba Marlboro man, na ishte “Mild as may”. Reklamat tregonin gra elegante tue pi duhan. Ma vonë tregonin burra të fortë, të pashëm, muskulozë. Objektivizëm sa të duesh. Kur industria e tabakos kuptoi që me i fotografue do gra tue pi Marlboro kish me kontribue në rritjen e shitjes së produktit të tyne (thuej se për 50%), ata burrat në krye të kësaj industrie pavarësisht sa patriarkalë mund të kenë qenë, nuk ngurruen me e ba nji gja të tillë. Dhe gratë që kishin nevojë për barazi, në nji shoqni ku pirja e duhani konsiderohej privilegj komplet burrnor, nuk ngurruen me u imponue prej kësaj ideje dhe e kapën mundësinë me u emancipue tue u barazue bile në diçka me burrat, që ma vonë rezultoi që ma shumë se në të drejtën e tyne me qenë të “forta” sa burrat u barazuen në vuejtjen e tyne me pasë kancerin po aq sa ata, por për perceptimet e nji shoqnie në kontekstin e kohës kjo nuk pat randësi, sepse përballë kancerit ku me injorancë dy gjinitë ishin të barabarta, liria me ba zgjedhje vetë për gratë ishte ma e randësishme se shansa mos me dekë. Kjo liri edhe sot asht po aq e randësishme.

Mendoj që para se me i gjykue motivet e deshjes të dikujt, ia vlen me folë për motivet e kritikave, sidomos në kulturën tonë, ku nji burrë nuk e ka problem me u krenue para shokëve që sot, dje a pardje kurdo qoftë, ai e pat rastin me qenë bashkë në shtrat me Filanën, të cilën natyrisht nuk ka me e marrë për grue. Ato që merren për gra, nuk shpërndahen si temë në tryezën e testosteronit. Këta burra po edukohen kështu. Ndërsa, grueja asht edukue që ajo duhet me u bazue tek “mençunia” kur e vlerëson nji burrë. Që ajo kur flen me nji burrë, me të cilin nuk asht e martueme dhe nuk e ka ndërmend me u martue (pra, kur gabon) ajo duhet me shuejtë. Asht e papranueshme që nji grue me e dashtë nji burrë thjesht për qëllime seksuale, nji burrë që nuk i vyen me qenë i mençëm a “i zoti” por joshës fizikisht. Ajo mundet me e dashtë, por jo me e shprehë publikisht. Ajo mundet me e dashtë, por fshehtas ose veç “përmes hajgares”, ajo mundet me e dashtë, por nuk i servohet.

Në rregull asht me u deshë për pikë të qejfit, le të mbetet zgjidhje dhe ndërmarrje e individit, e jo çashtje e krejt gjinisë me e gjykue. Mos të harrojmë që jemi nji vend ku djemtë adoleshentë bajnë pyetje të tilla si: “A jam normal nëse masturboj?”; “A kam me shkue në ferr nëse masturboj?” dhe në mesin e tyne, çikat lexojnë në heshtje përgjigjet që u jepen djemve, tue u mundue me mësue ndoj send për vete, pa u vrejtë që janë aty, brenda vetes me të njejtën dëshirë të natyrshme me masturbue gjithashtu.  “Në ferr ke me shkue nëse nuk masturbon” kam dashtë shpeshherë me u thanë këtyne të rinjve, por jam përmbajtë, dhe u kam dhanë nji përgjigje “ma profesionale”. Shumë shpejt ky adoleshent ka me e kuptue që edhe shokët e tij njejtë masturbojnë si ai, e kanë me folë shumë shpejt shlirë mes vete për këtë “copë” atë “copë”, në dallim prej vajzave që edhe kur e bajnë nji pyetje të tillë, zakonisht fillojnë kështu: “e kam nji shoqe, që ….”.

Rita Ora u desh dhe pastaj pat plot alarme morale “kuku, qysh, tek, pse, kjo kesh a’ çikë e mirë”? Rita me trupin e saj, asht po aq reale sa asht reale nji trup i tjetërkujt që nënçmohet e përbuzet nëpër rrjete sociale, sepse i ka do tula ma shumë se “ç’duhet”, diçka për çka Rita nuk ka faj, por Rita as nuk ka ma shumë përgjegjësi për me ba këtë çashtje të sajën në çdo ndërmarrje që ajo ia mësyen për me promovue veten në tregun e muzikës, pavarësisht vëmendjes publike që ka dhe influencës që mundet me e pasë për shkak të kësaj. Ajo ekziston edhe si njeri me të drejtën e saj me promovue veten si artiste, qysh ajo don. Nuk na vyen ma pak Rita që deshen, as ma shumë Rita që deshën, por ma pak kritika morale e ma shumë tolerancë për të drejtën e njeriut me ba zgjedhjen e vet, për me mbërri nji ditë aty ku trupi i nji grueje dhe i nji burri të bukur në natyrën e vet, deshet edhe i hollë edhe i plotë, edhe në krejt format e mundshme e në shoqni imazhet eventualisht debatohen në kontekst të ndryshëm, por jo në përgjithësi të deshjes si fenomen dhe debatet nuk reduktohen në mundësinë me e pranue si arsye mjaft të mirë veç nji qëllim “madhor” por e pranojnë si normale edhe deshjen për qëllime komerciale edhe për pikën e qejfit, ndër të gjitha sepse vlen për dy gjinitë njësoj. Asht në të njejtën çashtje me e kritikue absurditetin dhe hipokrizinë e nji reklame, ku Paris Hilton gjysmë e zhveshun me trupin e saj absolutisht seksi e me lëvizje erotike han nji hamburger me aq epsh, sa ti ban be se ajo e don aq shumë atë hamburger saqë nuk han kurrë ndoj send tjetër. Por asht e randësishme me ba dallimin që hipokrizia nuk qëllon te deshja e Paris Hilton, por te imazhi që përcillet me nji reklamë që don me i bindë njerëzit që mundesh me u dukë si Paris Hilton nëse han hamburger me nji oreks të tillë.

Në përgjithësi, njerëzit duhet me qenë të lirë edhe me u deshë, por edhe me shijue deshjen e ndokujt tjetër, e mos me ndje turp nëse iu pëlqen nji trup me tula; ose mos me u paragjykue si mutant të industrisë së modës, kur pëlqejnë ma shumë pikërisht ata trupat e hollë e me vija si të “peshkut”.  Liria asht tema ma e randësishme këtu, sipas mendimit tim, e jo liria veç me qenë qysh të duesh, − por edhe tue qenë qysh don që je, − me pasë të drejtë me u shprehë qysh të duesh, pa u paragjykue që nëse qëllimi yt nuk i shërben nji ideje ma të madhe se vetja, nuk asht qëllim mjaft i mirë për me “shkue aq larg” sa me u deshë. Liria e individit; do sende me i ba përfund për pikë të qejfit të vetes ish dashtë me qenë e pranueshme, e deshja e nji grueje, po ashtu, që nuk e ban këtë si e detyrueme apo dhunshëm, por për kënaqësi dhe me dëshirë, veçanërisht. Mbi të gjitha, sepse burrat po munden me u deshë kur të dojnë, për arsye e qëllime krejtësisht të vogla sikur p. sh. “pika e zhegut” e kurrkush nuk po e ban t’madhe.

E me u deshë fundi i fundit publikisht, nuk asht “me shkue larg”, por ndoshta “me u afrue ma afër”.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.