Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Fundi i shqiptarit të dehumanizuar?

Fundjavën e kaluar isha për vizitë në Blagoevgrad, qytetin në të cilin bashkë me shumë shqiptarë të tjerë gjatë viteve 2002-2006 studiova në Universitetin Amerikan në Bullgari (AUBG).

Si komunitet shqiptarësh, që asokohe numëronte mbi tetëdhjetë studentë nga Shqipëria dhe Kosova, jemi pritur shumë mirë në këtë mjedis, si në Universitet ashtu edhe në qytet. Por duke qenë komuniteti numerikisht më i madh jo-bullgar në Universitet, edhe kemi lënë shumë gjurmë. Jo vetëm në rrafshin akademik, por edhe ne jetën sociale e kulturore.

Kemi ndërtuar miqësi me njerëz prej gjithë Europës lindore, të cilët kurrë nuk kanë njohur e ndoshta nuk do te njihnin shqiptarë po të mos ishin pjesë e Universitetit, e të cilët edhe do të binin pre e paragjykimeve dominuese për shqiptarët në shoqëritë e tyre, paragjykime këto zakonisht negative.

Të njëjtin rol “mini ambasadorllëku” ndaj vendit besoj se e kanë luajtur dhe vazhdojnë ta luajnë edhe mijëra studentë të tjerë shqiptarë anekënd botës, prej SHBA-ve e deri në Indonezi e Australi.

Për një komb të vogël si ky yni, ky lloj i komunikimit kulturor në nivelin mikrosocializues me bashkëmoshatarë dhe profesionistë të vendeve të tjera, është qenësor për ndërtimin e imazhit të vendit dhe krijimin e kontakteve që mund të prodhojnë ndikim politik dhe ekonomik.

Në fakt, një prej shkaqeve kryesore të izolimit dhe dobësimit politik të shqiptarëve shekullin e shkuar ishte pikërisht mungesa e këtyre lloj kontakteve me elitat politike, kulturore dhe ekonomike të vendeve perëndimore në kohen kur ato ishin në zenit të hegjemonisë së tyre botërore.

Me përjashtim të ndonjë figure nga pjesa e parë e shekullit – si psh. Faik Konica, Fan Noli apo Eqrem Bej Vlora – që ishin të shkolluar mirë dhe intelektualisht të barabartë me elitat e vendeve perëndimore (por që injoroheshin në mesin tonë), si shqiptarë nuk kishim njerëz që mund të mbronin kauzën tonë denjësisht në sallonet ku ndërtohej opinioni i elitave dhe ku merreshin vendimet. Në këto nivele, shqiptarët njiheshin fare pak, ose njiheshin nga prizmi i propagandës së fqinjëve.

Ndërsa sot, përveç rritjes së komunikimeve në nivelin mikrosocial përmes studentëve dhe emigrantëve, me gjasë kemi hyrë edhe në epokën e komunikimit kulturor dhe ndërtimit të imazhit në nivelin makrosocial.

Më konkretisht, e kam fjalën për fillimin e shpërthimit të shqiptarëve, kryesisht atyre të Kosovës, në skenën rajonale dhe botërore të pop kulturës dhe sportit – e që në epokën e medias masive janë dy prej forcave kryesore në formësimin e opinionit publik dhe imazhit.

Kush mund të mendojë sot për Argjentinën pa iu kujtuar Lionel Mesi, apo për Barbadosin  pa iu kujtuar Rihanna? Kush mund ta zhvesh emocionalisht perceptimin për shtetin nga pëlqimi për figurat në fjalë?

Në këtë drejtim, ajo që me la përshtypje të jashtëzakonshme gjatë vizitës në Blagoevgrad – e që dallonte shumë prej kohës së studimeve, kur e vetmja gjë shqiptare ishim ne studentët, ishte fakti se kudo që sillesha – në restorante, në burektore dhe në dyqane – nga altoparlantët dëgjoja Era Istrefin me Bon Bon, ndërkohë që natën në klube dëgjoje këngët e fundit nga Rita Ora dhe Dua Lipa. Madje dikush më tha se e kish dëgjuar edhe një këngë hip-hop në shqip.

Muajt e fundit më ishte krijuar përshtypja se mediat tona po e zmadhonin pak suksesin ndërkombëtar te Erës dhe Duas. Por ky qytet provincial i Bullgarisë ma dëshmoi te kundërtën.

Përvoja e kësaj fundjave më rikujtoi se përveç izolimit në botë, gjatë shekullit të fundit kemi qenë shumë të izoluar si popull, madje edhe karshi rajonit, në aspektin e komunikimit të asaj që ndodh në hapësirën tonë kulturore.

Kjo kryesisht për shkak të dallimeve gjuhësore dhe paragjykimeve të popujve të rajonit ndaj çdo gjëje shqiptare (dhe anasjelltas).

Te gjithë besoj e keni përjetuar dhe vazhdoni ta përjetoni racizmin dhe përçmimin kur udhëtoni në rajon dhe identifikoheni si shqiptarë.

Bëhet fjalë për atë racizmin që buron nga mosnjohja dhe nga dehumanizimi që i është bërë shqiptarit nga projektet fashiste dhe përqasja e tyre orientaliste – nga projektimi i shqiptarit si “njeri me bisht” apo “kancer otoman” që duhet zhdukur prej këndej.

Megjithatë, këtë fundjavë për herë të parë ndjeva se në këto rrethana të reja të lirisë, globalizimit dhe “masmedias”, shqiptari më në fund ka filluar të rikthehet te brezat e rinj të Ballkanit, i ndryshëm prej imazhit të tij të dehumanizuar nga mosnjohja dhe propagandat fashiste.

Hera e fundit kur shqiptari njihej si figurë e stereotipizuar në vendet e rajonit ishte në periudhën osmane, kryesisht si administrator i perandorisë. Në Bullgari, p.sh., Ismail Qemali, kishte qenë guvernator i qytetit bregdetar të Varnës.

Për shkak të pozicionit të nënshtruar politik dhe barrierave gjuhësore, stereotipi i shqiptarit në ish-Jugosllavi, ishte ai i një furrxhiu, pronari ëmbëltoresh, ushtaraku asocial në kazerma, e aty këtu edhe si futbollist i rrallë (psh. Vokrri) apo aktor (psh. Bekim Fehmiu).

Tash në epokën e Pax Americana shqiptari/ja i lirë po rikthehet në rajon përmes gjuhës së re unifikuese – anglishtes – dhe talentit të tij/saj për zbavitje, duke i bërë bullgarët të kërcejnë e të këndojnë vargje në shqip.

Po rikthehet edhe si sportist pjesëmarrës në kampionat europian. Si artist garues në Oskar dhe në Bienalen e Venedikut. Në nivelin mikro po rikthehet edhe si shkencëtar dhe studiues përmes studentëve e profesorëve nëpër auditorët e botës. Dhe kjo po vazhdon dhe do vazhdoje tutje, deri në ditën (me gjasë akoma të largët) kur të kthehet sërish edhe si administrator, kësaj here si komisioner i BE-së.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.