Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Mbi teatrin

***

Tani ka kaluar koha. Dhe më vjen keq nga kjo gjë. Ngase kujtesa ime ka nisur ta humbasë fortësinë e saj. Por ama meqë para ca ditësh ishte Dita Ndërkombëtare të Teatrit, do të mundohem të zhbirojë mbi të kaluarën në mënyrë që të përballem me trishtimin e kohës. Duhej të isha katërmbëdhjetë vjeçar kur jam ngjitur për të parën herë në skenë (në ballkonin e shkollës fillore kisha dalur moti kohë dhe ajo për mua nuk përbënte ndonjë arritje). Nuk do të thoja që ishte gjëja më e bukur gjatë jetës sime. Asesi. Ishte shumë e thjeshtë. Madje ishte pak e frikshme. Të jesh mbi një shumësi kokash që ngulin sytë në ty dhe të jesh nën vështrimin e tyre kritik gjatë tërë kohës. Duhet të jetë e sikletshme. Të paktën kështu ishte për mua. Gjithmonë kam besuar se njerëzit bëjnë atë që bëjnë në jetërat e tyre, shtyrë nga presioni i ekzistencës. Dhe nga mërzia e vazhdueshme që ju paloset në ballë. Becketti i errët kishte të drejtë, kishte arsye të mendonte se gjithçka brenda jetës sonë është e zbrazët. Ai e pa pritjen si kuptim. Megjithëse kishte kohë që sharra kishte hasur në gozhdë. Qenien njerëzore e pa tragjikisht të pezulluar. Prandaj kisha zgjedhur teatrin krahas vjershës. Si mjet për ta përmbushur veten. Diçka duhej të bëja. Kështu ishte renditja e gjërave. Më vonë do ta kuptoj se herë do të përmbushem nga kjo gjë e herë do ta përbuzë. Kam një bindje të thellë se teatri nuk ndryshon jetëra. Nuk është e vërtetë se arti në përgjithësi. Ndryshon jetëra njerëzish. Kjo është një gënjeshtër e madhe aq sa vetë ne, jemi të mëdhenjë. Diçka tjetër është ajo se çfarë në të vërtetë është. Bota gjendet nën ethet e teatrit të bombave. Nën ethet e teatrit të terrorit. Dhe nën regjinë e centralit bërthamor. Duket se ndër shekuj teatri në veçanti dhe arti në përgjithësi (ta themi prapë këtë) nuk kishin arritur ta përmirësonin rrjedhën e gjërave kudo mbi faqe të dheut. Me të drejtë beatniku i gjallë Lawrence Ferlinghetti, ulërin Fuck art, let’s dance. Duket se ai e kishte kuptuar që arti gjithnjë e më shumë po i shërbente politikës. Dhe rrjedhimisht kishte vendosur maskën e hipokrizisë në fytyrën e shenjtë. Kundër sentimentit të vërtetë njerëzor.

***

Përfundimisht qenia e shkretë njerëzore mbetet shpesh peng i solemniteteve. Për çfarë mund të festojmë në lidhje me teatrin këndejpari kur punët janë përzier dhe janë bërë lesh. Me një teatër në qendër që mezi mbahet gjallë. Me disa teatro tjera private praktikisht të shuara. Nuk është që po kënaqem kur e them këtë. Me teatro në qendrat tjera që janë të sakatuar. Me një varësi totale ndaj politikave qeverisëse dhe interesit. Për më shumë se kaq. Teatri i vërtet duhet ta kapërcejë vetëkënaqësinë. Dhe ta mposht lakminë artistike. Të jetë më i ndershëm sesa djajtë brenda nesh. Dhe më korrekt ndaj së vërtetës.

Teatri i vërtetë duhet të jetë angazhim social. Më në fund. Duhet të jetë mbi çdo ideologji. Dhe t’i shërbejë njëherë e mirë vetëm asaj për çfarë është krijuar, mirëqenies së njeriut. Kudo në botë. Pa njohur asnjë konstrukt shoqëror. Asnjë konstrukt religjioz. Apo kombëtar. Teatri në fund fare nuk është aspak më magjik se konstruktuesi i një ure që lidh dy fshatëra apo dy qytete të ndara. Askush mos të çohet peshë. Natyrshmëria është cilësi e lakmueshme. Dhe teatri është thjeshtë një mjet shprehës në të mirën e përbashkët. Kaq.

***

Po rilexoja një libër të Charles Bukowskit mbi udhëtimin e tij në Evropë. Gjithmonë rikthehem kohë pas kohe tek ai. Për ata që duan ta dinë. Libri quhet ,,Këtë nuk e ka bërë as Shakespeare,, dhe dikund në mes faqesh mund ta lexosh edhe këtë. Artisti e di se nuk i përket pavdekësisë më shumë sesa i përket jetës. Ky pohim i mjafton ndërsa të tjerët le ta kërkojnë ku të duan fatin e tyre. Meqë arritëm të Shakespeare ta përmendim edhe intervistën e tij me Sean Penn. Kur personazhi fantastik i Lumit Mistik e pyet mbi Shakespearen, ai thotë këtë që e ka thënë; Ai është i palexueshëm dhe i mbivlerësuar. Por, njerëzit nuk duan ta dëgjojnë këtë. E kupton, nuk mund t’i sulmosh shenjtërorët. Shakespeare është ngulur nëpër shekuj. Mund të thuash ,,Filan fisteku është aktor i keq,,. Por nuk mund të thuash se Shakespeare është mut. Sa më gjatë që ndonjë gjë gjendet këndejpari, snobët fillojnë t’i ngjiten, si ndalk. Kur snobët ndiejnë se diç është e sigurt… ata të ngjiten. Në çastin që ua thoni të vërtetën, ata harlisen. Nuk mund ta durojnë. Kjo ua sulmon procesin e tyre të të menduarit. Ata më neverisinin*.

*sipas përkthimit të Fadil Bajraj.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.