Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Personae Odibilis

Ne i urrejmë ata, sepse janë ndryshe nga ne…, nuk janë si ne. Ata nuk i përkasin grupit që ne i përkasim, prandaj ata duhet nënshtruar. Siç edhe e dimë, një ndjenjë kaq bizarre gjatë gjithë kohës e ka përcjellë njerëzimin. T’përjashtuarit nga familja, nga shoqëria e nga shteti pothuajse kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë armiku më i besueshëm i yni, dhe kjo besueshmëri kaq e palëkundur ekziston për faktin se ne jemi ata që i kemi krijuar këta armiq. Këta armiq, janë pjesa më e rëndësishme e jetës sonë (sic). Pa ta ne nuk do të ishim këta që jemi: të mirët, të fortët, të pastërtit, të kulturuarit, të moralshmit etj. Armiku nacional, armiku kombëtar, armiku i klasës, armiku i shoqërisë; janë vetëm disa nga armiqtë përmes të cilëve ne jemi bërë të vërejtshëm.

Ekzistenca e tyre neve na bën të rëndësishëm. Pra, siç e vërejmë, i gjithë ky investim në krijimin e tjetrit si armiku ynë i përbashkët e ka një qëllim – dëshirën tonë të papërmbajtshme për pushtet. Sa më shumë armiq, aq më shumë pushtet, sa më shumë moralizim, aq më shumë urrejtje. Mbase në shoqëritë tribale si kjo e jona, morali është një nga format më të mira për të siguruar apo edhe për të mbajtur pushtetin. Prandaj, pothuajse çdo herë kur tjetri është dashur të paraqitet si i rezikshëm për ne, ai është atakuar nëpërmes moralit.

Prishësit e rendit moral në shoqëritë tribale, e me pak kulturë (siç jemi ne), ata janë armiqtë e vërtetë. Ata janë përmbysësit e vlerave tona morale (bile vlerave tradicionale!), prishës të indit social, prandaj duhen luftuar pa rezervë. Mirëpo, cilat na qenkan këto vlera, që duhen ruajtur sikur sytë e ballit dhe për to të këmbngulim kaq fort? Kush është gardiani legal dhe moral për mbrojtjen e tyre?

Ditë më parë u mbajt një ecje (paradë) nga përkrahësit dhe komuniteti LGBTI. Ishin të pakët në numër, sepse shumica jemi kundër tyre. Mirëpo, pse këta njerëz janë kaq të rrezikshëm për ne, kur dihet se ata nuk janë grup militar apo diçka e ngjashme, por janë thjesht, njerëz. Pikërisht problemi fillon për ne kur ata mundohen të na paraqiten si ne, sepse ne nuk i konsiderojmë të tillë, mbase ne i konsiderojmë si shumë të këqinj dhe të rrezikshëm. Dhe krejt kjo për shkakun se ata i përkasin orientimeve dhe identiteteve seksuale të ndryshme nga ne. Ata janë devijimi (sic!). Ata janë atkus të moralit tonë. Pra, një mospranim i tillë i komunitetit LGBTI nga ana jonë e shpërfaq gjendjen tonë të mjerë. Vlera jonë rritet (sidomos ajo morale), duke e luftuar këtë komunitet. Mirëpo, kjo më mënyrë automatike krijon marrëdhënie pushteti (e që ky është qëllimi i fundëm) tek soji ynë. Përmasa e pushtetit tonë matet me përmasën e mospranimit tonë ndaj tyre.

Këtu duhet shtruar edhe një pyetje që është legjitime, e ajo është, jo si na percepton neve Perëndimi, por si e perceptojmë ne atë. Si e mendojmë dhe e projektojmë ne veten tonë karshi Europës? Dhe këtu fillon e merr formë mozaiku, sepse ne Europën (dhe në përgjithësi botën perëndimore) e shohim vetëm si përmbushje të nevojave tona ekzistenciale.

Pra, ne Europën e shohim si mundësi financiare, thjesht si pare. Për ne Europa është e kuptimsueshme vetëm tek mundësia financiare. Mirëpo, Europa është më shumë se kaq, mbase më së paku është kaq. Europa parasëgjithash nga ne duhet të shihet si kulturë, sepse edhe e tillë është. Mirëpo, jo, kultura europiane na prish punë, sepse kultura jonë për kah pastërtia qëndron në një nivel me  pastërtinë hyjnore. Për shoqërinë tonë tribale imoraliteti europian është i papranueshëm, por materialiteti (paratë) i saj na leverdis. Kur ne, duke qenë pjesë e Europës (gjeografikisht), themi se ‘synimi ynë është Europa’, duhet ta kemi pikërisht këtë të qartë: që përveç përfitimeve materiale që na mundëson, duhet që kulturën e saj jo vetëm ta pranojmë, por edhe ta mishërojmë në jetën tonë të përditshme, sepse pa këtë çdo herë do të mbesim para një dere të madhe, që për ta hapur duhet guxim, duhet shpresë, duhet vullnet.

Prandaj, armiku i ynë, i vlerave tona, nuk janë personat LGBTI, nuk janë të tjerët, por jemi ne, është konzervimi ynë. Të tjerët nuk do të na pranojnë nëse ne nuk e pranojmë vetën tonë dhe për ta pranuar vetën tonë do të thotë ta flakim njëherë e përgjithmonë mendësinë se ne jemi të mirë, shpeshherë edhe më të mirët madje (!). Vlera jonë do të matet me hapjen tonë; sa më të hapur që jemi aq më të pranueshëm do të jemi. Prandaj, para se të vendosim për ta përjashtuar dikë, duhet që ta njohim, të komunikojmë…

Thjesht, të flasim.

___________
Foto: Daniel Watson

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.