Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Grafiti si subverzion është shëmbëlltyra e pushteteve

Grafiti si subverzion është shëmbëlltyra e pushteteve

Grafiti nuk është çështje e realizimit teknik në vete sa është mesazh thumbues politik. Artisti i grafiteve – siç është vetë thelbi i artit – nuk e sheh veten brenda konjukturave të rehatisë komerciale apo edhe në vetë koordinatat e një rregullimi shtypës social. Rebelimi i tij është nxitje nga realiteti ndërsa mohimi është thirrje për realitet të ri. Ai del përtej pedanterisë së ekspozitave à la grand për t’u mishëruar me masat e përjashtuara të rrugës, përmes grafiteve në rrugë poashtu. Për dallim prej grafitistëve tjerë, Banksy në shumë vende të botës, njëjtë dhe Tehran Ratz në Iran, janë model i konsistencës së përdorimit të grafiteve si përçues të mesazheve politike. Të dy, përmes krijimtarisë së tyre universale, synojnë shkundjen e rendeve sociale ekzistuese. I pari godet fenomenet shoqërore të prodhuara nga politikat liberale, të dytët luftonin kundër regjimit autoritar të Ahmadinejad-it.

Meqë akti i parë i lirisë ka ardhur dhunshëm si kundërpërgjigjje e një dhune më të madhe – çlirimit nga prangat i duhej goditja e çekanit – grafiti si thirrje për liri vjen si irritim, ofendim dhe përqeshje për klasën shtypëse në pushtet.  Padyshim që partikularitetet nuk luftohen me sojin e vet: seksizmi me seksizëm, racizmi me racizëm, nacionalizmi me nacionalizëm. Atyre u përgjigjet universalja: liri, barazi, drejtësi për të gjithë.

Ahmadinejad-i apo politikbërësit e BE-së nuk mund të ofendohen, përqeshen apo irritohen nga ndërhyrja subverizive e grafitit, për shkak se ekzistenca e tyre politike përbën ofendim (shfrytëzim) dhe përqeshje (pabarazi). Liria e shprehjes (ashtu si e zgjedhjes) nuk është liri derisa liria paracaktohet brenda konditave të shtresëzimit shoqëror. Me lirinë e vërtetë sipas filozofit slloven Slavoj ?i?ek, “nënkuptojmë vrojtimin dhe dyshimin e çdo gjëje që na është servuar nga ideologjia dominuese”. Pra, liria e shprehjes, përqeshja dhe ofendimi duhet të vrojtohen sepse mbahen ngushtë pas tolerancës liberale që më pas kthehen në intolerancë.

Shpërfaqje e këtij fenomeni ideologjik është fshirja e dy grafiteve të realizuara në Prishtinë dhe Pejë. Njëri nga të cilët e paraqet Atifete Jahjagën gjysmë të zhveshur dhe me uniformë policie ndërsa tjetri Hashim Thaçin totalisht të zhveshur. Siç e dimë, ekzistenca politike e tyre karakterizohet me politika shfytëzuese dhe jobarazimtare, thënë figurativisht, me përqeshje dhe ofendime. Sipas përceptimit ideologjik aktual, tolerohet fuqia e tyre prodhuese për ofendime dhe përqeshje, ndërsa intolerohet pafuqia ofenduese dhe përqeshëse e një grafiti thuaja se është i barabartë në politikëbërje. Sa për debatin se a ishte grafiti seksist apo jo, derisa injorohet bazamenti teorik feminist i Simone de Beauvoir, se seksi është epitet shoqëror dhe Atifete Jahjaga trajtohet si grua dhe jo si subjekt me përgjegjësi shoqërore, me fjalët e publicistit Herman Mellville, “nuk do të preferoja”, nuk do të preferoja të hyj në një debat të tillë.

Filozofi francez Gilles Deluze me shumë të drejtë thotë se: “Nuk ka vetëm zgjidhje të sakta apo të gabuara për problemet, por edhe vetë problemet mund të jenë të sakta apo të gabuara”.

Grafiti vjen edhe si traumë. Në 2005 grafisti i njohur Bansky, sa për t’a kthyer në debat publik torturat çnjerëzore të “Guantanamo Bay”, kishte vendosur një instalacion në “Disneyland” ku paraqitej një kukull me veshje burgu, e prangosur dhe me kokën e mbuluar me një thes të zi. Më pas ai kishte realizuar grafite në Londër që personifikonin të burgosurin e këtij burgu. Piccaso gjersa punonte “Guernicen”, ishte pyetur nga ushtarët gjermanë “ ti e ke bërë këtë?”. Ai ishte përgjigjur “ Jo, ju e keni bërë!”. Grafiti si subverzion është shëmbëlltyra e pushtetit. Mesazhi i tij përbën goditje ndaj rendit shoqëror.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.