Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Zana: një film personal për çështje universale

‘Bëhu gati të dështosh me filmin e parë me metrazh të gjatë. Bëj filmin që dëshiron, eksploro kinemanë’ – Agnes Varda, AFI

Tri gra. Njëra kishte vizionin për të treguar një fabul (Antoneta Kastrati). Tjetra kishte mjetet për ta realizuar vizualisht (Sevdije Kastrati). E treta kishte përkushtimin dhe aftësinë për ta ngjallur atë në një mënyrë mjeshtërore në ekranin e madh (Adriana Matoshi). Rezultati: ‘Zana’, një dramë mahnitëse, për traumën e pasluftës dhe për procesin e shërimit të saj, e treguar në një mënyrë të bukur, të thjeshtë, dhe tërheqëse.

Zana është një bashkëpunim i Crossing Bridges Films, On Film Production dhe Alief, me skenar dhe regji nga regjisorja Antoneta Kastrati, për të cilën ky është filmi debutues me metrazh të gjatë. Gjithashtu është filmi i 6-të me metrazh të gjatë i operatores (Director of Photography) Sevdije Kastrati, e cila është gruaja e parë nga Kosova që mban këtë titull profesioni dhe ka fituar çmime për punën e saj brenda dhe jashtë shtetit. Adriana Matoshi luan rolin e një gruaje kosovare, e cila vuan ende efektet shkatërruese të luftës dhe përpiqet të gjejë paqe aty ku mbizotëron vetëm tmerri. Filmi ishte seleksionuar për kategorinë e Filmit më të Mirë të Huaj në edicionin e  92-të të Akademisë, dhe mban një vlerësim 9.1/10 në IMDB! Të drejtat e filmit i ka blerë kompania Synergetic Distribution për ta shfaqur në audiencat e Amerikës të Veriut, gjë që konfirmon se ka një masë të madhe publiku që janë të interesuar për dramat që vijnë nga vende të huaj.

Filmi është një tregim prekës dhe drithërues; është historia e një gruaje, e Lumes, e cila humbi vajzën e vetme gjatë luftës dhe ende përballohet me ankthe gjatë natës, me presionin nga rrethanat e saj për të bërë një fëmijë tjetër, dhe me veten e saj për të kapërcyer dhimbjen shpirtërore dhe për të vazhduar jetën e saj në paqe. Filmi krijon një hapësirë për tematika taboo dhe të vështira – shëndeti mendor, aborti, misticizëm bashkëkohor, sistemi patriarkal që i zë frymën gjinisë femërore dhe brutaliteti i luftës. Është një koleksion imazhesh të përhumbur, frymëzuar nga kujtime dhe përvoja personale të regjisores lidhur me traumën e luftës, që i ka kushtuar të ëmën e saj dhe një motër, dhe rezulton në një dramë psikologjike me potencialin për të kapur efektet shkatërruese të luftës në nivelin personal dhe kolektiv. Tek intervista e saj për Cineuropa në shtator 2019, regjisorja sugjeron se ‘Si komunitet ne nuk kemi përpunuar asnjë nga traumat e luftës në thellësi’, pra me këtë projekt ajo pretendon se është përpjekur t’i dhurojë publikut një përvojë vizuale të kësaj traume, megjithëse filmi në vetvete është krijuar në mënyrë të tillë që mund t’i flasë kujtdo që ka jetuar një traumë të ngjashme. Është vërtet një film mbresëlënës debutues.

Ajo çka i shton filmit autenticitet dhe kthjelltësi është kamera jondërhyrëse e Sevdijes Kastrati ( [Derë e Hapur (2019), Nëntori i Ftohtë (2018), Martesa (2017)]; madje mund të them se kjo është puna e saj më e spikatur, ndoshta sepse është puna e saj më personale dhe më afër saj. Pasioni i saj për të zhvilluar në imazhe konkrete atmosferën e çdo skene – qoftë një moment tensioni apo tmerri, ose një moment vajtimi apo dëshpërimi, si dhe momente gazmore apo një buzëqeshje të hareshme – është e dukshme në mënyrën se si ajo na kalon nga një gjendje shpirtërore tek tjetra butësisht, pa lejuar asgjë të ndërhyjë midis spektatorit the zhvillimit të tregimit. Kamera e saj rri në përgjim që në momentin e parë, dhe na tërheq ngadalë – gati si në një vallëzim – për të na treguar se çfarë po ndodh te kthesa tjetër: një peizazh i gjelbër si ai i fëmijërisë së motrave Kastrati, apo një natë gjumi me ankthe, një dimër i ftohtë apo një pasdite e ngrohtë në lëndina, që së shpejti shndërrohet në realitetin më të frikshëm dhe tragjik të historisë që po ndjekim. Realiteti dhe ëndrra shkëmbehen shpesh nga njëra tek tjetra; ngjyrat dhe përdorimi i dritës apo errësirës janë mjetet kryesore me të cilat operatorja na ndihmon të ndjekim zhvillimin e tyre. Shembulli më karakteristik është momenti kur kalojmë nga plani i Lumes (në derën e shtëpisë duke përcjellë të shoqin, Ilirin, në punë një natë dimri) tek plani i saj mbi një pus duke nxjerrë ujë për ta ofruar tek pjesëtarët e familjes që ndodhen duke punuar në këtë ditë të ngrohtë. Aty, gjendet dhe vajza e saj, Zana, duke rendur dhe duke qeshur, pak çaste para se tragjedia të ndodhë, përsëri! Kuptohet se tani më kemi kaluar nga realiteti i filmit brenda psikologjisë së Lumes, brenda një ëndrre të saj tmerruese si gjithë të tjerat që kemi ndjekur deri tani. Dhe kjo skenë na përgatit për finalen e filmit, një sekuencë e cila është rrugëtimi i Lumes drejt paqes së brendshme me veten e saj, ashtu siç e këshilloi doktori. Është imazhi më tronditës i gjithë filmit, Lumja në mënyrë metaforike më në fund gjen paqe në krahët e së bijës – dhe diku aty shohim më në fund dhe fytyrat e tyre të qeshura, si engjëj në përqafim; është një vend dinjitoz për Lumen dhe vajzën e saj!

Adriana Matoshi është absolutisht e paharrueshme në portretizimin e Lumes. Matoshi vizaton bindshëm portretin tragjik të Lumes dhe shton shumë në pamjen vizuale të filmit përmes aktrimit të saj që harmonizon pa mundim të tepërt nënën të vuajtur, gruan të dëshpëruar dhe të heshtur, dhe njeriun të traumatizuar – të gjitha këto krijojnë një personazh të plotë, që mund ta njohim dhe të na vijë keq për të. Një tërësi kuadrosh kuptimplotë e fiksojnë atë në momentet më tragjike, më të frikshme, më të dhunshme dhe më të vetmuara, dhe e lejojnë të krijojë një gamë të larmishme ndjenjash, të cilat i përcjell tek spektatori me një thjeshtësi të përsosur. Ndryshe nga karakteret monotonë të Ornela Kapetanit në filmin Dita zë fill [Leta], dhe të Klodjana Kecos në filmin Krom, imazhi tragjik i Lumes shoqërohet gjithashtu dhe me disa momente më të lehta, duke i dhënë Lumes një ndjenjë më njerëzore, dhe sigurisht i japin një veçori dhe cilësi humane.  Me 3 çmime Aktorja më e mirë (2 të fituar në 2019 për rolin e saj Lumja tek filmi Shpia e Agës dhe 1 në 2018 për rolin e Zanës tek filmi T’padashtun), ajo konfirmon edhe një herë talentin e saj për drama të kësaj natyre.

Zana është parasëgjithash një film shembullor për këdo që është e interesuar në tregimet vizive (visual storytelling) dhe dëshmon fuqinë e artit të filmit për t’i dhënë zë njerëzve, ndjenjave, dhe tematikave që zakonisht qëndrojnë të heshtura.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.