Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Sa kushton një pako stimuluese fiskale për subvencionimin e pagave të punëtorëve në sektorin privat?

253 milionë euro për 75% pagë për 3 muaj për 248 mijë punëtorë

Ndonëse ende është shumë herët për ta llogaritur saktë ndikimin e COVID-19 në ekonominë e Kosovës, nuk është shumë herët për të parashikuar se do të ketë ndikim të konsiderueshëm negativ. Kjo sepse për shkak të izolimit që po ndodh, ekonomia pëson në të njëjtën kohë një shok negativ në ofertë (ulen aktivitetet ekonomike, bie prodhimi, rriten çmimet) dhe shok negativ në kërkesë (zvogëlohet apo ndalet frekuentimi i lokaleve, restoranteve, shtëpive të mallrave, etj., punohet më pak ose nuk punohet fare me ç’rast mund të humben shumë vende pune, dhe bien fuqia blerëve). Për shkak të këtyre zhvillimeve, meqë qarkullimi pëson rënie, fitimi pëson rënie, dhe pësojnë rënie edhe të hyrat që i gjeneron qeveria nga tatimi. Kështu, të gjithë agjentët ekonomik (shtëpitë, ndërmarrjet, dhe qeveria) do të kenë humbje.

Duke i pasur parasysh këto zhvillime, vende të ndryshme janë duke dizajnuar dhe implementuar politika e programe të ndryshme për mbrojtjen e punëtorëve. Veprimeve të ngjashme iu duhet bashkuar edhe Kosova sa më parë. Dhe, kjo barrë bie mbi qeverinë.

Përderisa punëtorët e sektorit publik pritet të paguhen edhe gjatë krizës, kjo nuk është e sigurt për punëtorët e sektorit privat. Mbi 98% e ndërmarrjeve në Kosovë janë mikro, me 1-9 të punësuar. Ato nuk kanë rezerva të mjaftueshme për ta përballuar një rënie të tillë ekonomike. Prandaj, në rast se vazhdon izolimi, ato mund të mos i paguajnë punëtorët dhe mund t’i pushojnë ata/o nga puna. Punëtorët që nuk paguhen ose që humbin punën do të kenë më pak para në dispozicion dhe do të varfërohen. Duke qenë se do të kenë më pak mundësi për të shpenzuar, qarkullimi e fitimi i ndërmarrjeve bie, me ç’rast disa prej tyre mbyllen. Në këtë rreth vicioz, rritet edhe papunësia edhe varfëria.

253 milionë euro për 75% pagë për 3 muaj për 248 mijë punëtorë

Në mënyrë që kjo të evitohet, dhe me supozimin se punëtorët e sektorit publik do të vazhdojnë të paguhen pa ndonjë ndryshim, në një raport më të zgjeruar se ky shkrim është llogaritur kostoja e një pakoje fiskale për subvencionimin e punëtorëve në sektorin privat. Të dhënat janë marrë nga publikimet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Me to janë ndërtuar 4 skenarë për 3 kohëzgjatje të ndryshme. Skenari i parë përfshin subvencion 100% të pagës, ndërsa skenarët tjerë përfshijnë subvencionimin 80%, 75%, dhe 70%, për 1, 3, dhe 6 muaj. Llogaritë janë bërë për 15 sektorë nga Nomenklatura e Veprimtarive Ekonomike të Komunitetit Evropian (Nace Rev. 2) veç e veç, duke përdorur numrin e të punësuarve dhe pagën mesatare bruto të secilit prej tyre.

Skenari i cili parasheh subvencionim prej 75% të pagës mesatare për 3 muaj mund të jetë më i duhuri kur merren parasysh kohëzgjatja dhe kufizimet e buxhetit publik. Kjo pako do të kushtonte rreth €253 milionë dhe do t’i subvenciononte rreth 248 mijë punëtorë.

Në bazë të këtij skenari, pagat bruto mujore në bazë të sektorëve do t’ishin: €192 (A, bujqësi, pylltari dhe peshkatari), €479 (B, xehetari dhe gurëthyes), €246 (C, prodhim), €632 (D, furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe ajë të kondicionuar), €369 (E, furnizim me ujë, kanalizim, menaxhim mbeturinash, dhe aktivitete të revitalizimit të tokës), €350 (F, ndërtimtari), €259 (G, tregti me shumicë dhe pakizë, riparim i mjeteve dhe motoçikletave), €335 (H, transport dhe magazinimi), €182 (I, akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim), €538 (J, informim dhe komunikim), €266 (L, aktivitete të patundshmërisë), €383 (M, aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike), €289 (N, aktivitete administrative dhe mbështetëse), €258 (R, art, zbavitje, dhe rekreacion), dhe €191 (S – aktivitete të shërbimeve tjera). Në mënyrë që të ndihmon ata që paguhen më pak, pagat deri ne 300 euro do të liroheshin nga tatimi.

Kufizimet në llogaritje

Duhet shtuar se këto rezultate derivojnë përmes një numri kuzifimesh në llogaritje. Fillimisht, të dhënat e fundit vjetore të publikuara nga ASK janë për vitin 2018 dhe situata që nga atëherë ka ndryshuar. Që nga ajo koha, duhet të ketë ndryshuar numri i të punësuarve dhe paga mesatare.

Së dyti, vlerësimi bëhet në bazë të pagës mesatare bruto dhe dihet se jo të gjithë punëtorët e marrin këtë pagë. Nëse vendoset që subvencionimi të bëhet në bazë të pagës së vërtetë që e marrin punëtorët, atëherë vlerat do të ndryshojnë. Dhe, në këtë llogaritje nuk janë përfshirë shpenzimet administrative për kryerjen e transaksioneve sepse për llogaritjen e tyre duhen mē shumë të dhëna, të cilat aktualisht nuk janë publike.

Së treti, sektorët janë zgjedhur në bazë të anketës së strukturës së bizneseve (duke e shtuar edhe atë të bujqësisë, pylltarisë dhe peshkatarisë) në të cilët mund të ketë edhe ndërmarrje publike. Apo, mund të mungojnë sektorë në të cilët ka ndërmarrje private. Të dhënat që janë aktualisht publike nga ASK nuk e specifikojnë një ndarje të tillë.

Së katërti, nëse krahasohet paga mesatare në këta 15 sektorë, del të jetë për €41 më e lartë se paga mesatare në sektorin privat e raportuar nga ASK. Pra, kostoja e llogaritur këtu mund të jetë më e lartë se sa ajo që në të vërtetë është.

Gjithashtu, mund të ketë ndërmarrje më të mëdha si ato me produkte ushqimore që aktualisht janë të hapura dhe kanë kapacitete për pagesën e punëtorëve. Nëse ato nuk do të përfshiheshin, shuma totale do të zvogëlohej.

Megjithatë, duke qenë se këto janë aktualisht të dhënat më të hollësishme publike, ky vlerësim mund të shërbejë si orientim i përafërt, pasiqë për një orientim ekzakt duhen të dhëna më të hollësishme në formë të disagreguar.

Sa është racionale kjo shumë dhe si mund të financohet kjo pako?

€253 milionë mund të duken shumë sepse janë rreth 11% e buxhetit e rreth 21% e borxhit publik. Por nuk është koha tani të brengosemi për borxhin publik, por për përgjigje sa më të shpejtë ndaj situatës – siç po bëjnë vende me borxh shumë më të lartë publik se ne. Nëse e shohim në raport me tërë ekonominë, kjo shumë është më pak se 3.8% e Bruto Produktin Vendor të 2018-ës. Vendet tjera pritet që të kapin shifra dyshifrore të këtij raporti. Dhe, kjo duhet parë si masë e jashtëzakonshme për këtë gjendje të jashtëzakonshme. Krahasuar me planifikimet e institucioneve mbikombëtare financiare, kjo është më pak se 0.03% e fondit që FMN-ja ka ndarë për krizën, apo rreth 0.56% e fondit që kanë për vendet në zhvillim, dhe rreth 2% e fondit të ndarë nga Banka Botërore si përgjigje ndaj krizës.

Si mund ta gjenerojë qeveria një shumë të tillë? Përmes një kombinimi të burimeve.

Mobilizim vetanak i Qeverisë përmes rialokimit të mjeteve ndërmjet linjave buxhetore duke i suspenduar, shtyer, apo anuluar, disa projekte infrastrukturore që nuk janë urgjente. Gjithashtu, duke i shqyrtuar mundësitë për përdorimin e fondeve të ndryshme si atë të privatizimit i cili në fund të janarit ishte mbi 272 milionë euro.

Gjithashtu, përmes koordinimit me Bankën Qendrore. Kjo e fundit do të mund të emetonte letra me vlerë. Gjithashtu, do të mund t’i përdorte kanalet për infuzionimin e parave nga bankat qendrore të vendeve të zhvilluara për të siguruar likuiditet.

Dhe, përmes apelimit urgjent për ndihmë tek institucionet mbikombëtare financiare. Kujtojmë që FMN-ja ka në dispozicion 1 trilion dollarë, prej të cilave 50 miliard janë për vendet në zhvillim (si Kosova) dhe $10 miliard janë në dispozicion të vendeve të varfra me 0 interes. Banka Botërore ka në dispozicion $14 miliard, prej të cilave mund të përfitojnë shtetet anëtare. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka ndarë €1 miliard duke patur në fokus ndërmarrjet private që vijnë nga vendet në zhvillim si Kosova.

Si mund të ekzekutohet dhe sa mund të zgjasin përgatitjet?

Transferimi i këtyre mjeteve do të mund të bëhej në forma të ndryshme si:

Transferimi direkt nga qeveria tek punëtorët. Kjo do të mund të realizohej përmes të dhënave që ekzistojnë në Agjencinë Tatimore të Kosovës dhe Trustin Pensional. Megjithatë, transferimi direkt do të kishte dy implikime. Fillimisht, do t’ishte qasje e pabarabartë e qeverisë ndaj të të papunëve. Dhe, dy, do t’ishte problem identifikimi i të gjithë punëtorëve duke ditur nivelin e lartë të informalitetit. Kështu do ta pësonin punëtorët të cilët nuk kanë pasur kontrata dhe të cilëve nuk u janë paguar obligimet nga punëdhënësit.

Megjithatë, kjo do t’ishte një mundësi për ta rritur formalitetin në ekonomi meqë do të lajmëroheshin edhe punëtorët që nuk kanë kontrata apo nuk u paguhen kontributet pensionale. Gjithashtu, kjo pako po ndërtohet me supozimin që do të ketë vazhdimësi të rregullt të programeve të skemës sociale, dhe potencialisht zgjerim të tyre.

Ofrimi i mjeteve në formë kredie për bizneset, në bashkëpunim me sistemin bankar. Këto kredi do të kishin 0% interes dhe do të ofroheshin me 6 muaj-1 vit grace periudhë. Një implikim serioz me këtë qasje është koha që do të merrte procedura e aplikimit dhe vlerësimit. Për ta adresuar këtë çështje do t’duhej përdorur format elektronike të aplikimit dhe vlerësimit.

Sa kohë mund të marrë procesi i gjenerimit të resurseve dhe kur mund të fillojnë transferet?

Kjo varet shumë nga modalitet që do të përdoren për t’i gjeneruar ato. Për shembull, nëse qeveria do t’i përdorte disa nga mjetet e saja apo do të pranonte një ndihmë nga institucionet mbikombëtare financiare, kjo do të mund të realizohej shumë shpejt. Ndërsa, nëse do t’ndërtohej një program i ofrimit të kredive për këto ndërmarrje, atëherë i tërë procesi do të zgjaste më gjatë. Natyrisht se nuk është e thënë që ky fond të sigurohet i tëri, në mënyrë që të fillojnë pagesat. Ai mund të ndahet në 3 pjesë me nga 84.3 milionë euro në mënyrë që të fillohet sa më parë.

Përfundim

Izolimi si veprim për shmangien e përhapjes së COVID-19, i cili tashmë është pandemi, do të shkaktojë një efekt domino të humbjeve në ekonomi. Humbje do të kenë të gjithë agjentët – shtëpitë, ndërmarrjet, dhe qeveria. Megjithatë, mbetet detyrë e kësaj të fundit që të kujdeset për shëndetin e ekonomisë në kohë krize.

Në bazë të një llogaritjeje nga të dhënat e fundit vjetore që aktualisht janë publike, rezulton se do të nevojiten rreth €253 milionë euro për ta subvencionuar 75% të pages mesatare për 3 muaj për rreth 248 mijë punëtorët e sektorit privat. Mobilizimi i kësaj shumë do të mund të bëhej prej disa burimeve të brendshme të pashfrytëzuara aktualisht dhe organizatave mbikombëtare financiare që veçse kanë ndarë fonde për raste të tilla. Kjo do të mund të ekzekutohej ose përmes transferimit direkt tek punëtorët ose përmes kredive për biznese me 0% interes dhe hapësirë prej 6 muaj-1 vit deri në pagesën e parë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.