Artikull origjinal i shkruar nga Zenun Çelaj për Rilindjen.
Ky vit me gjasë do të jetë viti më i begatë në historinë e Kosovës. Ekspertët presin që nga arat e mbjella në vjeshtën e kaluar do të merren rreth 360 mijë tonelata grurë. Bujqve kosovarë u ndihmoi jo vetëm mundi i tyre. Ata paten aleatë edhe kohën e mire si të porositur. E kur hambarët janë plot, frymëmarrja është më e lehtë. Ndoshta sivjet, për herë të parë, Kosova do ta sigurojë bukën vjetore nga arat e veta.
Rast pra për festim.
Nëse përmbushet ky parashikim, e duke u mbështetur edhe në prodhimin gjashtëmujor industrial, i cili është më i larti në vend dhe 3.9% mbi atë të vjetmin, por 0.3% nën parashikimet, atëherë motivi për optimizëm është edhe më i madh, aq më parë kur të kemi parasysh se ky vëllim u arrit në të njëjtat kapacitete prodhuese, por në kushte të ashpërsuara financiare, kur likuideti ka rënë, obligimet e brendshme e të jashtme janë shtuar, kurse mundësit përstimulimin e punës janë kufizuar. Ndër rrethana të pavolitshme këtu duhet përmendur edhe importin e kufizuar të lëndës së par, sidomos të pajimeve, për shkak të vështirësive tashmë të indetifikuara në bilancin e pagesave me botën.
Angazhimi dha fryte
Vështruar sipas degëve, prodhimi industrial nuk ishte në shkallën që të bëjmë gjumë të rehatshëm, vitit të kaluar, kurse nën plan janë edhe më shumë. Mirëpo, nga kolektivat që kishin prodhim industrial mbi vëllimin e vitit të kaluar, janë edhe disa që kanë një pjesëmarrje të lartë në strukturën e industries kosovare, siç është thëngjilli, makinat dhe aparatet elektrike, pastaj prodhimi i lëkures-këpucëve dhe i galanterisë. Kështu, deri sa thëngjilli u prodhua 8.6% më shumë se në gjysmën e pare të vitit të kaluar, makina dhe aparatet elektrike u prodhuan 13% më shumë, pastaj lëkurë – këpucë dhe galanteri 29% e material ndërtimor 16% më shumë. Sikur edhe disa degë që po ashtu kanë pjesëmarrje të lartë në strukturen e industries kosovare, të arrinin rezultatet e planifikuara në prodhim, atëherë në këtë pikëpamje punonjësit kosovarë njëmend do të kishin pse të krenohen dhe do të demantonin pohime e kualifikime të pabaza, që shpesh thuhen për ta, se janë përtacë e deri saboterë. Mirëpo, disa degë, siç është elektroekonomia, për shkak të rrethanave të favorshme atmosferike pati vështirësi në plasimin e energjisë, madje edhe ndër partneret të cilët i lidhin kontratat afatgjata, siç është Hekurana e Shkupit, prandaj pati dështime, e kjo degë merr pjesë në strukturën e ekonomisë së Kosovës mbi 20%, sikundër që edhe dështimi i prodhimit të xehes së metaleve me ngjyra kishte ndikim të theksuar në suksesin e përgjitshëm të prodhimit industrial të Kosovës. Duke mbështetur shpresat se këto kolektiva do të kompensojnë atë që nuk e arritënderi tash në pjesën e mbetur të këtij viti, do përmendur eksportin, që mbush optimizëm. Ai ishte 21% më i lartë se vjet në periudhën e marrë për krahasim kur në nivel të vendit ishte 15.7% më i lartë. Ky sukses ja vlen të theksohet edhe më shumë ngase eksporti në tregun konvertibil shënoi një rritje 51.1% (në nivel të vendit 20.1%). Kur këto përqindje shëndrrohen në dollarë, del se brenda gjashtë muajve të pare të sivjetëm ekonomia kosovare eksportoi mallra me vlerë 108 milionë dollarë, e ndërkaq vlera e importit kap 80 milionë dollarë (importi ka rënë 13.4% në krahasim me muajt përkatës të vitit të kaluar). Kështu importi u mbulua me eksport 135% ( në nivel të vendit 98.7%). Mirëpo, sado që pakësimi i importit mbetet qëllimi strategjik i zhvillimit, rënia e tij nuk është gjithmonë tregues pozitiv. Kryetari I Komitetit Krahinor të Ekomomisë, Hajrullah Zaiti, është i brengosur, sepse u importuan më pak makina e pajime të nevojshme për një zhvillim më ritmik. Derisa vjet për këto qëllime (për gjashtë muaj) importi kapte një vlerë 33 milionë dollarësh, sivjet ai është përgjysmuar edhe do të ketë pasoja për zhvillim.
Mjetet e zhvillimit – për borxhe
Tash e disa vjet në Kosovë investimet, si një tregues i zhvillimit më ritmik, shënojnë rënie edhe kjo tendencë ka vazhduar edhe sivjet. Shkaku kryesor, pohojnë njohësit e çështjeve, është efikasiteti i dobët i investitorëve, por edhe mungesa e mjeteve vetjake për zhvillim dhe arritja e ngadalshme ose me vonesë e mjeteve të Fondit të Federatës, sidomos e pjesës për bashkim të punës e të mjeteve, si burim kryesor për zhvillim.
Për shkak të ngarkesës së madhe të ekonomisë së Kosovës me detyrime të brendshme dhe të jashtme (rreth tri here mbi mesataren e ngarkimit të ekonomisë së vendit), për shkak të zhvillimit të deritashëm në bazë të mjeteve nga kredit bankare në dinarë e deviza, një pjesë e mjeteve për zhvillim ekonomik e Kosovës po është e detyruar ti përdor për të paguar obligimet e jashtme, të cilat kanë përparësi kundruall të gjitha detyrimeve të tjera. E dihet se likuiditeti, po për këto shkaqe, në Kosovë ka rënë në pikën kritike. Më shumë se dy të tretat e E OPB-ve të Kosovës gjatë muajve të kaluar të sivjetëm i kishin xhirollogaritë e bllokuara. Në situate të ngjajshme ishin edhe bankat si institucione që përcjellin ekonominë. Të përkujtojmë se obligimet në bazë të kredive afatshkurtëra dhe afatgjata, që kanë arritur e që do të arrijnë sivjet kapin mbi 155 miliardë dinarë, kurse detyrimet e jashtme të arritura e të pakryera për sivjet janë mbi 230 milionë dollarë (një pjes pritet të refinancohet,por mbesin rreth 170 mijë dollarë). Një pjesë e subjekteve ekonomike të Kosovës nuk do të jetë në gjendje ti kryej ato detyrime për shkak të likuiditetit të ulët. Me këso vështirësish do të ballafaqohen e po ballafaqohen kolektivat, thuaja, bartëse të zhvillimit të Kosovës: “Trepca” “Feronikeli”, “Elektroekonomia e Kosovës, hidrosistemet e Hekurudha, prandaj është aktuale zbatimi i nenit të gjashtë të Ujdisë Shoqërore për zhvillim e përshpejtuar të Kosovës, që ka të bëjë me sigurimin e mjeteve në dinarë për kthimin e borxheve deri në vitin 1990. Mirëpo, propozimet e fundit për gjetjen e mënyrës së realizimit të këtij neni nuk janë në favor të zgjedhjes fatlume të çështjes dhe ai mbetet problem i hapur. Një problem tjetër paraqesin humbjet, sidomos ato në substance. Ato kryesisht janë mbuluar, porse programet sanuese nuk janë reale dhe sëmundja e atyre kolektivave mund të përtërihet. Ç’është e vërteta ende nuk është kryer llogaria periodike, por rezultatet tremujore financiare tregojnë se sivjet humbjet do të shumëfishohen, sidomos një industri, ku edhe stoqet e prodhimeve kanë arritur përqindje shqetësuese kurse vlera e tyre kap mbi 711 miliardë dinarë. Në anën tjetër edhe aftësia akumuluese e ekonomisë (sipas të dhënave për tre muajt e parë) ka rënë nga 0.7% në 0.5 % ndërsa ajo reprodukuese ka rënë nga 2 në 1.8%, që janë tregues të pavolitshëm. Në rrethana të tilla, kur edhe me dispozita ligjore janë vënë kufizime në favor të uljes së inflacionit, standardi po vazhdon të shënojë rënie, të rritet armata e të papunëve (rreth 140 mijë) kurse problemete sociale-shtimi. Gjithnjë e më i qartë është fakti se po nuk u punua më shumë e nuk u prodhua me cilësi për tregun e jashtëm, gjendja do të bëhet më e vështirë. Pritja që dikush tjetër (zakonisht shteti) t’i zgjidh problemet, siç jemi mësuar deri tash, do të jetë gjithnjë e më pak frytëdhënës, sepse tash as ai nuk ka më rrezerva për këso destinimesh. Po preferohet mbështetja në forcat vetjake, si më e sigurt për dalje nga situata e tashme.
—–
Ky tekst është pjesë e nismës RI-RILINDJA – një shfletim digjital i historisë përmes faqeve të Rilindjes, gazetës kryesore të Kosovës në shekullin e kaluar. Faza pilot e këtij projekti është zbatuar nga Free Libre Open Source Software Kosova në bashkëpunim me Sbunker dhe Bibliotekën Hivzi Sulejmani, si dhe me mbështetje nga Ipko Foundation dhe Presidenca e Republikës së Kosovës.
Fillimisht e kemi digjitalizuar vitin e parë të së përjavshmes ‘Rilindja e Javës’, që është botuar çdo të dielë nga 14 shkurti i vitit 1988. 32 vjet më vonë, Sbunker sjell artikuj të përzgjedhur nga kjo periudhë me synim të ndërtimit të urave lidhëse mes diskursit të sotëm dhe atij të dikurshëm.