Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Debati i vjetër për kombin e ri

Politika dhe futbolli janë fusha që në dukje të parë janë të largëta nga njëra tjetra. Por, futbolli dhe pjesëmarrësit, ngjarjet dhe elemente të tjera të lidhura me to, shpesh japin mesazhe, mësime apo çështje të lidhura me politikën pasi loja e futbollit zhvillohet ndërmjet ekipeve që kanë historik, lojtarë dhe këndvështrime që janë të ndërlidhura me elementet e kulturës, identitetit dhe politikës, rrjedhimisht.

Organizata e futbollit europian (UEFA), së bashku me Rrjetin Kundër Racizmit në Europë (FARE) në vitin 2001, shfaqën kampanjën NO TO RACISM, me qëllim rritjen e vëmendjes ndaj dukurisë së racizmit. Ekipet europiane kanë lojtarë që vijnë nga shtete dhe kultura të ndryshme dhe në disa raste këta lojtarë kanë qenë objekt i fyerjeve raciste dhe shfaqjes së mosdurimit kombëtar.

Përpos mbajtjes së shiritave me mesazh kundër racizmit nga ana e kapitenëve të ekipeve, FARE madje miratoi një rezolutë në vitin 2013, ku parashihej përshpejtimi i përpjekjeve për të luftuar racizmin dhe përcaktimi i dënimeve më të ashpra për sjelljet raciste.

Jo rrallëherë, aspekti identitar ka luajtur rol edhe në fushën e gjelbër. Ofendimet/mesazhet raciste, mesazhet politike të vendosura në tribunë, dhuna e bazuar në aspekte kulturore, janë vetëm disa nga shembujt e ndikimit të politikës, identitetit dhe kulturës në sport. Nganjëherë, sporti është përdorur edhe si mjet për të ngritur çështje të caktuara, për të mbrojtur një pikëpamje politike ose tjetër, apo edhe për t’u rreshtuar për/kundër rreth një çështjeje të ngarkuar me aspekte kulturore/identitare.

Ndikimi i aspekteve kulturore e politike në futboll vërehet edhe në ekipin përfaqësues të Kosovës. Një pjesë e konsiderueshme e futbollistëve, jetojnë ose janë të lindur jashtë Kosovës, ka të tillë që nuk flasin gjuhën shqipe ose nuk e kuptojnë mjaftueshëm mirë. Pikërisht këto pjesë të ndryshme të enigmës, sikur bënë që përkrahja dhe shpresa për një grup me përjetime të ndryshme jetësore e profesionale, të jetë tejet e fuqishme dhe emocionale.

Debatet dhe idetë rreth posedimit të një identiteti kombëtar të veçantë nga kombi shqiptar rrodhën që nga shpallja e pavarësisë më 2008, nga disa figura publike në Kosovë, të cilët donin të përshtatnin modelin e patriotizmit kushtetues, i ideuar nga Habermas (me rrënjë nga Karl Jaspers) edhe në shoqërinë kosovare. Nga ky model, do të krijohej harmonia shoqërore e politike, ndërmjet shoqërisë kosovare jo dhe aq të ndarë, por të shtetit të dobët dhe jolegjitim për një fragment të shoqërisë kosovare (qytetarët serbë/pjesa veriore).

Pas paraqitjeve të mira të ekipit përfaqësues të Kosovës në ndeshjet për kualifikim në Euro 2020 filloi edhe një debat tërësisht i panevojshëm, debate këto që jo rrallëherë vijnë nga euforia dhe ekzaltimi i tepërt me një ngjarje, zhvillim a sukses të caktuar. 

Debati kishte të bënte me emërtimin e ekipit të Kosovës si përfaqësuese apo kombëtare? Kryesisht në debate televizive, ndodhnin përplasje verbale mes përkrahësve të kombëtares dhe përfaqësueses, nga persona që ndoshta për futboll ishin njohës shumë të mirë të çështjes, por në rastin e përdorimit dhe instrumentalizimit të koncepteve politike, vetëm sa shërbyen për ta përçarë opinionin publik, që ishte ndërmjet përkrahësve të emërtimit “përfaqësuese” dhe përkrahësve të “kombëtares”.

Por, një gjë duhet të jetë e qartë: kombi nuk formohet as nëse Kosova fiton Kampionatin Botëror në futboll, as nëse Blerta Zeqiri fiton Oskar për filmin më të mirë, as nëse Nobelin për letërsi e fiton Zejnullah Rrahmani apo nëse çmimin Birgit Nilsson e merr Ramë Lahaj. Këto çmime a rezultate individuale do të ishin kontribut për kulturën në Kosovë, por kjo s’do të mund të përkthehej hëpërhë në një posedim ose krijim të kombit të ri.

Ndërlikimi me koncepte nuk ngjan vetëm në rastin e diskutuesve që janë laikë në fushën e politikës, por edhe tek vetë studiuesit e saj, pasi vetë koncepti i kombit, p.sh. në disa shtete është i ndërkëmbyeshëm me konceptin shtet.

Është e udhës që të bëhet një vijë ndarëse mes shtetit dhe kombit, koncepte shpesh të ndërkëmbyera ose edhe të keqkuptuara si të njëjta. Përderisa shteti është koncept politik (organizimi i jetës politike brenda një territori të caktuar) kombi përmban në vete fiktiven, të paramendueshmen dhe shkon përtej shtetit, pasi grupet që konsiderohen anëtarë në komb nuk janë gjithmonë brenda kufinjve të një hapësire por gjenden kudo ku konsiderohet se ka anëtarë të kombit të caktuar. Për kombin ka studiues e teori të shumta dhe diametralisht të ndryshme. Kulturalistët, vënë theksin në aspekte organike të anëtarësisë në një komb, ku kultura e kombit është hierarkia e të gjitha elementeve të tjera. Origjina e kombit kulturor është tek bota gjermane, përkatësisht nga koncepti i volksgeist, i formuluar nga Johann Herder. Kombi politik ndërkaq, vjen nga tradita franceze, pikërisht në periudhën e Revolucionit Francez, i inspiruar nga koncepti i kontratës shoqërore dhe vullnetit të përgjithshëm të Jean Jacques Rousseau.

Debatet që filluan në periudhën e kualifikimeve linin përshtypjen e distancimit nga kombi shqiptar dhe dëshirën e krijimit të “komunitetit imagjinar” në fjalët e Benedict Anderson, të një kombi të ri kosovar. Ngjyrat e nëpërkëmbura kaltër e verdhë, valëvuan në masë të madhe në sheshe e në fushë, pa anashkaluar edhe ngjyrat kuq e zi, aty këtu në ndeshjet që zhvillonte Kosova. Madje Armando Duka, udhëheqës i sportit shqiptar, u revoltua me numrin e pakët të tifozëve në ndeshjet kur luan Shqipëria, pasi të njëjtët po paraqiteshin vetëm për të parë yjet e futbollit botëror të ekipeve kundërshtare dhe jo për të përkrahur ekipin kombëtar. Jo drejtpërdrejt, kjo akuzë i drejtohej sigurisht edhe tifozëve nga Kosova, që në disa ndeshje më të hershme, kishin përkrahur fuqishëm Shqipërinë, duke pasur parasysh që Kosova nuk zhvillonte ndeshje në nivelet e larta të futbollit, pasi kishte kaluar kohë e shkurtër që nga pranimi i saj në FIFA dhe UEFA. Ekipi i Kosovës ka grupin e tifozëve, i krijuar për të mbështetur ekipin e Kosovës në futboll por grupi i tifozëve të kryeqytetit (Plisat) u distancuan nga prezenca dhe përkrahja për ekipin e Kosovës, duke vazhduar që të përkrahin Shqipërinë në garat që zhvillonte.

A mund të konsiderohet ky entuziazëm, ekzaltim e eufori e qytetarëve të Kosovës, si një prirje drejt krijimit të një kombi të ri, në këtë rast të formatit politik? Fillimisht, për të menduar formimin e një kombi politik, duke pasur parasysh praktikimin e tij në SHBA ose Francë, është paksa e ndërlikuar të mendohet si e realizueshme në Kosovë, për shkak të rregullimit kushtetues. Pasi ky model në thelb paraqet lidhjen civile me shtetin dhe lidhjen civile të qytetarëve me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve etnike, racore, gjuhësore, Kushtetuta e Kosovës shprehimisht njeh grupet e pakicave etnike, pra nuk njëson të gjithë qytetarët si pjesë të shtetit, duke mos përmendur e konsideruar dallimet e tyre kulturore, përkundrazi, jo vetëm që grupet pakicë njihen si të tilla, ato kanë edhe të drejta të caktuara pikërisht për shkak të pozicionit të tyre si pakicë. 

Nëse formati i kombit politik funksionon në SHBA, mbi të gjitha, kjo është rezultat i lënies anash të dallimeve të shumta kulturore e gjuhësore që vijnë nga historia e krijimit të shtetit amerikan dhe të kaluarës konfliktuoze pikërisht për shkak të heterogjenitetit të shoqërisë.

Por jo të gjitha shtetet zgjedhin modelin e kombit politik për hir të dimensionit qytetar. Shtete të caktuara kanë përshtatur këtë model me përpjekjet e tyre për të shtypur identitetin kulturor të qytetarëve, me masa që përfshijnë edhe caktimin e një përqindjeje të caktuar brenda një lokaliteti të qytetarëve me identitet kulturor të ndryshëm nga shumica e popullsisë (Ligji i Risistemimit i vitit 1934 në Turqi). Pra, mbivendosja e dimensionit politik përpara atij kulturor, mund të çojë deri në zhdukjen e identitetit fillestar të qytetarëve, si metodë për të konstruktuar “njëtrajtshmërinë” e të gjithë qytetarëve.

Distancimin nga kombi shqiptar e hodhi në erë katastrofa natyrore dhe humanitare në Shqipëri, që ngjau në fund të muajit nëntor. Bashkëndjenja, afërsia dhe ndihma e qytetarëve kosovarë, u konsiderua si heqje e kufijve politikë ndërmjet dy shteteve. Madje ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, nuk ngurroi që të deklarojë që përpos shtëpive, tërmeti shembi edhe “ngrehinën e rreme të kombit kosovar”.  Edhe në këtë rast pati një eufori, pasi gjendja ishte aq e rënduar psikologjikisht, me pamje të kushteve të rënda humanitare, saqë njerëzit nga Kosova, hiqnin edhe rrobat nga trupi për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë.

Por as shtetndërtimi e as kombformimi nuk mund të jenë produkt i një zhvillimi, procesi a ngjarjeje të vetme, pasi të tilla procese janë zakonisht procese me një bazë dhe vazhdimësi historike, të përforcuara nga motive politike dhe të legjitimuara nga kërkesa apo përkrahja popullore. Ideja e kombit politik ra poshtë, pasi dizajnimi i Kushtetutës në model të tillë siç u theksua më lart, nuk e artikulon shtetin në baza civile.

Përpos kësaj, ekziston mundësia e dytë, një komb kulturor kosovar. A ka predispozita të krijimit të një kombi kulturor kosovar?

Nën tutelën e formacionit të ri kombëtar në Kosovë, do ngërtheheshin pashmangshmërisht prejardhja, historia (e përbashkët), kultura, gjuha dhe religjioni (jodomosdoshmërisht) e grupit më të madh “kulturor”, pra e kulturës kosovare. 

Nëse trajtojmë prejardhjen, duhet të kihet parasysh llahtaria që ndodh me qytetarët e Kosovës, që shpesh, nga kujtimet që kanë nga paraardhësit, deklarojnë se vijnë nga Shqipëria (duke lënë përshtypjen se banorët e Kosovës janë në masë të madhe imigrantë nga Shqipëria), pra prejardhja e tyre, hipotetikisht, është nga një shtet dhe komb tjetër. Historikisht, treva e sotme e Kosovës ka qenë e integruar në hartën politike të Shqipërisë ndërmjet hapësirave të ndryshme kohore, përpos atëherë kur ka qenë e ndarë nga ajo dhe ka qenë pjesë integrale e strukturave të tjera shtetërore (p.sh. në kohën e Jugosllavisë). 

Kultura e Kosovës, është një mish-mash traditash e elementesh ndërmjet pjesëmarrjes në perandori e pushtete të ndryshme, kulturë kjo që është e njëjtë me kulturën shqiptare, përpos gjuhës së folur në Kosovë që është e ngjashme me dialektin e pjesëve veriore të Shqipërisë. Për të ndërtuar kombin kosovar, personalitetet që konsiderohen pjesë e historisë kombëtare dhe figura të mëdha të historisë e kulturës, do duhej që të liheshin në harresë, pasi personalitetet e tilla janë të një kombi tjetër, të ndryshëm nga kombi kosovar. Bie fjala, Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi e Ismail Qemaili, nuk do të ishin më pjesë e kulturës dhe e mbamendjes historike të kombit kosovar, do duheshin kërkuar heronj të tjerë, heronj të cilët do të datonin nga viti 2008 e tutje.

Gjuha shqipe, ose do duhej rikonstruktuar e pasuruar me fjalë jo shqipe, sikur për të tingëlluar ndryshe nga gjuha që flitet në Shqipëri, apo mbase do duhej krijuar një gjuhë e re, gjuha e kombit Kosovar. Ose të gjitha këto mund të hidhen tutje dhe vazhdohet më të njëjtën kulturë, gjuhë e histori, por identiteti kulturor nuk konsiderohet shqiptar, por tanimë identitet kosovar.

Çfarë do të krijonte një situatë e tillë?!

Dy shtet-kombet do ishin shtete fqinje, me marrëdhënie normale si pjesë të një rajoni të njëjtë. Pas rreth 10 ose 15 vitesh, këto shtet/kombe, çuditërisht do të vinin re se kultura në të cilën thirren këto dy shtete/kombe, gjuha të cilën e flasin dhe historia të cilën e pretendojnë, janë të ngjashme. Situata do të ftohej dhe marrëdhëniet zyrtare do ngriheshin. Do të nevojitej ndërhyrja e ndërkombëtarëve, për t’i bërë këto dy shtete që të komunikojnë e të përmirësojnë raportet. Madje, do të duhej që të nënshkruheshin marrëveshje të veçanta të respektimit të figurave të historisë së përbashkët, sikur për të njohur të kaluarën dhe lidhjen e dikurshme që e zotërojnë të dyja shtetet.

Për ilustrim: Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryeministri i Kosovës do të zhvillonin nderime të përbashkëta para shtatores së Gjergj Kastriotit dhe të Adem Jasharit, por asesi nuk duhej gabuar me identifikimin e këtyre personaliteteve si “shqiptar” apo “kosovar”, por si personalitete të shquara të të dyja kombeve/shteteve, sikundër bënë kryeministrat e Maqedonisë dhe Bullgarisë respektivisht, duke u përkulur para Goce Delcev, i cili luftoi për Maqedoninë, por konsiderohej etnikisht bullgar, figura e të cilit ishte objekt tensionimi mdis dy shteteve, por u bë figurë pajtimi pas vendimit për t’i rregulluar raportet ndërmjet vete.

Rruga e ndërmjetme; konsolidimi i shtetit

Të diskutohet për krijimin e Kosovës si komb, ose të diskutohet mbi përcaktimin ndërmjet modeleve të krijimit të kombit, është fillimisht luks i tepërt. Përderisa Kosova rrezikon që të humbë edhe legjitimitetin ndërkombëtar si shtet, pas paqartësive rreth njohjeve e çnjohjeve nga disa shtete por edhe nga mosshtrirja e sovranitetit shtetëror në tërë territorin e saj, që është një nga kushtet e ekzistencës së shtetit, janë fare të panevojshme diskutimet e paramendimet se si duhet të vazhdojë tutje Kosova në aspektin e kombit. Për shkak të shumë problemeve të brendshme dhe mosshtrirjes së pushtetit në tërë territorin, Kosova mund të rrëshqasë në grupin e pothuajse shteteve (quasi-states) ose shteteve të dështuara (failed-states).

Përderisa pjesa më e madhe e qytetarëve i përkasin kulturës shqiptare dhe në disa studime është konkluduar se shumica e qytetarëve duan bashkimin me Shqipërinë, kombi kosovar është i destinuar të ngritet si çështje vetëm kur ka suksese a paraqitje të mira të kosovarëve në fushën e kulturës, artit apo sportit.

Pakicat kanë të drejtat e tyre të rregulluara me Kushtetutë dhe akte të tjera ligjore, gjë që plotëson detyrimet për të respektuar të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave etnike, religjioze apo gjuhësore. Pakicat kanë festat e tyre kombëtare, simbolet e tyre por mbi të gjitha, lirinë për të zgjedhur se si duan të identifikohen, madje edhe nëse kjo nënkupton cilësimin e vetes si qytetarë kosovarë. Vllahët janë grupi etnik gjenetikisht më homogjen në Ballkan por vetidentifikohen me kulturën mbizotëruese të shtetit në të cilin jetojnë, anipse të drejtat e tyre si pakicë janë të njohura dhe respektohen nga organet shtetërore përkatëse. Taki Fiti, ish ministër dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Maqedoni (me origjinë vllahe), para disa ditëve foli në mbrojtje të kulturës dhe gjuhës maqedonase, pas mohimit dhe sulmeve që i bëri Akademia e Shkencave e Bullgarisë në drejtim të gjuhës maqedonase.

Rruga e duhur në debatin që u shtjellua në këtë shkrim do të ishte që aspekti i rregullimit të shtetit me tipare kombëtare ose jo t’i lihej shoqërisë, nëse vlerësohet e nevojshme për t’u diskutuar e për t’u përcaktuar për një format të dhënë. Në plan të fundit, çdo njeri ka të drejtën e lirisë dhe të dinjitetit, të përfytyrimit dhe konsiderimit të vetvetes ose grupit shoqëror si pjesë përkatëse në një grup shoqëror, etnik/kombëtar ose religjioz të caktuar.

Përqëndrimi kryesor i institucioneve shtetërore por edhe i shoqërisë do të duhej që të ishte në përmirësimin dhe fuqizimin e shtetit dhe përparimin e raporteve harmonike aty ku ka fragmentarizime të shoqërisë, e aspak ndërlikimi me teori e modele të kombndërtimit.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.