Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Streha mes Reve dhe sharmi i padurueshëm i qenies

Streha mes Reve dhe sharmi i padurueshëm i qenies

A i lejohet – apo i falet – një regjisori si Robert Budina të sakrifikojë elementin e fabulës, tregimit, në favor të stilit? Ka një harmoni elegante dhe intriguese në diskursin vizual i filmit të tij Streha mes Reve, i cili është tepër imponues dhe rezulton nga kombinimi i planëve të ndryshme, kompozimi poetik dhe interpretimi i shkëlqyeshëm i Arben Bajraktaraj i cili është po aq ‘charming’ si bari sa çdo herë tjetër!

Streha mes reve nuk është një histori e përkryer, komploti i filmit është minimal, ashtu siç është dhe dialogu. Mbase në pamje të parë duket sikur tregimit i mungon ndërtimi dhe kohezioni, dhe gjithçka i jep filmit një estetikë statike, por aktualisht nuk kemi nevojë për asgjë më tepër se sa filmi tashmë na jep për të kuptuar se për çfarë po bëhet fjalë: njeriu i lënduar nga hidhuritë e jetës gjen strehë në hapësirë larg konflikteve njerëzore të cilat, siç na tregon shembulli i familjes të Besnikut, i largojnë njerëzit nga njëri tjetrin, i bën të harrojnë sesi të duan njëri tjetrin. Ritmi i ngadaltë i tregimit i jep një ton poetik, rrjedh si vargjet e një poezie, por në të njëjtën kohë ai funksionon edhe si një vajtim për humbjen e komunikimit mes njerëzve – ideja kryesore e filmit.

Megjithatë, kjo histori jo e përsosur është filmuar në një mënyre fantastike, dhe kjo e bën një film të bukur. Ka një cilësi ‘painterly’ (piktorike) dhe një ekzagjerim në stilin vizual që konsiston aq në ndërtimin dhe portretizimin shembullor të rrethanave të protagonistit Besnik sa edhe në manierizmat dhe gjestet e tij. Kamera e ndërton dhe e trajton peizazhin si një personazh kryesor, dhe ngadalë e fikson atë në memorien tonë përmes një larmie planeve fikse, të gjerë dhe të largëta të cilit kanë një funksion përgjithësisht përshkrues. Peizazhi figuron si Kopshti i Edenit – vërtet, është si një ‘paradise lost’ (një parajsë e humbur, në fjalët e poetit anglez të shekullit XVII John Milton) – dhe brenda tij Besniku gjendet njëherësh i humbur dhe i shpëtuar; ku tjetër mund të shkonte vallë!

Ndoshta edhe unë vetë po ekzagjeroj (me qëllim!) kur them se çdo personazh dhe çdo histori e vogël brenda filmit – si dhe çdo copëz toke – funksionon si një këmbësor, është aty për të na ndihmuar të kuptojmë plotësisht personazhin e Arbenit i cili bazohet plotësisht tek interpretimi i tij– ai mishëron njeriun të humbur në vetvete dhe na bën të harrojmë aktorin dhe të mbajmë mend vetëm personazhin. (Janë të rrallë filmat me komplot minimal që bazohen plotësisht tek interpretimi i aktorëve. Një shembull është filmi The Revenant (2015) në të cilin Leonardo Di Caprio arriti apotezën e karrierës së tij dhe fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë pasi ai dha një performancë të përkryer). Cilësia e një aktori duket tek mënyra sesi ajo ose ai i shmanget natyrës të pamëshirshme të kameras dhe gjen ekuilibrin midis personazhit dhe vetvetes, atëherë lëshohet para kameras i sinqertë dhe origjinal duke na treguar madhështinë e aftësisë së tij interpretuese – në këtë rast, Arben Bajraktaraj tregohet vërtet  karizmatik. Siç ka shkruar Vladimir Prifti, ‘nuk ka vend ku aktori të fshihet’ kur qëndron para kameras, pra as streha mes reve nuk e shpëton dot aktorin tonë kryesor. Por ka një moment të veçantë, unik, drejt fundit të filmit kur kamera e tregon në plan të parë dhe ai ja kthen shikimin për disa sekonda me një vështrim shpues,  – tani kamera nuk ka vend ku të fshihet!

Edhe pse portreti i Besnikut ende mbetet i paplotë, kemi arritur të shijojmë fragmente të realitetit të tij në disa momente zbuluese. Një moment i tillë është çasti kur Vilma (Estela Pysqyli) i tregon Besnikut sesi arriti të punojë me restaurime pikturash pasi ajo ka studiuar për piktore dhe i pëlqejnë gjërat e vjetra. Në një mënyre, gjesti i restaurimit është një përpjekje për t’i rikthyer të kaluarës, për ta mbajtur atë të gjallë – për kundrazi Besniku do ta harrojë të kaluarën e tij, por njëkohësisht e kaluara e tij e ndjek dhe e traumatizon. Një copë druri e përpunuar në një imazh që ai ka në mendje është e vetmja gjë që i kujton atë që ka humbur në jetë, është një shenjë e një dashurie të humbur. Njeriu gjithmonë ka patur nevojë të kthejë çdo gjë që adhuron në idhull, është një instinkt i lashtë që i reziston kohës, dhe Besniku ka nevojë për idhullin e tij në tempullin e tij, te kjo parajsë e humbur mes reve ku çdo gjë mbetet ashtu siç e gjetëm në skenën të parë.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.