Ose: pse sillemi me mospërfillje ndaj trashëgimisë materiale kulturore dhe arkeologjike: çfarë bën administrata e kulturës atëherë kur nuk merret me hartimin e programeve që rëndom nuk realizohen kurrë; pse na kapërcejnë pa “zhurm” disa fakte e vlera të aktualitetit tonë kulturorë.
Artikull origjinal i shkruar nga Xhemail Mustafa për Rilindjen.
Duke pranuar se sot, më shumë se kurrë përpara, shtrohet pyetje gjithëfare, dhe në, këtë det të thellë pyetjesh e dilemash, vetvetiu na u imponua të pyesim publikisht se a thua si sillemi me të kaluarën, e në këtë kontekst, veçmas me trashëgiminë materiale kulturore? Në vështrim të parë, kjo pyetje që nuk lidhet drejtpërsëdrejti me krizën shoqërore dhe as me format e reprodukimit të saj, mund të duket një si çështje a problem krejt i cekët. Fundja, mund të ketë edhe rezonime të këtilla, kujt iu dashka të merret aq seriozisht me të kaluarën dhe me vlerat e saj, kur kemi kaq shumë probleme me të tashmen, me realitetin tonë aktual shoqëror, politik e kulturor. Në këtë rezonim të mundshëm, që është rezonim dhe logjikë e njeriut me status të rrezikuar social, dhe në vend se të merremi me definimin eventual të kësaj logjike dhe të këtij rezonimi, po kthehemi sërish te qëndrimi ynë karshi trashëgimisë kulturore, që është qëndrim përherë dhe më indiferent, për të mos thënë se herë-herë është qëndrim negativ.
Pothuajse jemi mësuar që qëndrimin përherë e më mospërfillës ndaj monumenteve kulturore-historike dhe arkeologjike përgjithsisht ta arsyetojmë me krizën ekonomike dhe me të gjitha format e tjera të “krizomanisë”. Mirëpo, duket sikur harrojmë, e kjo nuk bëhet pa qëllim, se qëndrimi ndaj së kaluarës historike, në këtë rast ndaj trashëgimisë kulturore, në rradhë të parë është shprehje e vetëdijes mbi historinë dhe mbi kulturën. Meqë shkalla e vetëdijes sonë kulturore mbi kulturën dhe vlerat e saj ende është tejet e ulët, atëherë nuk kemi arsye të habitemi pse para syve të opinionit tonë kulturor shkatërrohen objekte, monumente e vlera të tëra nga trashëgimia materiale kulturore. Në këtë kuadër është alarmues dhe sinjifikativ sidomos fati i Hamamit të Prishtinës, i cili kurrsesi të vihet në funksion të kulturës, sado që për një “tjetërsim” të këtillë të këtij objekti unikat ekzistojnë vendimet e organeve më të larta të komunës së kryeqendrës sonë. Me vite ky objekt shërben si depo e materialit ndërtimor të OP “Prishtina”, sikundër që po ashtu me vite “dergjet” Ulpiana bashkë me shumë lokalitete të tjera arkeologjike, të clat u gërmuan, u hapën dhe u mbyllën dhe – u harruan. Gjasat që shtresa e harrimit mbi këto objekte të jetë gjithnjë e më e trashë janë të mëdha, meqë vetëdija jonë kulturore mbi trashëgiminë materiale dhe arkeologjike po sharron përherë e më shumë në rërën e gjallë të vetëdijes sonë tashmë të politizuar ose të preokupuar përherë dhe më shumë me minimumin e ekzistimit social!
Çka e lidh kulturokracinë me kulturën
Nëse mund t’u besohet deri në fund të dhënave statistikore që u nxorën para do ditësh në opinion, atëherë mund të konstatojmë lirisht se në institucionet dhe bashkësitë e kulturës në Krahinë punon një numër relativisht i madh njerëzish të profileve të ndryshme. Sipas këtyre të dhënave, në 22 komuna të Kosovës, në institucione, në organizata, në bashkësi të kulturës dhe të kulturës fizike janë të punësuar më shumë se 800 punonjës. Ç’është e drejta, thuhet se ky numër është pakësa më i madh dhe rëndom zihet në gojë numri prej afër një mijë të punësuarish në organizatat e kulturës në Krahinë, pjesa dërrmuese e të cilëve në këto subjekte kulturore merren me punë administrative në kulturë ose që merren me organizimin e aktivitetit kulturor.
Vlerësimi se athua ky numër punëtorësh është i vogël, apo tepër i madh kërkon të dhëna empirike nga vetë puna e këtyre organizatave, në një anë dhe nga viset e tjera të vendit e më gjerë, në anën tjetër. Mirëpo, mund të thuhet lirisht se ky numër punëtorësh është shumë më i madh dhe më i gjerë sesa vetë aktiviteti kulturor i tërësishëm në Krahinë. Në vështrim të parë ky konstatim mund të duket arbitrar, por me qëllim që këto raporte të konkretizohen sadopak, duhet thënë se sipas një llogarie krejt të rastit del se në secilën komunë të Krahinës, në institucionet dhe bashkësitë e kulturës punojnë mesatarisht nga 40-50 punonjës. Nëse kësaj të dhëne i shtohet fakti se në këtë llogari nuk janë përfshirë krijuesit e mirëfilltë të krijimtarisë kulturore, atëherë njeriu nuk si të mos pyet: a thua çfarë bekan këta njerëz në vendet e tyre të punës dhe si e bjerka kohën administrata jonë kulturore.
Mund të supozohet me përpikëri se disa nga ata merren me punë administrative, kurse më me rregull dhe më me qejf merren me ndarjen e të ardhurave personale, që për kushtet tona nuk janë të vogla, e shpesh janë shumë më të mëdha sesa të krijuesve tanë, të cilët janë bartës të aktivitetit kulturor. Pala tjetër e administratorëve tanë kulturor, ndërkaq, duket se pos me programet e punës që i hartojnë njëherë në tri-katër vjet dhe që kryesisht nuk i realizojnë kurrë, nuk kanë ndonjë punë tjetër për të qenë dhe me cilën merren. Këta të dytët, eventualisht mund të bëjnë sehirë me të parët, dhe kështu, bashkë me kohë, shkojnë kot së koti edhe një pjesë e mirë e mjeteve materiale që i gëlltit administrata jonë kulturore, pjesa më e madhe e së cilës jeton në kurriz të kulturës dhe kjo është e vetmja gjë që i lidh me këtë veprimtari të rëndësishme shoqërore.
Drama e realitetit dhe “injorimi” i skenës
Në lëvizjet e ndryshme të vetëdijes sonë shoqërore, e që kryesisht janë lëvizje të karakterit politizues, sipas të gjitha gjsave më së ngushti e ka vetëdija e mirëfilltë kulturore. Opinioni i gjerë i vendit sot mund të jetë i informuar për çështje tejet të rëndësishme shoqërore e politike, mund të dijë dhe të nuhasë çdo lëvizje midis raportit të forcave të ndryshme, por ja që para tij kalojnë pa u vërejtur fare shumë aktivitete kulturore. Nëse në qastet e ndonjë pauze i kthehet vetvetes dhe realitetit aktual kulturor, njeriu habitet se si në praktikën e jetës sonë, megjithatë zhvillohet një aktivitet i tërë krijues që disi mbetet i paafirmuar sa duhet. Njësoj mbeti e paafirmuar në opinionin tonë kulturor dhe më gjerë edhe puna e frytshme e ansamblit të dramës shqiptare e SHKA “Aca Mroviç” të Elektroekonomisë së Kosovës.
Sipas një informate që u publikua këto ditë, ky ansambël vetëm brenda këtyre dy vjetëve inskenoi me sukses pesë-gjashtë tekste të dramës, punë kjo që është për çdo lavdatë për një shoqëri amatore, e cila vepron në kuadrin e punës së bashkuar. Para dy-tri ditësh po ky ansambël shfaqi edhe dramën, përkatësisht komedinë “Punë siziti” të Milazim Krasniqit, regjinë e së cilës e bëri aktori Asllan Hasaj. Po ky aktor i TPK-së, siç mësuam, bëri regjinë dhe të katër-pesë shfaqjeve të tjera, të cilat, duhet pranuar, në opinion disi kaluan në heshtje, nuk u afirmuan sa duhet as si fakt kulturor, as si vlerë teatrore. E kjo, duket nuk është e “rastit”; kujtë mund t’i bëjë përshtypje dramat që shfaqen në skenat tona teatrore, tash kur në skenën e hapur të jetës luhen kaq shumë drama e komedi shoqërore?! E, kjo është vetë drama e vetëdijes sonë kulturore.
———
Ky tekst është pjesë e nismës RI-RILINDJA – një shfletim digjital i historisë përmes faqeve të Rilindjes, gazetës kryesore të Kosovës në shekullin e kaluar. Faza pilot e këtij projekti është zbatuar nga Free Libre Open Source Software Kosova në bashkëpunim me Sbunker dhe Bibliotekën Hivzi Sulejmani, si dhe me mbështetje nga Ipko Foundation dhe Presidenca e Republikës së Kosovës.
Fillimisht e kemi digjitalizuar vitin e parë të së përjavshmes ‘Rilindja e Javës’, që është botuar çdo të dielë nga 14 shkurti i vitit 1988. 31 vjet më vonë, Sbunker sjell artikuj të përzgjedhur nga kjo periudhë me synim të ndërtimit të urave lidhëse mes diskursit të sotëm dhe atij të dikurshëm.