Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Ekonomia e Kruzos?

Kur Daniel Defo e shkroi novelën Robinson Kruzo, dyshoj të ketë menduar që personazhi i tij – ngujuar në një ishull tropikal afër Trinidadit – do të shërbente si konstrukt analitik për shkencën e ekonomisë. Novela e tij i përshkruan peripecitë e Kruzosë përgjatë 28 viteve, i vetmuar në luftë për mbijetesë me natyrën. Por situata e tij e posaçme doli të jetë analogji shumë e mirë për të studiuar veprimet e aktorëve ekonomikë në izolim dhe pastaj për të parë ndryshimin e sjelljes së tyre kur ju prezantohen aktorë të rinj.

Kruzo është i vetëm, prandaj në ekonominë e tij është vetëm një konsumator dhe vetëm një prodhues. Ishulli në të cilin gjendet ka pak resurse dhe sasia e tyre është e pamjaftueshme. Ato pak resurse duhet të përpunohen për t’u shndërruar nga gjendja e egër në diçka që ka vlerë për Kruzonë. Ai duhet të marrë vendime: të vendosë në mes kohës dhe energjisë që ia kushton konsumit të resurseve dhe përpunimit (“prodhimit”) të tyre si dhe kohës që ia kushton investimit në mjete të punës.

Studimi i Kruzosë dhe i sjelljes së tij në ishull, prandaj, shërben si një metodë e mirë analitike për të studiuar konsumin, rendimentin, kursimin, investimin, prodhimin dhe më vonë tregtinë—të gjitha këto elemente kyçe të çdo ekonomie në botë.

Në thelb të këtij studimi analitik është vullneti dhe vendimi i Kruzosë për të jetuar. Të gjitha veprimet e tij janë pasojë e këtij vendimi të qëllimshëm. Po të preferonte Kruzoja vetëvrasjen mbi mbijetesën (qoftë filozofike, qoftë nga çmendja), atëherë ky do të ishte veprimi i tij i fundit dhe asgjë tjetër nuk do të mbetej për analizë të mëtutjeshme. Ekonomisti Ludvig von Mizes e quajti sjelljen e qëllimshme aksiomë bazë të veprimit njerëzor. Sipas tij, nga kjo aksiomë rrjedh çdo veprim tjetër që ndërmerret nga aktorët ekonomikë. Në këtë kuptim, qeniet njerëzore janë racionale, jo sepse ndërmarrin veprimet e duhura në mënyrë të pagabueshme, por sepse përdorin mjete në shërbim të arritjes se qëllimeve (ndryshe nga kafshët që veprojnë vetëm në saje të instinktit).

Në thelb të këtij studimi është, po ashtu, natyra njerëzore e Kruzosë. Fakti që Kruzoja nuk mund të jetojë pa u ushqyer dhe pa jashtëqitur, pa lëvizur dhe pa përdorur shqisat dhe mendjen e tij. Natyra e posaçme e njeriut e cila e ngarkon atë me disa nevoja të patjetërsueshme si këto si dhe ia kufizon aftësitë fizike dhe mendore (shembull ai nuk është i plotfuqishëm dhe nuk mund të fluturojë) e përcakton modus operandin dhe kufijtë e sjelljes së tij.

Kruzoja mund t’i përmbushë nevojat e tij vetëm duke e përdorur trupin dhe gjymtyrët e tij, të udhëhequra nga mendja, për t’i përpunuar resurset e ishullit në diçka të vlefshme për të. Konsumi i Kruzosë përcaktohet subjektivisht nga vetë ai, kurse gjykimi se cilat mjete janë të përshtatshme për përmbushjen e këtij konsumi përcaktohet nga njohuria e tij teknologjike-shkencore.

Çfarë mund të konsumojë Kruzoja në ishull? Resursi kryesor që ka në dispozicion është arra e kokosit sepse përmban ujë dhe vlera ushqyese. Kruzoja dëshiron të konsumojë 10 arra në ditë—ëndrra e luksit—por mund të mbijetojë edhe me 5.

Për t’i konsumuar arrat e kokosit Kruzoja duhet t’i vjelë ato nga pema e lartë dhe pastaj t’i çajë. Me forca vetjake (pa ndihmën e mjeteve të punës) Kruzoja mund të vjelë vetëm 6 arra në ditë—një më shumë sesa i duhet për të mbijetuar. Ky është rendimenti i tij aktual, i mirë por i pamjaftueshëm për ta “pasuruar” atë dhe për t’ia realizuar ëndrrën e 10 arrave në ditë.

Për t’u pasuruar, Kruzoja duhet patjetër ta rrisë rendimentin e tij dhe të vjelë më shumë se 6 arra në ditë. Ai duhet të prodhojë një mjet pune— për shembull një shkop—që ia lehtëson atij detyrën dhe e bën më efikas duke ia rritur rendimentin në 10 arra në ditë.

Por si do të ushqehet Kruzoja në kohën përderisa ndërton shkopin? Për ta mbështetur vetveten gjatë kohës kur nuk vjelë arra, Kruzosë i duhet patjetër një fond i kursimeve. Kursimi nënkupton abstenimin nga konsumi. Kruzoja duhet të mos i konsumoj të gjitha arrat por ta kursej një (pa të cilën mund të mbijetoj) për t’i shërbyer si mbështetje gjatë kohës sa është duke prodhuar shkopin.

Për ta bërë këtë, Kruzosë i duhet të bëjë një gjykim tejet të rëndësishëm ndërmarrësor: sa kushton prodhimi i shkopit për vjelje? Me fjalë tjera, sa arra duhet t’i kursejë Kruzoja për të pasur një fond të mjaftueshëm investiv. Ky gjykim i tij ndërmarrësor, i cili informohet nga njohuria e tij teknologjike-shkencore për kohëzgjatjen e procesit të prodhimit, është vendimtar për ta përcaktuar suksesin e kësaj ndërmarrjeje nga ana e tij. Nëse Kruzoja gjykon me të drejtë, standardi i tij i mirëqenies rritet; por nëse gjykimi i tij del të jetë i gabuar ai përfundon me falimentim.

Kruzoja mendohet dhe gjykon që për ta ndërtuar shkopin i duhen 5 ditë. Meqë konsumi i tij minimal është 5 arra në ditë, në këtë kohë atij do t’i duhen t’i konsumojë 25 arra kokosi. Meqë ai mund të kursej vetëm një arrë në ditë, i bie që ai duhet të kursejë për 25 ditë rresht para se ta ndërmarrë ndërtimin e shkopit. Kruzoja kursen, e ndërton shkopin me sukses, e rrit rendimentin e tij dhe pastaj e shijon standardin e ëndërruar të 10 arrave.

Çfarë kemi kuptuar nga ky tregim? Që duke e zhveshur ekonominë nga kompleksiteti i përditshëm i miliona konsumatorëve, me miliona produkte e shërbime për konsum, e miliona mjete prodhimi, kemi arritur të kuptojmë në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë disa koncepte bazë të saj. Kemi kuptuar konsumin, rendimentin, kursimin, investimin dhe prodhimin, praktikisht teorinë kapitale. Mbi të gjitha, kemi kuptuar një faktor të rëndësishëm ekonomik të cilit rrallëherë i jepet rëndësia e merituar: faktorit kohor. Faktit që çdo proces i prodhimit zgjat në një kohë të caktuar e cila duhet të merret parasysh në gjykimet ndërmarrësore.

Kemi kuptuar gjithashtu individualizmin metodologjik, parimin që shkenca ekonomike duhet ta studiojë individin e jo “grupin” sepse vetëm individët mendojnë, veprojnë dhe marrin vendime. Grupi apo shoqëria janë konstrukte artificiale—sinonime për individët që përbëjnë ato—dhe si të tilla nuk kanë vetëdije dhe nuk veprojnë në vetvete.

Një herë tjetër kur Kruzoja ta takojë befas një anëtar të ri në ishull të quajtur Frajdej, bashkëveprimi i tyre do të na mësojë edhe për tregtinë. Atëherë ekonomia e Kruzosë do të marrë më shumë pamjen e ekonomive moderne.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.