Shoqëria kosovare din të jetë pre e manive të ndryshme, të cilat në mënyrë të vrullshme i pushtojnë turmat, konsumohen dhe shuhen, për t’i hapur rrugë të tjerave. A ju kujtohen pas luftës internet kafetë? Në çdo kënd ishte nga një. Pastaj fushat e futbollit, shitoret e telefonave mobilë, pompat e njëpasnjëshme të benzinit, e kështu me radhë.
Mania e sotshme, e përhapur këto javët e fundit, është Bitcoini. Në kërkim të rrugëve më të shpejta dhe të lehta për t’u pasuruar, shumë të rinj kosovarë janë kapluar nga ideja se me prodhimin e bitcoinëve do të bëhen të pasur brenda natës.
Prit pak, çka është bitcoini në radhë të parë? Bitcoini është para digjitale (elektronike, e paprekshme), e krijuar në vitin 2009. Ajo u krijua duke përdorur kriptografinë, shkenca që studion mënyrat e komunikimit të sigurt dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet apo përgjimet e palëve të treta. Bitcoini ka disa karakteristika të veçanta, përpos të qenit para digjitale, që e dallon atë nga paraja e zakonshme që e njohim në përditshmëri.
Së pari, ai nuk prodhohet dhe sasia e tij nuk menaxhohet nga një autoritet qendror, siç është rasti me euron, dollarin, lekun, etj. Këto të fundit prodhohen dhe menaxhohen nga shteti nëpërmes bankave qendrore. Bankat qendrore shtypin para të letrës dhe prodhojnë monedha, kurse e menaxhojnë sasinë e parasë në qarkullim me metoda të ndryshme (duke përcaktuar kërkesat minimale të rezervave për bankat komerciale, operuar në tregun e hapur për shitblerjen e aseteve, apo përcaktuar normën e saj të interesit).
Bitcoini në anën tjetër mund të prodhohet nga kushdo që dëshiron, sikur çdo produkt tjetër. Mirëpo për prodhimin e tij ai nuk mund të “shtypet” sepse ekziston vetëm në formë virtuale. Ai prodhohet në një proces kurioz të “mihjes”, në të cilin ata që dëshirojnë të prodhojnë bitcoinë duhet të përdorin softuerë specialë për të zgjidhur disa probleme matematikore. Në këmbim të zgjidhjes së këtyre problemeve ata shpërblehen me bitcoinë.
Pse kjo mënyrë kurioze e mihjes? Sepse meqë bitcoini nuk është i menaxhuar nga një autoritet qendror, të gjitha transaksionet që bëhen me të nga njëra kuletë digjitale tek tjetra duhet të ruhen në një libër publik të llogarive (ang. ledger) në formë të blloqeve zinxhirore (ang. blockchain). Rrjedhimisht, këto transaksione duhet të konfirmohen matematikisht nga të gjitha palët për të garantuar vërtetësinë dhe sigurinë e bitcoinit.
Kjo mënyrë e mihjes e bën bitcoinin para shumë të sigurtë dhe stabile sepse, duke i shpërblyer me bitcoinë, i nxitë një numër sa më të madh të njerëzve të vërtetojnë transaksionet. Sa më e shpejtë që është shkalla e vërtetimit të transaksioneve, aq më të vështira i bën sistemi softuerik i bitcoinit problemet matematikore, në mënyrë që sasia e bitcoinëve në qarkullim të jetë e kontrolluar.
Vërtetimi i transaksioneve është një proces intensiv dhe tepër i gjatë, për të cilin duhet fuqi e madhe përllogaritëse (kompjuterike) dhe i cili shpenzon energji elektrike në masë më të madhe se kompjuterët e zakonshëm. Për t’ju përgjigjur kësaj sfide janë krijuar një sërë harduerë të ndryshëm, të destinuar vetëm për mihje të bitcoinëve, të cilët garojnë me njëri tjetrin për nga efikasiteti i përdorimit të energjisë elektrike dhe numri i bitcoinëve që i prodhojnë brenda një periudhe të caktuar.
Deri tani ky sistem ka funksionuar për mrekulli. Vlera e një bitcoini kundrejt parave tjera është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Sot një bitcoin vlen rreth €2,184 apo $2,560. Po të kishit blerë në vitin 2010 bitcoinë në vlerë të vetëm $5, sot do t’i kishit $4.4 milion sepse vlera e tij është rritur 879,999 herë.
Atëherë, bitcoini s’qenka mani por investim i mençur?
Gjërat janë pak më të komplikuara.
Mihja e bitcoinëve e ka një gjemb. Krijuesi i bitcoinit, identiteti i të cilit ende nuk është konfirmuar, ka vendosur që sasia e përgjithshme e bitcoinëve në qarkullim të jetë e kufizuar në 21 milion. Kjo “politikë monetare” e bazuar në pamjaftueshmërinë artificiale (ang. artificial scarcity) nënkupton që mihja e bitcoinit do të jetë e mundur vetëm përderisa ky kufizim nuk arrihet. Për më tepër, sasia e bitcoinëve që mihen në ditë do të përgjysmohet çdo katër vite derisa të gjithë të jenë në qarkullim.
Për minatorët e bitcoinit kjo i ka dy implikime të kundërta. I pari është që shuma e madhe e parave që i kanë shpenzuar për t’i blerë ata harduerë të shtrenjtë për mihjen e bitcoinëve do të jetë e arsyeshme vetëm nëse ata arrijnë të prodhojnë bitcoinë në vlerë që e tejkalon atë shumë. Si me çdo investim tjetër në treg, është spekulative se a do të ndodhë kjo, për faktin se sa më të vonuar që janë ata, aq më e vogël do të jetë sasia e bitcoinëve që lejohet në qarkullim dhe aq më pak do të mund të prodhojnë.
Për më tepër, oferta e disa prej harduerëve është thjesht dubioze dhe në kundërshtim me parimet themelore të ekonomisë. Për shembull, ka shitës që ofrojnë harduerë me kapacitet prodhimi të bitcoinëve në vlerë të $330 për muaj, por me çmim vetëm $1,988. Kjo nënkupton që për 6 muaj të paguhet pajisja. Pse nuk e mban shitësi pajisjen për vete kur është qartë më fitimprurëse për të? Ky çmim do të kishte kuptim vetëm nëse pajisja i ka vetëm 6 muaj jetëgjatësi dhe pastaj prishet/amortizohet përfundimisht. Mjetet kapitale në ekonomi gjithmonë e marrin çmimin në formë të imputuar nga vlera monetare e produktit final që ato e prodhojnë [1]. Kjo nënkupton që këta shitës janë thjeshtë mashtrues dhe që pajisjet e tyre nuk e kanë rendimentin ose jetëgjatësinë që ata e pohojnë.
Implikimi i kundërt (dhe pozitiv për minatorët) është që, me zvogëlimin e sasisë së bitcoinit në qarkullim, do të rritet edhe çmimi i tij (ceteris paribus). Ata do të mund të prodhojnë më pak bitcoinë, por vlera e bitcoinëve që i kanë në posedim do të rritet.
Por për të përfituar nga rritja e çmimit të bitcoinit nuk është i domosdoshëm prodhimi i tij; bitcoini si çdo para tjetër mund të këmbehet. Sot çdo kush që dëshiron mund të futet në treg online dhe të blejë bitcoinë pa pasur nevojë të investojë në shuma marramendëse për pajisje të mihjes. Kjo është arsyeja pse po e quaj mani tundimin për t’u pasuruar me bitcoin brenda natës.
Kjo s’do të thotë, megjithatë, që bitcoini nuk është krijim i jashtëzakonshëm. Përveç mënyrës se si prodhohet dhe menaxhohet në mënyrë të pavarur, bitcoini është gjithashtu gjysmë-anonim. Në kohën kur qeveritë po bëjnë çmos për të shkelur liritë individuale duke dekurajuar dhe ndaluar keshin dhe detyruar blerjet të ndodhin nëpërmes bankave (ku ruhen të dhënat më të detajuara të përdoruesve), bitcoini mbetet ndër strehat e fundit të privatësisë ekonomike.
Bitcoini gjithashtu i bën konkurrencë bankave qendrore në menaxhimin e parasë në mënyrë efikase dhe të sigurtë. Performanca monetare e bankave qendrore në shekullin e fundit ka qenë katastrofale. As Rezerva Federale ne ShBA, as Banka Qendrore Evropiane, nuk i kanë përmbushur asnjërin nga mandatet e tyre (stabilitetin e çmimeve, stabilitetin makroekonomik apo punësimin e plotë) me sukses. Ato jo vetëm që nuk i kanë parandaluar krizat ekonomike me shkaqe monetare, por kanë qenë vetë shkaktarë të tyre me politikat inflacioniste të cilat kanë krijuar fluska artificiale të tregjeve (si ajo e ndërtimit), që kanë rezultuar me krizë financiare dhe pastaj krizë në ekonominë reale.
Konkurrenca monetare, si çdo konkurrencë tjetër, i disiplinon pjesëmarrësit në treg sepse nëse bankat qendrore vazhdojnë me avazin e vjetër, gjithmonë ekziston mundësia që njerëzit t’i bartin kursimet e tyre të vlefshme në bitcoin, natyrisht në përputhje me përhapjen e përdorimit të tij në ekonomi.
Nuk është çudi pra, që Banka Qendrore e Kosovës, me injorancën dhe nonshalancën tipike të institucioneve të Republikës së Kosovës, pohoi se “bitcoini është i rrezikshëm”. I rrezikshëm për kënd? Për inkompetencën tuaj? “Përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare”, u tha në prononcimin e BQK-së. Pra, çdo gjë që nuk është thellë e përthekuar nga kthetrat e ligjit dhe monopolit shtetëror është e rrezikshme, deri sa (në fjalët idiote të Donald Trumpit) “ta kuptojmë se çka është duke ndodhur”.
Bitcoini është krijuar pikërisht për t’i ikur ligjeve destruktive të shtetit në sektorin monetar, të cilat vazhdimisht kanë dhënë rezultate dëshpëruese, qoftë në garantimin e sigurisë së sistemit monetar, qoftë në cilësinë e parasë nën menaxhim të shtetit, e cila është pllakosur vazhdimisht nga inflacionet që kanë tretur kursimet e qytetarëve.
Shpresa e vetme e atyre që agjitojnë për lirinë individuale në sferën monetare dhe rivendosjen e një paraje të sigurtë që e kryen me cilësi dhe siguri funksionin e saj të mjetit të këmbimit është që shteti të mos vërsulet në shkatërrimin e saj siç ka bërë në të kaluarën, duke mos lejuar konkurrencën dhe alternativat e parasë për qytetarët. Bitcoini nuk është magji që lejon pasurimin e shpejtë të një individi, por me shumë gjasë është një zhvillim që i jep shpresë fillimit të një epoke të re të ekselencës monetare.
__________
[1] Më saktësisht, ai çmim zbritet nga norma e interesit, por këtu lexuesi është kursyer nga teknikalitetet e thata të teorisë kapitale.