Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kanceri i gjirit nuk është fjongo rozë

Kanceri i gjirit nuk është fjongo rozë” thotë “projekti i shenjave” i fotografit David Jay. Përmes fotografive të grave që i kanë mbijetuar kancerit të gjirit, vihet në pah realiteti i vërtetë i kësaj sëmundjeje. Shenjat e thella nga heqja e gjinjve, flokët e rëna nga kimeoterapia, mastektomia, dhe dhimbja e thellë nga humbja e të dashurave për shumë familjarë; ky është realiteti i kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse. “Dua të më shohin” – thotë aktivistja Ericka Hart duke pozuar nudo me shenjat nga mastektomia. Ajo thotë se dëshiron që të tjerët ta shohin si person që ka përjetuar një sfidë të tillë.

Serioziteti i fushatave të tilla e përcakton edhe cilësinë e diskursit rreth shëndetit të grave si tregues esencial i mirëqenies së tyre. Por në Kosovë, fushatat për vetëdijesim rreth kancerit të gjirit shpesh reduktohen në euforinë pink; ‘veshu pink’, ‘mendo pink’, – na thonë. Çdo vit thirrja për solidarizim me gratë e prekura bëhet përmes një fjongoje rozë apo një ecje në qendër të qytetit. Grupi i grave deputete mburret me mamografinë mobil; aty-këtu na shpërndahet ndonjë fletushkë me porosinë për kontroll dhe parandalim të hershëm; dëgjohen tingujt e ndonjë kënge “frymëzuese” që u thotë grave të mbajnë kokën lart, apo fjalët e ndonjë ‘profesionisti’ që të parin mekanizëm mbrojtës ndaj kancerit sugjerojnë “besimin në Zot”.

Sipas pikëpamjeve patriarkale, gjinjtë shihen si mjet validues për gratë, element ky kinse tipik ‘femëror’, qoftë duke iu referuar amësisë apo objektivizimit seksual. E ky seksualizim nganjëherë na shfaqet edhe në fushata për vetëdijesim të kancerit të gjirit. Ndër shembujt më konkretë është fushata e Kryeministrisë së Shqipërisë në vitin 2014 me moton “Gjiri i gruas është bukuri! Kujdesu!”. Seksualizimi i tillë i gjinjve dhe reduktimi i kësaj sëmundje vdekjeprurëse në bukuri ‘femërore’ është diskriminues dhe mizor.

Por ka edhe të tilla që përmes një modeleje e cila është vullnetarisht tullace si shprehje e identitetit artistik, tentohet të përçohet mesazh solidarizues tek gratë e prekura. Kjo është hipokrizi kur e marrim parasysh faktin se rënia e flokëve dhe e qimeve të tjera trupore vjen nga kimeoterapia, e cila i mbyt edhe qelizat e shëndosha tek gratë e prekura dhe u shkatërron imunitetin fizik dhe emocional.

Këtë vit është raportuar për numër më të madh të regjistruar të grave me kancer gjirinë krahasim me vitin e kaluar, por ky numër është shpjeguar me rritje të numrit të raportimeve të rasteve apo kërkesave për trajtim. Doktorët në QKUK ditë më parë pohuan se kushtet mjekuese i përmbushin standardet e larta evropiane. Sipas njërit nga ta, kapacitetet mjekuese të QKUK-së i përfshijnë të gjitha fazat e kancerit të gjirit dhe pothuajse të gjitha ofrohen falas për pacientet.

Por sipas aktivistes për të drejtat e grave, Gjejrane Lokaj, e cila po ashtu është në trajtim e sipër të kancerit të gjirit, kjo nuk është e vërtetë. Sipas saj, barnat vonohen, terapia e rregullt (mujore gjashtë mujore dhe vjetore) kushton shumë, dhe referencat për kontrolle shtesë janë të vazhdueshme. Për më shumë, znj. Lokaj thotë se pavarësisht se disa shërbime ofrohen falas në QKUK dhe qendra rajonale, të tjerat ofrohen në sektorin privat, në ordinanca dhe poliklinika private edhe jashtë Kosovës. E të gjitha këto janë të papërballueshme sidomos për gratë në zona rurale.

Vetë ministri i Shëndetësisë konfirmoi se Kosova nuk ka buxhet për trajtimin e kësaj sëmundjeje, dhe 5 milionë euro të ndara për këtë sëmundje nuk mjaftojnë. Në anën tjetër, dihet se barnat në Listën Esenciale, sikurse për secilën tjetër sëmundje serioze, shpesh vonohen dhe pacientet nuk arrijnë të marrin trajtimin e duhur në kohën e duhur.

Shëndeti i grave ende nuk konsiderohet si prioritet në familje e shoqëri. Në shoqëri patriarkale, gratë janë ato që përkujdesen për të tjerët në familje, ndërsa shëndeti e mirëqenia e tyre mbetet në fund. Si gra, ne edukohemi të pranojmë një rol të tillë, dhe ta konsiderojmë edhe veten si më pak të rëndësishme. Këtë e thotë edhe znj. Lokaj: “Unë paralel me brengën për rrjedhën e sëmundjes kam pasur edhe brengën sesi familja ime do ta përjetojë lajmin dhe i kam kursyer gjatë nga lajmi për tmerrin që ndodhte në organizmin tim”. E mund të jetë pikërisht frika se mos po i imponohen financiarisht familjeve dhe se po i ngarkojnë emocionalisht, një faktor i rëndësishëm që gratë vendosin të mos kontrollohen. E rastet të tilla kur gratë lajmërohen në faza të vonshme të zhvillimit të sëmundjes, janë të shpeshta.

Duke pasur parasysh nivelin e konsiderueshëm të analfabetizmit në Kosovë, hulumtimi rreth kësaj teme më ka njoftuar edhe me raste kur gratë që janë të diagnostikuara, izolohen nga familjet e tyre në dhoma të veçanta, sepse e keqkuptojnë kancerin e gjirit për sëmundje ngjitëse. Kjo mungesë informacioni përveç se u vështirëson procesin shërues grave për shkak të mospërkrahjes emocionale, mund të jetë edhe një ndër shkaqet që gratë nuk kërkojnë trajtim sepse nuk e njohin seriozitetin e sëmundjes.

Prandaj, në mënyrë që shëndeti i grave të fillojë të pranohet si prioritet, thirrjet institucionale për ekzaminim dhe mjekim duhet t’u shkojnë në shtëpi të gjitha grave dhe familjeve në Kosovë. Tanimë është raportuar se Ministria e Shëndetësisë e ka miratuar Planin Nacional për Kontrollin e Kancerit. Mbetet të vlerësohet pas publikimit se sa cilësor është, nëse është gjithëpërfshirës, dhe çfarë strategjie implementuese ka. Me programe të tilla si dhe fushata profesionale të shoqërisë civile, mund ta adresojmë seriozisht këtë sëmundje pa viktimizim, me përkrahje të plotë institucionale dhe me fushata të denja.

 

 

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.