Virusët biologjikë dikur edhe mposhten. Por çfarë t’u bëjmë virusëve që nuk po ikin prej mendjeve tona?
Pandemia si fenomen ekstrem i natyrës arriti t’i nxjerrë edhe prej neve si njerëz ekstremet tona më të mira dhe më të këqija. Në rrafshin shoqëror u pa një rritje e solidaritetit dhe e ndjesisë së komunitetit, si dhe njëfarë empatie e re mes njerëzve dhe institucioneve publike, sidomos atyre që ishin përgjegjëse për zbatimin e masave kufizuese.
Por në rrafshin politik, klima e pasigurisë bëri që dobësitë dhe brishtësitë tona të zmadhoheshin.
Ndërkohë që përballë virusit biologjik të gjithë ne – opozitarë e pushtetarë, shumicë e pakica etnike – u gjunjëzuam pa diskriminim, përballë virusit politik u thyem deri në pikën ku s’po arrijmë ta gjejmë konensusin minimal për asgjë.
Një qeveri u shkarkua në Kuvend, nga shkaqe që edhe mund të shpjegohen me zhvillime vendase dhe botërore të momentit. Por në thelb kemi të bëjmë me kristalizimin e plotë të një beteje politike së paku njëzet vjeçare mes shqiptarëve, ku ndeshen dy narracione të kundërta.
Në njërën anë janë ata që këto njëzet vite i kanë përjetuar si një degradim dhe rrënim të vazhdueshëm – një miks eklektik i ish. shtresës urbane të kohës së Jugosllavisë që përjetoi rënie relative të statusit ekonomik dhe shoqëror; segmenteve të ish-shtresave të shtypura që u ndien të tradhëtuara nga “krahu i luftës”; por edhe i rrymave konservatore fetare.
Në anën tjetër janë ata që mendojnë se Kosova përkundër problemeve kurrë nuk ka qenë më mirë dhe mund të ketë nevojë për ndryshime por jo përmbysje. Këtu hynë kryesisht ata që kanë qenë afër shpërndarjes së favoreve prej pushteteve partiake; klasa e re e mesme e dalë nga lufta dhe varfëria; por edhe njerëz që në rrethanat e tregut të lirë arritën të jetojnë prej veprimtarisë së pavarur.
Me fjalë të tjera, sot janë vërsulur drejt njëri-tjetrit revolucionarët dhe evolucionarët, që njëri-tjetrin e përjetojnë si reaksionarë.
Narracioni mbi të shkuarën është bardh dhe zi; inatet janë akumuluar aq shumë sa që ka humbur arsyeja e shëndoshë; mosdurimi mes “katunarit” dhe “cipiripit zgradali” është në kulmin e tij, një shkallë pranë dehumanizimit të rrezikshëm që prodhon dhunë. Secili në sytë e tjetrit është jo vetëm i ligë por gjithsesi dhe argat i Serbisë.
Tani edhe padrejtësitë po bëhen thuajse në mënyrë transparente, sepse arsyetohen me padrejtësitë e tjetrit. Ndërkohë që thikat janë mprehur, arbitra moral të besueshëm ose nuk ka, ose po detyrohen të heshtin dhe po intimidohen nën presionin e militantëve moralizues.
Në një kontekst të tillë të polarizimit të skajshëm dhe mungesës së konsensusit minimal, disa institucione me respekt pak më të gjërë si policia dhe Gjykata Kushtetuese vazhdojnë ta kenë njëfarë autoriteti dhe po e mbajnë disi kohezionin shoqëror, por për një fije peri.
Hiç më mirë, në mos edhe më keq, janë raportet ndëretnike. Karantina e thelloi segregacionin. Madje edhe ndihmat dhe ardhjet e mjekëve prej Serbisë u politiziuan dhe krijuan shqetësime të sigurisë.
Përkujtimet e masakrave të zbatuara me urdhëra shtetëror, si ajo e Mejës dhe Korenicës, në komunitetin serb në Kosovë sërish u priten me heshtje. Rasti i Shkëlzen Gashit tregoi se shqiptarët refuzojnë të diskutojnë për krimet ndaj civilëve serbë pa shpërthyer në histeri defanzive, e lëre më të mendojnë për përgjegjësinë e kryerësve.
Shumicat në të dyja anët janë nominalisht kundër ndarjeve etnike dhe flasin permendsh për vlera europiane, por nuk kanë as dëshirë dhe as formulë për bashkëjetesë. Me perceptime kaq diametralisht të kundërta për të kaluarën dhe të tashmen, bëhet e pamundshme të shikohet drejt së ardhmes.
Mungesa e konensusit dhe bashkëpunimit minimal mes shqiptarëve dhe serbëve si njerëz dhe qytetarë ua ka lënë në duar zgjidhjen e problemit elitave politike. Problemi është se ato tani e njëzet vite po mbijetojnë pikërisht përmes thellimit të këtyre ndasive.
Në këtë kontekst, gjëja më e lehtë është për t’u tërhequr i zhgënyer nga çfarëdo angazhimi publik për ta ndryshuar situatën, ose për t’u thelluar si militant në kampin tënd të përkatësisë kombëtare dhe klasore
Megjithatë ekziston edhe një rrugë e tretë, më e vështirë por e nevojshme – ajo e “rezistencës ironike” ndaj virusëve të mendjes.
Kristofer Hiçens fliste shpesh për ndarjen në mes të mendjes ironike and mendjes së drejtpërdrejtë (fjalëpërfjalshme) që e merr veten shumë seriozisht, si një ndër dikotomitë më themelore të njerëzimit.
E dyta, burim i fanatizmit, e sheh të parën, burimin e lirisë, si kërcënim.
Pikërisht mbi mendjen ironike Richard Rorty e ndërtoi projektin e tij utopik, apo këndvështrimin prej “ironistit liberal”. Shprehur në mënyrë banalisht të thjeshtëzuar, “ironisti liberal” i Rortyt është njeriu skeptik ndaj nocioneve të “së vërtetës”, i vetëdijshëm se mendimet e tij janë produkt i rrethanave personale (kontigjencës) dhe i hapur për ta korrigjuar “fjalorin” e tij.
Për rrjedhojë, ironisti liberal është i lirë ta rikrijojë veten; të mos ngujohet në narracionet e imponuara nga rrethanat; t’i refuzojë ndasitë që e dehumanizojnë njeriun; sepse kjo ështe mënyra e vetme për të ndërtuar projekte të vërteta politike të solidarietit. Rorty e sheh dobinë e identitetit (klasor, kombëtar) si instrument të solidaritetit, por si i majtë e refuzon pengmarrjen prej impulseve dehumanizuese të tij.
Të vetmet gjëra për të cilat “ironisti liberal” është i sigurt dhe për të cilat avokon pa hezitim dhe në çdo rrethanë, janë gjërat si kundërshtimi i mizorisë, mbështetja e demokracisë, lirisë së fjalës dhe arsimit.
Mendja ironike, që e nxori njeriun nga errësira e mesjetës së prodhuar nga mendja fanatike, është antidoti ndaj virusëve në mendjet tona që ndjellin urrejtje dhe konflikt social reaksionar. Vetëm rritja e prezencës së mendjes ironike në sferën publike do të mund ta ushqejë konensusit minimal të nevojshëm dhe ta mbajë antangonizmin social dhe politik brenda kornizave demokratike.
Prandaj edhe nuk është rastësi përse – në këtë periudhë autoritarësh dhe fanatikësh që synojnë t’i thellojnë ndasitë – pikërisht mendja ironike është më e përbuzura dhe më e shtypura.
—-
Teksti është shkruar në kuadër të iniciatives “Hapur mbi…” të cilën e ka disajnuar dhe përkrahur Fondacioni i Kosovës për shoqëri të hapur (KFOS) në kuadër të projektit “OPEN. Mendimet, qëndrimet dhe përfundimet apo rekomandimet i takojnë autorit dhe nuk paraqesin domosdoshmërisht qendrimet e KFOS.