Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Rigjetja e rëndësisë së NATO-s si rezultat i agresionit rus

Vilnius, Lithuania - September 3, 2015: NATO flag waving by the wind

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) u themelua më 4 prill 1949 në Bruksel, Belgjikë, për të ofruar mbrojtje kolektive të shteteve anëtare Perëndimore nga rreziku i Bashkimit Sovjetik. Për katër dekada, përgjatë periudhës së njohur si “Lufa e Ftohtë”, NATO shërbeu si garanci për paqen dhe stabilitetin në Europën Perëndimore.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, NATO filloi të përballej me kriza të ndryshme, të jashtme dhe të brendshme, dhe dukej se NATO po fillonte të humbte qëlimin, mirëpo misionet në Jugosllavi dëshmuan të kundërtën. Gjatë viteve të fundit, organizata u kritikua nga vet anëtarët e saj se po përjetonte “vdekje të trurit” apo se ishte “vjetruar” (Obsolete), por kriza e fundit në Ukrainë hodhi në pah rëndësinë që ka Aleanca.

Vendimi i fundit i presidentit rus, Vladimir Putin, për të njohur rajonet separatiste të Donetsk dhe Luhansk dhe dërgimin e trupave ruse atje duket se ua rikujtoi vendeve Perëndimore rëndësinë e NATO-s. Thellimi i krizës në Ukrainë ka krijuar një mundësi të artë për Aleancën ushtarake më të fuqishme në botë që ta rigjej vetveten shtatë dekada pas themelimit të saj.

Ekzistenca e Aleancës në mungesë rreziku

Në vitin 1989, saktësisht 40 vite pas themelimit të NATO-s, Bashkimi Sovjetik kolapsoi duke përfunduar epokën bipolare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Si rezultat, u shfaqën 15 shtete të reja në Europën Lindore, Kaukaz dhe Azinë Qendrore.

Në këtë moment, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare supozuan se NATO do të shpërbëhej në mungesë të kërcënimit Sovjetik. Mbi të gjitha, logjika diktonte se ekzistenca e një aleance ushtarake varej nga prezenca e armiqve dhe rrezikut potencial. Profesori i mirënjohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, Kenneth Waltz, wrote në vitin 1993 se “ditët e NATO-s nuk janë të numëruara, por vitet po.”

Pavarësisht mungesës së rrezikut eventual, misionet e NATO-s në Jugosllavi dëshmuan se Aleanca ishte një model bashkëpunimi për shtetet anëtare dhe garanci për stabilitetin dhe paqen në Europë. Intervenimi në Kosovë ishte një provë pozitive se NATO-ja ende kishte rëndësi. Franca, e cila ishte tërhequr nga Aleanca në vitin 1966, njoftoi se do të kthehej përsëri.

Në dekadën e fundit të shekullit 20, Europa Lindore filloi procesin e transformimit, nga një regjim totalitar dhe socialist, drejt demokracisë, ekonomisë së tregut të lirë dhe kapitalizmit. Paralelisht, ish-republikat e Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore filluan procesin e integrimit euro-atlantik, përkatësisht integrimin në Bashkimin Europian dhe NATO.

Në vitin 2004, Europa përjetoi zgjerimin më të madh të BE-së dhe NATO-s, të njohur ndryshe si “big bang”. Dhjetë shtete (Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Lituania, Letonia, Estonia, Malta dhe Qipro) iu bashkëngjitën BE-së, ndërsa shtatë shtete u bënë anëtare të NATO-s (Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia).

Agresoni rus dhe efekti Trump

Mes euforisë së integrimit euro-atlantik dhe konsolidimit demokratik në Europë, në vitin 2008 NATO said se do t’i ofronte anëtarësim Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Rusia, e cila për vite me rradhë po mirrte veten nga plagët e shkaktuara nga kolapsi i Bashkimit Sovjetik, e konsideroi këtë lëvizje të NATO-s si rrezik direkt ndaj sigurisë së saj, dhe si kundërpërgjigje, vendosi të pushtojë pjesë të territorit të Gjeorgjisë (2008) dhe të Ukrainës (2014).

Shtetet anëtare të NATO-s ngelën të papërgaditura dhe nuk është se krijuan një kundërpërgjigje të fuqishme ndaj agresionit rus. Sanksionet e Perëndimit dhe reagimet politike nuk arritën ta zmrapsin Rusinë e Vladimir Putin. Rjedhimisht, situata vazhdoi të mbetej e njëjtë dhe dukej se të dyja palët ishin dakord me status kuonë e krijuar.

Në vitin 2016 ndodh e papritura në zgjedhjet presidenciale në ShBA. Kandidati më i pazakontë, Donald Trump, zgjedhet president i ri i vendit. Trump filloi të kritikonte shtetet anëtare të NATO-s për shpenzimet e ulta në mbrojtje. Shumica e vendeve nuk arrinin normën prej 2% të shpenzimeve të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP) në mbrojtje, siç parashihet në udhëzimet e NATO-s.

Trump shtoi skepticizëm dhe pasiguri mes shteteve anëtare duke said se ShBA-të nuk kanë pse rrezikojnë ushtarët e tyre për të mbrojtur një shtet sikurse Mali i Zi, shtetin më të ri të NATO-s në kohën kur u tha deklarata më 2018. Trump gjithashtu kritikoi NATO-n duke e etiketuar atë si “të vjetruar” (Obsolete). Tutje, në një prej intervistave të tij kontraverse, Trump e cilësoi presidentin rus, Vladimir Putin, si një “lider të fuqishëm”.

Mes skepticizmit të shtuar, shtetet europiane filluan të diskutonin për alternativa të tjera. presidenti francez, Emmanuel Macron, vlerësoi se Aleanca po përjetonte “vdekje të trurit”, dhe se europianët nuk do të mund të mbështeteshin më në ShBA-të në fushën e sigurisë. Macron propozi që Europa të themelonte një ushtri të përbashkët europiane.

Në fund të vitit 2020, Trump humbi zgjedhjet presidenciale dhe në krye të ShBA-së erdhi Joe Biden, i cili premtoi se do të punonte në renovimin dhe thellimin e marrëdhënieve transatlantike si kurrë më parë. Megjithatë, rreziku nga agresioni rus vazhdoi të mbetej evident dhe dëmi që kishte shkaktuar Trump do të ishte i vështirë të sanohej.

Nxitja që i duhej NATO-s

Lëvizja e trupave ruse në kufi me Ukrainën përgjatë vitit 2021 dhe rritja masive e trupave dhe artilerisë së rëndë në fillim të vitit 2022 filloi t’i ndryshonte gjërat. Kriza në Ukrainë kulminoi me vendimin e Kremlinit zyrtar për të njohur pavarësinë e rajoneve separatiste të Donetsk dhe Luhansk, si dhe dërgimin e trupave ruse atje. Nga e gjithë kjo rrëmujë dhe pasiguri e krijuar, frika konstante nga agresioni rus i ka shërbyer NATO-s pozitivisht dhe duket se kjo ishte shtytja e duhur qe i duhej NATO-s.

Në javët e fundit pati shumë lëvizje dhe bashkëpunim nga shtetet anëtare të NATO-s. Mijëra trupa amerikane zbarkuan në Poloni, Rumani dhe shtetet baltike, duket forcuar krahun lindor të NATO-s. ShBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar furnizonin Ukrainën me armatim, ndërsa Gjermania dhe Franca tentonin të gjenin një rrugëdalje diplomatike.

Në kohën kur kemi një rikthim të konkurrencës gjeopolitike mes fuqive të mëdha në terma ushtarak, duket se NATO po e rigjen vetveten. Nëse përgjatë katër viteve të fundit Aleanca e udhëhequr nga ShBA-të konsiderohej se kishte humbur rëndësinë e saj dhe se po përjetonte “vdekje të trurit”, armiqësia me Putin duket se e ka kthyer NATO-n në epiqendrën e arkitekturës së sigurisë në Europë.

Paradoksalisht, situata e krijuar në Ukrainë mund të ndikojë pozitivisht në Ballkanin Perëndimor, rajoni i vetëm në Europë (duke përjashtuar Europën Lindore) ku Rusia ka potencial për ndikim. Për momentin janë vetëm tre shtete në rajon të cilat nuk janë anëtare të NATO-s: Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Përderisa Serbia nuk e ka në plan anëtarësimin në NATO, Bosnja dhe Kosova kanë për synim integrimin në Aleancë. Rrethanat e krijuara në Ukrainë dhe rreziku nga rritja potenciale e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor mund të përshpejtojë përpjekjet për anëtarësimin e Bosnjës dhe Kosovës në NATO.

Si përfundim, rreziku nga agresioni rus ka krijuar një front të bashkuar mes aleatëve Perëndimorë. Megjithë kritikat dhe skepticizmin e viteve të fundit, duket se NATO po e rigjen vetveten. Më e rëndësishmja, NATO po tregon se vazhdon të mbetet çelësi i stabilitetit dhe paqes në Europë, shtatë dekada pas themelimit të saj.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.