Pjesa e parë – Kina para reformës ekonomike
Më 11 mars Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli përhapjen e “CoronaVirusit Covid-19” pandemi globale. Hera e fundit kur OBSH-ja bëri diç të tillë ishte në vitin 2009 për “Gripin e Derrit” (H1N1) që mori jetën e 10 mijë njerëzve në gjithë botën.
Yuval Noah Harari tha se kjo është pandemia më e keqe në në 100 vitet e fundit. The Economist lajmëron se mbi 80 vende kanë mbyllur kufijtë dhe se “bota po mbyllet”, kurse The Foreign Policy shkruan se Covid-19 mund të “riformësojë rendin botëror”.
Normalisht, as Kosova nuk shpëtoi pa u prekur. Tanimë Kosova ka shënuar viktimën e parë, kurse numri i të infektuarve po rritet gati çdo ditë dhe nuk pritet të ulet për një kohë të pacaktuar.
Por si lindi ky virus? Të dhënat e deritanishme tregojnë se zanafilla e këtij virusi është në tregun e kafshëve Huanan, në Wuhan të Kinës. 27 nga 41 personat e parë të infektuar me Covid-19 kanë qenë në këtë treg.
Edhe në vitin 2002 një Corona Virus tjetër ishte formuar në një treg të ngjashëm në jug të Kinës. Ky grip ishte përhapur në gati 30 vende të votës dhe pati mbytur mbi 800 njerëz.Shumë viruse gjenezën e vet e kanë në kafshë. Disa gripe vijnë nga shpezët, disa nga derrat dhe nga shimpanzat, sikur është rasti me HIV-in. Ebola origjinoi nga lakuriqët, kurse në rastin e Covid-19 dyshohet se erdhi nga lakuriqi dhe nga pangolini para se të kalojë tek njeriu.
Sipas ekspertëve është shumë e vështirë që të krijohet ky zingjir transmetues sepse është e domosdoshme që të tre këta të bien në kontakt në të njëjtën kohë. Prandaj tregu në Wuhan është adresë e rëndësishme për të kuptuar më mirë arsyet se pse viruset kryesore vijnë nga Kina.
Kina është vendi numër një në botë për tregti me kafshë të egra dhe ka disa dekada që ato janë cak i brutalitetit në këtë vend. Megjithëse edhe në antikitetin kinez kafshët e egra janë targetuar edhe për qëllime ushqimore, industria që kafazon, keqtrajton dhe instrumentalizon kafshët vetëm për qëllime përfitimi është sajesë moderne.
Kjo industri ka origjinën në shekullin e kaluar, konkretisht në vitet 50-të, në përpjekjet e Maos për të sjellur parajsën komuniste në tokë. Nga froni i tij në majën e piramidës Mao imponoi dhunshëm një sistem ushtarak lart-poshtë që përdori masat më drakonike të mundshme mbi një popullësi të pambrojtur.
Sikur Lenini e Stalini, edhe Mao e kishte licensuar veten me misionin mesianik të shthurjes së strukturës primordiale të shoqërisë kineze dhe krijimit të vlerave e normave të reja. Mao donte doktrinën e shëlbimit komunist të kësaj bote: shoqërinë pa klasa. Ai besonte se arma më e fortë e Kinës në raport me shtetet tjera ishte demografia dhe për këtë arsye kinezët i shihte vetëm si krah pune që hapë horizontin komunist në tokë.
Mao e shihte natyrën si një armik që duhet të gjunjëzohet dhe si entitet që është qenësisht i ndarë nga njerëzit, si dhe i cili duhet të ribëhet përmes mobilizimit masiv të njerëzve. Ai besonte se fuqia e pakufishme e vullnetit të masës revolucionare duhet të nënshtrojë natyrën në mënyrë që realizohej utopia komuniste.
Pyjet do të çrrënjoseshin, malet do të rrafshoheshin, lumenjt do të shkatërroheshin dhe natyra do të shpërfytyrohej. Kur e nisi “Hapin e madh përpara”, Mao literalisht tha se “ka një luftë të re: duhet të pushkatojmë natyrën”. Mao kishte gjymtuar pyjet. Në librin e tij me ndikim, “Uria e madhe e Maos”, historiani Frank Dikotter shkruan se vetëm në rrethin e Yizhang ai kishte shkatërruar rreth 70% të pyjeve dhe më 1959 toka ishte tërësisht e zhveshur.
Në luftën e tij me natyrën, Mao nisi edhe përndjekjen e tij të përçudnuar kundër trumcakëve që i akuzonte se po hanin grurin. Mao mobilizoi dhjetëra miliona kinezë që me enë dhe gjëra tjera t’i trembin trumcakët që të mos afroheshin në tokë. Trumcakët nga lodhja e nga uria binin në tokë të vdekur dhe grumbulloheshin për të bërë spektakël me ta si trofe.
Disa kronika bizare të kohës tregojnë se si njerëzit ngjiteshin edhe në kulme për t’i dëbuar ata. Disa njerëz edhe mbyteshin vetë duke rënë nga kulmet. Dikotter shkruan se “Shangai raportoi se ka vrarë 1.3 milionë trumcakë në një nga periudhat e luftës kundër tyre.
Zogjtë gati u asgjësuan komplet dhe për vite nuk u dukën në qiellin kinez”. Mao ishte anti-intelektual nuk dëgjonte këshillat e ekspertëve dhe shkencëtarëve që bënin thirrje të mos vriteshin zogjtë sepse mund të prishej ekuilibri i ekosistemit. Kjo sepse zogjtë ushqehen edhe me insekte që, në mungesë të zogjve, u shumuan shumë dhe shkatërruan frytet e punës së fshatarëve, si grurin, orizin e pambukun. Problemi u përkeqësua edhe më shumë nga mungesa e helmit kundër insekteve që në kohë të urisë po përdorej nga fshatarët që mbytnin kafshët e egra për t’u ushqyer.
Dikotter e fut në të njëjtën kategori me Holokaustin për kah monstruoziteti. Ai tregon se si njerëzit hanin edhe baltë për të mbijetuar, se si prindërit u vidhnin grurin fëmijëve të tyre derisa fëmijët vdisnin. Dikotter numëron shumë raste barbare, ku ndër tjera përmend edhe një baba që ishte detyruar nga ushtarët e Maos të varroste të gjallë të birin e tij 12 vjeçar që kishte vjedhur një grusht grurë. Tri javë më pas i ati kishte vdekur nga mërzia.
Uria përdorej si armë për të ndëshkuar të gjithë ata që dështojnë të mbërrijnë kuotat e vendosura nga shteti. Një pjesë e madhe vdiqën për shkak që Mao të gjitha redimentet i dërgonte në qytet dhe për eksport. Për të ruajtur propagandën Mao refuzoi çfarëdo ndihme nga jashtë.
“Hapi i madh përpara” zgjati zyrtarisht katër vjet, por pasojat që i la janë ende vibrante. Kina nuk e bëri “Hapin e Madh Përpara”, siç thoshte Mao, por u zhyt në urinë më famëkeqe në historinë e njerëzimit.
Madje edhe “Revolucioni Kulturor” i nisur nga vetë ai ishte përpjekje për t’u shfajësuar. E ndërkohë lufta e tij të egër për të nënshtruar natyrën vazhdoi edhe më pas.
Sipas Peter Li, ekspert i tregtisë me kafshë në Kinë, Mao shqeu shpirtin kinez duke sulmuar Budizmin dhe Daoizmin, që të dyja fe që thonë se fati i njerëzve dhe i kafshëve është i përbashkët përmes cikleve të rilindjeve. Ideja e reinkarnimit ua mundësonte njerëzve të besonin se do të rilindeshin në trupa të kafshëve dhe anasjelltas.
Në traditën kineze bulkthat nuk mbyteshin sepse konsiderohej se ata ishin reinkarnim i heronjve të mëdhenj të së kaluarës. Siç shkruan studiuesi italian Tiziano Terzani, para Maos pothuajse në çdo shtëpi kineze mbahej një enë me ujë të nxehtë rreth të cilës bulkthat grumbulloheshin gjatë dimrave të ftohtë. Ndërkohë Konfuçianizmi edhe pse është antropocentrik dhe lejon përdorimin e kafshëve për ushqim, thërret për vetëpërmbajtje dhe për “mesatare të artë” që të mos përshkallëzohet dhuna mbi to.
Thënë të drejtën në Kinë ka një traditë të përdorimit të kafshëve të egra, por siç tregon Aili Kang, drejtoreshë e “Shoqërisë për Ruajtjen e Kafshëve të Egra në Azi” vetëm për ilaçe e jo për ushqim dhe përmasat me të cilat u brutalizua natyra nuk gjejnë precedent në të traditën kineze.
Në dekadat e fundit, në mesin e të pasurve, ushqimi i këtyre kafshëve është promovuar si i shëndetshëm, si energjik dhe i mirë për fitnes dhe sulmi mbi to ka marrë përmasa industriale.
Pra është më shumë traditë e re e cila është bërë simbol i statusit socio-ekonomik të të pasurve. Gjithashtu ka shtrirje regjionale. Një studim në vitin 2014 tregon se 83% e banorëve në Guangzhou kanë konsumuar mishin e kafshëve të egra, ndërkohë që në Pekin vetëm 5% e tyre kanë bërë një gjë të tillë. Edhe Li konfirmon se kjo praktikë është e përhapur vetëm tek një numër i kufizuar i njerëzve dhe nuk është gjithëpopullore siç thuhet.
Siç shihet, degradimi natyror fillon me Maon. Me të një periudhë e re në historinë kineze sepse furia e Maos nuk mori vetëm miliona jetë, por gjymtoi edhe rendin tradicional të normave, besojmave dhe vlerave, të cilat quheshin “Katër të Vjetrat”: zakonet e vjetra, kultura e vjetër, idetë e vjetra, sjelljet e vjetra. Novelisti kinez Ba Jin e kishte quajtur sundimin e Maos si “Holokaust shpirtëror”, pasojat e të cilit ende rëndojnë mbi në shoqërinë kineze. Historia e hidhur e Kinës me natyrën e egër mund të ndahet në dy periudha kryesore: para dhe pas reformës ekonomike, për të cilën do të flasim në pjesën e dytë të shkrimit. (vazhdon…)