Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Shqipja standarde – nga vjen e kah shkon

Cili është sot diskutimi mbi të ardhmen e shqipes në përdorim zyrtar? Studiuesit e varietetit sot pëlqejnë me iu referu këtij me termin gjuhë standarde; emërtimet e tjera të varietetit, gjuhë letraregjuhë e njësuar, ose edhe gjuhë letrare e njësuar, edhe nëse dikur zyrtare a të përhapura, sot janë dukshëm më të rrudhura, jo veç mes specialistësh madje.

Me gjuhë letrare tashmë cilësohet gjerësisht gjuha e krijimtarisë letrare, kurse cilësimi i varietetit si i njësuar – mes koineve gege e toske – u hodh poshtë pas demokratizimit të shoqërisë, meqë u provu se nuk ishte. Ajo pakgjë që ish marrë gegnishteje në strukturën gramatikore, kish qenë diçka e përvetësuar paraprakisht nga vetë toskërishtja. E, ç’iu vol nga fjalësi të parës, depërtoi meqë vetë fjalësi gjithmonë mbetet sistem i hapur i cilësdo gjuhë. Ndryshe me strukturën – fjala vjen, nëpër areale, e njëjta vetë e parë e të pakryerës së foljes me shku del me shkoshashkojshashkojshe(m)shkonjashkoja, por nuk i hyjnë të gjitha këto në punë strukturës gramatikore të varietetit standard.

Vërtet, puna zanafillore e kodifikuesve të shqipes, kry në Shkodër pak kohë mbas themelimit të shtetit shqiptar, qe përpjekje e sinqertë me jetësu gjakimin e rilindësve për shqipen e përbashkët. Varieteti i ofruar u njoh edhe si elbasanishtja letrare. Çdo njësi strukturore tipike e shqipes kombëtare gjente vend në gramatikën e këtij varieteti. Fjala vjen, ndërtimi me modale duhem me ba bashkëjetonte me duhet të baj, duke mbetë prej kësaj të dytës tradita letrare toske sall një zanore larg. Pra, ndonëse jo në sistemin tingullor, toskërishtja përfshihej e plotë me sistemin e vet strukturor.

Me ardhjen e  sistemit enverist në Shqipëri, gegnishtja letrare u anatemu, ndërsa shumë nga kolosët e saj u vranë, u burgosën, u internuan e u ndaluan. Kësodore, tekste të rëndësishme në shqip që drejtpërdrejt e nëpërmjet ndërtekstorësisë kishin me ndiku në përbërjen e vetë indit kombëtar, mbetën pa u njohë. Sistemi shtetëror socialist, që në masë dërrmuese udhëhiqej nga njerëz të jugut, e formësoi gjuhën e re standarde për nevoja krejt vetjake. As korpusi e as struktura e shqipes kombëtare nuk u përfillën.

Shqiptarët në Jugosllavi, që për vete kishin vazhdu me kultivimin e elbasanishtes letrare të përhapur gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, më 1968 përvetësuan tekstualisht varietetin zyrtar të Tiranës, për me shprehë kësisoj, shi në kohën e rrudhjes së represionit shtetëror ndaj tyre, vullnetin e njësimit shpirtëror me pjesën tjetër të kombit.

*

Çështjet gjuhësore janë po aq shoqërore, meqë shoqëri e gjuhë janë kokë e pil të të njëjtës monedhë. Shqyrtu nga fytyra shoqërore, standardi, kështu asimetrik, jo veç krijoi pabarazi sociale me privilegjimin e një grupimi përmbi tjetrin. Nëse njërit ai i vjen si përplotësim i arketipit gjuhësor vetjak, për tjetrin është e kundërta, bash pse ia këput ankorimin në arketip.

Sot e kësaj dite, gjatë kësaj epoke të re me më të dendurin ndërveprim shqiptar që njohim, puna institucionale për ripërmasimin e komunikimit ndërkulturor shqiptar mbetet e vagët, me gjithë afrimet shpirtërore e kulturore mes shqiptarëve të dëshmuara ndërkohë. Ç’është e drejta, dy institucionet akademike, më herët gjatë këtij mijëvjeçari u orvatën me ndoru ndonjë çështje në funksion përafrimi. Por, grupimi i gjuhëtarëve që u mblodh rreth Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe sqaroi se propozimet nuk kishte tagrin me i shpallë zyrtare. Sukseset, nëse propozimet kështu mund t’i quhen, edhe kur të synuara për përafrim të mëtejmë, mbeten krejt modeste – thjeshtime shumësash në emra si lumej në vend se lumenj, ose ndonjë ë më pak, në fjalë si djath e lum. Puna e Këshillit sot është krejt e paqenë, sa për shkak cakërrimesh mes anëtarësh, aq edhe prej sulmeve, shpesh fort të nxehta, nga gjuhëtarë dorëjashtë. Vërtet, vetë propozimet e Këshillit jo gjithmonë përkonin me realitete të reja ndërveprimi që lypnin bekimin e njohjes akademike. Për çështjet e rëndësishme, si ajo e paskajores, në Këshill nuk u ra në ujdi.

Megjithatë, në gjuhësinë bashkëkohore, ka gjuhëtarë që hetojnë bash përmbi këtë urë përafrimi, e ka edhe mjaft konvergjime mes sosh. Por do shtu këtu se varieteti standard modelohet sa nga kodifikuesit, që veprojnë nga lart, aq edhe nga përdoruesit, meqë janë këta që, nëpër tekstet që hartojnë e përkthejnë, duke e dhënë për të tillë siç e dinë dhe njohin, ua paraqesin leximeve, me çka krijojnë, përforcojnë e shumojnë besojma mbi trajtat dhe dukjen e tij.

Prandaj, ndonëse vazhdon e diskutohet, në realitetin e ri çështja madje as nuk mbetet në duhet mishëru paskajorja në varietetin standard. Kushdo që ia heton lakoren në diagramin prani/prestigj, e ka krejt të qartë tashmë se ajo po ngjit bindshëm përpjetën. Madje, me praninë e shtuar nëpër tekste, po na ushqen me të dhëna të matshme mbi prirjet e shkrojtësive, për të na e përudhë kësisoj kodifikimin e mëtejmë të vetë standardit.

Në rrafshin brendagjuhësor, paskajorja njëjtëson strukturën e shqipes standarde me atë të shqipes tërësore. Na mundësohet që, kësi hovi duke iu mbajtë bazës toske si parësore, krahas formulimeve si mund të bëjmë, të zgjerohemi edhe te mundemi me bë, formë kjo prej të cilës tradita letrare gege mbetet sall një zanore larg.

Standardi nuk vihet veç në shërbim të elitës, po të gjithë shoqërisë, e kështu jo veç në sinkroni, po në vijimësi. Kjo e vë në shërbim të kohëve, të cilat meqë ndryshojnë, i japin normimit detyra të vijueshme. Nëse standardi përditësohet duke ardhë më afër përdoruesit, atëherë edhe rrezja e shtrirjes dhe shkalla e përvetësimit i shtohen krahas.

Pra, një detyrë kyç e gjuhësisë shqiptare të bashkëkohësisë del me e kodifiku zgjerimin e bazës dialektore të standardit. Me këtë standardi fuqizohet dukshëm në shprehësi dhe, duke ngërthy dy varietetet tradicionale të lëvrimit të shqipes, krijon lidhjen e domosdoshme transcendentale me tekstet e traditës. Për më tej, me kohezionin e shtuar jashtëgjuhësor që krijon, i shërben mirëfilli ndërkomunikimit e njësimit kombëtar sot e mot.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.