Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Efektet ndërbrezore të traumës

Kanë kaluar 22 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Përderisa disa nga dëmet – kryesisht ato materiale – që janë shkaktuar në popullsinë e përgjithshme kanë arritur të rikuperohen, të tjerat, si ato psikologjike, janë akoma prezente. Dhuna e të gjitha formave e ushtruar ndaj civilëve shqiptarë ka bartur me vetë shumë pasoja. Gra, vajza por edhe burra janë dhunuar seksualisht gjatë luftës së vitit 98-99. Dhunimi seksual u përdor si një “mjet lufte” me pasoja të rënda dhe me efekte multidimensionale që rezultojnë në trauma afatgjata. Vlerësohet se janë 10.000 gra, vajza dhe burra që janë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë. Por, është e rëndësishme të nënvizohet fakti se pasojat e traumës së përjetuar nuk janë kufizuar vetëm te të mbijetuarit nga ky akt makabër, por janë të shpërndara edhe te fëmijët dhe anëtaret e tjerë të familjes.

Trauma ndërbrezore, e cila në literaturë nganjëherë haset edhe me termin “traumë trans-gjenerative”, përkufizohet si trauma që transmetohet nga ata persona që e përjetojnë drejtpërdrejt një ngjarje të vështirë, te brezat pasardhës. Kjo lloj traume mund të fillojë me një ngjarje traumatike që prek një individ, ngjarje traumatike që prekin anëtarë të shumtë të familjes, ose trauma kolektive që prek grupet/popullatat më të mëdha, kulturore, racore, etnike ose të tjera (trauma historike).

Trauma ndërbrezore mund të shfaqet të anëtarët më të rinj të familjeve, prindërit ose gjyshërit e të cilëve kanë përjetuar ngjarje traumatike të tilla si lufta, persekutimi, abuzimi seksual ose dhuna. Personat që e kanë përjetuar traumën fillestare, nëse nuk kanë pasur mundësi të rikuperohen prej saj, fëmijët dhe nipërit e tyre gjithashtu mund t’i ndiejnë efektet e traumës – edhe pse ata nuk e kanë përjetuar atë nga dora e parë. Të mbijetuarit shpesh ua transmetojnë traumën gjeneratave të mëvonshme kur nuk arrijnë ta diagnostikojnë atë ose nuk kanë mundësinë të përfshihen në një proces shërimi – ose, natyrisht, nëse efekti i traumës së tyre është thjesht tepër i vështirë për t’u tejkaluar.

Sipas të dhënave shkencore, ndonëse shumë të kufizuara dhe të paplota, në Kosovë është vlerësuar se prevalenca e simptomave të stresit post-traumatik (PTSD) te gratë dhe vajzat shqiptare në fund të luftës në vitin 1999 ishte 20%, kurse më 2005 arriti në 22.7%. Çrregullimi i stresit post-traumatik është një gjendje e shëndetit mendor që shkaktohet nga një ngjarje e tmerrshme – duke e përjetuar atë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose duke qenë dëshmitar i asaj ngjarjeje. Simptomat e PTSD në përgjithësi grupohen në katër lloje: kujtime ndërhyrëse, shmangie, ndryshime negative në të menduar dhe humor, si dhe ndryshime në reagimet fizike dhe emocionale të individit. Mirëpo, simptomat mund të ndryshojnë me kalimin e kohës ose mund të dallojnë nga personi në person. Por, personat me PTSD mund t’i shmangin situatat ose njerëzit që u kujtojnë atyre ngjarjen traumatike dhe mund të kenë reagime të forta negative edhe ndaj diçkaje aq të zakonshme si një zhurmë e madhe ose një prekje e rastësishme.

Në nivel global janë shumë mirë të dokumentuara pasojat e dhunës dhe torturës seksuale te gratë, siç janë të evidentuara edhe efektet negative të konflikteve të armatosura në shëndetin mendor të pasardhësve të atyre që përjetojnë këto tortura në mënyrë të drejtpërdrejtë. Mirëpo, për fat të keq, në Kosovë nuk është se ka mjaftueshëm studime të tilla të thelluara dhe të realizuara me metoda rigoroze shkencore. Por, fatmirësisht, këtë vit një studim i tillë me titull: “Efektet ndërbrezore të PTSD-së së nënës mbi reaktivitetin e kortizolit dhe rregullimin epigjenetik te pasardhësit në Kosovë” është realizuar nga “Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës”, në bashkëpunim edhe autorë nga universitete dhe institucione kredibile ndërkombëtare.

Qëllimi i studimit ishte të gjurmojë lidhjen kazuale në mes të stresit post-traumatik prezent gjatë shtatzënisë te nënat e mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës, si dhe ndryshimeve të mundshme epigjenetike të bartura te fëmijët e ekspozuar ndaj stresit post-traumatik gjatë zhvillimit prenatal. Ky hulumtim serioz shkencor i botuar në revistën Epigenomics ka përfshirë 117 nëna të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe po ashtu 117 prej fëmijëve të tyre më të vegjël. Nga të gjitha gratë që kanë marrë pjesë në këtë studim, 84 prej tyre kanë qenë të diagnostikuara me stres post-traumatik gjatë shtatzënisë.

Studimi vjen në përfundim po ashtu se 30% e fëmijëve kanë shfaqur nivele anormale të kortizolit në gjak. Fëmijët e lindur nga nënat me stres post-traumatik gjatë shtatzënisë kishin më shumë gjasa për të përjetuar nivele të larta të kortizolit (15.5% mbi mesataren), në krahasim me fëmijët e lindur nga nënat pa stres post-traumatik gjatë shtatzënisë. Për më tepër, stresi post-traumatik te nënat u raportua të jetë i lidhur edhe me metilizimin diferencial të ADN-së, që vërteton se ndryshimet në ADN-në e fëmijëve janë të bartura.

Edhe gjetjet e studimit të përmendur më lart, si dhe të tjera të identifikuara në studime nga vende të ndryshme të botës, tregojnë se pasojat e dhunës dhe torturës seksuale te gratë janë përcjellë edhe te fëmijët, kryesisht përmes ADN-së. Implikimet e këtij transferimi të traumës janë jashtëzakonisht të mëdha, pasi ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek aftësitë vetërregulluese të fëmijëve të pasluftës, gjë që prek shëndetin mendor dhe ndikon direkt në cilësinë e jetës së një gjenerate të tërë. Po ashtu, dëshmitë e tjera shkencore sugjerojnë se fëmijët e lindur nga gratë me çrregullim të stresit post-traumatik kanë më shumë gjasa të kenë probleme të sjelljes dhe klinike, përfshirë simptomat e PTSD, si dhe probleme të tjera të shëndetit mendor dhe fizik.

Rëndësia e ekzaminimit të hershëm të fëmijëve të lindur nga gratë që kanë përjetuar dhunë apo torturë seksuale gjatë luftës është jashtëzakonisht e madhe. Në fakt, jemi vonuar në këtë drejtim. Kosova i ka kaluar dy dekada nga përfundimi i luftës dhe nuk kemi trajtim serioz të asnjë forme – në veçanti nga ana e institucioneve publike – të fëmijëve, nënat e të cilëve kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës. Këtë barrë e kanë pasur përsipër organizatat joqeveritare në Kosovë, të cilat për vite me radhë kanë punuar me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke u ofruar mbështetje dhe ndihmë profesionale.

Është shumë e rëndësishme të ofrohet mbështetje, kujdes dhe trajtim i vazhdueshëm profesional për gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale, torturë ose ngjarje të tjera traumatike gjatë luftës. Po ashtu, duhet të mundësohen intervenime efektive që kontribuojnë në shkëputjen e zinxhirit të traumës ndërbrezore. Në këtë drejtim, gjetjet e dala nga studimi i përmendur më sipër, por edhe nga studime tjera që janë kryer në vende që kanë përjetuar luftë, do t’u shërbejnë mjaft mirë institucioneve shtetërore që të organizojnë intervenime profesionale për fëmijët e lindur nga nënat viktima të dhunës seksuale. Në këtë drejtim është e rëndësishme që gjithashtu të organizohen fushata sensibilizuese dhe vetëdijesuese në mënyrë që shoqëria të ketë një perceptim tjetër për viktimat e dhunës seksuale dhe për familjet e tyre. Fushata të tilla do të ndikonin që të ketë një nivel më të ulet të stigmës dhe paragjykimeve në përgjithësi ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Gjithashtu për Kosovën është esenciale që brezi i ri që i është ekspozuar një traume të tillë të marrë mbështetje adekuate gjatë zhvillimit, në mënyrë që ndërhyrja dhe trajtimi të kenë efektin e duhur. Gjendja psikologjike e këtyre fëmijëve mund të përkeqësohet nëse ata nuk i nënshtrohen një trajtimi adekuat. Në veçanti, vështirësitë në funksionimin kognitiv dhe emocional mund të jenë prezente nëse ato mbesin të patrajtuara. Vetëm me trajtim adekuat të kësaj problematike do të mund të kemi një të ardhme më të mirë për brezin e ri, i cili padrejtësisht i është ekspozuar një traume të tillë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.