Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndarjet e partive politike në Ballkan (4): Ndarjet e partive në Maqedoni

Kjo trajtesë e ndarë në pesë pjesë do ta shtjellojë historikun e ndarjes së partive politike në rajonin e Ballkanit. Pjesa e parë dhe e dytë do të analizojnë historikun e ndarjeve në Kosovë, me ç’rast pjesa e parë do të merret vetëm me ndarjen e Vetëvendosjes, duke qenë rasti më i freskët, gjersa pjesa e dytë me ndarjen e partive të tjera në Kosovë. Pjesa e tretë do t’i shqyrtojë ndarjet e partive politike në Shqipëri, e katërta ndarjet e partive në Maqedoni, ndërkohë që pjesa e pestë dhe e fundit do ta përmbledhë ndarjen e partive në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Prilli i vitit 1990. Në Maqedoni ka filluar organizimi i partive të para politike si sihariqe të pluralizmit politik. Edhe në mesin e komunitetit shqiptar ndodhë e njëjta gjë. Në Xhepçisht, një fshat afër Tetovës, krijohet Partia e Prosperitetit Demokratik (PPD), e cila do të ishte pjesë e qeverisë në vitet 1992-1998.

Por, fenomeni i ndarjeve të brendshme e preku edhe PPD-në. Tri vite më vonë, një intelektual shqiptar nga Tetova, studiuesi i filozofisë dhe kulturës, Arbën Xhaferi, kthehet nga Prishtina ku vepronte prej pesëmbëdhjetë vitesh për t’u kyçur në jetën politike të vendlindjes. Në kongresin e shkurtit 1994, së bashku me disa elemente radikale brenda PPD-së, me në krye Menduh Thaçin e Rufi Osmanin, Xhaferi e krijon një fraksion brenda partisë. Fraksioni mori mbështetje edhe nga presidenti shqiptar i kohës, Sali Berisha. Fraksioni e akuzonte establishmentin e PPD-së se ishte shitur tek partitë maqedonase dhe kishte tradhëtar interesat kombëtare shqiptare.

Fraksioni i ri do të garonte si listë më vete në zgjedhjet parlamentare të vitit 1998 dhe, ndonëse doli si partia e dytë shqipare, pas PPD-së, u bë pjesë e koalicionit qeverisës me partinë maqedonase VMRO-DPMNE. Fraksioni më pas do të quhej PDSh, Partia Demokratike Shqiptare dhe për njëzet vitet e radhës do të ishte partia e dytë më e fuqishme shqiptare në Maqedoni, ndërkohë që PPD-ja u kthye në një parti të vogël, për ta shpallur shuarjen në vitin 2017. Por, as vetë PDSh-ja më pas nuk i shpëtoi ndarjeve.

Në vitet 2006-2008 PDSh-ja sërish do të hynte në qeveri koalicioni me VMRO-DPMNE-në. Ish-zëvendëskryeministri nga kjo parti, Imer Selmani, në vitin 2008 do ta formonte një parti të re të quajtur “Demokracia e Re” e cila që në zgjedhjet e radhës, më 2011, nuk ia doli t’i merrte as 20 mijë vota dhe kësisoj pesha e saj ishe minore.

Por, dëmin më të madh PDSh-së do t’ia bënte ish-kryetari i Strugës nga kjo parti, Ziadin Sela. Dy vite pasi që u zgjodh kryebashkiak, më 2015, Sela filloi ta akuzonte kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçin, se po e dërgonte partinë drejt greminës me humbjet e njëpasnjëshme dhe se po e mbante atë në kontroll me mjete autoritare. Ai e krijoi Lëvizjen për Reforma në PDSh (LR-PDSh), e cila më 2016 fitoi tri ulëse dhe u riemërtua si “Aleanca për Shqiptarët”, ndërkohë që PDSh-ja mori vetëm 2 deputetë dhe pesë mijë vota më pak se “Aleanca”.

Ndarje ka pasur edhe partia më e madhe shqiptare e shtatëmbëdhjetë viteve të fundit në Maqedoni – Bashkimi Demokratik për Interim (BDI), parti e cila udhëhiqet nga struktura komanduese e ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Por, ndarjet në këtë parti kanë qenë më pak të dëmshme dhe kjo parti vazhdon të ketë unitet të lartë të brendshëm.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe nënkryetari i Parlamentit, gjeneral Gëzim Ostreni, së bashku me një deputet tjetër dhe anëtarë të tjerë të BDI-së, në vjeshtën e vitit 2015 vendosën ta braktisin BDI-në dhe ta krijojnë një parti të re të quajtur “Uniteti”. Uniteti në zgjedhjet e vitit 2016 do të garonte në listë të përbashkët me “Aleancën”, por nuk ia doli ta fitonte asnjë deputet. Në anën tjetër, përkundër se më 2016 i mori vetëm 10 deputetë, nga 19 sa i pati më 2014, BDI-ja vazhdon të jetë partia e parë në bllokun shqiptar.

Por, fenomeni i ndarjes së partive politike ka qenë i pranishëm edhe tek blloku maqedonas. Ljubčo Georgievski u bë kryetar i partisë nacionaliste VMRO-DPMNE-së që në moshën 24-vjeçare në vitin 1990. Ai qëndroi për tetë vite në opozitë, ndonëse partia e tij doli si partia e parë. Por, për sa kohë që nuk e kishte siguruar e vetme shumicën e ulëseve, VMRO-ja refuzonte të bënte koalicion me një parti shqiptare.

Por, gjërat ndryshuan në vitin 1998 kur VMRO-ja pranoi të bënte koalicion me PDSh-në e Xhaferit. Ky koalicion i humbi zgjedhjet e vitit 2002, në masë të madhe për shkak të konfliktit të armatosur të vitit 2001 me UÇK-në. Në vitin 2003 u largua nga posti i kryetarit të partisë, por një vit më vonë do të hynte në konflikt me kryetarin e ri, Nikola Gruevskin. Për shumë analistë, ky konflikt erdhi si pasojë e divergjencave ideologjike – me Gruevskin që bënte thirrje për një qasje identitare promaqedone dhe gjeostrategjike properëndimore dhe me Georgievskin që këmbëngulte në politikat identitare probullgare.

Në korrik 2004, Georgievski u largua nga partia që e themeloi dhe udhëhoqi për katërmbëdhjetë vite për ta krijuar VMRO-Partia Popullore, parti e cila asnjëherë më pas nuk ia doli të mirrte as një deputet të vetëm – përjashto vitin 2006 kur mori 6 deputetë dhe 57 mijë vota. Në anën tjetër, VMRO-DPMNE-ja e Gruevskit vazhdoi të ishte partia e parë në Maqedoni edhe në pesë palë zgjedhjet parlamentare që pasuan pas ndarjes.

Partia tjetër maqedonase, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (SDSM) – ndonëse pati shumë probleme të brendshme, sidomos në kohën kur Vlado Bučkovski ishte kryetar i partisë – i shpëtoi ndonjë ndarjeje të madhe që do të mund ta trandte bazën e saj elektorale. Një ndarje që ia vlen të përmendet në SDSM është ajo e vitit 2005, kur nga partia doli ish-kryeparlamentari Tito Petkovski, duke e formuar Partinë e Re Socialdemokrate (NSDP). NSDP-ja në zgjedhjet e vitit 2006 mori 6% të votave dhe shtatë mandate deputetësh, duke hyrë pas zgjedhjeve në koalicion me VMRO-në. Më pas, në zgjedhjet e vitit 2008, 2011 dhe 2016 garoi në listën e SDSM-së.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.