Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Leximi dhe variacionet e tij

Si matet leximi? Me numrin e faqeve apo cilësinë e leximit? Apo me të dyja? Sa peshojnë 100 faqe të “Hamletit”, në krahasim me po aq faqe të “Malësores”? A ekziston ndonjë metodologji, me indikatorë e me objektiva, që bën matjen e leximit në baza ditore, javore, mujore? A do të duhej lexuar çdo ditë, apo duhet të ketë ditë kur ne pushojmë nga leximi? Fundjava si pushim, për shembull? Pastaj, kur lexojmë për shkak se e kemi obligim (p.sh. për shkaqe pune), e kur lexojmë për kënaqësi e relaksim (p.sh. në plazh gjatë pushimeve)? S’do mend se nuk ka përgjigje të saktë në asnjërën nga këto pika. Megjithatë, pse të mos bëjmë një orvatje të shtjellimit të kësaj teme intriguese?

Lasgush Poradeci kishte qejf të kujtonte shkrimtarin gjerman Gëte dhe standardin e tij në lexim: afro 80 faqe në ditë, çdo ditë. Nëse pajohemi se njeriu mesatarisht mund të lexojë rreth 25-30 faqe në orë, i bie që për të arritur këtë standard në lexim duhet t’ia përkushtojmë librit rreth tri orë në ditë. Po sipas këtij standardi, një libër mesatar (ta zëmë 300-faqësh) mund të lexohet për rreth katër ditë. Që rezulton në rreth 7 libra në muaj, e që pastaj rezulton në mbi 80 libra në vit.

Por ne nuk jemi as Gëte, as Lasgushi, dhe shumica dërrmuese prej nesh nuk kemi as kohë e as dëshirë që t’i përmbahemi një regjimi kaq sfilitës. Shkrimtarët, po, ata sigurisht se duhet të lexojnë më shumë se ne tjerët – të vdekshmit. Mbase kjo është edhe e udhës, pasi ata lexim-shkrimin e kanë vokacion.

Kohërat e sotme post-moderne, ultra-dinamike, s’para ofrojnë kohë të mjaftueshme për të lexuar, edhe po të duam. Në këto kohë të vëmendjes së trungëzuar (“short attention span”), kur ne s’kalojmë më shumë se dy-tri çaste në një lajm të caktuar në newsfeed-in e rrjeteve sociale, në këto kohë kur edhe lajmi, libri apo mësimi vjen në formë të përmbledhur në power point presentations, apo talking points, apo të thjeshtëzuar në fletushkë dyfaqëshe (mundësisht të ilustruar me infografikë apo tabelë), pra në këto kohë shpejtësie marramendëse, leximet e ngadalta e për qejfi nuk janë fort inkurajuese. Sa nga ne, ta zëmë, ka kohë të zhytet në romanet e shkrimtarit francez Prust derisa ai harron veten brenda labirinteve të kujtesës së tij autobiografike, faqe pas faqeje, vëllim pas vëllimi? Jo shumë nga ne, sigurisht.

Mund të tingëllojë paradoksale, por në krahasim me kohën e sotme dinamike duket sikur epoka e komunizmit ishte mjaft e përshtatshme për ata që studionin letërsinë. Kjo sepse shkrimtari, kritiku letrar, gazetari, akademiku i institutit shkencor, paguhej pikërisht për këtë – pra, për të lexuar dhe, rrjedhimisht, për të prodhuar krijimtari. Në këtë aspekt, shkrimtarë e publicistë si Kadareja, Qosja apo Agolli vërtet krijuan në një kohë që, krahasuar me sot, mund të vrojtohet si e artë.

Por, në anën tjetër, është e njohur se krijimi shpesh lind mbi dhimbjen e tragjiken, ai gjen mënyrë të shpërthejë përkundër shtrëngesave financiare e angushtive shpirtërore. Ose, thënë më mirë, ndoshta shpërthen pikërisht për ato arsye. Edhe për leximin, pra, këto vështirësi nuk janë domosdoshmërisht pengesa të pakalueshme.

Për shkrimtarin argjentinas Jorge Luis Borges, libri ishte i barasvlershëm me botën. ”Biblioteka, që të tjerët e quajnë botë…”, kishte shkruar ai. Për të, leximi ishte esenca e të jetuarit, arsyeja pse njeriu jeton. S’është për t’u çuditur, prandaj, se ai u verbua, mbase edhe shkaku i leximit. Për shkrimtarin norvegjez Karl Ove Knausgaard, leximi është oksigjen për jetën, mjeti që ndihmon zbimin e errësirës/vdekjes që, si të thuash, jetojnë bri tij. Mirëpo, gjatë kohës sa ishte i martuar dhe fëmijët i kishte të vegjël, për të nuk kishte as lexim as shkrim gjatë fundjavave.

Moratoriumin mbi lexim-shkrimin ia kishte imponuar gruaja suedeze, me arsyetimin se vikendet ishin të rezervuara për aktivitete familjare. Edhe pse vetë norvegjez (pra, me mentalitet të ngjashëm me suedezët), Knausgaard tregon të jetë ndier si një barbar i shek. XIX që fati i lig rastis ta ketë plandosur në Stokholmin e shek. XXI, ku ideologjia e të drejtave të barabarta mes burrit dhe gruas ka depërtuar në çdo pore të shoqërisë. Mbase pjesërisht për këtë arsye – fakti që e kishte të ndaluar të lexojë e të shkruajë gjatë vikendeve – Knausgaard është tashmë i divorcuar nga gruaja.

Kjo çfarë u shtjellua më sipër ka të bëjë kryesisht me letërsinë. Mirëpo ç’ndodh me format e tjera të leximit? Si lexohet gazetaria, publicistika, apo eseistika? Përgjithësisht, artikujt gazetareskë apo publicistikë janë konsiderueshëm më të shkurtër, gjë që e bën edhe leximin më të shpejtë. E ç’të thuhet për raportet e organizatave think tanks, si p.sh. Transparency International, Amnesty International, apo Freedom House?

Mbase, në krahasim me letërsinë, ndryshimi më thelbësor qëndron në ritmin e të lexuarit. Ta zëmë, një raport 400-faqësh mbi gjendjen e demokracisë në botë rrallëherë lexohet faqe për faqe. Çfarë ndodh zakonisht është se vëmendja përqendrohet në pikat kyçe të raportit, në gjetjet, në rekomandimet e konkluzat, dhe në këtë mënyrë lexuesi do të jetë në gjendje të formojë një mendim mjaft solid për raportin në fjalë. Ekzistojnë teknika të distilimit dhe sintetizimit të informatës që e bën të mundshme që një raport kaq voluminoz të lexohet, mbase, brenda një dite. Ndërsa kjo nuk mund të bëhet me një roman, për shembull.

Leximi akademik mbase qëndron diku në mes të letërsisë dhe shkrimit publicistik. Varësisht nga tema dhe kompleksiteti i metodologjisë së përdorur, një artikull shkencor 20-faqësh mund të marrë gjysmë dite apo gjysmë ore. Kjo varet pak edhe nga stili i të shkruarit. Ajmé, shumë akademikë mendojnë se shkrimi sa më kompleks e me terme ekzotike-shkencore e bën artikullin më studioz, kurse e kundërta është e vërtetë. Sa më mirë që kuptohet brendësia e temës, aq më thjeshtë duhet të shkruhet. Kjo vlen si për romanin, ashtu edhe për një artikull apo libër akademik. Në kujtesë vjen libri ”Imagined communities” i studiuesit Benedict Anderson. Libër i shkruar thjesht, por me aq bindje të përbrendësuar të konceptit të “kombit” dhe “nacionalizmit”, saqë s’do mend se sot konsiderohet si një nga ato veprat bazë të kësaj teme.

Libri akademik mund të marrë kohë për t’u lexuar, gjithashtu. Ta zëmë, librat ku elaborohet realpolitika mund të jenë të rëndë në peshë ngase trajtojnë moralitetin makiavelian (që është ndryshe nga moraliteti mes personash të thjeshtë), flasin për luftë e konflikt. Por, në anën tjetër, esenca e asaj për çfarë flasin Joseph Nye, Kissinger, apo Hedley Bull në mijëra e mijëra faqe të veprave të tyre, mund të gjendet në dhjetëra faqe të tragjedisë “Jul Cezari” të Shekspirit.

Kjo vetëm për të ilustruar peshën fantastike që një grusht faqesh – kësaj radhe të letërsisë – mund të ketë kur krahasohet me dhjetëra vepra tjera – në këtë rast akademike. Sepse, në fund të fundit, ajo për çfarë akademikë të panumërt shkruajnë çdo ditë ka të bëjë me tragjedinë, pushtetin dhe korruptimin e tij, lojalitetin si dhe tradhtinë e zemërthyerjen, të përmbledhur në një të vetme: “Et tu, Brute?” të bardit anglez.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.