Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Metamorfoza socio-ekonomike dhe politike e Kosovës: 25 vite pas luftës

Që nga mbarimi i luftës më 1999, Kosova ka pësuar ndryshim të thellë. I dalë nga dëmet e luftës dhe spastrimi etnik, vendi e filloi rrugën e rindërtimit, shtetformimit dhe të pavarësisë. 

Megjithatë, shpallja e pavarësisë shënoi fillimin e sfidave të reja, duke qenë se shteti i pavarur rishtazi u përball me probleme të mëdha të brendshme dhe të jashtme. Pavarësisht këtyre pengesave, Kosova, duke përparuar dukshëm me ndërtimin e institucioneve të saj, etablimin e qeverisjes demokratike, përpjekjen për avancim ekonomik e njohje nga bota, ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.

Ky përparim është lehtësuar nga aleatët perëndimorë, posaçërisht Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që vazhdimisht kanë ndihmuar Kosovën, duke ofruar mbështetje të madhe. Megjithatë, sfidat që vazhdojnë e nënvizojnë betejën e vazhdueshme të Kosovës për njohje ndërkombëtare dhe integrim në organizata ndërqeveritare, duke theksuar rolin krucial të udhëheqjes efektive në arritjen e objektivave shtetërorë në mes të peizazhit gjeopolitik, përherë e më tepër kompleks.

Viti zero për Kosovën

Pasojat e luftës dhe spastrimi etnik shënuan një moment kyç për Kosovën. Me tërheqjen e forcave jugosllave më 1999, hynë trupat e NATO-s. Për shumicën shqiptare të Kosovës, viti 1999 u bë “viti zero”, që sinjalizonte lindjen e shumëpritur të të drejtave dhe lirive të sapozbuluara. 

Megjithatë, euforia e përkohshme u zëvendësua me realitetin e ashpër të pasojave të pasluftës. Shumë familje ishin të ndara, me disa që akoma po i kërkonin të dashurit e tyre në varreza masive. Shtëpitë e djegura, infrastruktura e shkatërruar dhe kushtet e rënda të jetesës, e vështirësuan shërimin nga traumat e luftës. 

Midis këtyre sfidave, investimi ndërkombëtar për rindërtimin e Kosovës çoi te themelimi i një enklave të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara. Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara vendosi për prezencë ndërkombëtare në Kosovë, duke krijuar një përzierje të organizatave të ndryshme për të siguruar paqe, stabilitet dhe rend. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) u ngarkua për organizimin e institucioneve të përkohshme, teksa Forca e Kosovës (KFOR) kujdesej për sigurinë. 

Sipas ish-diplomatit amerikan James Dobbins et al., “Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, pas konfliktit në Kosovë, për kokë banori, kanë investuar 25 herë më shumë para dhe 50 herë më shumë trupa, sesa pas konfliktit në Afganistan.” Ky investim i rritur kishte rol krucial në nxitjen e zhvillimit të institucioneve demokratike, nxitjen e ndryshimit shoqëror dhe inkurajimin e rritjes ekonomike. Veç kësaj, Kosova, me territor e popullsi të vogël, rriti shanset e saj për sukses, përkitazi me dëshirën e qytetarëve të saj për të përqafuar ndryshimin.

Kosovës i mungonte burokracia e fuqishme shtetërore dhe UNMIK-u ishte krucial, duke ndihmuar Kosovën t’i krijonte institucionet e saj. Për pak vite, Kosova, ndër të tjerash, zhvilloi sistem të tatimpagimit, politikave fiskale, qeverisjes, arsimit dhe shëndetësisë. Në këtë kontekst, UNMIK-u u mirëprit me optimizëm nga qytetarët shqiptarë, të cilët e shihnin atë si simbol të largimit të regjimit të vjetër dhe si mjet drejt shtetndërtimit dhe pavarësisë. 

Rruga drejt pavarësisë 

Në vitet vijuese, populli i Kosovës u bë më këmbëngulës për të pasur më tepër kontroll mbi fatin e vet, me qëllimin kryesor pavarësinë e plotë. Me ngecjen e bisedimeve për statusin final të Kosovës, shqiptarët e Kosovës u bënë më dyshues për efektivitetin e UNMIK-ut, si dhe u rrit frustrimi mbi pasigurinë e tejzgjatur politike. Për shumicën shqiptare në Kosovë, UNMIK-u u bë barriera kryesore për arritjen e pavarësisë. 

Për rrjedhojë, në bisedimet për decentralizim, të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara (të njohura ndryshe si Negociatat e Vjenës), konkretisht nga ish-presidenti i Finlandës, Marti Ahtisaari, më 2006 filluan diskutimet e statusit të ardhshëm të Kosovës. Kosova kërkonte pavarësi të plotë, teksa Serbia insistonte që Kosova të mbetej krahinë autonome brenda Serbisë. 

Në marsin e vitit 2007, Ahtisaari erdhi në përfundim se “opsioni i vetëm i mundshëm për Kosovën është pavarësia” dhe sugjeroi një periudhë fillestare të pavarësisë së mbikëqyrur. Ai hartoi një pako gjithëpërfshirëse të masave për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të minoriteteve joshqiptare në Kosovë. 

Edhe pse Serbia e kishte refuzuar planin e tij, ai paraqiste një kontribut për paqen dhe bashkëjetesën. Për shkak të vetos së Rusisë, Plani i Ahtisaari-t nuk u miratua nga Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë, ishte evidente që rruga e pavarësimit të Kosovës do të jetësohej pa aprovimin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. 

Tre muaj më vonë, presidenti i SHBA-së, George W. Bush, bëri një vizitë historike në Shqipëri, duke u bërë presidenti i parë amerikan që e vizitoi vendin. Në vizitën e tij, presidenti Bush said: “Në një moment të caktuar, sa më parë aq më mirë, duhet të themi se mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur; ky është qëndrimi ynë.” Kjo deklaratë e presidentit të SHBA-së në masë të madhe u pa si sinjal i fortë i mbështetjes për Kosovën, që në muajt vijues ndërmori hapa të rëndësishëm drejt pavarësisë. 

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Edhe pse pavarësia e shtetit të sapolindur u njoh shpejt nga shumica e kombeve demokratike, ai u përball me sfida në të qeverisur dhe me mungesë njohjesh ndërkombëtare nga shtetet e tjera që ngrinin dyshime për legjitimitetin e tij. 

Kërkesa për njohje ndërkombëtare dhe legjitimitet

Shpallja e pavarësisë shënon fillimin e një rrugëtimi të mundimshëm për të krijuar një shoqëri mirëfunksionuese, bazuar në parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kosova u përball me pengesa të tjera nga disa shtete, siç janë Serbia, Rusia dhe Kina, të cilat me ngulm e kundërshtuan shtetësinë e saj dhe e bllokuan anëtarësimin e saj në organizata të rëndësishme ndërqeveritare, siç janë Kombet e Bashkuara dhe Interpol-i. 

Sot, Kosova mbetet e njohur vetëm pjesërisht dhe pozicioni i saj ndërkombëtar ndikohet shumë nga raporti me Serbinë. Me gjithë procesin më se njëdekadësh të BE-së për normalizimin e raporteve, zgjidhja përfundimtare mbetet vështirë e arritshme. Mosarritja e një zgjidhjeje përfundimtare me Serbinë e ka penguar potencialin e Kosovës për rritje dhe zhvillim më të madh. 

Përveç kësaj, mungesa e njohjes nga pesë shtetet e BE-së (Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja), katër prej të cilave anëtare të NATO-s (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja), paraqet problem për aspiratat euro-atlantike të Kosovës. 

Zhvillim midis sfidave 

Me gjithë pengesat e mëdha, duke i tejkaluar pritshmëritë me arritjet e saj, Kosova ka dëshmuar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. 

Kosova ka arritur t’i fitojë më shumë se 100 njohje ndërkombëtare dhe është bërë anëtare e trupave dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Europën Qendrore, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe federata të ndryshme ndërkombëtare sportive. 

Megjithëkëtë, beteja e vazhdueshme për njohje ndërkombëtare dhe legjitimitet mbetet pengesë e rëndë dhe paraqet sfidë serioze për potencialin e vendit për zhvillim të mëtejmë. 

Ky proces s’ka qenë i lehtë, veçanërisht duke llogaritur se Serbia akoma e konsideron Kosovën si pjesë integrale të territorit të saj, vazhdon ta mohojë të kaluarën gjenocidale të saj dhe nuk ka shfaqur empati për krimet e luftës të kryera në Kosovë. Për më tepër, Serbia vazhdon t’i pengojë aspiratat e Kosovës për njohje ndërkombëtare dhe shfrytëzon çdo mundësi për bllokimin e saj. 

Pavarësisht sfidave me të cilat ballafaqohet, siç janë korrupsioni i lartë dhe ndikimi politik në sistemin e drejtësisë, ndotja e ambientit dhe sfida për të pasur qasje në arsim dhe shëndetësi kualitative, Kosova, gjithashtu, pas pavarësisë, ka bërë avancime substanciale, duke dalë më mirë sesa shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor në indeksime të rëndësishme ndërkombëtare, ndër të tjera, siç janë: sundimi i ligjit, liria e mediave, gjendja e demokracisë, perceptimi i korrupsionit

Kosova ka shkëlqyer në organizimin e zgjedhjeve fer dhe të lira, me shpalljen e rezultateve preliminare vetëm pak orë pas zgjedhjeve. Vendi përfiton nga shoqëria aktive civile dhe media e pavarur, që vazhdojnë të shërbejnë si akterë krucialë për ruajtjen e promovimin e demokracisë dhe avokimin për të drejta të njeriut. 

Ndonëse Kosova është ekonomi në zhvillim, vendi ka arritur të ruajë një ekonomi relativisht stabile, me mesataren e rritjes ekonomike prej 4%. Standardi i jetesës është rritur dukshëm dhe shkalla e papunësisë është zvogëluar. Më 2014, për shembull, shkalla e papunësisë në Kosovë ishte jashtëzakonisht e lartë – 35%; sot, ajo sillet rreth 12%. 

Më 2018, Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, duke filluar kështu një proces njëdekadësh për të arritur aftësitë dhe kapacitetin e plotë ushtarak. Prej atëherë, pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë rregullisht në stërvitjet ushtarake të NATO-s, me më të njohurën prej tyre Defender Europe. FSK-ja u fut në histori kur më 2021 dërgoi misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt, përkrah trupave të Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara nga shteti i Iowa-s. 

Ndonëse Kosova është larg nga të qenit demokraci pafundësisht funksionale dhe vazhdon të përballet me shumë sfida, shikuar këtu e 25 vite mbrapa, zhvillimi i saj është i pamohueshëm. E dalë nga rrënojat e luftës, duke etabluar një demokraci liberale funksionale me orientim të qartë euro-atlantik, Kosova mbetet një storie e rrallë e suksesit për shtetndërtim.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.