Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Nga “humanizmi islam” te kriza dhe kritika e arsyes islame

Reflektime mbi librin “Leximi kritik i Tekstit”, redaktuar nga Gëzim Selaci dhe Abdulla Rexhepi.

Me rastin e ribotimit të librit “Leximi kritik i Tekstit” në dy vëllime: (I) Kritikë e arsyes islame dhe (II) Hermeneutikë moderne e arsyes islame (Prishtinë, 2021) marrim shkas për të dhënë disa sqarime dhe për t’i adresuar disa nga dilemat që janë ngritur qysh nga botimi i parë të librit gati dy vite më parë.

Libri në fjalë, tashmë i botuar në dy vëllime, është antologjia e parë e islamologjisë moderne në gjuhën shqipe dhe përbëhet nga katër pjesë tematike që përmbledhin fragmente të përzgjedhura nga veprat e disa prej studiuesve më eminentë bashkëkohorë të islamologjisë. Secila nga katër pjesët hapen me nga një shqyrtim hyrës të shkruar nga redaktorët. Vëllimi i parë ofron një kritikë të diskursit fetar dhe problematizon raportin në mes racionalitetit dhe dogmës fetare. Ndërsa vëllimi i dytë ofron një pasqyrë të hermeneutikës moderne të tekstit të shenjë islam dhe një pasqyrë të kritikës bashkëkohore feministe dhe leximeve feminsite në Islam.

Libri konsiston në zbatimin e qasjeve dhe metodave kritike shkencore në studimin e teksteve dhe diskurseve në përgjithësi, qofshin ato fetare a jofetare. Në këtë kuptim, studimi kritik i teksteve klasike fetare (këtu islame) dhe diskursit bashkëkohor fetar janë vetëm raste ilustruese. Si i tillë, libri pasuron literaturën e shkencave shoqërore e humane në shqip. Në veçanti, shpresojmë që libri do t’i kontribuojë hapjes së shtigjeve të reja në studime më të thella orientale-islame me metodat kritike të shkencave shoqërore e humane, duke qenë se trajton tema të debatueshme në lidhje me teologjinë dhe mendimin fetar në opinionin publik. Presim që kjo t’i kontribuojë debatit duke ndihmuar që ai të zhvillohet në mënyrë më shkencore e më të qytetëruar.

Qëllimi dhe pritshmëritë nga libri

Nëse ne si redaktorë mund të flasim për qëllimet e librit, atëherë qëllimi i përgjithshëm është që t’i kontribuojë nxitjes së mendimit. Kaq mund të themi. Lexuesi duhet të vendosë se cilave qëllime në veçanti u shërben libri, pra ata do të vendosin se si do ta lexojnë librin dhe për çfarë qëllimesh do ta përdorin.

Sidoqoftë, për ne më e lehtë është të themi se se cilët nuk janë se sa cilët janë qëllimet e librit dhe çfarë do të kishim shpresuar nga ky libër. Nga koha e botimit të parë, kemi vërejtur disa keqkuptime të librit. Duam të theksojmë njërin prej tyre. Dikush ka pandehur se qëllimi i librit është të reformojë Islamin. Mirëpo, libri nuk ka për qëllim të propozojë reforma në teologjinë islame ose ta rimendojë dogmën fetare. Në fokus të librit është hermeneutika moderne, dmth metodologjia e studimit të prodhimit të tekstit dhe kuptimeve të tij, e jo reformimi i teologjisë. Si qasje kritike e dekonstruktuese, mundet me pasë, ose jo, implikim në rimendimin e teksteve të shenjta. Por, ky nuk është preokupim i librit, por punë e intelektualëve fetarë, nëse duan të ecin në atë drejtim.

Me fjalë të tjera, libri nuk ka qëllim t’ua mësojë njerëzve besimin fetar, por të ofrojë një analizë kritike të dukurisë fetare duke u shërbyer me arritjet e shkencave bashkëkohore shoqërore e humane. Për një kohë të gjatë është folur për fenë në mënyrë shumë të papërgjegjshme shkencërisht, duke dhunuar arsyen dhe anashkaluar faktet për hir të ideve dhe interpretimeve të pabazuara të fesë. Kishim dashtë që libri të paralajmëronte një kohë kur për fenë do të flitej në mënyrë të përgjegjshme dhe të bazuar, si nga studiuesit, ashtu edhe nga klerikët.

Sidoqoftë, duam të përsërisim se ia lëmë lexuesit të vendosë se për çfarë qëllimesh do ta përdorin librin dhe çfarë përgjigjjesh do të marrin prej tij. Tash për tash, nuk na lejohet të jemi shumë optimist: ky libër u përgjigjet pyetjeve që ende nuk janë bërë. Në libër tentohet të kërkohen përgjigje për një numër pyetjesh që ende nuk janë bërë, sepse pengohen nga opinioni dominues ose bien në fushën e dogmës ku nuk mendohet dhe nuk pyetet. Sidoqoftë, e ndiejmë se ka parehati, dilema dhe kureshtje, sidomos nga brezi i ri dhe nuk do të shkojë shumë kohë që ato të artikulohen si pyetje konkrete. Kur të bëhen ato pyetje, ky libër do të sugjerojë drejtimet e përgjigjeve në dritë të qasjes dhe metodës shkencore. Nuk është nga ata librat që i përshtaten rrymës dominante dhe qejfeve të lexuesve që janë mësuar me një rrymë të caktuar shkrimi e mendimi. Është një nga ata libra për të cilët gati se nuk ka lexues, por vetë libri synon të krijojë lexues të këtyre qasjeve nga mesi i atyre që do të shtrojnë pyetje.

A mund të studiohet feja me qasje e metoda shkencore?

Dikush mund të ketë dilemë nëse feja mund të studiohet me qasje e metodë shkencore. Mirëpo, duhet kujtuar se dukuria fetare gjithnjë ka qenë temë shqyrtimi filozofik dhe objekt studimi i shkencave shoqërore e humane. Argumenti kryesor i librit është se tekstet, interpretimet, diskurset, besimet e praktikat fetare mund dhe duhet të studiohen në dritë të arritjeve të shkencave shoqërore e humane bashkëkohore. Po, feja është objekt studimi i teologjisë, mirëpo teologjia nuk mund të pretendojë monopolin e studimit të fesë. Feja është tepër e rëndësishme për t’ia lënë vetëm teologëve të merren me të.

Çështjet e temat për studim që sot merren si çështje ekskluzivisht fetare, në të kaluarën kanë qenë tema të trajtuara nga diciplina që sot quhen “jofetare” ose “shekullare” të dijes shkencore. Për ilustrim, Kurani, domethënë teksti i Kuranit është trajtuar si subjekt hulumtimi në disa diciplina me metoda të kritikës historike, filologjike, gjuhësore, gramatikore, logjike, etj., dhe nuk ka qenë monopol studimor vetëm i teologëve, siç pretendohet sot. Ato çfarë sot janë pjesë të etabluara të ortodoksisë (besimit “të drejtë”) dhe ortopraksisë (praktikës “së drejtë”), dikur kanë qenë çështje për të cilat ka munguar konsensusi në mesin e brezave të parë të komunitetit të besimtarëve dhe, më vonë, tema debati e trajtimi argumentativ, pra arsyetimi sistematik e rigoroz të shkollave të mendimit filozofik, ligjor e teologjik.

Kështu ka qenë edhe në historinë intelektuale të Islamit gjatë shekujve të mesjetës, ku ka pasur një lëvizje intelektuale, që njëri nga autorët e antologjizuar në këtë përmbledhje, Mohammed Arkoun, e ka quajtur “humanizëm islam”. Sot teologjia islame është në krizë, pikërisht ngase është e mbyllur ndaj diciplinave të tjera të dijes që e ndihmojnë zhvillimin e saj dhe ndaj kritikës shkencore.

A nuk e rrënon kritika shkencore shenjtërinë e fesë!

Libri pandeh se fesë i duhet kritika shkencore pikërisht sepse feja formon sisteme njohjeje, besimi dhe etike që merren si të shenjta. Këto janë ndërmarrje njerëzore. Asgjë të shenjtë, në kuptimin absolut e hyjnor, nuk ka aty. Është shenjtërimi i këtyre dijeve, besimeve dhe praktikave që e bën fenë të pamenduar dhe të pamendueshme. Ky libër thërret që të mendojmë mbi këto sisteme të shenjtëruara. Andaj, për aq sa feja ka të bëjë edhe me prodhimin njerëzor historik, atëherë racionaliteti dhe kritika shkencore gjithsesi i duhet fesë. Mendojmë se kjo është e dobishme për fenë, pasi ajo duhet të diciplinohet nga arsyeja në mënyrë që të mos kalojë në dogmë lejuese të gjithçkasë në emër të Zotit ose besimit dhe praktikës “së drejtë”.

Një problem që na del këtu është se kritika shkencore nuk mund të bëhet pa e rrënuar, së paku deri në një masë, shenjtërinë e fesë. Megjithatë, ngulim këmbë se mund të ketë kritikë shkencore dhe të ruhet shenjtëria e fesë, për aq sa shkenca nuk e adreson mundësinë ose pamundësinë e burimit hyjnor të fesë. Në këtë rast, shenjtëria e fesë nuk cenohet. Qasja ose metodologjia shkencore është agnostike; as e mohon, as e pohon mundësinë që një hyjni të frymëzojë një profet ose të komunikojë me të, porse fokusi studimor i saj është gjithçka që ka të bëjë me prodhimin e teksteve fetare dhe kodifikimin e rregullave fetare, si dhe me njohjen fetare dhe dijen teologjike që rezultojnë nga kjo.

Duhet pranuar, gjithashtu, se kritika e fesë mund të shqetësojë dhe provokojë besimtarët në fe. Autorët e përfshirë në këtë antologji, nuk i druhen provokimit që kritika e tyre mund të shkaktojë. Në të vërtetë, këtë libër e kemi bërë me qëllim për të provokuar, por për të provokuar mendim, jo emocion. Studimi kritik i fesë që e nxit ky libër i ndihmon edhe komunitetit të besimtarëve, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve, sidomos të rinjtë e të arsimuarit në mesin e tyre, kanë dilema dhe shtrojnë pyetje në lidhje me të vërtetat fetare që kleri i predikon. Andaj, kishte me qenë papërgjegjësi e klerikëve dhe dëm për komunitetin e besimtarëve të rinj nëse klerikët, predikuesit, hoxhallarët dhe arsimtarët e teologjisë nuk provokohen nga ky libër. Ka një brez të ri që po rritet në frymën e nocioneve liberale të lirisë, po shkollohet me kulturën shkencore dhe që është i përfshirë pak a shumë në rrjedhat globale të komunikimit, konsumit, prodhimit kulturor, shkencor e artistik. Për ta nuk do të jenë të vlefshme interpretimet fetare të shekujve të kaluar të prodhuara në rrethana të ndryshme politike, intelektuale dhe estetike. Andaj, ky libër është bërë me qëllim për të nxitur mendim. Është ftesë për debat.

A mund të flitet për “arsyen islame”, ndërsa feja është besim literal në zbulesën hyjnore?

Është i përhapur një kuptim se feja nuk ka të bëjë me përdorimin e arsyes. Mirëpo, besojmë se ky mendim është i gabuar. Në të vërtetë, feja nuk është thjesht kuptim literal i teksteve të shenjta. Kuptimi i tekstit gjithnjë dhe pashmangshëm ndërmjetësohet nga një interpretim, edhe atëherë kur një lexues besimplotë pretendon “kuptimin literal” të tekstit. Origjina e ligjit të shenjtë islam, ose e sheriatit, domethënë dogmës, etikës e ligjit fetar, nuk ka qenë tekstuale, por ndërmarrje racionale me qëllim për t’i dhënë kuptim tekstit dhe për ta interpretuar atë, për të zgjidhur problematikën e kundërthënieve në tekst, për të kontekstualizuar kuptimet e nxjerra nga teksti, etj.

Pra, nuk është se arsyeja s’është përdorë në Islam, në interpretimin e teksteve, në nxjerrjen e ligjeve, etj. Problemi është se kjo ka humbur rrjedhën dhe është ngurtësuar për të krijuar rezultatet e dijes “së drejtë” ose ortodoksinë, të ndihmuara nga shpata e sulltanëve dhe veprimtaria ideologjike e popullarizuesëve të dijes. Çështja është që arsyeja shkencore të përdoret në mënyrë më sistematike dhe rigoroze sipas arritjeve të shkencave bashkëkohore shoqërore dhe humane. Lëvizja e re intelektuale në Islam të cilën po e prezantojmë në libër është pikërisht rikthim i arsyes dhe rolit vendimtar të saj në të kuptuarit dhe studiuarit e fesë, domethënë dukurisë fetare, prodhimit dhe interpretimit të teksteve fetare dhe historisë së saj.

Është e qartë se ka një tension ndërmjet kulturës shkencore, apo racionalitetit në përgjithësi, dhe një nga pjesët e librit diskuton po këtë problem. Këto të dyja ndonjëherë, përjashtojnë njëra-tjetrën. Por, kjo është më tepër dukuri moderne. Nuk mund të mohohet se mendimi shkencor në fillim është zhvilluar brenda kulturës fetare, nga studiues që kanë besuar se shkenca dhe feja nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Kjo vlen si për botën perëndimore të krishterë ashtu edhe për atë lindore islame. Feja e frymëzonte, ndihmonte ose lejonte mendimin shkencor, por nuk e zinte vendin e saj. Kur në të kaluarën në Botën islame përparonte dija shkencore dhe mendimi filozofik, kjo me siguri nuk ishte rezultat i besimit të shkencëtarëve se të vërtetat shkencore a filozofike gjendeshin në dijen e zbuluar (nakl) që gjendej në tekste të shenjta. Zbulesa nuk konsiderohej burim epistemologjik. Ishte arsyeja ajo që duhej të gjente të vërtetat.

Ndryshe nga kjo, ndarja e fesë nga shkenca në modernitet nuk ndihmon në pajtimin e fesë me shkencën në kohën e sotme. Dhe po, ka një tension në mes kulturës fetare dhe kulturës shkencore, për aq sa feja e pranon shkencën jo krahhapur, por me zor, domethënë vetëm atëherë kur nuk mund të mos e pranojë, pra kur shkenca imponohet si dominante. Kjo mund të tejkalohet vetëm me një rimendim rrënjësor të besimeve e qëndrimeve fetare në lidhje parimet e njohjes së botës fizike, moralit, ekonomisë, politikës, ligjit, etj.

Sfidat e përgatitjes dhe pritja e librit

Për fund, jo rrallë jemi pyetur për sfidat e përgatitjes së një libri të tillë antologjik e kritik dhe se si është pritur ai nga publiku. Për telashet e shkrimit, përkthimit dhe botimit në një mjedis politik, mediatik e universitar jomiqësor për librin, sidomos për librin me qasje kritike si ky, e që janë të njohura për autorët dhe botuesit, nuk kishim dashtë të flisnim. Nuk kishim dashtë të zbulonim vështirësitë e pengesat nëpër të cilat kemi kaluar. Është tepër shkurajuese. Fundja, lexuesin nuk duhet ngarkuar me prapaskenën e një prodhimi kulturor, apo jo?! E rëndësishme është se libri pa dy herë dritën e botimit dhe se ka lexues dhe kryesorja për ne është që të ofrojmë diçka të mirë për të lexuar. Ne besojmë se me këtë libër i ofrojmë lexuesit të interesuar diçka të re dhe shumë interesante në gjuhën shqipe. Vlerësimin e fundëm e jep lexuesi.

Kur kemi vendosur të redaktojmë një libër që përmbledh dhe analizon problemet e Islamit bashkëkohor nga perspektiva e shkencave shoqërore; kur kemi marrë Islamin si objekt studimi, në vend të injorimit, siç bëhet zakonisht nga studiuesit e shkencave shoqërore dhe humane; kur kemi problematizuar Islamin jo nga pikëpamja e sigurisë, siç është bërë e modës, por si problem intelektual e kulturor, nuk kemi pasë iluzione: e kemi ditur se pjesa dërrmuese e studiuesve, teologëve e gazetarëve, nuk do ta vënë re një parashtrim të tillë. Por, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për lexuesit e etur për perspektiva të reja dhe kritike të teologjisë dhe diskursit mbizotërues fetar. Andaj, ky botim i dytë vjen po për lexuesit e tillë dhe libri do të gjejë lexuesit e vet.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.