Pas deklaratave skandaloze lidhur me qëndrimin e tij rreth situatës në Ukrainë, presidenti kroat Millanoviq i është shtuar bazës së të dhënave Myrotvorets (Paqebërësit). Ai po akuzohet për akte të agresionit humanitar kundër Ukrainës dhe po cilësohet si bashkëpunëtor i pushtuesve rusë.
Në fjalën e tij, Millanoviq tha se Ukraina nuk është pjesë e NATO-s dhe se Zagrebi do të tërheqë “çdo ushtar” nga ushtria e Aleancës dhe do të distancohet sa më shumë që të jetë e mundur nga ngjarjet, nëse situata midis Rusisë dhe Ukrainës përshkallëzohet. Veç kësaj, Millanoviq tha se Revolucioni i Dinjitetit ishte një coup d’etat (grusht-shtet) dhe se Bashkimi Europian nuk e ndihmoi Ukrainën në kurrfarë forme.
“Derisa ta kuptoni që Serbia dhe Rusia nuk janë njësoj, ky është, fatkeqësisht, një fakt i dhimbshëm dhe gjithashtu një rrezik. Ne aneksuam Kosovën – ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Ajo u mor nga Serbia. Kush e bëri përpos nesh? A e njohëm Kosovën? Po, e njohëm. Nuk është aneksim, është shpronësim; si ta quajmë? Ekstraktim – e njëjta gjë. Kjo nuk vë në pikëpyetje Kosovën, por gjithë konceptin. Po kështu, Krimea nuk do të jetë kurrë më Ukrainë. Kështu po thonë gjeneralët kryesorë gjermanë”, tha Millanoviq.
Më përpara, Millanoviq tha se Kroacia nuk duhet të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe se dërgimi i tankeve perëndimore në Kiev do të shërbente vetëm për ta zgjatur luftën. Tutje, duke komentuar qëndrimin e qeverisë për misionin stërvitor të BE-së për ushtrinë ukrainase, Millanoviq sugjeroi që kryeministri Andrej Plenkoviç duhet të luftojë vetë në Ukrainë.
Meqenëqë Millanoviq nuk e miratoi pjesëmarrjen e Kroacisë në misionin stërvitor të BE-së për ushtrinë ukrainase, parlamenti kroat hodhi poshtë propozimin që vendi t’i bashkohej këtij misioni. Millanoviq zemëroi si kosovarët, ashtu edhe ukrainasit.
Myrotvorets – një databazë e armiqve ukrainas
Myrovorets (Paqebërësit) u themelua nga një punonjës dinak i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, i cili me sa duket ka lidhje të ngushta me shërbimin e brendshëm të inteligjencës së Ukrainës, SBU, i njohur me pseudonimin “Roman Zaitsev”. Faqja publikon të dhëna për njerëz që konsiderohen si armiq të Ukrainës, ose për njerëz “veprimet e të cilëve bartin shenja krimesh kundër sigurisë kombëtare të Ukrainës, kundër paqes, sigurisë njerëzore dhe ligjit ndërkombëtar.”
Kurrkush nuk e ka parë ndonjëherë Zaitsevin. Në Facebook ai shfaqet me fytyrë të mbuluar, nën emërimin: “Kreu i Gestapos që nga 2014 dhe shefi i Departamentit të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) në rajonin e Luhanskut”.
Wikipedia pretendon se Myrovorets u themelua nga ish-deputeti i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, i urryeri Anton Herashchenko, dhe ish-kreu i administratës ushtarake të Luhanskut, Heorhii Tuka.
Qysh nga fillimi, propaganda ruse dhe disa masmedia ukrainase promovuan me këmbëngulje idenë se këta individë ishin në krye të Myrotvorets. Në nëntor të 2019-s u bë e ditur se ideja për ta krijuar Myrotvorets lindi nga Eduard Matiukha, një oficer inteligjence i GRU-së së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.
Më 7 maj 2016, në Myrotvorets u publikua lista me të dhënat personale të rreth 4 mijë gazetarëve që dikur morën të ashtuquajturin “akreditim” në “DPR”. Thuhet se hakerimi i bazave të të dhënave kompjuterike separatiste e siguroi këtë gjë. Në të njëjtën kohë, Myrotvorets akuzoi të gjithë këta gazetarë për bashkëpunim me separatistët.
Gazetarë të shquar ukrainas dhe të huaj kërkuan që Myrotvorets të heqë menjëherë informacionin e qasjes së lirë në të dhënat personale të punonjësve të medias.
“Komente dhe veprime të tilla të pandërgjegjshme rrezikojnë sigurinë e gazetarëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, si dhe shkelin të drejtën e tyre për privatësi”, tha Human Rights Watch.
Burimet e tyre të informacionit janë kryesisht materiale të disponueshme publikisht nga interneti dhe publikime të shtypura, si dhe individë privatë në kushte konfidencialiteti. Ndërsa, sa i përket metodës së punës, përdoret OSINT (burimi i hapur).
Myrotvorets është parë gjithmonë me një farë dyshimi nga publiku ukrainas dhe ai ndërkombëtar. Të paktën dy persona u vranë disa ditë pasi të dhënat e tyre personale dhe adresat e shtëpive u publikuan në internet.
Më 2017, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut u bëri thirrje autoriteteve ukrainase të hetojnë aktivitetet e faqes dhe ta detyrojnë atë të fshijë të dhënat personale të publikuara. Që nga shkurti i 2023-tës, sajti Myrotvorets vazhdon të punojë dhe të publikojë informacione personale në internet.
Organizata pretendon se bashkëpunon me autoritetet ukrainase, duke përfshirë Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Ministrinë e Punëve të Brendshme të Ukrainës, Shërbimin Shtetëror Kufitar dhe Shërbimin Shtetëror Ndëshkimor. Ata pretendojnë se ndihmojnë shtetin në gjetjen e individëve që mendohet se minojnë sigurinë kombëtare të Ukrainës.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës ka mohuar çdo lidhje me Myrotvorets dhe ka deklaruar se nuk ka kurrfarë lidhjeje me ta dhe se asnjë person i quajtur Roman Zaitsev nuk është ose nuk ka qenë ndonjëherë “punonjës, oficer apo këshilltar” i SBU-së.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë bërë fushatë për shuarjen e Myrotvorets që nga fillimi. Pala ruse vazhdimisht u ka bërë thirrje zyrtarëve europianë që të bëjnë presion mbi autoritetet ukrainase. Çdo përdorues mund të shtojë një person një Myrotvorets, me kusht që të ofrojë të dhëna. Nëse dëshironi të shtoni dikë që thjesht ju kërcënon për pikëpamjet tuaja pro-ukrainase, nuk është e mundur ta bëni këtë pa vjegëza interneti dhe “screenshots” validë.
Gjatë një diskutimi, disa nga ish-shokët e mi të klasës dhe fqinjët më kërcënuan se do të më torturonin pse e mbështetja Ukrainën. Edhe pse individë të tillë përfaqësojnë veç një pakicë, zëri i tyre është i rëndësishëm në komunitetet e tyre.
Njerëzit që mbështesin Ukrainën nuk mund të dëgjohen, sepse t’i japësh zë mbështetjes është jashtëzakonisht e rrezikshme. Në një mjedis kaq armiqësor, një fjalë e vetme ukrainase mund të jetë e barabartë me një dënim me vdekje.
Sipas Zaitsevit, që nga 21 marsi i 2016-s, 57,775 njerëz janë shtuar në uebsajt. Megjithatë, gjatë pushtimit në shkallë të plotë, numri është rritur në mënyrë eksponenciale. Mënyra më e shpejtë për t’u futur “në listë” është duke udhëtuar ilegalisht në Krime nëpërmjet territorit të Rusisë, si dhe duke bërë deklarata publike anti-ukrainase.
Për ta përmbyllur, Myrotvorets është veç një e ashtuquajtur OJQ dhe nuk ka fuqi për ta persekutuar Millanoviqin. Sidoqoftë, deklarata të tilla nga presidenti i Kroacisë, i cili përjetoi një luftë të ngjashme në vitet 1900, janë shumë zhgënjyese për ukrainasit, që llogarisin në mbështetjen e palëkundur të aleatëve të tyre në gjakimin për liri dhe fitore kundër agresionit të Rusisë.